Rrënjët tona të vjetra dhe të tashme

Mar 18 • Recension

 

(Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të trojeve shqiptare, Koha, Prishtinë 2015)

Nga Don Lush Gjergji

Shkrimi, studimi i gjithanshëm dhe jetësor, botimi i Hanëmshahe Ilazi, “Gra të njohura të trojeve shqiptare”, Koha, Prishtinë, 2015, f. 700,  është një  përmbledhje dhe mozaik mjaft i plotë mbi bijat, motrat, gratë, femrat dhe nënat tona, leksikon, monografi dhe enciklopedi mbi gratë shqiptare dikur dhe sot, të cilat përpos detyrës se tyre natyrore – femërore, janë shquar dhe dalluar edhe në shumë lëmi  krijimtarie dhe veprimtarie njerëzore, kombëtare, gjithëshqiptare.

Kjo, për mendimin tim, është mënyra më e mirë për të argumentuar se shoqëria shqiptare e çdo kohe, veçmas prej mesjetës e deri në ditët tona, është e shënuar dhe karakterizuar me kontributin e çmuar dhe tejet të dalluar të femrave, pa të cilat ne, shoqëria jonë, do të ishte shumë më e zbehtë, më e mangët, më pak njerëzore dhe shqiptare. Duke shfletuar dhe lexuar këtë monografi burimore, ne gjejmë rrënjët tona të vjetra dhe të tashme, ku femra shqiptare ka një rol të rëndësishëm, një kontribut të madh, një dashuri flijuese dhe dhuruese, që karakterizon dhe dallon atë për të mirë ndër ne dhe në botë. Femra shqiptare është dhe mbetet simboli i flijimit dhe dhurimit, dashurisë, jetës dhe edukimit, deri te ideali i lartë i luftës, martirizimit për ide, ideale, idealizëm, atdhedashuri shembullore.

Vepra e Hanëmshahe Ilazit fillon me të Lumen Nënën Tereze, si flamurtare e mirësisë, bujarisë në mbarë botën, si “Engjëllesha e Dashurisë”, për të vazhduar me plejada të shumta në XIX kapituj të fushëveprimeve të ndryshme, ndër të cilat spikasin heroinat dhe dëshmoret, veprimtaret dhe edukatoret për shkollim, arsimim dhe qytetërim, humanistet e shëndetit dhe të jetës, krijueset e profileve të ndryshme, guximtaret dhe pionieret në politikë dhe ekonomike, këngëtaret, artistet… Më një fjalë, s’ka lëmi jete dhe veprimi ku s’kemi pasur dhe nuk kemi femra dhe fytyra të ndritshme, të cilat ia kanë zbardhur fytyrën vetvetes, neve, popullit tonë, si në troje shqiptare, ashtu edhe më gjerë, në botë.

Edhe pse shpesh femrat shqiptare ishin të “ndrydhura”, pjesërisht ende janë, nga botëkuptimet stereotipe, patriarkale, ato ia dolën që të dëshmohen dhe tregohet të afta, të talentuara, të frymëzuara, flijuese, për ta dhënë një kontribut njerëzor, familjar, shoqëror, për të lënë gjurmë të pashlyeshme në histori, edhe më tepër në shpirtin dhe ndërgjegjen tonë kombëtare.

Problematika e gruas nuk është aspak vetëm çështje femërore, por para së gjithash njerëzore, botëkuptimore, pra, e të gjithëve, sepse ndikon në çdo fushëveprim jete: në traditë, kulturë, politikë, ekonomi, shkencë, art, fe, moral, familje dhe shoqëri.

Padrejtësia më e madhe, dhuna e vazhdueshme ndaj botës femërore lind nga botëkuptimi pothuaj tërësisht mashkullor dhe patriarkal, si i tillë edhe shumë i njëanshëm dhe kufizues, jonjerëzor,  ku femrës i mohohet e drejta themelore: ajo është së pari NJERI, pastaj edhe gjini, ka personalitet dhe dinjitet njerëzor, trup, mendje, vullnet, liri, aftësi për përcaktim dhe vendosje, për vete, për familje dhe për shoqëri.

Pa e kuptuar dhe pranuar këtë të gjithë, pa dallime dhe përjashtime, si hap të parë të vetëdijesimit, që së pari dëmtojmë vetveten, pastaj edhe femrat, tërësinë njerëzore, sepse në vend të bashkëpunëtoreve krijojmë shërbëtore, me cungime dhe dëmtime të rënda, ndoshta edhe të kobshme edhe për familje dhe shoqëri.

