Pagëzimi i Jezu Krishtit – Viti C
Leximi i parë Is 40, 1-5. 9-11
Pas pesëdhjetë vjetësh mërgimi Hyji e çon popullin e zgjedhur në tokën e tij duke kryer një çlirim të ri. Hyji ka shumë ngut për të dërguar popullin e tij drejt lirisë. Dhe shënon një rrugë të drejtë ndërmjet shkretëtirës së lulëzuar. Një profeci e tillë do të kryhet kur do të arrijë Jezu Krishti që është shfaqja e fundit e shpëtimit të Hyjit.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.” Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tenzot. Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta le të bëhet e rrafshtë: do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!” Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin e mirë Sionit; ngrihe me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell lajmin e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: “Ja, Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes.” Fjala e Zotit.
Psalmi 104
Ref: I bekuar Zoti që dhuron jetën
————————————-
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhëri e me bukuri,
i mbështjellë me dritë porsi me petk!
E ngreh qiellin porsi tendë,
————————————-
mbi ujëra ndërton banesat e tua.
Retë i bëre karrocë për vete,
ecën mbi krahët e erës!
Erërat i bën lajmëtarë të tu,
zjarrin zharitës shërbëtorë të tu.
————————————-
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Të gjitha i ke bërë me urti të madhe:
plot është toka me krijesat e tua.
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë,
atje zvarranikë saqë numri s’u dihet,
kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
————————————-
Të gjitha këto presin me shpresë
që tu japësh ushqim në kohën e duhur.
Po u dhe ti ato mbledhin,
kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira.
————————————-
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
po ua more frymën, ato ngordhin
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen dhe e rinon
fytyrën e dheut.
————————————-
Leximi i dytë Tit 2,11-14; 3,4-7
Shfaqja më e lartë e mirësisë dhe dashuri-së së Hyjit për njerëzit është Krishti Shpëtimtar. Ai është njeriu Jezus që pranon lirisht të japë jetën për dashuri, për të na pajtuar me Atin. Kjo dashuri reagon në ne nëpërmjet Shpirtit Shenjt dhe na bën krijesa të reja të drejtuara drejt jetës së amshuar.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Titit
Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lumtur dhe ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira. Fort të dashur, kur u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve, Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Ja, po vjen një më i fortë se unë, thotë Gjoni; Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr.
Aleluja.
Ungjilli Lk 3, 15-16.21-22
Ungjilli tregon momentin e pagëzimit të Jezusit, kur Shpirti Shenjt zbriti mbi të dhe u dëgjua zëri i Atit që e paraqet si Birin e vet të dashur. Jezusi, duke marrë pagëzimin, inauguron kohën e Ungjillit, është i njohur si “Bir”, në mënyrë që pas tij të gjithë njerëzit të mund të bëhen bij të Hyjit. Në këtë moment ndodh zbulimi i misterit të Trinisë.
Leximi i Ungjillit së shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhësat e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.” Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im, Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!” Fjala e Zotit.
POROSIA
Pagëzimi nuk mund të përsëritet, sepse është një fjalë e dashurisë së amshuar të Hyjit mbi ne. Një dashuri që na bën bijtë e tij përgjithmonë. Jezusi, i pafajshmi, Biri i Hyjit përzihet me të humburit, në rresht edhe Ai, duke pritur radhën e tij për t’u pagëzuar. Me Mishërimin e pastaj Kryqin Ai bëhet vëlla i mëkatarëve, e “zhytet”, për dashuri, në përvojën njerëzore të ndarjes prej Hyjit.
Pagëzimi pra, shfaq zgjedhjen e bërë nga Jezusi që të jetë njëri prej nesh, njëri me ne. Jezusi “qëndronte në lutje”, në bashkim të qëndrueshëm me Atin për të marrë dhuratën e Shpirtit. “Qielli u hap”. Komunikimi mes Hyjit dhe njerëzve, që ishte ndërprerë prej mëkatit, tashmë rifillon. “E zbriti mbi Të Shpirti Shenjt në trajtë trupore, në formën e pëllumbit”.
Mund të ketë domethënie që Shpirti i Zotit e bën të aftë për të zhvilluar misionin e tij; se me Jezusin ka fillimin krijimi i ri; se Jezusi shfaqet si dhëndri hyjnor që takon nusen e tij, popullin; se Jezusi është tempulli i ri dhe i vërtetë i Hyjit.
“Ti je Biri im i dëshirit, ty të përkrah plotësisht”. Hyji flet për të na zbuluar, kush është Jezusi. Është Mesia, Biri i tij i vetëm dhe i dashur. Është gjithë familja e Trinisë që është përfshirë e shfaqet në këtë ngjarje: Djali i dëshirit të Atit gjendet mes njerëzve e me Të janë të pranishëm në mes tyre Hyji Atë dhe Shpirti i tij.
Jezusi u komunikon atyre që pranojnë pagëzimin në bashkësinë e krishterë dhuratën e Shpirtit dhe adoptimin për t’u bërë bij të Hyjit.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër dhe motra, sot në pagëzimin e Zotit, jemi të ftuar të reflektojmë mbi pagëzimin tonë. Të përpiqemi të rijetojmë dhuratën që kemi marrë e ta dëshmojmë me jetën tonë.
L. Të mbledhur në lutje të themi: Na përforco në Shpirtin tënd, o Zot.
L. Që Kisha të kryejë misionin për të drejtuar njerëzit te Krishti, duke kremtuar sakramentin e pagëzimit, vetëm pasi ka ungjillëzuar ata që e kërkojnë. Të lutemi
L. Që çdo i pagëzuar të kuptojë madhështinë e dhuratës që ka marrë dhe të jetë besnik në angazhimet dhe detyrimet e tij. Të lutemi
L. Që prindërit të kërkojnë pagëzimin për fëmijët e tyre, gjithmonë të shtyrë nga besimi në Krishtin Zot, Shpëtimtarin tonë. Të lutemi
L. Që të krishterët të angazhohen për të çliruar njerëzimin nga varfëria, duke luftuar kundër urisë, luftës, padrejtësisë. Të lutemi
L. Që Eukaristia, që po kremtojmë, të na bëjë të dëshirojmë me gjithë zemër bashkimin e fesë dhe të dashurisë, të dëshiruar nga vetë Krishti. Të lutemi
M. O Atë, burim jete dhe shpëtimi, dëgjoji lutjet që bijtë e tu, të rilindur nga uji dhe Shpirti Shenjt, i drejtojnë mëshirës sate të pafund. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)