
E diela III gjatë vitit – viti C
Leximi i parë Neh 8, 2-4.5-6.8-10
Për herë të parë pas mërgimit, Izraeli, sërish i bashkuar si një popull në festë, kremton liturgjinë e fjalës dhe merr pjesë në një drekë të përbashkët. Populli thirret për të kremtuar shpresën e së ardhmes, gëzimin që e pranishmja akoma nuk e ofron përderisa akoma janë të hapura plagët e mërgimit.
Lexim prej Librit të Nehemisë
Në ato ditë, prifti Ezra e solli Ligjin para tubimit që e përbënin burra, gra dhe të gjithë ata që janë të aftë të kuptojnë. Ishte dita e parë e muajit të shtatë. Në sheshin që është para derës së Ujërave, filloi ta lexonte librin prej agimit deri në mesditë, përpara burrave, grave dhe të gjithë atyre që ia kishin arritur dritës së arsyes. I tërë populli e dëgjonte me kujdes librin e Ligjit. Shkrimtari Ezra qëndronte mbi një kuvendore të drunjtë që e kishin punuar për këtë qëllim. Pranë tij qëndronin: në të djathtën e tij Matatia, Semeja, Ania, Uria, Helcia e Maasia, kurse në të majtën ishin Fadaja, Misaeli, Melkia, Hasumi, Hasbadana, Zakaria e Mosolami. Atëherë Ezra e bekoi Zotin, Hyjin e madh; ndërsa i tërë populli me duar lart u përgjigj: “Amen, amen!” Dhe librin e Ligjit të Hyjit e lexonin pjesë-pjesë dhe ia shpjegonin kuptimin që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej. Atëherë qeveritari Nehemi, prifti dhe shkrimtari Ezra si dhe levitët që e mësonin popullin, iu drejtuan mbarë popullit: “Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos jini të trishtuar as mos qani!” Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e Ligjit. Atë-herë Nehemia shtoi: “Shkoni e hani mish të majmë dhe pini pije të ëmbla e jepu pjesë edhe atyre që nuk kanë bërë gati gjë për vete, sepse është ditë e shenjtë e Zotit tonë! Dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj.” Fjala e Zotit.
Psalmi 19
Ref: Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë
—————————————-
I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.
————————————-
Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.
————————————-
E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha njënjë të drejta.
Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti,
se hoja që rrjedh mjaltë.
——————————————
Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime,
edhe mendimi i zemrës sime para teje,
o Zot, ndihmësi im e Shëlbuesi im!
——————————————
Leximi i dytë 1 Kor 12, 12-31
Pali pohon besimin e tij në Krishtin e ringjallur “me trup”. Që këtu vjen imazhi i kishës si trup. Në Kishë secili ushtron një detyrë të veçantë si çdo qelizë në organizmin njerëzor. Askush nuk është i padenjë, askush nuk është i kotë; secili prej nesh është i nevojshëm në jetën dhe funksionimin e trupit. Si rrjedhim, nuk ka role më të rëndësishme, por vetëm detyra të ndryshme.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë, nuk trajtojnë por një trup të vetëm, ashtu edhe Krishti. Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët, dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt. E trupi nuk është prej një gjymtyre, por prej shumë gjymtyrësh. Po bëri e tha këmba: “Pasi nuk jam dorë, nuk jam pjesë e trupit” – a thua njëmend nuk do të jetë pjesë e trupit? Po bëri e tha veshi: “Pasi nuk jam sy, nuk jam pjesë e trupit” – a thua njëmend nuk do të jetë pjesë e trupit? Po të ishte krejt trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte krejt vesh, ku do të ishte shqisja e të nuhaturit? Porse Hyji kështu i ka caktuar gjymtyrët, secilin në trup sikurse ka dashur. Po të ishin të gjitha një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? Kështu pra, shumë gjymtyrë, por vetëm një trup. Syri nuk mund t’i thotë dorës: “S’kam nevojë për ty”, ose kryet këmbëve: “S’kam nevojë për ju!” Madje, ato gjymtyrë të trupit që duket se janë më të ligshta, janë më të nevojshme, dhe ato që ne i mbajmë për më pak bujare, pikërisht atyre u bëjmë më shumë nderim. Dhe, sa më të marrshme janë, aq më njerëzishëm sillemi me to, e të njerëzishmet nuk e kanë këtë nevojë. Por Hyji ashtu e ka përbërë trupin, sa që gjymtyrës së fundit i ka dhënë më shumë nder, që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët barazi të kujdesen njëra për tjetrën. Dhe, nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të. Tashti, ju jeni trupi i Krishtit, dhe secili prej jush gjymtyrë e tija. Kështu Hyji disa në Kishë i caktoi: më parë apostujt, së dyti profetët, së treti mësuesit; pastaj vjen dhurata e mrekullive, pastaj ajo e shërimeve, e kujdesimit, e drejtimit shpirtëror, dhurata e gjuhëve të ndryshme. A thua të gjithë janë apostuj? Të gjithë profetë? Të gjithë mësues? A thua të gjithë bëjnë mrekulli? A thua të gjithë e kanë dhuratën e shërimeve? A thua të gjithë flasin gjuhët? Të gjithë shpjegojnë? Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshmet! Fjala e Zotit.
Aleluja.
Zoti më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin e t’u shpall robërve çlirimin.
Aleluja.
Ungjilli Lk 1, 1-4; 4, 14-21
Luka paraqet kriteret me të cilat ka shkruar Ungjillin e tij. Pra, tregon në ç’mënyrë Jezusi prezantohet për herë të parë në sinagogën e Nazaretit. Krishti hyn në sinagogë për të lexuar pjesën e asaj dite, dhe ai lexim i lejon të prezantohet si Mesia i shumëpritur nga të gjithë të mjerët. Edhe sot Jezusi është Mesia që të varfërit, të shtypurit dhe të shfrytëzuarit dëshirojnë. Çdo i krishterë duhet të jetë shërbëtor i dashurisë dhe i çlirimit të Krishtit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë, ashtu siç na i lanë ata që i panë me sy të vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës, e mbasi i shqyrtova hollësisht të gjitha që prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë, që të jesh i sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që more. Atëherë Jezusi, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, u kthye në Galile, dhe u hap zëri për të nëpër mbarë krahinën. Mësonte nëpër sinagogat e tyre, i nderuar prej të gjithëve. Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur, dhe, sipas dokes së vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan: ‘Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit.’ E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. Atëherë u tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshë tuaj.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Historia e Jezusit dhe e Kishës është e përbërë nga ngjarje realisht të ndodhura e të dokumentuara. Por në të njëjtën kohë është një histori e bërë nga Hyji, në Krishtin: është historia e shpëtimit! Jezusi në sinagogën e Nazaretit, gjatë një asambleje liturgjike, inaguron misionin e tij me një ligjëratë që zbulon planin e tij.
“Kur e hapi librin, gjeti vendin …” Në tekst profeti shpall kohën e shpëtimit, që do të karakterizohet nga lajmi i gëzuar për të varfërit e nga çlirimi i të shtypurve.
“Shpirti i Zotit është mbi mua”. Jezusi ka marrë Shpirtin, është shuguruar dhe është dërguar nga Hyji. Ai është i vetëdijshëm se e gjithë ekzistenca e tij është nën ndikimin e Shpirtit Shenjt.
“Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin”, deklaron se misioni i tij hyjnor qëndron në “ungjillëzimin e të varfërve”: është ky aktiviteti qendror i Mesisë. Veprat e tjera që ndjekin (çlirimin e të burgosurve, të verbërve e të shtypurve) janë forma konkrete të lajmit të gëzuar për të varfërit. Jezusi bën “homelinë” duke thënë:
“Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt”. Ai pohon se Shërbëtori, për të cilin flet Isaia, i dërguar prej Hyjit për të shpëtuar popullin është pikërisht Ai. Koha e shpëtimit është sot, sepse Ai, Jezusi, është këtu. E “sotmja” nuk tregon vetëm kohën e Jezusit, por edhe kohën e Kishës.
“Kur të krishterët kryejnë veprat e mëshirës, është Krishti vetë që bën këto vepra nëpërmjet Kishës së tij, duke mbështetur me bamirësi hyjnore njerëzit”.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, jemi të ftuar nga Jezusi të jemi mbartës të mesazhit të shpëtimit, që duhet ta përhapim në mbarë botën. Mirënjohës ndaj Zotit për thirrjen e tij, t’i drejtojmë Atit lutjen tonë.
L. Të themi së bashku: Na dëgjo o Zot.
L. Për Kishën: që të pranojë në plotësi thirrjen për të ungjillëzuar, e të ndjejë nevojën urgjente për t’u shpallur të gjithëve, Ungjillin e Jezusit. Të lutemi.
L. Për ata që në botë e ushtrojnë pushtetin me dhunë, me padrejtësi e me korrupsion: që ta kuptojnë se Jezusi i fton të kthehen nga e vërteta dhe drejtësia. Të lutemi.
L. Për ata që jetojnë fenë mes dyshimit e pasigurisë, për ata që largohen nga feja katolike: që Shpirti Shenjt t’i shndritë drejt rrugës e shpëtimit, Jezu Krishtit, Zotit tonë. Të lutemi.
L. Që çiftet me përvojë të gjatë jete: të ndihmojnë të fejuarit dhe të sapomartuarit e rinj në hapat e parë të jetës martesore. Të lutemi.
L. Që bashkësia jonë të pranojë ftesën, në javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, për të forcuar bashkimin, lutjen dhe bashëpunimin mes popullit të Hyjit. Të lutemi.
M. O Zot, ti nuk na trajton sipas mëkateve tona dhe nuk na paguan sipas fajeve tona: zëri ynë arriftë në zemrën tënde prej Ati e na dhuroftë kthimin e sinqertë të zemrës. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)