Agjërimi – të ngadhënjesh mbi veten

Feb 10 • Opinion

Ç’është agjërimi? Zanafilla e agjërimit. Agjërimi pagan-politeist. Karakteristika e agjërimit të krishterë. Agjërimi trupor-shpirtëror. Projekti i ndryshimit të jetës. Agjërimi dhe pendesat kreshmore. Jezu Krishti, shembull i agjërimit dhe i lutjes. Qëllimi dhe kuptimi i Kreshmëve. Agjërimi jashtë kohës së Kreshmëve.

 

Nga Dedë Palokaj

 

Zanafilla e agjërimit

Ç’është agjërimi? Agjërimi, si veprim i mospranimit të ushqimit, është i vjetër sa edhe vet religjioni. Me disa ndryshime, agjërimi ka ekzistuar në të gjitha periudhat e historisë njerëzore, mirëpo me domethënie të ndryshme. Të gjitha religjionet (Hinduizmi, Budizmi, Bahaizmi, Judaizmi, Krishterimi, Islami etj.), e kanë pasur dhe e kanë edhe sot agjërimin ose një model të ngjashëm me agjërimin, pavarësisht nga forma, koha, synimi dhe përbërja. Agjërimi, jo vetëm për arsye mjekësore, të kontrollit të peshës trupore, të praktikave sportive etj., por edhe të asaj fetare dhe shpirtërore, ka qenë pjesë e trashëgimisë njerëzore që nga parahistoria e lashtë. Agjërimi trupor, mendor dhe shpirtëror, deri tek ai shoqëror, ishte dhe mbeti gjithënjerëzor.

Te paganët e lashtë, agjërimi u dedikohej perëndive të rrejshëm dhe ata agjëronin për hir të statujave të vdekura të punuara nga balta, pastaj me rastin e mbajtjes zi për ndonjë një rast vdekje ose humbje të veçantë etj. Pra, në kohëra të ndryshme, kemi agjërime të ndryshme, por edhe të panevojshëm, siç ishte agjërimi pagano – politeist. Agjërimi ishte i njohur edhe te ilirët, babilonasit, keltët, egjiptasit, grekët, romakët etj. Agjërimi filloo qysh në periudhën parahistorike, përkatësisht te njerëzit e parë, Adami dhe Eva.

1

Sipas Biblës, urdhri i parë i Zotit drejtuar njerëzve të parë, Adamit dhe Evës, në realitet ishte urdhër agjërimi, urdhër vetëpërmbajtje, vetëkontrollimi, vetëdurimi, urdhër edukimi dhe dëgjese ndaj Zotit. Sipas zgjedhjes së lirë, Adami dhe Eva zgjodhën mosdëgjimin. “Zoti Hyj i urdhëroi njeriut dhe i tha:“Ha prej çdo peme të kopshtit; porse prej pemës së dijes të së mirës dhe të së keqes, ruaj se ha. Sepse, atë ditë që ke për të ngrënë prej saj, do të vdesësh.” (Zan 2, 16 – 17). Sikur Adami ta kishte dëgjuar zërin këshillues të Zotit që të mos haj nga pema e ndaluar, ai nuk do ta kishte dëgjuar zërin tjetër qortues ndaj veprimit të tij të gabuar: “Me djersë të ballit tënd do ta hash bukën derisa të mos kthehesh në dhe prej të cilit qe nxjerrë, sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh!”(Zan 3, 19).

 

Agjërimi trupor – shpirtëror: shpirti i shëndoshë në trup të shëndoshë

Jeta shpirtërore e njeriut nuk mund të imagjinohet pa agjërim. Të “qenit shpirtëror”, paraqet llojin e përshpirtëshmërisë, me të cilën njeriu nuk lind, por gjatë gjithë jetës së vet duhet ta pranojë si dhuratë të Zotit. Që të veprojë shpirti i njeriut, nevojitet qëndrimi dhe veprimi i trupit. Sepse njeriu është tërësi unike, qenie shpirtëror – trupore. Të agjërosh, nuk do të thotë ‘ta rrahësh trupin për vdekje’ për ta dënuar, nënçmuar dhe për ta drejtuar si një skllav të përulur për tokë, por mbi të gjitha, do të thotë ta zbusësh veten, ta mbysësh të keqen, lakminë, pangopësinë për të pasur më shumë.

Çdo mëkat bëhet për kënaqësi edhe çdo falje vjen nëpërmjet pendimit, vuajtjes, mundimit dhe pikëllimit. Karakteristika kryesore e agjërimit është abstenimi, që nënkupton jo vetëm të hequrit dorë nga ushqimi, pijet, seksualiteti etj., por që ka një rol tjetër vetëdijësues dhe edukues për ta bërë njeriun të vetëpërmbajtur, në aspektin truporë dhe shpirtërorë, si dhe për ta arritur ekuilibrin e baraspeshën mes trupit, mendjes dhe shpirtit. Vazhdimisht gjatë historisë kur shpirti njerëzor nuk ka mundur t’i rezistoj kërkesave lakmitare të trupit, dhe është pajtuar të bëhet skllav, e jo zotërues i vetes, njerëzimi ka vuajtur dhe ka pësuar nga fatkeqësitë e shumta. Kanë rënë mbretëri, janë rrënuar qytete, janë djegur tempuj, janë vrarë fëmijë, janë përdhunuar gra, e keqja është quajtur e mirë, e shëmtuara është dukur e bukur, atëherë kur shpirti i pastër njerëzor është përlyer me kërkesat e sëmura dhe të pashuara të trupit.

Nëse shpirti ynë është i mbushur me dashakeqësi, mendjemadhësi, dyfytyrësi, urrejtje, xhelozi, fanatizëm, kokëfortësi, mizori, mosfalje dhe mospajtim etj. atëherë trupin tonë e ‘rrahim’ dhe e lodhim kot. Kjo përkon me fjalën e urtë: “Kur nuk ke çka i bën gomarit, i bjen samarit.” Mund të themi si farisenjtë: kaq ditë kemi agjëruar, nuk kemi ngrënë as nuk kemi pirë duke u përqendruar tek ushqimi dhe nevojat trupore etj., por kjo nuk vlen asgjë, nëse nga njeriu i egër dhe i keq nuk jemi bërë të mirë, të dashur dhe të butë.

 

Qëllimi i agjërimit

Agjërimi nuk është vetëm heqja dorë nga ushqimet dhe pijet e ndryshme. Agjërimi krishterë nuk është qëllim, por mjet për ta arritur qëllimin e ekzistencës sonë, i cili është Zoti. Nuk është edhe aq e rëndësishme se në çfarë mënyre agjërohet, por qenësore është përkushtimi, kthimi i përhershëm kah Zoti për ta ndërruar jetën, pastaj shprehja e devotshmërisë, falënderimit dhe dashurisë ndaj Zotit. Si të agjërohet? Për t’i plotësuar disa rregulla formale, disa detyrime, obligime dhe ligje religjioze të agjërimit?Për t’i shlyer mëkatet e bëra? Pse na është thënë se duhet patjetër të agjërojmë etj.?Njeriu, agjëron, jo pse duhet apo pse është i shtrënguar dhe i detyruar patjetër të agjëroj, por pse donë me vullnetin vet të lirë të agjërojë. Isaia profet parafoli: “Ky popull më afrohet vetëm me fjalë, e më nderon vetëm me buzë, kurse zemra e tij është larg meje. ” (Is 29, 13).

Bibla, në të cilën bazohet qëndrimi i Kishës, takohet me të gjitha rrymat dhe agjërimet religjioze. Kisha, shumë qartë e përcakton kuptimin e agjërimit. Duke rregulluar zbatimin e sajë, bashkë me lutjen dhe lëmoshën e konsideron një prej akteve më të rëndësishme të cilat para Zotit janë shprehje e përvujtërisë, fesë, shpresës dhe dashurisë.

Agjërimi krishterë, është stërvitje e vullnetit. Qëllimi i agjërimi nuk është për të arritur një entuziazëm religjioz për shkak se kemi agjëruar dhe plotësuar një obligim të detyrueshëm si një kontratë zyrtare ku palët detyrohen të nënshkruajnë një amendament apo një kontratë të re pune. Agjërim i tillë është agjërim farisenjsh lajkatar dhe shtiracak për t’u treguar meritorë përballë Zotit dhe për t’u admiruar nga të tjerët. Ky agjërim shton rrezikun për t’i gjykuar të tjerët që nuk agjërojnë. “Pse nxënësit e farisenjve agjërojnë e nxënësit tu nuk agjërojnë?”; Pse nxënësit tu nuk i përfillin mësimet që na i lanë të parët? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë bukë!”(Mk 2, 18; Mt 15, 2).

Agjërimi nuk i duhet Zotit, por na duhet neve, për ta ushtruar përkushtimin, zellin dhe vullnetin tonë, për ta bërë më të fortë dhe më cilësor. Zoti, i cili është dashuri, nuk bëhet me i kënaqur, më i lumtur as më i impresionuar me agjërimin tonë. Duhet agjëruar me tërë qenien tonë, si person shpirtëroro – truporë, e jo vetëm pjesërisht, nga ushqimet dhe pijet. Një agjërim –ndalim ushqimi, nga pijet dhe marrëdhëniet intime etj., mund t’ju imponohet edhe kafshëve. Agjërimi i tillë është nënshtrues dhe skllavërues që njeriun nuk bën më të mirë dhe më të lirë sepse është vetëm trupor që nuk e përfshinë gjithë qenien tonë. Njeriu, qenia më e dashur në botë, nuk mëkaton vetëm me trup, por me vullnetin e vet të lirë. Ashtu si në mëkat që merr pjesë edhe shpirti edhe trupi, është e nevojshme që edhe në virtyt dhe në çlirim nga mëkati, të marrin pjesë që të dy. Jezusi thotë:“S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriu – ajo e bë të papastër”(Mk 7. 15 – 16).Në çastin e rënies në mëkat, gjymtyrët tona nuk janë “fajtor”, por janë sakrificë e pafajshme e përdorur keq në kundërshtim me të mirën, ndërgjegjen, lirinë dhe dashurinë e Zotit.

2

Mu për këtë, në jetën fetare, agjërimi trupor nuk ka kurrfarë kuptimi nëse nuk është i lidhur me agjërimin shpirtëror. Shën Gjon Gojarti (344 – 407) thotë: “mashtrohet ai njeri i cili konsideron se agjërimi është vetëm të përmbajturit nga ushqimi. Agjërimi i vërtetë është largimi nga e keqja (mëkati), të përmbajturit në të folur, të hequrit dorë nga lakmia, nga shpifjet, gënjeshtrat etj. Ti mban Kreshmë (agjëron)? Tregoje me vepra. Çfarë veprash? Kur shikon ndonjë të varfër, ndihmoje. Kur shikon armikun tënd, të pajtohesh dhe të bëhesh mik me të, të mos shash, të mos shpifsh, të mos vjedhësh, të mos bësh padrejtësi, të mos mbash nëpër gojë njerëzit, etj. Me fjalë tjera, nuk duhet të mbajë kreshmë vetëm goja, por edhe syri, edhe veshi, edhe këmbët dhe të gjitha pjesët e trupit tënd. Ti thuan: unë nuk ha mish? Mirë bën, por mos i lër sytë e tu të hanë imoralitet dhe paturpësi.”

Nëse njeriu është i shtrënguar nga diçka pa të cilën nuk mundet të heq dorë, atëherë nuk është i lirë, por skllav, i cili nuk e ka provuar betejën e jetës shpirtërore. Sepse atë që nuk e kemi mohuar, pikërisht ajo na bëhet shkak mosmarrëveshjesh dhe konfliktesh. I keqi na tundon përmes gjërave që nuk i kemi mohuar, përmes atyre gjërave që kemi lidhur zemrën tonë nga të cilat nuk mundemi të heqim dorë prej tyre.

 

Kuptimi esencial i agjërimit të krishterë

Agjërimi mundet të jetë, por edhe të mos jetë i lidhur me fenë. Atëherë kur bëhet zhurmë rreth ushqimit, kur flitet vetëm për dobitë që sjell agjërimi shëndetësor dhe truporë etj. agjërimi i tillë s’ka lidhje me fenë. Sepse agjërimi nuk është të qenunit i uritur dhe i etur, por në radhë të parë është çështje shpirtërore që i përket tërë qenies sonë. Agjërimi nuk është vuajtje nga uria, të kesh përpara vetes tryezën e mbushur me ushqime, e të mos duash të hash. Ç’kuptim ka të jesh i uritur për ushqim, kurse të tjerët t’i sulmosh si krokodil i uritur. Cili kishte me qenë mëkat: Të hash një pleskavicë në kohën e agjërimit apo të shash dikën? Të mos hash ditën apo të vjedhsh natën? Ta prishesh urinë apo ta ruash dembelinë?Të mos hash asgjë apo të thurësh intriga? Të përmbahesh nga ushqimi apo të largohesh nga e keqja?…

Shumë besimtarë agjërimin mund ta kuptojnë si mohim të ushqimit dhe të pijeve të ndryshme. Një agjërim i tillë nuk dallon nga dieta, sepse është në nivelin e trupit. Agjërimi nuk është në radhë të parë çështje e trupit- preokupim me trupin dhe ushqimin e përditshëm, nuk është dietë as grevë urie, por mbi të gjitha është mundësi e përshtatshme për t’ju ofruar shpirtit për tu kthyer kah Zoti. Siç duket ai që mbanë dietë dhe ai që agjëron shpesh e bëjnë të njëjtën gjë. Por, dallimi është ky: Ai që mbanë dietë preokupohet me veten, ndërsa ai që agjëron, preokupohet me Zotin duke e vënë Atë në vendin e parë.

Duhet dalluar agjërimin nga ajo që nuk ka të bëj me agjërimin, si p.sh. heqja dorë për një kohë të caktuar nga kafja, duhani, alkooli, televizori, etj. Krejt kjo është gjë e mirë dhe e dobishme, por ende nuk ka të bëj me agjërimin në kuptimin e plotë të fjalës, për arsye fetare dhe shpirtërore. Agjërimi krishterë nuk e ka në planin e parë mohimin e gjërave materiale. Plani i parë i agjërimit është hapi drejt vetvetes. Për çfarë arsye? Për t’i dhënë kohë vetes, shpirtit tonë njerëzor që pa ngarkesat e trupit t’i afrohemi Zotit,për të liruar hapësirën e brendshme të shpirtit nga errësira e së keqes, për takim me Zotin. Sepse nuk ka shkretëtirë më të madhe se shkretimi i shpirtit njerëzor. Agjërimi është takim me vetveten për ta mposhtur atë që është negative dhe e keqe brenda nesh që bëhet pengesë në mes nesh dhe Zotit. Kur i vërejmë këto pengesa, atëherë me hirin e Zotit agjërimi mund të na shërbejë si mënyrë për t’i larguar pengesat në udhën e Zotit. Pra, agjërimi nuk është të hash mish apo peshk a ushqime tjera kreshmore. Agjërimi është punë serioze me veten. Në esencë, agjërimi krishterë është lutja – komunikim me Zotin. Ndodh që pas 40 ditë agjërimi, të heqësh dorë nga duhani, alkooli dhe ushqimet tjera, kurse pas Kreshmëve të vazhdohet me të vjetrën sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Kam mbajtur 40 ditë agjërim duke hequr dorë nga shumëçka, në fund vazhdoj të mbetëm i varur nga narkotikët: duhani, alkooli, droga dhe varshmëritë tjera. A është ky agjërim? Ç’kuptim ka një praktikë e tillë agjëruese. Agjërimi është “projekt” për tërë jetën tonë.

 

Karakteristika e agjërimit kreshmor – kthim rrënjësor kah Zoti

Koha e Kreshmëve është kohë pendese dhe agjërimi, kohë e zgjimit shpirtëror në frymën e ungjillit dhe të kthimit kah Zoti kur kërkohet të ruhet dhe të mbrohet dhurata e lirisë kundër çdo gjëje që e dëmton dhe që e paralizon jetën tonë për t’i shërbyer Zotit dhe njeriut me dashuri. Fjala shqipe kreshmë, rrjedh nga gjuha latine quadragesimae, cila haset edhe në disa gjuhë romane (fr.carême, it. quaresima, shpanisht, cuaresma) dhe do të thotë ketërdhjetëditore, në kuptimin e katërdhjetë ditëve të agjërimit para festës së Pashkëve. Prej fjalës kreshmë, kemi edhe foljen kreshmoj dhe mbiemrin kreshmor që tregojnë mënyrën e të ushqyerit, në këtë kohë për të krishterët dhe sjelljen e tyre. Gjuha shqipe ka edhe fjalë të tjera si psh.: ninesë (njënesë), ninim, ngjinim, agjërim bashkë me foljet ninoj, ngjinoj, agjëroj që janë shumë më të përdorura për agjërimin te populli.

Në kalendarin e krishterë kreshmët e Pashkëve (Quadragesima) i paraprijnë të kremtes së Pashkëve, që Koncili i parë i Nikes (325) i vendosi në të dielën e parë pas hënës së plotë të pranverës. Për këtë arsye Pashkët paraqesin një termin të lëvizshëm fiks, i cili mund të bjerë në kohën mes 22 marsit dhe 25 prillit, kufijve të Pashkëve. Përcaktimi i kreshmëve është i lëvizshëm dhe definohet në raport me Pashkët me anë të kohëzgjatjes së kreshmëve.

Lidhur me agjërimin e Jezusit në shkretëtirë (khs. Mt 4, 2), Kisha e vendosi kohëzgjatjen e kreshmëve në 40 ditë dhe net. Intervali kohor që duhet ndarë në 40 njësi, shënon shumëllojshmërinë e drejtuar kah toka e premtuar dhe në Bibël paraqitet disa herë: 40 vite shtegtojnë izraelitët nëpër shkretëtirë (khs. Dal 16, 35); 40 ditë Moisiu e takon Hyjin në Sinaj (khs. Dal 24, 18); 40 ditë shtegton Elia deri në malin Horeb (khs. 1 Mbr 19, 8); 40 ditë agjëron Jezusi në shkretëtirë (khs. Mt 4, 2; Lk 4, 2);  40 ditë pas ngjalljes, Kisha kremton Ngritjen e Krishtit në qiell (khs. Vap 1, 3). 

Pas Koncili II të Vatikanit (1962 – 1965) heqja dorë nga mishi të premteve ishte e urdhëruar në mënyrë obligative për të gjithë katolikët. Kjo heqje dorë sot mund të zëvendësohet me anë të një akti tjetër të pendesës dhe të heqjes dorë. Shumë katolikë që dëshirojnë të ndërtojnë një lidhje më të ngushtë me Zotin, për hir të përshpirtërisë së tyre personale, përveç të premteve, agjërojnë edhe të mërkurave ose të martave. Në vend të formave të pastra të heqjes dorë paraqiten edhe novelat (lat. novem – nëntë – nëntëditëshat) përshpirtëri e Kishës Katolike, në veçanti rregulltarëve, me shumë lutje gjatë nëntë ditëve rresht. Njësi të tilla lutjesh dhe agjërimesh si një formë e përzier bëhen para festave të mëdha: Pashkëve, Rrëshajve, Krishtlindjes ose para ndonjë vendimi të rëndësishëm personal ose ngjarje jetësore. Të dielat edhe te novenate agjërimit përjashtohen nga agjërimi.

Nuk janë të mjaftueshme vetëm veprimet e pendesës. Zoti, prej nesh nuk kërkon në rënd të parë veprime (punë, aksione, gjeste etj.) ose sjellje të cilat nuk e rrëmbejnë jetën tonë. Ai kërkon zemrën tonë. Agjërimi, lutja dhe lëmosha nuk vlejnë asgjë pa dorëzimin e vetvetes sonë. Rrënjët e sundimit të vetvetes janë në sundimin apetiteve dhe dëshirave tona. Jezusi para se të fillonte jetën e vet publike agjëroi 40 ditë në shkretëtirë dhe nuk bëri mohim për shkak të mohimit për ta rrënuar veten,  për ta përbuzur trupin dhe ushqimin. Ai e disiplinoi veten, udhëton te këmbë në distanca të gjata dhe të vështira, me plot rreziqe, i rrezikuar nga kundërshtarët dhe nga karthat e hebrenjve, kishte raste kur kalonte tërë natën në lutje (khs. Lk 6, 12), i bënte ballë predikimeve, agjërimeve, shërimeve dhe lutjeve të gjata. Sepse, vetëm njeriu i disiplinuar është njeri i lirë –  i lirë për të bërë mirë.

3

Kreshmët na ndihmojnë të krijojmë disiplinë personale për të përforcuar lidhjen dhe dashurinë tonë me Zotit dhe me njeriun. Kreshma e krishterë na lidhë me Kreshmën e Jezu Krishtit në shkretëtirë i cili është model i agjërimit dhe s’është tjetër veçse të hysh në shkretëtirën e brendshme të shpirtit për tu përballur me këto tundime për të fituar veten në vetvete!:

– bukën,

– shëndetin,

– duresën,

– pushtetin dhe

– jetën

Kjo është koha e kthimit për të rivendosur dialogun e ri me Zotin – rrugëtimin për liri të vërtetë. Agjërimi truporë pa agjërim shpirtërorë është vet mundim, një dietë shëndetësore – agjërim farisenjsh për t’ju rënë në sy njerëzve tjerë. Agjërimi nuk është vetëm të mbyllësh gojën nga marrja e ushqimit, por gjithashtu të mbyllësh gojën nga të folurit keq, sytë nga të shikuarit keq, veshët nga të dëgjuarit keq, mendjen nga të menduarit keq dhe duart nga të bërit keqm, për të mos u ndotur me korrupsion, vjedhje dhe grabitje. Kreshmët kanë qëllim edukues për tu përmbajtur nga e keqja. Qëllimi i Kreshmëve është kthimit rrënjësorë kah Zoti e jo vetëm të qenunit i uritur.     

Pa disiplinë nuk fitohet asgjë. Jeta është shkollë e disiplinës që nuk mund ta përdorim si gomën për t’i shlyer gabimet. Hipokrizia e njeriut ka shumë fytyra. Prandaj, duhet pyetur veten: I kemi hequr maskat e hipokrizisë apo jo? Çfarë fshihet pas maskave tona: pas fjalës, paraqitjes publike, buzëqeshjes, mirësisë, drejtësisë, dashurisë, religjionit dhe moralit të rrejshëm? A jemi ujq të egër që sulmojnë të tjerët për shkak të egërsisë së brendshme (homo hominis lupus est) apo jemi qengja të butë? Sepse zemra e njeriut është si bishë egër, që vetëm kthimi rrënjësorë kah Zoti mund ta zbus atë.

Kuptimi thelbësor i agjërimit krishterë nuk është antropocentrik (përqendrim në njeriun) por teocentrik (përqendrim në Zotin). Të agjërosh donë të thotë jesh i lirë për t’i shërbyer Zotit dhe njeriut. Por të agjërosh pa përpjekje në virtyt është tërësisht e kotë. Mu për këtë Kreshmët e krishtera janë kohë heshtje për të menduar më thellë, kohë lutje, agjërimi, pendimi, vetëmohimi etj. kohë kur nuk bëhet zhurmë, paradë dhe marketing rreth ushqimit si formë dhe mënyrë e agjërimit. Sepse krishterimi e ka afër Krishtin e ngjallur, aq afër sa që nuk mund ta refuzosh Atë.

Vet Jezusi agjëroi dhe i mësoi nxënësit e tij të agjërojnë. Qëllimi i agjërimit është të fitosh kontrollin mbi veten dhe t’i mposhtësh pasionet e trupit. Vet Jezusi mësoi se disa forma të së keqes nuk mund të mposhten pa agjërim (khs. Mt 17, 21; Mk 9, 29).

Njeriu nuk agjëron, ngase i pëlqen Zotit që shërbëtorët e Tij të mos hanë, sepse “djalli, gjithashtu nuk han as nuk pinë”; As nuk agjëron që t’i shkaktojë vetes vuajtje dhe dhimbje, sepse Zot nuk kënaqet në vuajtjet e njerëzve të Tij; As nuk agjëron me idenë se uria dhe etja e tij mundet në njëfarë mënyre të shërbejë si “riparim” për mëkatin e tij. Një kuptim i tillë nuk është dhënë asnjëherë në Shkrimin Shenjt ose në shkrimet e shenjtërve, që shpallin se nuk ka asnjë “riparim” për fajin e njeriut, përveçse kryqëzimit të Jezu Krishtit në kryq. Shpëtimi është një “dhuratë e lirë e Zotit” që asnjë “vepër” e njeriut nuk mund ta kryejë nga merita (khs. Rom 5. 15 – 17; Ef 2. 8 – 9).

Jezu Krishtit duke parë formalitetin e agjërimit të bashkëkohanikëve të vet këshillon: “Kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, laje fytyrën tënde, që të mos vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt, që është në fshehtësi, do të shpërblej” (Mt 6. 16 – 18).

Ta pyesim vetën: A mos jemi të dremitur nga lezeti i botës moderne, duke mrizuar si delet nën flladin e hijes? Shiko se mrizimi i gjatë i deleve shkakton vdekjen, aq më shumë nëse bariu mrizon bashkë me to. A jemi njëmend të varur nga duhani, alkooli dhe droga – trekëndëshi duhan-alkool-drogë dhe nga varshmëritë tjera, siç janë: sëmundja për para, për pushtet, për imoralitet, për destruktivitet dhe veprime tjera banale, kriminale dhe animale?

Me qëllim për të provuar “etjen dhe urinë” e fshehur për komunikim me Zotin, përdoruesve të helmeve dehëse iu dëshiroj Kreshme ushqimore dhe shpirtërore: pa mëkate, pa detyrime formale, pa cigare, pa hashash… një jetë të shëndoshë shpirtërore – trupore, pa varshmëri.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »