Jezusi është Buka e Jetës

E diela XVIII gjatë vitit  (B)

 

Leximi i parë   Dal 16, 2-4.12-15

Populli që ka dalë nga skllavëria e Egjiptit nynykat kundër Moisiut, por Hyji i dhuron në mënyrë të mrekullueshme manën si ushqim. Profetët kanë interpretuar manën si shenjë të pranisë hyjnore. Tradita e mëvonshme paraqet “manën” si buka e zbritur prej qiellit. Dhe Jezusi ka parasysh pikërisht këtë traditë. 

 

Lexim prej Librit të Daljes

Në ato ditë, mbarë bashkësia e bijve të Izraelit zuri të ankohet kundër Moisiut e Aronit në shkretëtirë. I thoshnin njëri-tjetrit: “Oh, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në dheun e Egjiptit, kur rrinim mbi vegsha mishi e hanim bukë derisa s’u ngopnim! Po pse na nxorët dhe na sollët në këtë shkretëtirë të vdesë urie mbarë bashkësia?!” Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Ja, unë po bëj t’ju bjerë bukë prej qiellit. Le të dalë populli e le të mbledhë, aq sa t’i dalë mjaft për çdo ditë. Dua t’i vë në provë palè a do të ecën në ligjin tim apo jo. I dëgjova ankimet e bijve të Izraelit. Thuaju: Sonte do të hani mish e nesër në mëngjes do të ngiheni me bukë e atëherë do ta pranoni se unë jam Zoti, Hyji juaj!”. Posa u bë mbrëmja, ia bëhen shkurtat dhe e mbuluan tëbanishtën, kurse në mëngjes një shtresë vese rreth e rrotull tëbanishtës e kishte mbuluar sipërfaqen e shkretëtirës! Atëherë u duk mbi tokë kokërrizë e hollë porsi brymë. Kur e panë bijtë e Izraelit, i thanë njëri-tjetrit: “Manhu?” – që do të thotë: “Çka është kjo?” Sepse nuk dinin se çka ishte. Moisiu u tha: “Kjo është buka që Zoti jua dha për ta ngrënë!” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   78

 

Ref: Na e jep, o Zot, bukën e jetës

————————————–

Ato që dëgjuam e mësuam,

çka na treguan etërit tanë,

nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre,

do t’i kalojmë gojë me gojë në breznitë e ardhshme

lavditë e Zotit e mrekullitë e tija,

veprat e bindshme që ai bëri.

————————————–

Kështu u urdhëroi reve prej së larti,

i hapi pendët e qiellit,

porsi shi e lëshoi manën për ushqim,

u dha bukë nga qielli:

njeriu hëngri bukë engjëjsh.

————————————–

U dha ushqim me shumicë.

I çoi në tokën e vet të shenjtë,

në bjeshkën që pushtoi e djathta e tij.

Mandej në qiell e zgjoi erën e lindjes,

me pushtet të vet bëri të fryjë shiroku.

————————————–

 

 

Leximi i dytë   Ef 4, 17.20-24

Pali fton të krishterët të kërkojnë bashkimin dhe të jetojnë denjësisht jetën e tyre prej të krishteri të themeluar mbi njohjen e vërtetë të Krishtit. Pali zhvillon këtë temë duke folur për njeriun e vjetër-njeriun e ri. Të zgjedhësh të renë, pra Krishtin, do të thotë të prishësh solidaritetin me njeriun e vjetër mëkatar për të jetuar në drejtësi dhe shenjtëri në një ripërtëritje të vazhdueshme në Shpirtin.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, them këtë dhe përbej në Zotin: mos jetoni sikurse jetojnë paganët, në kotësinë e mendjes së tyre. Ju veç nuk keni qenë mësuar kështu mbi Krishtin, në qoftë se keni dëgjuar për të dhe në qoftë se keni qenë mësuar simbas së vërtetës që është në Jezusin: në fuqi të së cilës u duhet ta flakni tej mënyrën e mëparshme të jetesës, njeriun e vjetër, të cilin prirjet e shfrenuara e çojnë në bjerrje, dhe duhet të përtëriheni me shpirtin e mendjes suaj dhe të vesheni me njeriun e ri, të krijuar simbas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

Aleluja.

 

Ungjilli   Gjn 6, 24-35

Në shumimin e bukëve ajo që ka rëndësi nuk është mrekullia, por misteri i Jezusit. Edhe për manën, thelbësorja nuk ishte që të ushqente trupin, por që të shfaqte praninë hyjnore.  Dhe misteri i Jezusit u shfaqet të uriturve dhe atyre që kanë etje. Ai është buka e vërtetë që vjen prej qiellit, uji i vërtetë që dhuron jetën. Ai na fton në tryezën e tij dhe na ofron gëzimin e një buke të bashkëndarë në bashkim me Atin.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin. Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë: “Rabbi, kur erdhe këtu?” Jezusi u përgjigji: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë. Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’jua japë Biri i njeriut, sepse këtë e vulosi Ati-Hyj.” Atëherë ata i thanë: “Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?” Jezusi u përgjigji: “Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në atë që Ai e dërgoi.” “Çfarë shenje bën ti – i thanë ata – që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? Etërit tanë hëngrën mannën në shkreti si shkruan edhe në Shkrim shenjt: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit’.” Jezusi u përgjigji: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: sepse buka e Hyjit është ajo që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën.” Atëherë i thanë: “Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!” Jezusi u përgjigji: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Jeta: çfarë është? Feja: çfarë është? Njeriu: çfarë është? Duhet të nxisim pyetje, në jetën e njeriut. Nëse në zemër lind pyetja, atëherë ka kuptim të kërkojmë: O Zot, na jep gjithmonë bukën e jetës së pavdekshme.

“Kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi … hynë në lundra”. Njerëzit kërkojnë Jezusin sepse duan më shumë bukë, por jo sepse janë të nxitur nga besimi. Njerëzit shohin mrekullinë, por nuk arrijnë ta kuptojnë si shenjë që zbulon hyjninë e tij. Ndalen në sipërfaqe, në ngopjen me ushqim. Por Jezusi u kërkon njerëzve të kërkojnë bukën e jetës së amshuar, që Ai do tu dhurojë.

“Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në atë që Ai e dërgoi”. Njerëzit pyesin: Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Hyjit? Jezusi përgjigjet se vepra e madhe që Hyji na kërkon është të besojmë në Birin e tij, Jezusin! Besimi në Birin e njeriut është përgjigja jonë ndaj Hyjit.

“Çfarë shenje bën ti, i thanë ata, që ta shohim e të besojmë”. Ata nuk kuptuan që shumimi i bukëve ishte një shenjë nga ana e Hyjit për të treguar Jezusin, si të Dërguarin e tij. Jezusi përgjigjet se buka e dhënë nga Moisiu nuk ishte buka e vërtetë, që shpëton njeriun. Buka e vërtetë e Hyjit, është ajo që fiton mbi vdekjen e jep jetë! Është Jezusi vetë!

“Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!” Të hash bukën e qiellit është e njëjta gjë si të besosh në Jezusin. Trupi i tij është ushqimi i vërtetë që mbështet personin, që ndryshon jetën e dhuron jetën e re.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, mirënjohës ndaj Atit për dhuratën e Krishtit, bukë e zbritur prej qiellit për shpëtimin tonë, ia drejtojmë me besim kërkesat tona.

L. Të lutemi së bashku duke thënë: Na dëgjo, o Zot.

L. Që Kisha t’i dëshmojë e patundur botës që është Krishti buka e vërtetë që ushqen njeriun dhe pija që shuan etjen përgjithmonë. Të lutemi.

L Që qeveritarët të zhvillojnë mandatin e tyre duke punuar në mënyrë që të mirat e krijuara t’u shpërndahen të gjithëve në mënyrë të drejtë. Të lutemi.

L. Që në këtë muaj pushimesh të dimë të rizbulojmë vlerën e lutjes e të marrjes pjesë në meshë. Të lutemi.

L. Që të gjithë ne të dimë të ushqehemi nga Fjala dhe Buka që na dhurohen në çdo Eukaristi. Të lutemi.

L. O Hyj, Ati ynë, që i siguron ushqimin çdo krijese, dhe nuk harron askënd nga bijtë e tu, dëgjoji lutjet tona dhe eja në ndihmë të nevojave tona. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: