“Ne” apo/dhe “ata”?

May 18 • Meditimi i ditës

18 maj 2016 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTE – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Jak 4,13-17; Ps 48; Mk 9,38-40)

 

Prania e Hyjit

 

Ndërsa je duke u përgatitur për këtë tërheqje të shkurtë shpirtërore, pusho një moment.

Merr disa herë frymë thellë dhe lejoji vetes të rritesh në heshtje.

Ji i/e vetëdijshëm/e për praninë dashuruese të Zotit në ty.

 

Liria

 

O Hyj, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë. Unë ekzistoj në këtë jetë falë dashurisë sate. Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke e ditur se Hyji më do pa kushte, mund t`i lejoj vetes që të jem i sinqertë në atë çfarë jam. Çfarë dite ishte e djeshmja? Si jam duke e ndier veten tani? Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot. Lexoj ngadalë dhe vërej fjalinë apo shprehjen që më flet diçka.

 

Mk 9, 38-40

 

38 Gjoni i tha:

“Mësues, pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emrin tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.”

39 Jezusi i tha:

“Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua.  40 Kush nuk është kundër nesh, është me ne.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Pikëpamjet dhe të kuptuarit tonë mund të jenë të ngushta, të kufizuara. Nevoja për afirmim dhe siguri mund të na çojnë deri aty sa që të përpiqemi të kontrollojmë rrethanat që s`i kuptojmë mirë.

– “Kushdo që nuk është kundër nesh, është me ne”, – deklaratë të cilën shumë udhëheqës politikë për fat të keq e kanë keqpërdorur nëpër vite për të justifikuar përjashtimin e atyre që s`i pëlqenin. A prirem të mendoj në të njëjta kategori si: “ne” dhe “ata”? Jezusi kërkon që më mirë të jemi të hapur ndaj atyre që shohin më ndryshe dhe që, si duket, janë më ndryshe se ne. Ai e shikon çdonjërin si “më të ndryshëm” – unik, të veçantë, dhe të vlefshëm.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezu, po më flet në tekstin e Shkrimit Shenjt. Bëj që të përgjigjem në këtë thirrje të sotshme. Më mëso që ta njoh dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

 

Faleminderit, o Zot, për këto momente që i kalova vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »