Rugova, i palëkundshmi 

Nga Besnik Mustafaj

 

Me Ibrahim Rugovën jam takuar për herë të parë në fillim të janarit 1991, në Tiranë, kur lëvizja jonë për rrëzimin e sistemit stalinist ishte në javët e saj të para e më të vrullshmet. Rugova kishte ardhur për t’u njohur me ne. Miqësia jonë si një besim te njëri – tjetri lindi qysh në fillim dhe nuk u turbullua kurrë. Vetëm u thellua. Jemi takuar në vazhdim me dhjetëra e dhjetëra herë në Tiranë e në Prishtinë. Jemi takuar disa herë edhe në Paris gjatë viteve kur shërbeja si ambasador i Shqipërisë dhe kemi kaluar së bashku orë të paharrueshme. Në ndejat private ashtu si edhe në publik, Rugova ishte gjithnjë i njëjti, besnik i pathyeshëm i bindjeve të veta. Ibrahim Rugova është nga të paktët burra që kam njohur në jetën time, i cili nuk kishte dy sjellje, një për mjediset miqësore apo familjare e një për sytë e të tjerëve. Nëse do të veçoja një cilësi të vetme, që më ka bërë përshtypje të veçantë në mënyrën si ai i mbronte bindjet e veta, e të cilën jam përpjekur ta përshtas në sjelljen time, do të ishte kjo: Rugova dëgjonte me vëmendje të plotë shtjellimet e bashkëbiseduesit. Kur gjente në to argumente, që e pasuronin mendimin e tij, i pranonte dhe i përfshinte në analizën e vet me lehtësi, pa huqe sedërliu. Pastaj shfaqte mendimin e vet, po pa u përpjekur t’i imponohet bashkëbiseduesit. Nuk e kam parë kurrë të tensionohet e aq më pak të bëjë sherr me njeri, kushdo qoftë ai. Rugova ndiqte me qetësi vizionin e vet.

Po sjell në këto shënime një kujtim, i cili më duket mjaft domethënës për të nxjerrë në pah këtë cilësi të Rugovës si politikan.

Në vjeshtë 1995, në Dejton (SHBA), zhvilloheshin bisedimet për t’i dhënë fund luftës mizore të Bosnjës, e cila zgjaste prej katër vjetësh. Kosova nuk ishte fare në rendin e ditës. Madje dukej sikur askush nuk po kujtohej për tragjedinë e përditshme, por në përgjithësi larg vëmendjes së diplomacisë dhe të mediave ndërkombëtare, që ndodhte atje. Europa, ashtu si edhe SHBA nxisnin herë pas here rezistencën paqësore të shqiptarëve të udhëhequr nga Rugova dhe me kaq e qetësonin ndërgjegjen e vet. Nga njoftimet që dilnin nga Dejtoni, Perëndimi nuk po ia përmendte as në rrugë informale Milosheviçit gjendjen në Kosovë. Aq më pak po përgatitej ndonjë zgjidhje për të ardhmen. Edhe një herë, si shumë e shumë herë të tjera, qeveritë perëndimore nuk po zbatonin “diplomacinë preventive”, për të cilën flisnin me të madhe.

Ky realitet kishte krijuar një shqetësim të madh te ne, që merreshim me politikë apo me diplomaci në Tiranë. Druheshim se humbja e këtij rasti do të  ishte me pasoja shumë të rënda për të ardhmen e Kosovës. Me vendosjen e paqes në Bosnjë, pjesë e të cilës po bëhej pikërisht fajtori për tragjedinë, bota demokratike do ta quante të kryer punën me ish-Jugosllavinë, duke i lënë dorë të lirë Milosheviçit në Kosovë. E vlerësonim si të pamundur që të fuqishmit e kësaj bote, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania të mblidheshin sërish për ta përmbyllur procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë pa shtuar një tragjedi të re. Aq më tepër që në rastin e Kosovës do të ishte fjala për një njësi, e cila nuk kishte qenë as republikë, por vetëm krahinë autonome në përbërje të Republikës së Serbisë.

Veçanërisht i shqetësuar ishte Sali Berisha, asokohe President i Republikës së Shqipërisë. Unë isha ambasador në Paris. Berisha i kishte dhënë porosi gjithë trupit diplomatik shqiptar të shtronte me përparësi pranë qeverive, ku ishim të akredituar, vërejtjet e qeverisë tonë pse Kosova nuk po përfshihej në bisedimet e Dejtonit. Dihet që këto përpjekje nga ana jonë, sado që këmbëngulëse, nuk dhanë ndonjë fryt.

Por as Berisha nuk kishte ndonjë shpresë të madhe. Ai synonte që, më së paku, nëpër kancelaritë diplomatike të Europës dhe në Uashington të mbahej shënim shqetësimi. Në këtë periudhë, ai dha një deklaratë për një agjenci të huaj lajmesh, ku thoshte se, në rast të ardhjes së konfliktit të armatosur në Kosovë, qeveria shqiptare nuk do ta mbyllte kufirin për vullnetarët, që do të shkonin për të luftuar në anën tjetër e që, sipas parashikimit të tij, do të ishin të shumtë. Njëherash, për të treguar vendosmërinë e vet, ai dha urdhër për dislokimin e ushtrisë shqiptare përgjatë kufirit nga Kukësi e lart drejt veriut. Për ta thyer shpërfilljen e të mëdhenjve dukej sikur nuk mbetej rrugë tjetër veç asaj të ndezjes së zjarrit brenda në Kosovë. Kjo krijoi për herë të parë njëfarë alarmi qoftë në Europë e qoftë në SHBA, që filluan menjëherë presionin mbi Tiranën.

Berisha e bisedoi, në Tiranë, këtë strategji me Rugovën, i cili kishte në dorë ndezjen e zjarrit brenda Kosovës. Unë nuk kam qenë i pranishëm në takimin e tyre, por, duke i njohur mirë të dy, e kam të lehtë ta përfytyroj si është zhvilluar. Nga Berisha mësova se nuk ishin marrë vesh. Ndërkohë, Berisha bisedoi edhe me Adem Demaçin dhe nuk e di me kë tjetër nga Prishtina. Me Demaçin e kishte gjetur lehtë mirëkuptimin. Por Demaçi, me ndikimin e tij, ishte i pamjaftueshëm për ta zbatuar strategjinë e konfliktit të përgjithësuar në Kosovë.

Një ditë Berisha më merr në telefon për të më thënë se Rugova do të vinte në Paris e se duhej të organizoja një drekë me Kadarenë, ku do të ishim vetëm ne të tre: Rugova, Kadare dhe unë. Më tha se kishte folur me Kadarenë dhe ai ishte i një mendje me të lidhur me tejkalimin e rezistencës paqësore, e cila nuk bënte më punë për ta ndryshuar historinë. Duhej kaluar drejt përballjes popullore dhëmb për dhëmb me shtetin policor të Milosheviçit. Nuk më pëlqeu kjo detyrë dhe desha t’i shmangem.

– Rugova do ta marrë me mend përse bëhet kjo drekë dhe nuk do të vijë, – i thashë.

Përveç se President të Republikës, Berishën e kisha edhe mik të afërt prej shumë vitesh. Në këtë rast ai e kishte të plotë tagrin për t’iu drejtuar edhe ambasadorit, që e kishte emëruar vetë, edhe mikut, që isha unë. Ai i njihte shumë mirë marrëdhëniet e mia me Rugovën.

– Ibrahimi nuk ta prish ty, – më tha.

– Do të jetë mundim i kotë, – iu përgjigja. – Kur nuk ia ke ndryshuar dot ti mendjen, nuk mund t’ia ndryshojë Ismaili apo dikush tjetër.

Berisha ishte, megjithatë, i vendosur në të vetën.

Ibrahimit nuk pata nevojë t’i them dy herë. E pranoi ftesën, madje me kënaqësi. I telefonova pa vonesë Ismailit dhe, në përputhje me kohën e lirë të Ibrahimit, caktuam drekën. Restorantin e zgjodha unë diku në Saint – Germain, midis hotelit të Rugovës dhe shtëpisë së Kadaresë. Gjithsesi, për të qenë i ndershëm me Ibrahimin, e vura shkurtimisht në dijeni për çfarë do të bisedohej. Atij nuk i bëri asnjë përshtypje.

– Hajt, bre Besnik, se mirë do të kalojmë, – më tha.

Gjatë drekës, e cila zgjati afro dy orë, foli pothuaj gjithë kohën vetëm Kadare. Rugova jepte herë pas here ndonjë përgjigje të shkurtër, sipas mënyrës së tij. Unë thuajse nuk çela fare gojë.

Kadare fliste me nerv siç e kam parë gjithmonë të flasë për hallet e Kosovës. Qysh në fillim ai solli në vëmendje ca shtjellime të Demaçit, në një nga librat e tij të fundit, shkruar pas daljes nga burgu, lidhur me vetëpërmbajtjen dhe durueshmërinë e shqiptarit përballë dhunimeve edhe poshtërimeve serbe, paraqitur si virtyt kombëtar. Kadare tha se një vetëpërmbajtje e tillë nuk mund të ishte kurrsesi virtyt. Ajo ishte nënshtrim i turpshëm, nëpërkëmbje e dinjitetit njerëzor dhe kombëtar. Jo vetëm respekt, por as dhembshuri nuk ngjall një komb pa dinjitet, theksoi Kadare. Si mund t’ia lejojë vetes një shkrimtar shqiptar ta glorifikojë zhburrnimin e bashkëkombasve të vet? Për më tepër një shkrimtar si Demaçi, i cili gjithë jetën e vet e kishte kalbur burgjeve të errëta të Serbisë si hero. Por nuk ishte as e vërtetë. Nuk kishte qenë kurrë e vërtetë. Shqiptari i ishte përgjigjur me pushkë dhunuesit serb dhe kishte vdekur krenar në pragun e shtëpisë së vet. Nuk ka vetëpërmbajtje përballë poshtërimit.

Unë nuk e kisha lexuar librin në fjalë, por, nga mënyra si po e paraqiste, po i jepja, heshturazi, të drejtë Kadaresë. Ai u përpoq dy a tri herë më kot të merrte ndonjë miratim nga Rugova. Por nuk po merrte as ndonjë kundërshtim. Rugova vetëm dëgjonte, pa lënë të kuptohej nëse e kishte lexuar apo jo këtë libër të Demaçit. Pastaj Kadare u kthye nga unë për ta marrë miratimin. Unë, duke parë si Rugova i përgjigjej vetëm me një buzëqeshje, u shmanga. Nuk doja të hyja midis tyre. Heshtja e Rugovës nuk ngjante si shpërfillje ndaj çfarë po thoshte Kadare. Përkundrazi. Ai e dëgjonte gjithë vëmendje dhe respekt, duke i hequr kështu Kadaresë arsyet për t’u ndjerë i lënduar në sedër. Kjo e bënte Kadarenë edhe më këmbëngulës. Ai e solli disa herë fjalën te fillimi, duke i rënduar çdo herë vlerësimet për shtjellimet e Demaçit lidhur me vetëpërmbajtjen e shqiptarit përballë dhunës dhe poshtërimeve serbe. Nga “i turpshëm”, një përshkrim i tillë u bë “i pandershëm”. Pastaj u bë “antishqiptar”, madje “egërsisht antishqiptar”, sepse përdorte për shqiptarët një gjuhë, që vetëm armiqtë e tyre të betuar përdorin. Domethënë serbët.

Dikur Kadare e solli fjalën te bisedimet e Dejtonit. Ai tha se lënia e çështjes së Kosovës jashtë këtyre bisedimeve nuk ishte më gabim i fuqive të mëdha e posaçërisht i amerikanëve. Ishte faj i madh nga ana e tyre. Ata po i bënin një lëshim të paçmuar Milosheviçit, me shpresën e verbër se kështu do “ta blenin” për të pranuar më në fund pavarësimin dhe paqtimin në Bosnjë. Amerikanët si edhe europianët po tregonin sërish se nuk kishin mësuar asgjë nga historia për t’u shëruar nga miopia. Rugova përsëri nuk tha gjë.

Në vazhdim, Kadare e lavdëroi rolin e Rugovës si udhëheqës për ta mbajtur popullin e Kosovës të bashkuar dhe me shpresë përballë represionit policor e ushtarak serb. Por, fatkeqësisht, Dejtoni po tregonte tashmë se rezistenca paqësore nuk sillte zgjidhje. Kur nuk mori ndonjë reagim nga Rugova, ai tha se rezistenca paqësore më tej do të ishte vetëm zgjatje e agonisë për shqiptarët. Dhe i kërkoi që t’i bëhej thirrje popullit për t’u ngritur. Shteti shqiptar do të duhej të bënte detyrën e tij si prapavijë për ta furnizuar me armë dhe gjithçka tjetër duhej për luftën. Ishte sakrificë e madhe, do të derdhej shumë gjak, por duhej bërë. Siç u pa në rastin e Bosnjës, vetëm tragjeditë ia hapin sytë dhe e prekin ndërgjegjen e Perëndimit.

– Hajt, bre Ismail, se do të bëjmë më të mirën, – tha më në fund një fjalë Rugova.

Kadaresë nuk i mjaftoi ky premtim. Ai kërkonte diçka më konkrete, kërkonte një zotim. Ai vazhdoi të lavdëronte trashëgiminë e gjatë dhe heroike të popullit shqiptar të Kosovës në ndeshjen pa pajtim me pushtuesin serb dhe renditi një sërë përparësish thelbësore, që do të kishte ky popull në këtë luftë kësaj here krahasuar me boshnjakët dhe me kroatët pikërisht në sajë të gatishmërisë së shtetit shqiptar për ta mbështetur pa kursim. Por Berishën nuk e përmendi fare. Vetëm kështu do të detyroheshin fuqitë e mëdha të merreshin seriozisht me çështjen e Kosovës dhe të gjenin një zgjidhje të pranueshme dhe përfundimtare. Rugova përsëri i premtoi se do të bënin më të mirën. Asgjë më shumë. Por zëri i tij ishte, si gjithmonë, i butë, miqësor.

Ne kthim për në hotel e lirova shoferin. Në timon u ula vetë. Në veturë, me ne të dy ishte edhe Adnan Merovci. Unë doja të dija, megjithatë, se çfarë mendonte Rugova. Ai më tha se Kadare kishte të drejtë. Kosova rrezikonte të përdorej për “të blerë” Milosheviçin. Por kjo nuk do të ndodhte përsa kohë ishte jashtë rendit të ditës në bisedimet e Dejtonit. Kosova do t’i jepej shpërblim Milosheviçit vetëm po të ishte pjesë e këtyre bisedimeve. Halli i madh dhe që nuk mbante më për fuqitë e mëdha ishte kthimi i paqes në Bosnjë dhe në Kroaci. Kështu, e harruar, ose e lënë qëllimisht mënjanë, Kosova mbetej një çështje për t’u zgjidhur më vonë, më vete dhe do të kishte gjithë vëmendjen e të mëdhenjve. Sepse Milosheviçi nuk ndryshonte. Taksirati i shqiptarëve për të vuajtur edhe disa kohë.

Rugova, pra, kishte vizionin e tij të qartë, të cilit i besonte pa u lëkundur.

Tre vjet e gjysmë më vonë historia i dha të drejtë./drita.info

 

(Ligjëratë e mbajtur në akademinë shkencore të manifestimit kulturor “Takimet e Dom Mikelit 2024” në Stubëll të Epërme, më 21 shtator 2024)

Shpëndaje: