Për Ne

DRITArevistë e përmuajshme fetare-kulturore e Kishës Katolike në Kosovë, është revistë zyrtare e Kishës Katolike, e themeluar në vitin 1970 nga Imzot Nikë Prela, ipeshkëv. Numri i parë ka dal për Pashkët e të njëjtit vit, me një format A 4, gjithsej me 8 faqe. Bashkëpunëtorët e parë të revistës ishin priftërinjtë e vyeshëm: Mons. Nikollë Mini, Don Gaspër Gjini, Don Damjan Kurti, Don Zef Gashi dhe të tjerët.

Gjatë viteve 1970-1974 “Drita” shtypet në Prizren. Gjatë viteve 1974-1977 redaksia kalon në Ferizaj, shtypi ishte prapë në Prizren. Viteve 1978-1981 shtypet në Sarajevë nëpërmjet “Centrales Misionare. Gjatë viteve1981-1989 në Zagreb nëpërmjet shtëpisë botuese katolike kroate “Kršćanska sadašnost” (KS). Deri në vitin 2008 ndërpritet botimi  i Revistës për arsye të rrethanave politike dhe shoqërore, por aktivizohet botimi i shumë librave. Prej 2008-2013 del rregullisht, ndërsa gjatë vitit 2014 nuk është botuar asnjë numër për shkaqe objektive të redaksisë.

Prej vitit 1980 revista ka krijuar edhe Shtëpi botuese të vetën, deri tash ka më se 100 tituj të ndryshëm në këto seri: biblike, liturgjike, katekistike, historike, përshpirtërie, monografike, shkencore, muzikore dhe të veçanta.

Qëllimi i botimit të revistës ishte:

  • Ngjallja e dhe vazhdimi i traditës kulturore dhe shpirtërore e Kishës katolike, që me shekuj kishte ruajtur, kultivuar, begatur gjuhën shqipe nëpërmjet teksteve të vjetra biblike, liturgjike, katekistike që nga Formula e Pagëzimit e tutje.
  • Mundësia që kleri katolik të ketë një organ ipeshkvor për t’i shprehur dhe dhuruar popullit Fjalën e Zotit, porositë e Kishës, jetën baritore dhe shpirtërore. Atëbotë kishim vetëm sulme dhe përqeshje si Kishë katolike dhe s’kishim askund vend apo hapësirë për t’u mbrojtur, edhe më pak për ta kultivuar kulturën dhe qytetërimin e krishterë ndër Shqiptarë.

Duke i përmbushur këto qëllime “Drita” ka informuar për aktivitetet e Kishës në Kosovë, jetën e Kishës universale në Vatikan dhe në botë, kulturën e krishterë dhe shqiptare, për ngjarjet në shoqërinë kosovare dhe fenomenet e ndryshme në kohët e vështira, kur shkrimi shqip ishte i persekutuar.

Gjatë kohës së rëndë komuniste në Kosovë “Drita” ka qenë një mjet i rëndësishëm i qëndresës kundër propagandës totalitare që bëhej kundër kishës dhe popullit shqiptarë. Me këtë mision të vetin, ajo ka arrirë të lexohet nga gjithë qytetarët e Kosovës, pa përjashtim, sepse ishte alternativa e vetme e lirë ndaj komunizmit dhe ateizmit.

Sot, në epokën e komunikimit masiv, “Drita” e vazhdon misionin e vet të informimit dhe formimit. Edhe pse në një kohë krejt të re nga ajo e fillimeve të saja, ajo nuk e humb parimin e saj të shkruar në krye: drita lufton kundër errësirës kur ndriçon. Lufta kundër injorancës/errësirës, paragjykimeve, tendencave dashakeqëse, Dritën e shtytë të qëndrojë për ta nxjerrë në Dritë të vërtetën për Kishën dhe për popullin e dashur shqiptarë.

 


 

 

IMPRESUM

DRITA – e përmuajshme fetare – kulturore e Kishës Katolike

 

Kryeredaktor:

Don Fatmir Koliqi

 

Kolegji redaktues: P. Shtjefën Dodës S.J., Don Albert Jakaj, Don Jeton Thaqi, Don Anton Uka,

Arbnora Gojani – Mazreku, Xhavit Beqiri, Visar Berisha, Ndue Ukaj

 

Adresa

Revista Drita

Katedrala “Nënë Tereza” Prishtinë

Blvd. Bill Clinton, p.n.

10000 Prishtinë

Republika e Kosovës

 

Tel: 00377 44 507 882; 00386 49 174 790

Email: redaksia@drita.info, info@drita.info

Web: www.drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.