E diela e XXI gjatë vitit – Vitit B
Leximi i parë Joz 24, 1-2.15-17.18
Në qytetin Sikem disa fise endacake bashkohen për të vendosur një qeveri qendrore dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin në rast nevoje. Rrënja e njësisë është besimi i përbashkët në Jahveun. Secili braktis zotat e tij për të rrëfyer besimin e vet në të njëtin dhe të vetmin Zot. Ky popull i ardhur nga hiçi ka një thirrje të jashtëzakonshme: fillimet e tij të historisë nuk lindin nga motive politike apo etnike racore, por vetëm fetare.
Lexim prej Librit të Jozuehut
Në ato ditë, Jozuehu i bashkoi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe i grishi pleqtë, gjyqtarët dhe udhëheqësit. Këta qëndruan në praninë e Hyjit. Atëherë Jozuehu iu drejtua mbarë popullit: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Dikur, moti, etërit tuaj, Tarehu, baba i Abrahamit e i Nahorit, jetonin përtej Lumit dhe u shërbenin hyjnive të huaja. Në qoftë se u duket punë e ligë që t’i shërbeni Zotit, zgjidhni ju sot se kujt doni t’i shërbeni: zotave të cilëve u shërbyen të parët tuaj në Mesopotami, apo zotave të amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit!”. Populli u përgjigj: “Zoti mos e thashtë që ta lëmë Atë e t’u shërbejmë zotave të huaj! Zoti, Hyji ynë, Ai na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërimit. Ndër sy tanë bëri shenja mrekullisht të mëdha, dhe na ruajti në çdo udhë nga kaluam dhe në mes të gjithë popujve, ndër të cilët kaluam. Mandej, Zoti i dëboi para nesh të gjithë këta popuj, posaçerisht amorrenjtë, banorët e këtij vendi, në të cilin hymë ne. Pra, edhe ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse Ai është Hyji ynë!” Fjala e Zotit.
Psalmi 34
Ref. Zoti është afër atij që i shërben
————————————–
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
————————————–
Sytë e Zotit këqyrin të drejtët,
veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
Fytyra e Zotit është kundër bakëqijve
për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.
—————————————
Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,
i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër,
i shpëton shpirtpërgrirët.
—————————————–
Sado të vështira të ketë i drejti,
prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.
Zoti i ruan eshtrat e tyre:
asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.
——————————————-
E keqja e vet do ta vrasë bëkeqin,
e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.
Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet,
nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.
———————————————
Leximi i dytë Ef 5, 21-32
Apostulli Pal duke folur për martesën sheh në të shenjën e një misteri më të madh, misterin e dashurisë që bashkon Hyjin me njerëzimin. Ai na u dhurua neve nëpërmjet Birit të tij, dhe me anë të pagëzimit ne jemi bërë bij të tij. Dashuria njerëzore trashëgon nga dashuria hyjnore thellësi dhe seriozitet. Dashuria e Krishtit dhe e të krishterëve është e pandryshueshme, kërkuese, e plotë dhe bujare.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, nënshtrohuni njëri-tjetrit në frikën e Krishtit! Gratë le t’u binden burrave të vet sikurse Zotit. Sepse burri është kryet e gruas sikurse edhe Krishti është kryet e Kishës, Ai Shëlbuesi i Trupit. Pra, sikurse Kisha i nënshtrohet Krishtit, ashtu edhe gratë le t’u binden burrave të vet në gjithçka. Ju, o burra, doni gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të, për ta bërë të shenjtë duke e pastruar me lamje dhe me fjalë, që ta bënte gati për vete një Kishë të lavdishme, të panjollë, të parrudhë, pa ndonjë send si këto, të jetë e shenjtë dhe e patëmetë. Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t’i duan gratë e veta, porsi trupin e vet. Kush e do gruan e vet, do vetveten. Sepse askurrë askush nuk e urren trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, porsi Krishti për Kishën. Sepse jemi gjymtyrët e Trupit të tij. ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babën dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm.’ Ky është mister i madh: e kam fjalën për lidhjen e Krishtit me Kishën. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë; ti ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja.
Ungjilli Gjn 6, 60-69
Mesazhi i Ungjillit është shumë kërkues, dhe nëse fjala e Krishtit është e pranuar seriozisht, ngjall shqetësim. Nëse Jezusi duke thënë se Ai është “Buka e jetës” ka skandalizuar dëgjuesit e tij, çfarë do të ndodhë kur Ai të flasë për kryqëzimin e tij? Kush do të mund ta kuptojë që Krishti i lartësuar mbi kryq do të lartësohet në lavdi? Të besosh nuk do të thotë të kuptosh me mendje, por të rrezikosh që t’i dorëzohesh një personi.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?” Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po nynykatnin lidhur me këtë mësim, u tha: “A po ju shkandullon kjo gjë? E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë? Shpirti është ai që jep jetën, korpi nuk vlen asgjë. Fjalët që unë ju thashë, janë shpirt dhe janë jetë. Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë.” Sepse Jezusi e dinte qysh në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili është ai që do ta tradhtonte. Dhe shtoi: “Prandaj edhu ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.” Qysh atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të. Atëherë Jezusi i pyeti edhe të dymbëdhjetët: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?” Simon Pjetri i përgjigji: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!” Fjala e Zotit.
POROSIA
Nuk ka asgjë që mund të dihet përpara në jetën e njeriut, duhet të zgjedhësh çdo ditë vlerat: dashurinë, drejtësinë, të vërtetën. Çdo ditë duhet të ndjekim Jezusin mbi rrugën jo të lehtë, po jo edhe të pamundur të ungjillit.
“I pakuptueshëm është ky mësim”. Dishepujt nuk thonë se i refuzojnë fjalët e tij, por se janë të pakuptueshme. Thotë Jezusi: nëse ju skandalizon trupi im, dhuruar si ushqim, çfarë do të ndodhë kur do të shihni lavdinë e Ngjalljes sime?
“Shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të”. Është dështimi njerëzor i Jezusit: shumë e braktisin, sepse kuptojnë se të ndjekësh Mesinë, do të thotë, të braktisësh iluzionin e fuqisë e të vendosësh në shërbim të të tjerëve, duke u bërë ata vetë buka për t’u bashkëndarë.
“A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?” Jezusi është i gatshëm të mbetet vetëm, më shumë se të heqë dorë në ecjen e tij të besnikërisë ndaj dashurisë së Atit.
“Te kush të shkoj-më, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur!”. Shpirti i ka sugjeruar Pjetrit këtë përgjigje, që mund të përsërisim edhe ne. Besimi i Pjetrit kalon nëpërmjet krizës dhe tradhtisë, por nuk dorëzohet duke kujtuar përvojën e ditës të mëparshme, kur e kishte parë të ushqente pesëmijë persona e të ecnin mbi ujërat. Pjetri akoma nuk kupton çfarë domethënë, por lidhet me personin e Jezusit. E vërteta është se nuk mund të rrëfehet Shenjtëria e Krishtit nëse nuk je i gatshëm të japësh jetën për Krishtin.
Lutjet e besimtarëve
M. Vëllezër dhe motra, ashtu si dikur dishepujve të tij, kështu edhe neve, sot, Jezusi na kërkon të besojmë në Fjalën e tij. I lutemi Zotit që të na japë një besim të bindur e mirënjohës.
L. Të lutemi së bashku e të themi: O Zot, shtoje besimin tonë.
L. Për Kishën: që edhe përballë kërkesave të mëdha të fjalës së Zotit të ruajë gjithmonë besimin në Zotin. Të lutemi.
L. Për përgjegjësit e jetës politike e shoqërore: që edhe nëpërmjet sakrificave, të gjejnë zgjidhje me të vërtetë të drejta e në favor të të gjithëve. Të lutemi.
L. Për besimtarët në Krishtin: që, nën shembullin e Pjetrit, të dinë të rrëfejnë që vetëm Jezusi ka fjalët e jetës së amshuar. Të lutemi.
L. Për ne këtu të pranishëm: që duke u ushqyer nga trupi dhe gjaku i Krishtit, të dimë të dëshmojmë gjithmonë e më shumë dashurinë e Zotit për njerëzit. Të lutemi.
M. O Zot, që me diturinë tënde udhëheq historinë e na mbush me bekimin tënd, dëgjoje lutjen tonë plot besim e ngjall në ne kujtimin e mrekullive që ke kryer në Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.
(ecclesia.al)