Hapi i dytë do të ishte zhvillimi dhe përgjegjësia, prej personales në familjare, pastaj prej familjares në rrethin e tretë, më të gjerë, atë shoqëror. Në kraharorin, zemrën, prehrin, djepin, duart e femrës – nënës,  është për shumëçka fati i njeriut, familjes, popullit, mbarë njerëzimit, sepse femra në mënyrë shumë më intensive merr pjesë në ngjizje, në shtatzëni, në lindje, në  rritje dhe në edukim të fëmijës, sidomos gjatë tre viteve të para të jetës, kur praktikisht formohet personaliteti bazë i fëmijës, me këtë edhe i njeriut.

Shoqëria e sotme “moderne” është kryekëput mashkullore dhe materialiste, sepse thekson fitimin, punësimin, suksesin, namin, dhe femra në këtë “garë” humb pa ja nisur lojës, sepse ose e mohon vetveten, duke e imituar mashkullin, ose “shitet” dhe tjetërsohet, duke pranuar rolin e nënshtrimit, por pa sukses dhe me plot trauma për të gjithë.

Pa vetëdijesim kulturor, botëkuptimor, shpirtëror (fetar), pranim të ndërsjellët të dy gjinive, si mundësi përplotësimi dhe dhurimi, nuk mund të lirohemi prej paragjykimeve, rivaliteteve, luftimeve, animeve dhe skajimeve të dëmshme.

Femra shqiptare është qenie njerëzore, familjare dhe shoqërore, dhe si e tillë pjesëmarrëse aktive në jetë dhe në punë, pa tretjen e identitetit dhe personalitetit bazor, si nënë, grua, motër, bijë, si zemra flijuese dhe dhuruese për të gjithë. Mos ta harrojmë parimin: Pa njeri s’ka as familje as shoqëri. Këtë me shumë shembuj dhe në mënyrë bindëse e vërteton edhe studimi i Hanëmshahe Ilazit me shumë fytyra dhe dëshmi konkrete nga historia, por edhe nga e sotmja.

Për t’i arritur këto qëllime të larta njerëzore, shpirtërore dhe morale nevojitet shkollimi, arsimimi dhe qytetërimi i femrës shqiptare, i mbarë popullit, për të kuptuar dhe pranuar atë si njeri, e vetëm pastaj edhe si gjini.

Nëpërmjet  shkollimit, arsimimit dhe qytetërimit, si dhe me punësim, ajo do ta ketë “timonin” në dorë, do të hapë rrugë të reja për marrëdhënie sa më njerëzore, ndërpersonale, ndërfamiljare, ndëretnike dhe ndërfetare, në stilin e së Lumes Nënës Tereze, e cila e përfitoi botën pikërisht me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë.

Nëse  bija, femra, gruaja, nëna shqiptare gjatë shekujve dhe sot ka dhënë një kontribut kaq të çmuar dhe të dalluar, siç dëshmohet në këtë monografi, sa më tepër do kishte dhe dhuronte ajo për vete, për familje dhe për shoqëri, po mos të ishte nën “robërimin” botëkuptimor, që me shekuj ia ka mohuar asaj lirinë, barazinë, bashkëpunimin dhe bashkëshortësinë. Vetë fakti që i lartësojmë këto gra, krijuese, luftëtare, pjesëmarrëse në procese shoqërore, dëshmon se ende jemi të kushtëzuar, mos të them të robëruar, nga botëkuptimi i rrënjosur patriarkal, dhe ato i trajtojmë gati si “përjashtim për të mirë”, pa e pranuar dhe kuptuar se potenciali i tyre është shumë më i madh se sa hetohet, shprehet, tregohet në jetë dhe në veprimtari.

Jam i bindur se pasuria natyrore  e Kosovës është  “toka dhe nëntoka”, dhe se pasuria shpirtërore, fetare, morale, krijuese dhe flijuese, është ende së paku pjesërisht e pazbuluar dhe parealizuar, në bija, gra, femra, motra dhe nëna shqiptare. Me këtë nuk dua askënd ta fajësoj apo shfajësoj, por vetëm të konstatoj një potencial të madh dhe të pashprehur ndër ne, duke u nisur prej njeriut, personit, për të kaluar te familja dhe shoqëria jonë.

 Dhe me të Lumen Nënën Tereze, së shpejti Shën Terezen, Nënën e Dashurisë, do të thosha për femrat tona: “Jepe pjesën më të mirë të vetvetes”.

 (Fjala nga Promovimi i librit në Prishtinë, 17 mars 2016.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »