![](http://www.drita.info/wp-content/uploads/2024/06/edukare.jpg)
Të bëhesh prindër i mirë është një art kompleks që, megjithatë, mund të mësohet. Duke filluar të punosh për veten, për mirëqenien tënde dhe të fëmijëve të tu. Këtë e shpjegon mirë çifti italian, Severino Cirillo dhe Claudia Denti, themelues të portalit “Genitare Informato” (shq. “Prind i informuar”) dhe autorë të librit të sapo botuar “Mëso të thuash jo – Të rritësh fëmijë të lumtur“.
Vëllimi paraqet një qasje të re ndaj edukimit nga viti zero deri në adoleshencë, me shumë shembuj praktikë në të cilët nënat dhe etërit mund ta gjejnë veten lehtësisht. Çfarë duhet të bëni nëse fëmija nuk fle, si të reagoni ndaj të qarit, si të kultivoni vetëvlerësimin, si ta ndihmoni të përballojë shkollën, si të jetë një shembull i mirë për të… Shpesh të ngatërruar mes metodave të ndryshme të edukimit që përhapen nga mediat sociale, duke filluar nga ato tradicionale tek ato të ëmblat (lastueset), më moderne, prindërit janë në kërkim të një strehe të sigurt. Dy autorëve të këtij libri, Cirillit dhe Dentit, njëri doktor në Shkenca Shëndetësore, e tjetri doktor i Shkencave të Edukimit dhe Trajnimit, me përvojë të madhe në botën e fëmijërisë, revista italiane katolike Avvenire ua ka bërë disa pyetje për të kuptuar më mirë se për çfarë bëhet fjalë.
Si lindi ideja për të shkruar këtë libër?
Nga dy eksperienca të ndryshme. E para, nga përvoja e edukatores dhe, e dyta, nga ai që ka punuar shumë për mirëqenien dhe lumturinë e njerëzve vitet e fundit, në shkolla e jashtë vendit. Kuptuam se bota po ndryshon shpejt dhe se metodat edukative nuk janë gati për transformime kaq të shpejta. Për këtë arsye menduam për një qasje pak më ndryshe, e cila nuk ishte shumë didaktike. Domethënë një metodë që u mundëson prindërve dhe fëmijëve të ndihen mirë dhe të shprehen në realitetin e vështirë të sotëm.
Nga çfarë konsiston metoda juaj?
Ne menduam se parimet janë të rëndësishme në vend që të tregojnë rregullat operative. Kjo sepse parimi na tregon gjithmonë se ku të shkojmë, edhe kur situatat janë të ndryshme. Këtë disiplinë e quajtëm “Umami”, si ndjesia e shijes që plotëson dhe bashkon të gjitha shijet. Umami si shkurtesë (e 5 parimeve në gjuhën italiane unicità, maturità, autenticità, meraviglia, indipendenza), sepse na kthen në parimet e veçantisë, pjekurisë, autenticitetit, mrekullisë dhe pavarësisë. Veçantia e qenies njerëzore është qendra e kësaj metode. Detyra jonë, si prindër, është të kujtojmë se jemi të veçantë dhe të vlerësojmë veçantinë e të gjithë njerëzve që takojmë në rrugën tonë të jetës. Pjekuria është e nevojshme në mënyrë që veçantia të mos bëhet justifikim për të mos marrë përgjegjësi. Është gjithashtu e rëndësishme që prindërimi ynë të jetë në përputhje me atë që jemi dhe të mos luajmë ndonjë rol. Ne gjithashtu duhet të jemi në gjendje të kuptojmë bukurinë në mënyrë që të jetojmë plotësisht. Në fund të fundit, qëllimi i prindërimit është të lejojë fëmijët të bëhen të pavarur. Jo fëmijët që do t’i donim, jo fëmijët që do të donim t’i kishim, por njerëz që janë në të vërtetë.
Pse është e rëndësishme të thuash jo dhe pse është e vështirë ta bësh këtë?
Të bësh gjithmonë atë që dëshiron nuk do të thotë të jesh i lirë. Një fëmijë që nuk ka kufi, për shembull, është i burgosur i kaosit. Kufijtë mund të jenë miq e të dy prindërve dhe të fëmijës: kufijtë i ndihmojnë të gjithëve të kuptojnë se çfarë është e pranueshme dhe çfarë është e papranueshme, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, çfarë është e mirë dhe çfarë jo.
Duhet të thuash jo-të e duhura dhe duhet shumë guxim për të hequr jo-të. Shpesh kufijtë janë shumë të ngushtë dhe kalibrimi është shumë i vështirë. Zgjedhja e jo-ve të duhura është një vepër arti. Udhëzimet janë ato të parimeve që i kemi përmendur më lartë. Atëherë ne e pranojmë faktin që jemi njerëz dhe se mund të bëjmë gabime. Duhet të mendojmë edhe për përshtatjen ndaj ndryshimeve. Një jo sot mund të mos jetë e mirë nesër. Për më tepër, të dish të thuash jo, do të thotë gjithashtu si dish të thuash jo. Ne e dimë se mund ta bëjmë personin tjetër të vuajë dhe kur bëhet fjalë për fëmijën tonë, mendimi për të shkaktuar këtë vuajtje rrezikon të na frenojë. Nuk ka nevojë për shumë jo, por vetëm për ato të duhurat për të kultivuar lumturinë tënde dhe të fëmijës.
Nuk lejohen përjashtime në rregulla. A nuk jeni shumë të rreptë?
Lëvizja në një hapësirë pa kufij është çorientuese për ata që nuk janë të pajisur (me parime). Në vitet e para të jetës futen rregulla që duhen ndarë dhe shkruar së bashku. Rregullat dhe pasojat janë të lidhura. Nëse ka përjashtime, do të thotë se nuk ka rregull.
Metoda është veçanërisht interesante sepse përfshin prindërit që punojnë me veten e tyre. A është kaq e nevojshme?
Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për angazhimin që kërkon detyra e tyre, e cila ka një nivel të lartë kompleksiteti. Nëse arrij t’i përkushtohem vetes, të kuptoj se kush jam, të njoh emocionet e mia, t’i kultivoj ato, të rritem edhe në aspektin kognitiv, kam më shumë mjete për të menaxhuar një fëmijë. Për këtë arsye, figura e prindit është qendrore dhe nëse ai ka mjetet për të menaxhuar këtë përgjegjësi bën një punë të madhe për familjen dhe shoqërinë.
Cilat janë gabimet më të shpeshta që bën një prind sot?
E para kur bëhet prind i papërgatitur. E dyta është të nënvlerësohen pasojat e veprimeve të vogla me kalimin e kohës. Për shembull, nëse sot i jap një fëmije dy ose tre vjeç një smartphone me filma vizatimorë në dorë, qoftë edhe vetëm gjatë ngrënies, e mbërrin efektin e qetësimit të tij, por ai nuk do të përqendrohet te ushqimi dhe në të ardhmen mund të zhvillojë një varësi. E treta është të kërkoni sa më shumë informacion në çdo cep të internetit dhe të përpiqeni të jeni sa më të ngurtë në aplikimin e informacionit që gjeni. E katërta është të mos kesh një pikë referimi të besueshme. Ta përgatitësh veten, të studiosh dhe të mbështetesh te profesionistët kur është e nevojshme, është një shenjë pjekurie, ashtu si të kërkosh ndihmë është një akt i madh guximi./drita.info
Marr nga: Educare è un menù con 5 sapori. Ecco quali sono (avvenire.it)
Përkthimi: Rev. “Drita”