JEZUSI, DHURUES I DRITËS

E diela e XXIII gjatë vitit – viti B

 

 

Leximi i parë   Is 35, 4-7

Isaia na tregon efektet e pranisë së Hyjit mes njerëzve: pranvera lulëzon, kthehet guximi, një popull rigjen lirinë e tij, të mërguarit kthehen në atdhe, sytë e të verbrit hapen, shurdhi mund të dëgjojë, memecit i zgjidhet gjuha. Të gjitha këto Jezusi i kreu duke na zbuluar dashurinë e Atit.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Thoni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behi shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!” Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkreti. Toka e shkrumbuar liqen do të bëhet, vendi i thatë burime! Në strofuj ku strukej çakalli, do të rritet kallam e xunkth. Fjala e Zotit

 

 

Psalmi 146

 

Ref. Lavdëroje, shpirti im, Zotin.

—————————————

Zoti e mban besnikërinë për amshim,

u jep të drejtën të nëpërkëmburve,

u jep ushqim të uriturve.

Zoti i çliron robërit.

————————————–

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,

Zoti i ndreq të kërrusurit,

Zoti i do të drejtët,

Zoti i mbron ardhacakët.

—————————————

U ndihmon bonjakëve e të vejave,

ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.

Zoti do të mbretërojë për jetë,

Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni

—————————————

 

 

Leximi i dytë   Jak 2, 1-5

Jakobi denoncon skandalin e një bashkësie të krishterë që vlerëson më shumë pozicionet shoqërore të personave në kundërshtim me mësimin e Jezusit.  Kisha e të pasurve interesohet për të varfërit, por vetëm për t’i përdorur si një instrument për lavdinë e tyre. Nëse kisha mbetet kisha e të pasurve nuk mund t’i dojë të varfërit me të vërtetë.  Për t’i dashur duhet të bëhet kisha e shërbimit, duke imituar themeluesin e saj, që nga zotëri u bë shërbëtor.

                                

Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull

Vëllezër të mi, mos e përzini fenë e Zotit tonë Jezu Krishtit të madhërueshëm me krahambajtje! Sepse, po bëri e hyri në mbledhjen tuaj një njeri me unazë ari, i veshur në mënyrë të shkëlqyeshme e, po hyri një skamnor me petka të vjetruara, e ju e rrethoni me nderime atë që është i veshur bukur dhe i thoni: “Urdhëro! Ti ulu këtu lirisht!”, ndërsa skamnorit i thoni: “Rri atje, në këmbë!” ose: “Ulu këtu, poshtë, te këmbët e stolit tim!”, a nuk gjykuat ju në vetvete me krahambajtje dhe a nuk u bëtë gjykatës që gjykojnë për së mbrapshti?  Dëgjoni, vëllezër të mi të dashur! A nuk i zgjodhi Hyji ata që për sy të botës janë skamnorë për t’i bërë të pasur në fe dhe trashëgimtarë të Mbretërisë që ua ka premtuar atyre që e duan? Fjala e Zotit

 

Aleluja.

Gjithçka bëri mirë! Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!

Aleluja.

 

Ungjilli   Mk 7, 31-37

Jezusi ka shkuar në krahinën pagane të Tirit, sepse farisenjtë, të shurdhër ndaj Ungjillit e pengonin Jezusin të fliste. Në këtë kontekst kryhet mrekullia e shurdhit që ka një vlerë simbolike për farisenjtë që janë të shurdhër ndaj mësimit të Jezusit.  Ja misteri i Fjalës së Jezusit që mbyll veshët e atij që nuk do ta dëgjojë, por zgjidh gjuhën e atij që dëshiron të shërohet.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Jezusi doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit. Ia sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. Ai e ndau prej popullit veçmas, ia shtiu gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha” – që do të thotë: “Çelu!” E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm. Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin: “Gjithçka bëri mirë! Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!”  Fjala e Zotit

 

 

Porosia

Leximi parë: me pak rreshta, por me histori të pasur, na paraqet profeti gjendjen aktuale të Ka persona, të dënuar në vetmi, sepse janë të verbër dhe shurdhmemecë nga lindja. Por kur sytë, veshët e gjuha e zemrës janë bllokuar, personat e sëmurë humbin besimin në vetvete e aftësinë për të pranuar të tjerët me brishtësinë e tyre.

Jezusi “erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit”. Ai gjendet në tokën pagane, ka ardhur për t’u kujdesur për veshët e gjuhën e të gjithë njerëzve: i do të përgjegjshëm, të aftë për të dëgjuar e për të hyrë në dialog me Hyjin e besëlidhjes.

“Ia sollën një shurdhaman”. Miq dhe familjarë çojnë shurdhmemecin te Jezusi që të shërohet: shërimi është fryt edhe i ndërmjetësisë të vëllezërve. Shurdhmemeci, i mbyllur në vetvete, nuk percepton nevojën e dëgjimit e bukurinë e Fjalës. E njëjta gjë u ndodh të gjithë të pagëzuarve që janë larg nga dëgjimi i Fjalës së Hyjit.

“Ai e ndau prej popullit veçmas”. Jezusi kërkon një marrëdhënie personale, larg nga turma, që shpesh pengon dialogun me Të, për të rigjetur ndërgjegjen e vet. Jezusi “psherëtiu dhe i tha: ‘Effatha’, që do të thotë: ‘Çelu!’”.

Duhet të hapim zemrën për të vëzhguar shenjat e pranisë së dashurisë së Hyjit. Hapu të dëgjosh dhe të pranosh mësimet e ungjillit! Hapu të shpallësh besimin tënd me jetën tënde! Nëse kjo ndodh, ekzistenca jonë ndriçohet nga fjala e Jezusit. Edhe ne mund të themi me turmat e ungjillit: “Ka bërë mirë çdo gjë; ka bërë të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!”!

 

Lutjet e besimtarëve

M. Vëllezër e motra, edhe ne, shpesh herë, jemi të shurdhër para fjalës së Zotit e të paaftë të flasim për të. Që Zoti të na japë një zemër të hapur dhe shërimin e shpirtit të shurdhër.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo, o Zot.

L. Që Papa, ipeshkvijtë, priftërinjtë, dhe diakonët të hapin gjithmonë e më shumë zemrat e tyre ndaj fjalës së shenjtë. Të lutemi.

L. Që përgjegjësit e kombeve të mos bëjnë preferenca për njerëzit në bazë të kushteve shoqërore, por të punojnë për të mirën e të gjithëve. Të lutemi.

L. Që shurdhmemecët dhe të sëmurët të jenë gjithmonë të ndihmuar nga të krishterët, nën shembullin e Jezusit. Të lutemi.

L. Që bota e tanishme të rigjejë kuptimin e qetësisë, e domosdoshme për dëgjimin e fjalës së Zotit. Të lutemi.

L. Që pjesëmarrja në kremtimin eukaristik të na bëjë më të vëmendshëm përballë vullnetit hyjnor. Të lutemi.

M. O Zot Jezus, që ke bërë të dëgjojnë të shurdhrit dhe të flasin memecët, hapi veshët tanë dhe zemrat tona në dëgjimin e Ungjillit e na bëj të aftë në shpallje dhe në dëshmi. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: