Të pushosh në Krishtin, Bariun e mirë

E diela XVI gjatë vitit  –  Viti B

 

Leximi i parë   Jer 23, 1-6

Shumë gjëra shemben rreth profetit ashtu si sot rreth nesh. Shpesh faji është i drejtuesve që janë të paaftë dhe pa interesa për popullin. Megjithatë Hyji nuk braktis planin e tij për popullin. Profeti Jeremia shpall ardhjen e një mbreti të vërtetë që do të jetë i ditur dhe do të udhëheqë popullin në drejtësi dhe në të drejtë sipas zemrës së Hyjit.  

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

“Vaj për barinjtë që e lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime”, thotë Zoti. Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për barinjtë që e kullotin popullin tim: Ju e tretët grigjën time; i shpërndatë delet e mia e nuk u kujdesuat për to. Ja, pra, unë vetë do të merrem me ju: do ta ndëshkoj sjelljen tuaj të keqe! – është fjala e Zotit!  Po, unë vetë do ta bashkoj tepricën e grigjës sime nga të gjitha vendet, ku i pata flakur, e do t’i kthej në kullotat e tyre: do të sillen mbarë e do të shumohen. Unë vetë do t’u caktoj barinj që do t’i kullotin; më s’do të kenë frikë as nuk do të tremben, asnjë kokërr nuk do të mungojë – është fjala e Zotit. Ja, po vijnë ditët – është fjala e Zotit – kur do t’ia ngris Davidit pinjollin e drejtë, që do të mbretërojë si mbret i vërtetë dhe do të jetë i urtë e do të ushtrojë në vend të drejtën e drejtësinë. Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Izraeli do të jetojë në paqe. Ja emri me të cilin do ta quajnë: ‘Zoti ynë – drejtësia jonë!” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   23

Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

————————————-

Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,

më prin në ujëra të qeta,

shpirtin ma përtërin.

Ai më prin shtigjeve të drejta

në saje të dashurisë së Emrit të vet.

————————————–

Po edhe në kalofsha

nëpër luginën e hijes së vdekjes,

s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:

thupra jote dhe kërraba

për mua janë ngushëllim.

————————————

Ti ma shtron tryezën përpara

Ndër sy të armiqve të mi,

me vaj erëmirë kryet ma lyen,

gotën ma mbush plot e përplot.

————————————

Hiri dhe mirësia do të më përcjellin

në të gjitha ditët e jetës sime,

do të banoj në shtëpinë e Zotit

derisa të jem gjallë.

————————————–

 

Leximi i dytë   Ef 2, 13-18

Jezusi u ka dhënë fund të gjitha dallimeve dhe ndarjeve mes njerëzve. Kryqi i tij është pika e takimit ku mund të dialogojnë besimtarët dhe jobesimtarët, përgjegjësit dhe vartësit.  Kryqi i drejtuar drejt qiellit dhe i ngulur në tokë, ka rrënjosur rrënjët e tij në zemrën e çdo qenieje njerëzore, por lulëzon në lirinë e pafund të Hyjit. Në Krishtin edhe armiku bëhet vëlla, për të pajtuar së bashku njerëzimin e plagosur.  

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit larg, erdhët ngjat, në saje të gjakut të Krishtit. Përnjëmend Ai është paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një, e përmbysi murin ndarës, domethënë armiqësinë, në trupin e vet. Ai e shfuqizoi ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret, me qëllim që prej dyve, paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri, e duke vendosur paqen, të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin me anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. E prandaj erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg, paqen edhe atyre që ishin ngjat. Në saje të tij, pra, si njëra palë ashtu edhe tjetra, kemi të drejtë të dalim para Atit në fuqi të të njëjtit Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.

Aleluja.

 

Ungjilli   Mk 6, 30-34

Apostujt janë populli i ri i Hyjit, grigjë e vogël e krijuar në shkretëtirë, që ka brenda vetes thirrjen e shpëtimit për të gjithë njerëzit.  Kisha edhe sot zotëron të njëjtin mision. Frytshmëria e saj nuk vjen nga mbështetja në fuqi dhe nuk vjen nga rëndësia e institucioneve, por nga bashkësitë e vogla që jetojnë me besim dhe dëshmojnë të renë e thellë të Ungjillit, dhe nuk mbyllen në vetvete.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre. Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbtën, sepse ishin porsi ‘dhentë pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ne, që të mund të dhurojmë pasurinë tonë të brendshme, duhet më parë ta marrim nëpërmjet përvojës së heshtjes dhe dëgjesës, e nuk duhet të masim kohën kushtuar lutjes dhe qetësisë. Sa më shumë lutemi, aq më shumë pasurohemi.

“Apostujt iu bashkuan prapë Jezusit”. Dishepujt i tregojnë Jezusit atë që kanë bërë dhe thënë. Është e nevojshme të dialogojmë edhe pse nuk kemi as kohë për të ngrënë.

“Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi”. Vendi i vetmuar ku të tërhiqemi nuk është vetëm një vend, por një kusht i domosdoshëm për të rigjetur paqen e zemrës në bashkim me Zotin. Për Jezusin është më urgjente nevoja për të pushuar duke iu dorëzuar Atij, që është Bariu i vetëm i të gjithëve edhe i të dymbëdhjetëve. Të gjithë të krishterët, që janë shpallës të lajmit të mirë të Jezusit, kanë nevojë për këtë pushim. Larg nga turma që nuk lejon frymëmarrjen, dishepulli ka nevojë për lutjen që është shpirti i tij. Është e nevojshme shkretëtira, qetësia e gjërave dhe e njerëzve ku gjendemi tek për tek me Hyjin për të dëgjuar zërin e tij.

“Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbsën”. Jezusi ka mëshirë për të gjithë, turmën e sheh me sytë e bariut të mirë që sheh grigjën, mallëngjehet e ngadalë-ngadalë e drejton me Fjalën e tij. Turmës së uritur e të humbur Jezusi i ofron bukën e fjalës: një ‘fjalë’, që i jep një kuptim e një ideal, për të cilën ia vlen të shijohet gëzimi i të ngrënit.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër dhe motra, Hyji Atë aq shumë e deshi botën sa dërgoi Birin e tij të njëlindur, që t’u tregonte njerëzve rrugën e shpëtimit.  Plot mirënjohje dhe besim i paraqesim Zotit kërkesat tona.  

L. Të lutemi së bashku, duke thënë: O Zot, na ndihmo.

L. Për Papa Françeskun, që i mbështetur nga Shpirti Shenjt, të udhëheqë gjithmonë grigjën që atij i është besuar, me guxim e me zell. Të lutemi

L. Për qeveritarët, që të jenë udhëheqës të zgjuar e të ndershëm, dhe që nuk kërkojnë famën dhe interesin e tyre, por mbarëvajtjen dhe të mirën e përbashkët. Të lutemi.

L. Që çdo njeri në kërkim, të mund të takojë dritën e fjalës së Zotit dhe të fillojë një ecje kthimi në rrugët e drejtuara nga Jezu Krishti. Të lutemi.

L. Për edukatorët e krishterë, prindërit, katekistët: që të jenë gjithmonë të bindur në mësimin e Krishtit. Të lutemi.

L. Për ne këtu të bashkuar: që nën shembullin e Krishtit të dimë gjithmonë t’u shërbejmë të sëmurëve në trup dhe në shpirt. Të lutemi.

M. O Atë, nga i cili lind çdo jetë dhe te i cili arrin secili që kërkon dashurinë dhe të vërtetën, ji bujar përballë lutjeve tona; na jep akoma përvojën e mirësisë sate dhe një mirënjohje të thellë për mirësinë tënde të pafund. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: