Nga Prof. dr. Fatmir Sejdiu
Është një rast shumë i veçantë për mua që sot marr pjesë në “Takimet e Don Mikelit 2024” në Stubëll. Ku do të ishte më mirë se sa në këto Takime të theksoj rolin dhe kontributin thelbësor të arkitektit dhe ndërtuesit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, të njohur sot nga 115 shtete dhe të pranishme në shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare.
E thashë vend dhe rast i veçantë, pasi Stublla është sinonim i faqes së parë të shkollës shqipe në Kosovë duke qenë edhe shkëndijë e dijes dhe arsimimit që ndezi mësuesi Don Mikel Tarabulluzi. Presidenti Rugova kishte frymëzim pikërisht edhe këtë dije dhe përkushtim që u dha nga të arsimuar në kolegje e qendra të mëdha të mësimeve filozofike e teologjike, ndër ta edhe Pjetër Bogdanin, të cilët edhe vunë fillet e emancipimit dhe të qytetërimit shqiptar.
Po kështu ky rajon qe vend i mbijetesës së frymës më të thellë humane, sikur në ditët e vështira 1990, kur në Kosovë u helmuan nga regjimi serb 7000 mijë nxënës dhe mirësia e shërimit të tyre kishte këtu një derë të hapur ndihme, shërimi dhe kujdesi të pashoq.
Të dashur pjesëmarrës,
Që në fillim do të thosha atë që vura në theks të titullit të temës sime: “Rugova, arkitekti i shtetit të Kosovës”, dimensionet e mëdha të projektin politik, nacional e shtetëror që nisë nga funddecenia e tetë e shek. XX dhe u realizua në funddecenien e nëntë.
Projekti dhe platforma politike e Ibrahim Rugovës ishte unike në Kosovë dhe më gjerë, pasi bazohej në kuptimin e thelluar të ndryshimeve në arkitekturën ndërkombëtare në periudhën e rënies së Murit të Berlinit, të përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe triumfit të demokracisë.
Rasti i Kosovës nuk “u zgjodh” në skenën ndërkombëtare dhe vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por ai fitoi rëndësi përmes veprimeve të brendshme, mendjemprehtësisë dhe pragmatizmit, në mënyrë graduale, për një dekadë, bazuar në rezistencën e aktive paqësore të përhershme të shqiptarëve kundër okupimit serb.
Platforma për liri dhe pavarësi u përqendrua në vizionin e të kuptuarit drejtë të dinamikave globale dhe për t’i integruar ato në hapat, situatat dhe proceset në Kosovë. Rrjedhimisht, platforma e presidentit Rugova, kryetar i LDK-së që nga viti 1989, dhe pastaj president i Republikës së Kosovës, bazohej në veprime proaktive dhe jo reaktive dhe në funksionalizimin kreativ të vlerave qytetare e nacionale, kjo e bazuar në një kuptim dhe harmonizim të thellë të potencialit dhe idesë së shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës dhe të rrjedhave dhe proceseve aktuale ndërkombëtare.
Ndër shtyllat kryesore të vizionit të tij për shtetformim ishte krijimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me personalitete, institucione dhe qeveri. Vuri në krye të politikës ndërkombëtare të Kosovës, miqësinë me SHBA dhe Evropën. Miqësi të përhershme me SHBA, siç e përsëriste zakonisht. Urtia dhe e vërteta që thoshte kudo krijoi mirëbesim e respekt, i hapi Kosovës portat për t’u dëgjuar dhe rritur zëri i saj i mbresëlënës, për liri, pavarësi dhe demokraci.
Kujtoni takimet e tij në nivelet më të larta botërore me presidentë, kryeministra dhe personalitete të shquara që kishin rol në proceset e politikës ndërkombëtare.
Kujtoni mesazhin e qartë të Presidentit Bush senior për mbrojtjen e Kosovës, dhënë në kërshëndellat e vitit 1992. Po ashtu kujtoni takimet me presidentin Klinton, mesazhet e kryeministrit Blair, presidentit Chirac, kancelarit Chroeder dhe udhëheqësëve të tjerë botëror në ditët më kritike, atëherë kur u kur u morën vendimet jetike për mbrojtjen e popullsisë në Kosovë nga gjenocidi shtetëror serb.
Po kështu kujtoni bisedat për Kosovën me Atin e Shenjt Papa Gjon Palin dhe angazhimet e tij dhe të Selisë së Shenjt për Kosovën.
Lideri historik i kësaj Lëvizjeje dhe i shqiptarëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ishte një intelektual kritik, tolerant dhe paqësor, që idetë nacionale për liri, pavarësi dhe demokraci, arriti t’i mbillte jo vetëm në popullin e Kosovës, por ato t’i shtrinte edhe në opinionin dhe institucionet ndërkombëtare. Prandaj, filozofia e tij paqësore u pranua dhe sot gëzon aq shumë respekt në të katër anët e globit.
Me platformë të fuqishme politike, me moton: “Liri, Pavarësi, Demokraci”, shqiptarët sakrifikuan shumë, por edhe bënë një organizim të jashtëzakonshëm. Përmes solidaritetit kombëtar brenda dhe jashtë vendit dhanë shembullin, se kur ka një mobilizim të madh etik, kombëtar dhe politik, një proces, sado që të jetë i vështirë, edhe në rrethana terrori shtetëror, mund të japë rezultate të mëdha, të krijojë një shtet që do të pranohet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.
Pjesëmarrës të nderuar,
Vizioni i presidentit Rugova për shtetin e Kosovës mbështetej në radhë të parë në vullnetin e popullsisë shumicë dhe në besimin se politika e zgjedhur për të përballuar okupimin serb dhe fituar lirinë dhe shtetin, duhej bazuar në rezistencë aktive, e tillë që do të rrisë lirinë shpirtërore dhe vepruese të qytetarëve duke u shndërruar kështu vetë në bartës të lëvizjes së përgjithshme politike për liri dhe shtet.
Një tjetër shtysë e fortë e dizajnimit të projektit shtet qe fakti se Rugova tregoi rrugën nëpër të cilën duhej ecur duke punuar dhe rezistuar kurrë pa u ndalur, por pa humbur asnjëherë nga vlerat etike dhe humane, përherë për të qenë të njerëzishëm dhe të dashur. Andaj në gjenezë shteti i Kosovës është përmasa e gjerë e krijimit të paqes së brendshme publike, e bashkimit dhe solidaritetit të gjerë, e mobilizimit unik mbi një platformë të gjerë demokratike.
Në krye të interesit shtetëror, ai kishte njeriun e tij që e kuptonte. Prandaj në praktikat e shtetndërtimit u dha shqiptarëve brenda dhe jashtë forcën e bashkëveprimit pavarësisht dallimeve. Shoqëria ishte bashkësi aktive me kulturë shtetërore, me etikë dhe paqe të brendshme. Këtë e tregon më së miri Lëvizja për Pajtimi e Gjaqeve në krye me profesor, Anton Çettën, kur brenda vitit 1990 u pajtuan mijëra familje.
Pra, po e ritheksoj se në themelet e shtetit, ishte pajtimi, besimi në liri, vlerësimi për dallimet, respekti, toleranca dhe pasurimi me vlera dhe praktika plurale.
Andaj edhe si organizim rezistence politiko-shtetërore, u krijuan partitë politike, që të gjitha në programet e tyre vunë synimin për pavarësinë e Kosovës. Të gjitha në krye të platformës kishin: Lirinë dhe shtetin e Kosovës. Njëherësh, Rugova përkrahu gjerësisht organizmin e asociacioneve dhe shoqatave.
Do veçuar këtu, kontributin e Shoqatës Bamirëse “Nëna Terezë”, me kryetarin e saj Don Lush Gjergji. Vetëm në qendrën mjekësore të “Nënës Terezë” në Prishtinë, kanë lindur mbi 12 mijë fëmijë që sot janë qytetarë të lirë në shtetin e Pavarur të Kosovës.
Të nderuar pjesëmarrës,
Vendimet juridiko-kushtetuese të ndërtimit të shteti prirë nga presidenti Rugova ishin të kujdesshme, por të vendosura. Po përmend, se Kuvendi i Republikës së Kosovës përgatiti projektkushtetutën e Republikës së Kosovës dhe më 7 shtator 1990 në Kaçanik shpallë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Sipas këtij akti Republika e Kosovës është shtet i qytetarëve të barabartë.
Në shtator të vitit 1990 miratoi Rezolutën për Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran, dhe bazuar në këtë Rezolutë mori vendim që të mbahet Referendumi për Pavarësi. Referendumi u mbajt nga 26 deri më 30 shtator 1991, të drejtë vote kishin 1.051.357, votuan 914.802 veta apo 87 për qind e tërë zgjedhësve.
Si një shtysë afirmuese i konstitucionit shtetëror, qe mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Kosovës. Pasoi krijimi i qeverisë së Republikës së Kosovës, i qeverive komunale, i sistemeve të pavarura arsimoro-edukative, i politikave sociale, shëndetësore, diplomatike, të sigurisë, pastaj kulturore, financiare, informativo-mediale, sportive etj. U krijua sistemi i madh politiko- shtetëror, mbështetur në punën dhe vullnetin e qytetarëve që frymëzoi respektin për lëvizjen për pavarësi e shtet në gjithë botën demokratike. Ky respekt dhe vlerësim u pa në përkrahjen dhe ndihmën që kishte presidenti Rugova dhe Kosova nga personalitete dhe institucione ndërkombëtare. Gjithë kjo u finalizua me fushatën e bombardimeve dhe të ndërhyrjes ushtarake nga NATO mars-qershor 1999.
Filozofia e shtetit të Kosovës kishte vizion e qartësi. Rugova i dha përmbajtjen e plotë publike. Ajo ishte e vërteta historike dhe aktuale. Kosova dhe shqiptarët gjeografikisht dhe kulturalisht i takojnë Evropës dhe botës perëndimore.
Motoja e presidentit Rugova mbetet shtylla themelore e politikave ndërkombëtare të Kosovës. “Një Kosovë e pavarur e demokratike e inkuadruar në Bashkim Evropian e në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vullneti i popullit dhe do të qetësojë këtë pjesë të Evropës e të botës”. Le të na shërbejë gjithmonë si kujtesë për vizionin udhërrëfyes që identifikohet me emrin e tij: “Miqësi e përhershme me shoqëritë demokratike. Miqësi e paqe me të gjithë fqinjët si të lirë dhe të barabartë, secili në shtëpinë e vet”.
Si njeri me synime të jashtëzakonshme të shtet-ndërtimit, Presidenti Rugova edhe në kohët e vështira të okupimit ishte vizionar për rrugën që duhej të ndiqte shteti dhe kombi në dekadat që vijnë. Do kujtuar ideja e tij për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Durrës që tashmë është bërë realitet. Ngjashëm e po kaq e fuqishme ishte thirrja e Tij për ndërhyrje ndërkombëtare në Kosovë dhe protektorat civil dhe ushtarak. Profeci që u bë realitet.
Sa herë me jepet rasti të flas për Presidentin Rugova e them, dhe konsideroj se nuk është e tepërt ta përsëris as sot këtu para jush: Kemi ende shumë për të mësuar nga puna dhe vepra e tij!
Vizioni dhe filozofia politike e shtetërore e Presidentit Rugova ishin dhe mbeten përherë frymëzuese për ndërtimin e paqes, të tolerancës, të shoqërisë së lirë dhe demokratike, të shtetit të së drejtës, pa dhunë dhe autoritarizëm, pa korrupsion dhe kriminalitet. Për ndërtimin e një shoqërie moderne me sistem të avancuar arsimor, shëndetësor dhe kulturor, për ndërtimin e shtetit modern me ndarje të qartë të pushteteve, me respekt për dijen dhe mbi të gjitha, me respekt për të drejtën e qytetarit për të qenë i lirë të zgjedhë dhe të zgjidhet.
Falna Zot urtinë e tij!
(Ligjëratë e mbajtur në akademinë shkencore në Manifestimin kulturor “Takimet e Dom Mikelit 2024”, në Stubëll, më 21 shtator 2024)