Virgjëra Mari i ruante në zemër çdo fjalë e vepër të Jezusit!

Familja e Shenjtë – Viti C

 

 

Leximi i parë   1 Sam 1, 20-22.24-28

Ana, shumë vite pa fëmijë, është e ndërgjegjshme se Samueli iu dhurua nga Zoti si përgjigje e lutjes së saj. Për këtë së bashku me burrin shkon për të kushtuar të birin në shërbim të tempullit. Çdo fëmijë është një dhuratë e Hyjit.

 

Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Brenda vitit, Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë dhe ia ngjiti emrin Samuel, sepse ia kishte lypur me uratë Zotit.  Elkana me mbarë familjen e vet shkoi për t’i kushtuar Zotit flinë vjetore dhe për ta kryer kushtin e vet. Ana nuk shkoi. Ajo i tha burrit té vet: “Unë nuk do të vij derisa të vijë koha ta ndaj djalin prej gjiri. Atëherë do ta paraqes te Zoti dhe do ta lë aty përgjithmonë.”  Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë. E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu. Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit. U Iuta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi uratën time për çka iu luta. Prandaj edhe unë po e jap në shërbim të Zotit; për sa të jetë gjallë, i dhurohet Zotit.”  Dhe adhuruan Zotin. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   84

 

Ref: Jetë dhe bekim mbi shtëpinë që e druan Zotin

—————————————

Lum njeriu që e druan Zotin,

që ecën udhëve të tija!

Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua,

i lumi ti, mirë do të kalosh.

—————————————

Gruaja jote: vresht plot fruta

në dhomat e shtëpisë sate;

djemtë e tu: pinjoj ulliri

përreth tryezës sate!

—————————————

Ja, se si bekohet njeriu

që e druan Zotin!

Të bekoftë Zoti prej Sionit,

e pafsh lumturinë e Jeruzalemit

në të gjitha ditët e jetës sate.

—————————————

 

Leximi i dytë   1 Gjon 3, 1-2. 21-24

Përtej familjes së shenjtë të formuar nga Jezusi, Jozefi dhe Maria është një familje më e madhe hyjnore: Hyji është Ati, Biri është i parëlinduri i një shumice vëllezërish që Shpirti Shenjt i bashkon në besim dhe mirësi.

 

Lexim prej Letrës së parë të Gjonit

Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse i mbajmë urdhërimet e Tija dhe bëjmë çka Atij i pëlqen. Ky është urdhri i Tij: që të besojmë në Emrin e Birit të Tij – në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. Kush i mban urdhërimet e Tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja.

Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet!

Aleluja

 

 

Ungjilli   Lk 2, 41-52

Mes doktorëve të tempullit shfaqet për herë të parë “misteri i Jezusit”. Maria, e ëma, është e tronditur nga humbja e Jezusit dhe mbetet e mahnitur nga përgjigjja e Jezusit. Rrugët e Hyjit nuk janë tonat dhe ndonjëherë na habisin. Jezusi kthehet në Nazaret dhe për 18 vjet jeton nën kujdesin e prindërve. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Prindërit e Jezusit për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve.  Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas dokes së festës. Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të vet. Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur.  Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar. Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjigjet e tija. Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!” Ai u përgjigji: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”  Por ata nuk kuptuan çka deshi t’u thotë. Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje.  Ndërkaq Jezusi përparonte në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve. Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Çdo qenie është një mister për ata që e rrethojnë. Secili është vetëm, por vetëm në besim gjendemi afër njëri-tjetrit sepse jemi të gjithë të dashur nga një dashuri hyjnore. Maria e Jozefi nuk e kanë kuptuar deri në fund atë që Jezusi thoshte apo bënte, por kanë pranuar, për dashuri e në errësirën e besimit, fjalët dhe veprat që ai kryente.

Ungjilli tregon se Jezusi fëmijë ndalon pa dijeninë e prindërve në tempullin e Jerusalemit për të kryer vullnetin e Atit. Pas tre ditësh e gjejnë mes doktorëve të tempullit, e Maria i tha: “Yt atë e unë, të shqetësuar, të kërkonim”. Jezusi deklaron se ka një “Atë” tjetër: “Përse më kërkoni? A nuk e dinit se duhet të kujdesem për gjërat e Atit tim?”.

Del qartë ndërgjegjësimi i tij se është Biri i Hyjit. “U nis me ta dhe u kthye në Nazaret”. Këtu zhvillohet, në ritmin e përvuajtur të një jete të zakonshme, ekzistenca e një familjeje që jetonte me punën e përditshme dhe shqetësimet e shumta.

“E ëma i ruante me kujdes të gjitha këto ngjarje në zemrën e saj”. Ajo i jetonte thellësisht nëpërmjet një kërkimi e reflektimi të durueshëm. Në familjen e Nazaretit jetohet në dashuri dhe në bindje ndaj vullnetit të Hyjit. Familja kryen një rol të pazëvendësueshëm: Biri i Hyjit, kur u mishërua, hyri në një familje, ku u ushqye, dhe u edukua në vlera njerëzore dhe fetare.

Sot çdo familje duhet të shohë Familjen e shenjtë si modeli i dashurisë, virtytit dhe hirit, për të refuzuar grackat e kulturës së sotme që ka braktisur Hyjin.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, në familjen e shenjtë të Nazaretit ashtu si në të gjitha familjet ka gëzime dhe dhimbje, por me Jezusin gjithçka durohet; prania e tij komunikon ngushëllim e gëzim.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo, o Zot.

L. Që Kisha të prezantojë familjen sipas projektit të Hyjit, duke pohuar që familja e vetme formohet nga një burrë dhe një grua dhe që fëmijët janë fryt i dashurisë së ndërsjellë. Të lutemi

L. Që familjet të jenë me jetën e çdo dite protagoniste të solidaritetit dhe të paqes ndër popuj, në Kishë dhe në botë. Të lutemi

L. Që familjet e atyre që nuk kanë një shtëpi, një punë dhe nuk kanë bukë për t’u ushqyer, të gjejnë në ne shenjat e bashkëndarjes dhe të Provanisë të Hyjit. Të lutemi

L. Që të vegjlit dhe fëmijët të rriten si burra dhe gra të vërteta në një klimë respekti dhe dashurie. Të lutemi

L. Që Eukaristia e sotme të jetë për ne rast për të shtuar lutjen në familje, e cila na bashkon me Hyjin dhe dashurinë që i bashkon ato. Të lutemi

M. Pranoji, o Atë i mirë, lutjet që të paraqesim si një familje e bashkuar në emrin tënd dhe dërgo shumicën e dhuratave të Shpirtit tënd, që të mbretërojë në çdo familje paqja e vërtetë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: