Të Ngriturit e Marisë Virgjër në Qiell – Viti B
Leximi dytë Zb 11,19; 12, 1-6,10
Gruaja është imazhi i popullit të Hyjit, sepse është nusja e Hyjit dhe nëna e Mesisë. Kundër popullit dhe kundër Mesisë ngrihet Dragoi, armiku i njeriut, mëshirimi i së keqes, që shkatërron qiellin e tokën. Krishti i shmanget fuqisë së tij me anë të ringjalljes. Maria është imazhi i gjallë i popullit të Hyjit, ka jetuar si Krishti provën e besimit dhe kundërshtimin e kryqit. Dhe tani është imazhi i lavdishëm i së ardhmes së premtuar të bijve të Hyjit.
Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shërthyen vetëtimë, gjëmë e rrufe, termet dhe breshër i madh! Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje! Shtatzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes. Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë! Bishti i tij ngrehte pas vetes të tretën e yjeve të qiellit – dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa ta lindte fëmijën, t’ia hante. Dhe Ajo lindi fëmijën – një djalosh – që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por fëmija i saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, kurse Gruaja iku në shkreti ku Hyji ia përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë. Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: “Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë. Fjala e Zotit
Psalmi 44
Ref. Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha
————————————————
Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde,
në të djathtën tënde të qëndron mbretëresha,
në ar Ofiri e ngrirë.
————————————————
Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:
harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës
tënd. Nëse mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote,
nderoje atë, ai është zotëria yt!
————————————————-
Përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.
Me hare u prijnë e me brohori,
ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!
———————————————–
Leximi dytë 1 Kor 15,20-26
Shën Pali paraqet nga njëra anë Adamin e parë si atë që ka mëkatuar dhe është i kërcënuar nga vdekja dhe nga boshllëku i dëshpërimit dhe nga ana tjetër paraqet Krishtin, Adami i përsosur ai që ka fituar mbi mëkatin dhe vdekjen dhe ka dhuruar jetën nëpërmjet ringjalljes.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. Fjala e Zotit
Ungjilli Lk 1, 39-56
Në këngën “Manjifikat”, që Maria i drejtohet Hyjit Shpëtimtar, shfaqet menjëherë kontrasti mes të fuqishmëve dhe mendjemëdhenjve nga njëra anë dhe e të përvuajturve dhe të varfërve nga ana tjetër. Mbi këtë turmë, në të cilën shkëlqen Nëna e Zotit e veshur me diell lartësohet fuqia e Hyjit që mbron dhe ushqen bijtë e tij.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në sthtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”
Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm: i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni me brezni për ata që e nderojnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve; i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, e të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke u sjellë në mend mëshirën – si ua pati premtuar etërve tanë – në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.” Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj, e atëherë u kthye në shtëpinë e vet. Fjala e Zotit
Aleluja.
Maria u ngjit në qiell: galdojnë aradhet engjëllore.
Aleluja.
POROSIA
Çdo vit në zemër të verës kremtohet solemniteti i Të Ngjiturit të së Lumes Mari Virgjër në Qiell, festa më e lashtë mariane. E për ne besimtarët është një rast i volitshëm për t’u lartuar me Marinë Virgjër në lartësitë e shpirtit, ku thithet ajri i pastër i jetës së mbinatyrshme dhe kundrohet bukuria më e vërtetë dhe e plotë, që është shenjtërimi. Atmosfera e kremtimit të kësaj feste është e mbushur me gëzimin e Pashkëve.
“Sot Maria është ngjitur në qiell: galdoni e gëzohuni, me Krishtin mbretëron përgjithmonë. Haleluja”.
Ky kumtim na flet për një ngjarje tejet të jashtëzakonshme dhe unike, por që e mbush zemrën e njeriut me shpresë e lumturi. Vërtet, Maria është krijesa e parë e njerëzimit të ri, krijesa në të cilën misteri i Krishtit – Mishërimi, Vdekja, Ngjallja, të Ngjiturit të Krishtit në qiell kanë pasur efektin apo rezultatin e plotë, duke shpëtuar nga vdekja e duke e bartur me shpirti e me trup në mbretërinë e jetës së pavdekshme. Për këtë Virgjëra Mari, sikur na kujton Koncili II i Vatikanit, për ne është shenjë e shpresës së sigurt dhe ngushëllim.
Festa e ‘Të Ngjiturit të Zojës në Qiell’ pohon se dashuria, në dukje ligështi e Hyjit, fiton mbi pushtetin e egoizmit e të dhunës. “E gjithë historia është luftë ndërmjet dy dashurive: dashurisë së Zotit deri në dhurimin e plotë të vetvetes e dashurisë për vetveten, deri në përbuzjen e Zotit, deri në urrejtjen për të tjerët”, thotë Shën Augustini. Festa e ‘Të Ngjiturit të Zojës në Qiell’ na fton të kemi besim, sepse dashuria, që duket si ligështi e Zotit, në fund të fundit ngadhënjen mbi atë që duket si pushtet absolut i urrejtjes e i dhunës.
E kështu festa e ‘Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë: Është ftesë për të pasur besim në Hyjin, ftesë për t’i përngjarë Marisë, ashtu siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e Tënzot, jam në dorë të Zotit. Të ecim në rrugën e saj, për ta gjetur vetveten, për të gjetur jetën e vërtetë. Atëherë mund të themi me plot gojën se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ është festa e gëzimit. Hyji fiton! Feja, në dukje e ligsht, është forca e vërtetë e botës. Dashuria është më e fortë se urrejtja.
Shembulli i Marisë tregon se Hyji kërkon njerëz në të cilët mund të ndërtojë banesën e vet. Krishti dëshiron të jetojë edhe në zemrën tonë. Kisha – shtëpi e Hyjit rritet në ne, njerëzit, e pranojmë Zotin me fenë tonë, me adhurimin tonë, me shpresën tonë e me dashurinë tonë, duke u bërë kështu, gurë të gjallë të kësaj shtëpie shpirtërore.
Lutjet e besimtarëve
M. Vëllezër dhe motra, në festën e të Ngriturit e Zojës së Bekuar në Qiell, t’ia drejtojmë lutjet tona Nënës Mbretëreshë të kujdeset për fëmijët e vet në botë:
L. Të themi së bashku: Për Marinë, hirplote, dëgjoje lutjen tonë!
L. Fjalë e amshuar, ti që zgjodhe Marinë të jetë arkë e pashkatërrueshme e qendrimit tënd ndër ne, me ndermjetësinë e saj na ndihmo që të ruhemi nga mëkati dhe të jetojmë në hirin tënd, të lutemi.
L. Shëlbues i botës, Ati deshi që të lindësh prej Virgjëres Mari, na ndihmo me ndermjetësinë e Nënës tënde dhe Nënës sonë që edhe ne të rilindim për jetë të re me Ty, të lutemi.
L. Jezu, Mbret qiellor, Ti deshe që Nëna jote të jetë aty ku gjendesh Ti në gëzimin e amshuar, me ndërmjetësinë e Nënës tënde na frymëzo dhe ndihmo që të punojmë dhe veprojmë për shëlbimin e shpirti tonë, të lutemi.
L. Ti, o Jezu bashkë me Nënën tënde ishe në dasëm në Kanë të Galilesë, qëndro me familje tona dhe Nëna jote të ndërmetësoj për t’u shtuar gjithmonë gëzimi në paqe, dashuri, mirësi dhe ndihmesë në mes bashkëshorteve dhe fëmijëve, duke u rritë gjithnjë e më tepër në fe, shpresë dhe dashuri, të lutemi.
L. Ti, o Jezu, premtove parajsen të gjithë atyre që shpresojnë në Ty, me ndërmjetësinë e Nënës sate, bëj që të dashurit tanë që kaluan nga kjo jetë të gjenden në gëzimet e jetës së pasosur, të lutemi.
M. O Jezu, të falendrojmë për Nënën tënde që na e le për ndërmjetëse tonën. Na i dëgjo lutjet tona dhe na ndihmo që të një ditë të gjendemi të gjithë në Mbretërinë e Atit tonë qiellor. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)