“PENA E DRITËS” ORGANIZON LIGJËRATË PËR ANTON PASHKUN

Më 23 janar 2025, në muajin e lindjes së shkrimtarit të madh të vendit tonë, Anton Pashkut, në vazhdën e takimeve kulturore “Pena e Dritës”, do të ketë një ligjëratë për ta risjellë në kujtesën e artdashësve trashëgiminë e tij të madhe, që ka lënë në kulturën shqiptare.

Në këtë takim, që do të mbahet në bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë, në orën 19:00, dramaturgu dhe skenaristi ynë, dr. Arian Krasniqi do të paraqitet me ligjëratën “Kritika filmike e Anton Pashkut”.

Ligjërata do të shoqërohet me një program artistik, kurse në mbarim të saj do të ketë edhe një kohë diskutimi me audiencën.

Pas takimit, në ambientet e Agorà-s, do të shtrohet një koktej për të pranishmit.

Tashmë kemi hyrë në vitin e dytë të takimeve kulturore që “Pena e Dritës” organizon për çdo muaj në bibliotekën “Ernest Koliqi”. Ky do të jetë takimi i dhjetë me radhë.

Takimi është i hapur për të gjithë.

Ju mirëpresim!

Shpëndaje: