Jezusi – Zoti që ta shton gëzimin!

E diela II gjatë vitit – Viti C

 

Leximi i parë   Is 62, 1-5

Hyji i dhuron shpëtimin e vet Jerusalemit, para të gjithë popujve me një dashuri të ngjashme me atë të dhëndrit për nusen e vet. Është Hyji që pranon njerëzimin tonë për një akt të pastër dashurie dhe na jep qartësinë e vlerës së jetës sonë. Njerëzimi nuk do thirret më “i harruari, i braktisuri”, por do të quhet gëzimi i Hyjit, shok i të Tejetlartit.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Për shkak të Sionit unë nuk do të heshtoj, për shkak të Jerusalemit s’do t’i jap vetes pushim – deri që drejtësia e tij të dalë porsi drita, e shpëtimi i tij të mos ndizet si llamba! Të gjithë popujt do ta shohin drejtësinë tënde, të gjithë mbretërit lavdinë tënde; do të quhesh me një emër të ri, që do ta caktojë goja e Zotit. Do të jesh kurorë nderi në dorën e Zotit, kezë mbretërie në shuplakë të Hyjit tënd. Nuk do të quhesh më “E lëna”, toka jote më s’do të quhet “E shkretuar”, por do të quhesh “Kënaqësia ime” e toka jote “E martuara”, sepse ti i pëlqeve Zotit e toka jote do të jetë e mar-tuar. E njëmend, sikurse i riu që martohet me të fejuarën, kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt sikurse dhëndri që i gëzohet nuses, kështu do të gëzohet ty Hyji yt. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  96

 

Ref: Ti, o Zot, i bëre të gjitha gjërat të reja

—————————————

Këndoni Zotit një këngë të re!

Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!

Këndoni Zotit, bekojeni emrin e tij.

—————————————

Shpalleni si një ditë për ditë

shpëtimin e tij,

kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,

ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!

—————————————

Jepni Zotit, familjet e popujve,

jepni Zotit nder e fuqi,

jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!

—————————————

Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!

Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”

Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;

i gjykon popujt me drejtësi.

—————————————

 

Leximi i dytë    1 Kor 12, 4-11

Shpirti u dhuron të krishterëve thirrje të ndryshme sipas personalitetit të secilit. Por këto ndryshime mund t’i shtyjnë të krishterët të vihen njëri kundrejt tjetrit. Shpirti kërkon bashkimin që realizohet pa humbur personalitetin e secilit duke i shërbyer të mirës së përbashkët. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët. Dhe njëmend, Shpirti Shenjt i jep njërit fjalën e urtisë, kurse i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fjalën e dijes; po i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fenë, një tjetri prapë, i njëjti Shpirt Shenjt i jep dhuratën e shërimeve; një tjetri pushtetin për të bërë mrekulli, një tjetri profecinë, një tjetri aftësinë të dallojë shpirtrat, një tjetri zotësinë e gjuhëve tëndryshme, një tjetri shtjellimin e gjuhëve. E të gjitha këto i bën një i vetmi Shpirt Shenjt duke i ndarë veçanërisht secilit ashtu si do Ai. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Në dasmën në Kanë Jezusi e shndërroi ujin në verë: Ai e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 2, 1-12

Jezusi me kërkesën e Marisë, nënës së tij, kryen mrekullinë e parë në Kanë të Galilesë, duke shndërruar ujin në verë. Me këtë shenjë Ai ka zbuluar hyjninë e vet dhe domethënien më të thellë të jetës së tij. Me Jezusin arrin “ora” e shumëpritur nga profetët, ora e dasmës së Hyjit me njerëzimin. Kjo orë do të realizohet përfundimisht kur nga kraharori i Krishtit mbi kryq do të rrjedhë gjak dhe ujë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë e grishën edhe Jezusin e nxënë-sit e tij. Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” Jezusi i tha: “Moj burneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!” Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”. Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë. “Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan. Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë – e nuk e dinte nga vinte – shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”. Kjo qe mrekullia e parë e Jezu-sit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit e vet, e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ndërhyrja e Hyjit në histori për të shpëtuar popullin e tij nëpërmjet Mesisë ishte përshkruar si një festë dasme, në të cilën do të kishte mbushur me gëzim e “verë” të re njerëzimin.

Krishti, duke ndryshuar ujin në verë, hap drejt besimit zemrën e dishepujve, falë ndërhyrjes së Marisë, e para ndër besimtarë. Maria, siç do të jetë e bashkuar me Birin e vet në Kalvar, kështu është tashmë e pranishme në mënyrë aktive në këtë ngjarje.

“Nuk kanë verë”, thotë ajo, që shqetësohet jo për mungesën e verës, por për lumturinë e çiftit. Nuk i kërkon asgjë Jezusit, por i besohet Atij e mundohet ta përfshijë.

“Çfarë duhet të bëj me ty, o grua?”. Jezusi i bën të kuptojë Marisë që ndikimi i saj prej nëne mbi Të ka përfunduar dhe Ai duhet t’i kushtohet planit të Atit. Jezusi, duke iu përgjigjur, flet për ‘orën e tij’ e thotë: “ende nuk erdhi ora ime!” Ungjilli i katërt flet për momentin në të cilin Ai do të shfaqë lavdinë e tij nëpërmjet kryqit dhe ringjalljes. Do thotë se Jezusi është dhëndri që dhurohet për dashuri, e dhurohet mbi kryq për shpëtimin tonë.

Maria është ftuar të bëjë një akt besimi. Nuk i drejtohet më Atij si nënë, por ndërhyn si besimtare. U thotë shërbëtorëve: “bëni atë që do t’ju thotë”. Kujtohet dëshmia e besimit të popullit të Izraelit ndaj Zotit në Sinai: “Atë që Zoti do të thotë ne do ta bëjmë”.

 Janë fjalët e fundit të thënë nga Maria në Ungjill. Është pothuajse amaneti i saj: “dëgjoni fjalët e Jezusit dhe jetojini së bashku si dishepuj”.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, në Krishtin Jezus jemi bërë të gjithë bij të Hyjit. Por besimi ynë në Të, ndonjëherë, është shumë i dobët. T’i lutemi Zotit që të dimë të jetojmë dhe të dëshmojmë me guxim besimin tonë.

L. Të lutemi së bashku e të themi: O Hyj i mëshirshëm, na dëgjo!

L. Për Papën, Ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët, që nën shembullin e dishepujve të parë të Jezusit, të jenë pikë referimi në ecjen e besimit për të gjithë besimtarët. Të lutemi.

L. Për ata që kanë përgjegjësi qytetare dhe shoqërore, që të kryejnë detyrën e tyre me kompetencë, e të jenë gjithmonë të vëmendshëm për të mirën e përbashkët. Të lutemi.

L. Për të sëmurët, ata që vuajnë dhe ata që gjenden në vështirësi, që të mund të takojnë burra dhe gra të mbështetur nga bamirësia jonë e krishterë. Të lutemi.

L. Për ne që quhemi të krishterë, që të dëshmojmë më të vërtetë dashurinë e Hyjit me sjelljen tonë, gjithmonë të gatshëm në nevojat e vëllezërve. Të lutemi.

M. O Hyj Atë i Zotit tonë Jezu Krishtit, dëgjoji lutjet tona për bashkimin e të krishterëve, dhe na jep Shpirtin e bashkimit dhe të paqes, që të gjithë të jenë të bashkuar në dashurinë tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: