Profeti nuk mirëpritet në vendin e vet!

E diela IV gjatë vitit – viti C

 

Leximi i parë   Jer 1, 4-5.17-19

Gjatë periudhës tragjike të rënies së mbretërisë së Judës, Hyji thërret një njeri paqësor të quajtur Jeremia dhe i beson detyrën të akuzojë nga ana e Zotit një shoqëri të korruptuar. Jeremia mëson se jeta e tij do të jetë një luftë e vazhdueshme kundër të fuqishmëve. Ai do të ketë guximin për t’u rezistuar gënjeshtrave dhe për të refuzuar hipokrizinë dhe do të vërë në dyshim iluzionet dhe siguritë e rreme të njerëzve të kohës së tij. 

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Fjalët e Jeremisë, birit të Helcisë, një prifti që banonte në Anatot, në dheun e Beniaminit. Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: “Para se të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova, të caktova të jesh profet i të gjithë popujve. Prandaj ngjeshi ijët e tua! Në këmbë, pra! Thuaju të gjitha që unë po të urdhëroj. Aspak mos u tremb para tyre, përndryshe do të të bëj që të dridhesh para tyre! Ja, unë sot ty po të bëj qytet të përforcuar, shtyllë hekuri, mur tumbaku përballë të gjithë vendit, përballë mbretërve të Judës e princave të tij, priftërinjve të tij e popullit të vendit. Ata do të luftojnë kundër teje, por s’do të ngadhënjejnë mbi ty, sepse unë jam me ty, që të të shpëtoj”, thotë Zoti. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   71

 

Ref: Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde

——————————————

Në ndoren tënde, o Zot,

askurrë mos u turpërofsha.

Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde,

prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!

——————————————

Ji për mua shkëmb mbrojtjeje,

kullë e pamposhtur për të më shpëtuar,

sepse ti je kështjella ime e strehimi im,

Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit.

——————————————

Sepse ti, o Zot, je shpresa ime,

uzdaja ime, o Zot, qysh prej rinisë sime.

Në ty jam mbështetur qysh prej kraharorit të nënës,

qysh prej prehrit të nënës ti je mbrojtësi im.

——————————————

Do ta shpall pushtetin e Zotit,

o Zot, do të kujtoj vetëm drejtësinë tënde.

Ti më ke mësuar, o Hyj, qysh prej rinisë sime

dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.

——————————————

 

Leximi i dytë   1 Kor 12, 31 – 13, 13

Apostulli Pal në të gjitha ngjarjet e tij misionare ka qenë dëshmitar i dashurisë së Hyjit. Në këtë pjesë Ai i këndon kësaj dashurie. Është një dhuratë që i tejkalon të gjitha të tjerat. Është dashuria që zbret nga Hyji, që përqafon të gjitha krijesat dhe është më i madhi virtyt. Kush e pranon jeton tashmë në jetën hyjnore. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Dhe, ja, po ju dëftoj më të shkëlqyeshmen udhë! Po t’i folja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon! Po ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u shndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë! Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë!  Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, nuk ka smirë, nuk është mendjemadhe, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka. Dashuria nuk mbaron kurrë. Profecitë mbarojnë, gjuhët shuajnë, njohuritë marrin fund. Sepse njohuria jonë është e kufizuar dhe e kufizuar është profecia jonë. Por, kur të arrijë përsosmëria, çka është e kufizuar do të marrë fund.  Kur isha fëmijë folja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë. Kur u bëra njeri i pjekur, flaka çka i përket fëmijërisë. Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe-faqas! Tani njohuria ime është e kufizuar, atëherë do të njoh plotësisht, sikurse jam i njohur. Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria – këto të tria – porse më e madhja ndër to është dashuria. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që ua zbulove të vegjëlve misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Lk 4, 21-30

Luka vendos në gojën e Jezusit një ligjëratë të vërtetë të programit të tij, që zbulon idenë themelore të Ungjillit të Lukës: shpëtimi i dhuruar më parë hebrenjve duhet të shpërndahet në të gjitha vendet. Banorët e Nazaretit kundërshtojnë fjalët e Jezusit, sepse prisnin nga Ai jo shpalljen e një angazhimi për çlirim, por shenja të ndjeshme të fuqisë së tij, pra mrekulli.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi mori fjalën në sinagogë dhe tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj.” Të gjithë e miratonin dhe u mrekullonin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij. Thoshin: “Vallë, a nuk është ky biri i Jozefit?”. Atëherë u tha: “Me siguri do të ma thoni atë fjalë: ‘Mjek, shëro veten! Gjithçka bëre, si dëgjuam, në Kafarnaum, bëj edhe këtu, në vendin tënd!’ Për të vërtetë po ju them – vazhdoi – asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet. Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.” Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. U çuan në këmbë, e qitën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. Por ai kaloi përmes tyre dhe vijoi rrugën e vet. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Njerëzit refuzojnë profetin sepse shohin në të një personazh “të parehatshëm”, që dënon rrugët e gabuara e kërkon një ndryshim rrënjësor të jetës e të mentalitetit. Pas shpalljes së profetit Isaia Jezusi pohon: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit Shenjt që e dëgjuat “.

Bashkëfshatarët e tij që më përpara janë mahnitur prej Jezusit për “fjalët e tij të hirit”, menjëherë shfaqin dyshime deri në atë pikë sa e refuzojnë: “a nuk është ky djali i Jozefit?”. Si mund të shfaqet Hyji në një njeri që e ka origjinën kaq të përvuajtur? Është “skandali” i Mishërimit. Jezusi, për t’u çjerrë maskën nazarenasve, citon dy proverba: “doktor, shëro veten tënde”: domethënë trego se je mjek e puno për interesat e vendit tënd; por misioni i tij nuk kufizohet vetëm në Izrael, është universal. E vazhdon akoma “asnjë profet nuk është i pranuar në vendin e tij”. Me këto fjalë ai përshkruan fatin e tij prej profeti të refuzuar nga të tijtë. Jezusi pastaj deklaron se Hyji në historinë e shpëtimit ka zgjedhur për të shfaqur mrekullitë e tij të largëtit dhe të përjashtuarit: një vejushë të mjerë të huaj dhe një sirian.

Nazarenasit kuptojnë e tentojnë të vrasin Jezusin. Skena shpall mundimet e tij e refuzimin nga ana e Izraelit. “Ai, duke kaluar në mes tyre, u largua”.  Jezusi u largua nga kërcënimet e tyre duke aluduar ndoshta për ringjalljen e tij. Rruga e ungjillëzimit universal kalon nëpërmjet besnikërisë deri në vdekjen e Jezusit dje dhe të dërguarve të tij sot.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, besimi na thotë që gjithçka është e drejtuar drejt së mirës së atyre që Hyji do. Ta shfaqim këtë bindjen tonë duke i paraqitur Zotit nevojat tona.

L. Të lutemi së bashku e të themi: O Zot, na jep gjithmonë Fjalën tënde.

L. Për Kishën, që Zoti ta bëjë të provojë forcën e fjalës së tij, që nga errësirat e mëkatit na thërret drejt dinjitetit të bijve të Hyjit. Të lutemi.

L. Për të krishterët: të pranojnë Krishtin, fjalë e së vërtetës, që na çliron nga shpirti i gënjeshtrës, që na mban skllevër. Të lutemi.

L. Për të gërbulurit: që të kenë mirë-kuptimin tonë dhe solidaritetin tonë, kështu që të mund të kalojnë sëmundjet dhe të rikthehen në bashkësitë e tyre. Të lutemi.

L. Për personat e shuguruar: që me jetën e tyre të japin dëshmi të një dashurie të pakushtëzuar ndaj Zotit dhe vëllezërve. Të lutemi.

L. Për ne: që çdo e Diel, dita e Zotit, të jetë me të vërtetë dita e takimit me Krishtin, Fjala dhe Buka e jetës. Të lutemi.

M. O Atë i mirë, që dëgjon gjithmonë lutjet e atij që shpreson në Ty, bëj që të jetojmë në lirinë e gëzueshme si bij të Hyjit e të mbështetur nga Nëna e Krishtit, Shpëtimtarit tonë, të mund të shpërndajmë në botë lajmin e gëzuar të shpëtimit. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: