Dashuria – harta që udhëheq jetën tonë!

E diela XXXI gjatë vitit – Viti B

 

Leximi i parë   Lp 6, 2-6

Kjo pjesë quhet “shemà” që do të thotë “dëgjo”: është një lutje që hebrenjtë e recitojnë edhe sot çdo ditë. Është dëshmia e besimit në një Zot të vetëm, është deklarata e dashurisë së popullit të Izraelit drejt Hyjit të tij të gjithëpushtetshëm dhe të paarritshëm, është premtimi i besimtarit për të zbatuar ligjin e Hyjit duke e dashur mbi gjithçka.

 

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu iu drejtua popullit të Izraelit: “Druaje Zotin, Hyjin tënd, e zbatoj të gjitha urdhërimet e ligjet e tij që po t’i paraqes ty, bijve e nipave të tu gjatë gjithë jetës sate, që të jesh jetëgjatë. Dëgjo, o Izrael, mbaji e zbatoji që të jesh mirë e që gjithnjë të shtohesh në vendin që rrjedh qumësht e mjaltë siç ta ka premtuar Zoti, Hyji i etërve të tu. Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde! Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   18

 

Ref: Të dua, o Zot, fuqia ime

———————————–

O Zot, Qeta ime, fuqia ime,

Shpëtimtari im!

Ti je Mbrojtësi im,

fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!

Në ndihmë do ta thërras

Zotin tejet të lavdishëm,

————————————

dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.

Më sulmuan në ditën më të keqen,

por Zotin e pata krah.

Ai më qiti në vend të shpëtimit,

më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

————————————

Është Zoti!

Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!

Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet,

e përkrah të shuguruarin e vet.

————————————-

 

 

Leximi i dytë   Heb 7, 23-28

Në kultin judaik ishte një numër i madh meshtarësh që i ofronin çdo ditë fli të panumërta Hyjit.  Mendohej se duke shtuar flitë i jepej një kult më i mië Hyjit. Kulti dhe morali mund të bëhen një alibi e rrezikshme. Thuhet: “Unë i bëra Hyjit flinë time, unë kreva detyrën time, për këtë jam i shpëtuar”.  Por harrohet që shpëtimi vjen nga vuajtja dhe dashuria e Hyjit. Prandaj është Krishti flia jonë e vërtetë, meshtari ynë i vetëm; vetëm Ai na shpëton.

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, izraelitët u bënë priftërinj në një numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithmonë. Kurse Ai, mbasi mbetet për gjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë. Këndej edhe mund t’i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit – sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta.  Vërtet, një kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt – i cili s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten.  Ligji në të vërtetë, vë për kryepriftërinj njerëz të nënshtruar dobësive, kurse fjala e betimit – që vjen mbas ligjit – vë Birin që u bë i përsosur për amshim.  Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti.

Ati im do ta duajë, dhe tek ai do të vijmë.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Mk 12, 28-34

Mateu e Luka tregojnë që Jezusi duke folur për dy urdhërimet e dashurisë (ndaj Hyjit dhe të afërmit) pohon se ato janë dy aspekte të një dashurie të vetme. Marku në Ungjillin e sotëm paraqet dashurinë si përmbajtje thelbësore të Besëlidhjes së re. E gjithë jeta, kur është e ndriçuar nga dashuria, kthehet në “kult”, pra vendi i besimit të vërtetë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, një nga shkribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?” Jezusi iu përgjigj: “I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde, e me gjithë fuqinë tënde!’ Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.” Skribi iu përgjigj: “Mirë fort, Mësues! Përgjigje ashtu siç është e vërteta. Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.” Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.” Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Utopia nuk është kurrë diçka e parealizueshme, por është diçka e madhërishme që njeriu mund ta përjetojë. Nuk është e vërtetë që “utopia e dashurisë” universale të Jezusit të jetë e parealizueshme.

Lajmi i ungjillit të sotëm është se mesazhi i Krishtit mund të prekë edhe një skrib, të cilit Jezusi i thotë: “Ti nuk je larg nga Mbretëria e Hyjit”. Por “cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?”, e pyet skribi.

Është një njeri që kërkon Hyjin, do të njohë rrugën që të mund ta arrijë. Përgjigja e Jezusit është një ftesë për të dëgjuar: “Dëgjo, Izrael, Zoti Hyji ynë është Zoti i vetëm”. Me këtë dëshmi besimi Izraeli shpallte besimin e tij në Hyjin: ekziston një Zot i vetëm dhe Ai është “i yni”, sepse ai na ka dashur, na do e do të na dojë përgjithmonë.

Nga i gjithë Ligji del në pah që i vetmi urdhërim që e frymëzon është ai i dashurisë ndaj Hyjit e ndaj vëllezërve. Kjo dashuri duhet të jetohet “me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde, e me gjithë fuqinë tënde”. Besimi në dashurinë e Hyjit për ne jo vetëm themelon urdhërimin e dashurisë sonë për Hyjin, por edhe atë të dashurisë për vëllezërit. Nëse ne kemi përjetuar dashurinë e Hyjit, nëse besojmë që Biri i Hyjit ka dhënë jetën për ne edhe ne duhet të japim jetën për vëllezërit. Çdo formë dashurie është një revolucion, është fillimi i çdo ripërtëritjeje të vërtetë. Dashuria nuk është ndjenjë, është vullnet: sa angazhim duhet për të dashur me të vërtetë!

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. T’ia drejtojmë lutjen tonë të përbashkët Hyjit, Atë i të gjithë njerëzve, dhe t’i kërkojmë që të kemi gjithnjë e më shumë një zemër të madhe që tejkalon të gjitha keqkuptimet.

L. Të lutemi së bashku e të themi: O Zot, dëgjoje lutjen tonë.

L. Për Kishën, që të jetë gjithmonë nxitëse e bashkimit dhe paqes mes popujve të ndryshëm të tokës. Të lutemi.

L. Për kryetarët e shteteve, që të nxisin të mirën e vërtetë të çdo njeriu dhe të familjeve, duke shfrytëzuar çdo rast që bashkon. Të lutemi.

L. Për grupet dhe shoqatat vullnetare që të mos shkurajohen në prova dhe në keqkuptime. Të lutemi.

L. Për këtë asamble: që nga Eukaristia të lindin angazhime bashkimi dhe solidariteti, edhe drejt atyre që janë larg. Të lutemi.

M. Në emër të Birit tënd, mik i të varfërve dhe të vuajturve, dëgjoje, o Atë, zërin e kësaj familjeje dhe bëj që, ai që beson në ty, të dëshmojë bamirësinë e pafundme në kohën tonë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: