Në muajin shtator dhe tetor, nëpër famullitë tona fillon një vit i ri katekistikë. Të gjithë veprimtarët në këtë baritore, siç janë prindërit dhe katekistët, bëjnë më të mirën për të realizuar një planprogram formues të përgatitur enkas për fëmijët. E përjavshmja katolike La Croix ka përshkruar dhjetë arsye themelore pse duhet regjistruar fëmijët në katekizëm. Këto arsye, ndërsa përballen me sfida të kohës dhe ndryshime në ritmin e jetës, janë veçanërisht të rëndësishme për familjet tona. Këtu do të zbuloni, në pika të shkurta, pse katekizmi mund të jetë vendimtar për rritjen personale dhe shpirtërore të fëmijëve, sipas artikullit të La Croix.
- Zbulojnë Jezusin dhe krijojnë miqësi jetësore me Të
Katekizmi u ofron fëmijëve mundësinë ta takojnë Jezusin dhe ta zbulojnë dashurinë e Zotit. Kjo përvojë nuk është vetëm edukative, por edhe formuese në nivel personal dhe shpirtëror, duke i ndihmuar fëmijët të ndërtojnë një marrëdhënie të thellë dhe të qëndrueshme me figurën e Krishtit.
- E njohin Fjalën e Zotit
Nëpërmjet katekizmit, fëmijët njihen me Biblën dhe Fjalën e Zotit, duke zbuluar histori dhe mësime themelore për formimin e tyre shpirtëror. Kjo qasje nxit kureshtjen e tyre dhe i ndihmon të rrënjosin besimin e tyre në jetën e përditshme.
- Përgatiten për sakramente
Katekizmi i përgatit fëmijët të marrin sakramentet, siç janë Kungimi i Parë dhe Krezmimi. Këto momente janë thelbësore në jetën e një të krishteri të ri, duke shënuar etapa të rëndësishme në rritjen e tij shpirtërore dhe personale.
- Zhvillojnë një kulturë njerëzore dhe fetare
Katekizmi u ofron fëmijëve një pasqyrë të pasur dhe të larmishme kulturore dhe fetare. Mësimi i historisë së Kishës, ndikimi i krishterimit në art dhe festa pasuron sfondin e tyre kulturor dhe i ndihmon ata të kuptojnë rolin e krishterimit në shoqëri.
- Shuajnë etjen shpirtërore
Fëmijët kanë një prirje të natyrshme për shpirtëroren, dhe katekizmi u siguron atyre mjetet për të zbuluar dhe thelluar këtë prirje. Kjo ndihmë është shpesh e çmueshme për prindërit, që mund të jenë të papërgatitur për t’iu përgjigjur pyetjeve ekzistenciale dhe fetare të fëmijëve të tyre.
- Zbulojnë aftësinë e pyetjeve të reja
Katekizmi është gjithashtu një mundësi për prindërit që të zbulojnë dhe vlerësojnë pasurinë e brendshme të fëmijëve të tyre. Pyetjet dhe reflektimet që dalin gjatë këtyre mësimeve mund të nxisin dialogë kuptimplotë brenda familjes.
- Krijojnë miq të rinj
Katekizmi përfaqëson një kontekst ideal që fëmijët të krijojnë miq të rinj. Koha e kaluar së bashku në një mjedis të këndshëm dhe të orientuar drejt rritjes shpirtërore mund të krijojë lidhje të qëndrueshme dhe domethënëse.
- Mësojnë të luten
Katekizmi u mëson fëmijëve rëndësinë e lutjes dhe u ofron atyre mënyra të ndryshme për t’u lutur, të cilat mund të pasurojnë jetën e tyre shpirtërore dhe t’u ofrojnë një mënyrë për të shprehur marrëdhënien e tyre me Zotin.
- Zbulojnë kuptimin e meshës
Katekizmi i ndihmon fëmijët të kuptojnë dhe vlerësojnë domethënien e Eukaristisë – Meshës së Shenjtë –, duke i inkurajuar ata të marrin pjesë aktive në meshë dhe të jetojnë besimin e tyre si pjesë integrale e bashkësisë së krishterë.
- Mësohen me përvoja të rëndësishme fetare
Së fundi, katekizmi ofron raste të veçanta të përvojës së krishterë; shtegtime, tërheqje shpirtërore dhe përvoja të tjera domethënëse që e pasurojnë rritjen shpirtërore të fëmijëve dhe krijojnë kujtime të paharrueshme.
Këto dhjetë arsye, të propozuara nga La Croix, nxjerrin në pah rëndësinë e katekizmit si një mjet për edukimin integral të fëmijëve. Në vendin tonë, ku sfidat e modernizmit dhe sekularizimit janë gjithashtu të pranishme, këto arsye janë më të vlefshme se kurrë dhe mund të ofrojnë udhëzime të paçmueshme për familjet që dëshirojnë të pasurojnë jetën shpirtërore të fëmijëve të tyre./drita.info