Jezusi: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet…”

E diela XIV gjatë vitit – Viti B

 

Leximi i parë   Ez 2, 2-5

Izraeli është një popull rebel dhe jo besnik.  Ezekieli është internuar së bashku me popullin e tij dhe i flet popullit në emër të Shpirtit të Zotit.  Si shpallës i fjalës së Zotit ai pranon të njëjtin fat me bashkëqytetarët e tij, por vazhdon të denoncojë pabesnikëritë e popullit të tij.  

 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Në ato ditë, një shpirt hyri në mua, më ngriti në këmbë dhe e dëgjova atë që po fliste me mua. Ai më tha: “Biri i njeriut, unë po të dërgoj tek bijtë e Izraelit, te një popull kryengritësish që kanë çuar krye kundër meje. Ata dhe etërit e tyre kanë mëkatuar kundër meje deri në ditën e sotme. Njerëzit, tek të cilët po të dërgoj, janë kokëfortë e zemër-gur. Ti thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj! Dëgjuan ose s’dëgjuan – sepse janë pjellë e keqe – megjithatë le ta dinë se në mesin e tyre është profeti!” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi 115

 

Ref: Sytë tanë janë të kthyer drejt Zotit

————————————

Drejt teje po i ngre sytë e mi,

drejt teje që banon në qiell.

Qe, porsi sytë e shërbëtorëve

drejt dorës së zotërinjve të vet.

————————————

Porsi sytë e shërbëtores

drejt duarve të zonjës së vet,

ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë,

derisa të ketë mëshirë për ne.

————————————

Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne,

sepse për së tepërmi na kanë mbuluar me përbuzje.

Sepse u ngi tepër më shpirti ynë

me përqeshje të të ngopurve,

me përbuzje të krenarëve.

————————————

 

Leximi i dytë   2 Kor 12, 7-10

Pali tregon përvojat e tij mistike dhe pohon se ka një ferrë të mistershme në trup, ndoshta sëmundje apo vuajtje me qëllim që të mos bjerë në tundimet e mendjemadhësisë.  Ai është munduar ta largojë, por tani e pranon me përvujtëri.  Hyji zgjedh për misionin e tij njerëz normalë, që janë të kufizuar dhe mëkatarë.  E pikërisht në dobësi Zoti na qëndron afër.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, që të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë – engjëlli i djallit – për të më rrahur që të mos krenohem. Për këtë gjë tri herë iu luta Zotit të largohet prej meje. Por Ai m’u përgjigj: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.” Për këtë arsye me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit.  Prandaj kënaqem në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë, atëherë jam i fortë. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tone Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota u kryqëzua e unë për botën.

Aleluja

 

 

 Ungjilli   Mk 6, 1-6

Jezusi ndërsa shpall Ungjillin në qytetin e tij ngjall disa kontradita mbi personin e tij: disa mahniten nga dituria e tij, të tjerët skandalizohen dhe e refuzojnë.  Ungjilltari sheh në këtë fakt se për të ndjekur Ungjillin është e nevojshme të thyhen disa mentalitete.  Për Jezusin, të afërmit e tij dhe atdheu i tij nuk janë ata që kanë thjesht një lidhje gjaku apo shoqërore me të, por të gjithë ata që besojnë në Të dhe pranojnë e jetojnë Ungjillin e Tij.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi u nis prej andej e shkoi në vend ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij. Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: “Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tija? Po a nuk është ky zhdrukthëtar, i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozefit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tija?”. Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” Dhe nuk mundi aty të bëjë asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. E çuditej për mosbesimin e tyre. Fjala e Zotit.

 

 

Porosia

Të renë në jetën tonë shpesh e perceptojmë si një kërcënim që na shqetëson, na acaron e na provokon. Por duhet të kemi guxim të braktisim siguritë e rreme e të pranojmë të renë që troket në derën tonë.

“Nga i vijnë këtij këto?”. Bashkëfshatarët e tij shkojnë në sinagogë të shtunën për të dëgjuar mësimin e Jezusit, e skandalizohen. Nazarenasve nuk u interesojnë mrekullitë, predikimi i Jezusit: ata dinin gjithçka për Të. Mendonin: nuk është e mundur që Hyji shfaqet në një personazh kaq pak të dukshëm, që kishte jetuar një jetë të përditshme si e atyre e në një fshat me ta.

“Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet”. Jezusi përballë këtij mosbesimi provon shumë trishtim. Edhe sot përsëritet historia e djeshme. Shumë të pagëzuar jetojnë sikur Krishti të mos ekzistonte: përsëriten gjestet e shenjat e besimit, por ata nuk pajtohen me një mikpritje të mesazhit të besimit e një ndjekje të personit të Jezusit. Burgosim të renë e Ungjillit në skemat tona, e detyrojmë fjalën e Hyjit të mendojë si ne.

“Dhe nuk mundi aty të bëjë asnjë mrekulli”. Liria e njeriut ka fuqinë të asgjësojë gjithëpushtetshmërinë e Hyjit. Jezusi ndalet përballë mosbesimit. Liria e njeriut, që nuk pranon dashurinë e Hyjit e i kundërvihet planit të shpëtimit është një rrezik i madh për njeriun. Në Jezusin, refuzuar nga populli i tij, mund të shohim jetën e shumë të krishterëve, që janë refuzuar, për shkak të ungjillit të tij, në familje ose në mjedisin ku jetojnë

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, t’ia drejtojmë Hyjit Atë lutjen tonë, që të ripërtërijë besimin tonë në Krishtin dhe besimin e bashkësisë sonë.

L. Të lutemi së bashku, duke thënë: Na dëgjo, o Zot!

L. O Zot, ti ke zgjedhur profetët për të shpallur ardhjen e Shpëtimtarit. Tregoje akoma hirin tënd në kohën tonë.  Të lutemi.

L. O Zot, ti ke dërguar Birin tënd, i cili u refuzua nga bashkëfshatarët e tij.  Bëj që ta pranojmë Jezu Krishtin Hyjin e vërtetë dhe njeriun e vërtetë.  Të lutemi.

L. O Zot, mësimi i Birit tënd ka mahnitur njerëzit.  Bëj që autoritetet qytetare të mos kenë frikë nga Ungjilli.  Të lutemi.

L. O Zot, bëj që kjo liturgji e shenjtë të hapë zemrën e kësaj asambleje.  Bëj që të pranojë me dituri Shkrimet e Shenjta derisa të japin fryte të së mirës.  Të lutemi.

M. O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, që ke dashur të ripërtërish të gjitha gjërat në Krishtin, Birin tënd, Shpëtimtarin e universit, bëj që çdo krijesë, e çliruar nga skllavëria e mëkatit, të të shërbejë dhe të të lavdërojë pafundësisht. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: