E diela IV e Ardhjes – viti C
Leximi i parë Mik 5, 1-4
Tetë shekuj përpara ardhjes së Krishtit, profeti Mikea shpallte lindjen e Tij në Betlehem. Profecia e tij një ditë do t’i udhëhiqte dijetarët të gjenin Mesinë. Hyji premton që vendi i Judesë sot i shtypur nga armiqtë, një ditë do të rizgjohet: do të lindë një grua, nga e cila do të lindë një mbret i kujdesshëm si një bari që do të bëjë të mundur jetën dhe do të vendosë paqen.
Lexim prej Librit të Mikesë profet
Kështu thotë Zoti: “E ti, o Betlehem – Efratë, i vogël ndër barjaqet e Judesë, prej teje do të më dalë ai që do ta sundojë Izraelin. Zanafilla e tij prej kohëve të hershme, prej ditëve të amshimit. Prandaj Hyji do t’i dorëzojë derisa të lindë ajo që ka për të lindur. Atëherë teprica e vëllezërve të tij do të kthehet ndër bijtë e Izraelit. Ai do të nritet, do të udhëheqë me fuqinë e Zotit, me madhërinë e emrit të Zotit Hyjit të vet. Do të banojnë në qetësi, sepse Ai do të jetë i madh skaj më skaj të vendit: e Ai – ai vetë do të jetë paqja!” Fjala e Zotit
Psalmi 80
Ref: Shndrite fytyrën tënde e na shëlbo, o Zot
——————————————–
Dëgjo, o Bariu i Izraelit,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe,
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë
për të na shpëtuar!
—————————————–
Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vresht,
dili zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
—————————————–
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate,
mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
—————————————–
Leximi i dytë Heb 10, 5-10
Jezu Krishti i ofrohet Atit për të kryer vullnetin e tij. Krishti ka themeluar kultin e ri të krishterë që realizohet duke falënderuar Hyjin. Çdo ditë në veprimet tona duhet të pohojmë: “Ja, unë po vij o Hyj për të kryer vullnetin tënd. E gjithë vlera e jetës sonë, e lutjes sonë qëndron në realizimin e këtij vullneti.
Leximi prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, Krishti duke hyrë në botë, thotë: “Fli e kusht ti nuk deshe, por ma bëre gati trupin; holokaustet dhe flitë për mëkate nuk të pëlqyen. Atëherë thashë: ‘Ja, po vij!’ sepse për mua shkruan në rrotullin e librit: ‘Për ta kryer, o Hyj, vullnetin tënd!’ Pasi tha më lart: “Flitë e kushtet, holokaustet dhe flitë për mëkate nuk të pëlqyen dhe nuk i deshe” – e pra, flitet për fli të urdhëruara prej Ligjit – thotë pastaj: “Ja, po vij për të kryer vullnetin tënd!” kështu shfuqizon kultin e parë për të vendosur të dytin. Në fuqi të këtij vullneti kemi qenë shenjtëruar me anë të flijimit të trupit të Jezu Krishtit njëherë e përgjithmonë. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!
Aleluja.
Ungjilli Lk 1, 39-48
Dy gra presin secila nga një fëmijë dhe janë të lumtura, por lumturia e tyre shkon përtej: pritja e tyre është edhe shpresa e një populli të tërë. Përderisa jetojnë me besim ato provojnë efektet e pranisë së Hyjit. Kthimet e mëdha dhe ripërtëritjet e thella në histori fillojnë gjithmonë në sekret. Jeta ashtu si besimi zhvillohen në qetësi dhe në gëzimin e fshehur.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”
Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. Fjala e Zotit!
POROSIA
Kush merr një dhuratë të madhe nxitet ta komunikojë e tua dhurojë të tjerëve. Gratë e Ungjillit kanë provuar në trupin e tyre dhuratën e dy ‘shtatzënive të pamundura’. Të dyja kanë pranuar me besim të sigurt dy fëmijët e veçantë.
“Maria u nis me nxitim për krahinën malore”. Maria, pasi ka marrë lajmin e engjëllit, niset drejt shtëpisë së Elizabetës për të konfirmuar fjalët e engjëllit e për të bashkëndarë përvojën e saj me atë që po jetonte një situatë të ngjashme.
“Posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë i kërceu foshnja …” Gëzimi e prania e Shpirtit Shenjt fillojnë të mbushin zemrat e personazheve të kësaj ngjarjeje. Plotësohet profecia që i përket Gjon Pagëzuesit: ‘ai do të mbushet plot me Shpirtin Shenjt që nga kraharori i nënës së vet’. Ai njeh praninë e Jezusit në kraharorin e Marisë.
“Je më e bekuar se të gjitha gratë”, Elizabeta, nën veprimin e Shpirtit Shenjt bërtet me zë të lartë fjalët e bekimit e të gëzimit, të ngjashme me ato të shqiptuara për fitoren në beteja.
“Nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim?”. Luka na kujton se Jezusi është Zoti që nga fillimi i jetës së tij tokësore. Elizabeta kupton madhështinë e Marisë e të Birit që mban në kraharorin e saj.
“E lumja ti që besove se do të plotëso-het çka të qe thënë prej Zotit!”. Ky pohim i përket jo vetëm Marisë, por të gjithë besimtarëve, kushdo mund të bëhet nëna e Zotit, me kusht që të vendoset në dëgjesën e plotë të Fjalës së tij.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër dhe motra, Maria është modeli i besimit dhe i guximit të vërtetë. T’i kërkojmë që gatishmëria e saj ndaj Hyjit dhe të tjerëve të jetë edhe e jona.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Na përtërij në shpresën tënde, o Zot.
L. Për Kishën, që nën shembullin e Marisë, të bëhet përcjellëse e mesazhit të dashurisë që buron nga dashuria e Hyjit. Të lutemi.
L. Për burrat dhe gratë e kohës sonë që të rinjohin në Jezusin, të lindur nga Virgjëra Mari, Shpëtimtarin e tyre të vetëm. Të lutemi.
L. Për ata që kanë provuar vuajtjen, vetminë dhe varfërinë, që të mos dyshojnë kurrë në mirësinë e Hyjit. Të lutemi.
L. Për bashkësinë tonë, që të mësojë nga shën Maria dhe nga shën Jozefi të pranojë Jezusin me besim dhe bujari. Të lutemi.
M. O Atë, Ti do, që në Jezusin, Birin tënd, të shkëlqejë drita e shpresës për gjithë njerëzimin. Përhape në ne besimin e Maries dhe Elizabetës, që të mund të jemi lajmëtarët e gëzimit që na dhuron Shpëtimtari. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)