Kisha katolike në Kosovë falënderon Zotin për shenjtërimin e Nënë Terezës dhe shugurimin e dy meshtarëve të rinj

Sep 11 • Kisha në Kosovë

I dyfishtë ishte sot gëzimi për Kishën katolike në Kosovë: falënderimi për shenjtërimin e Nënë Terezës dhe shugurimi i dy bijve të saj meshtarë. Kur na jepet një dhuratë, nuk mund ta harrojmë Dhuruesin. E falënderimi është i vetmi reagim i duhur pranimit të dhuntive.

Meshën e falënderimit dhe ritin e shugurimit meshtarak e udhëheqi Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Ai në predikimin e rastit, para qindra besimtarëve, ku në mesin e të pranishmëve ishte edhe Kyeministri i Republikës së Kosovës z. Isa Mustafa, Familja e Presidentit Rugova dhe përfaqësues të komuniteteve fetare jo të krishtera, në katedralen e kushtuar pikërisht Shenjtës  Terezë Tereza, tha: “Kisha, e as ne besimtarët e saj, nuk  krenohemi me faktin se politika, media, kultura dhe popujt po e nderojnë një Murgeshë Katolike, por ne gëzojmë dhe e falënderojmë Zotin, sepse shohim që bota akoma e ka një zemër e cila dinë ta dallojë të mirën brenda vetës së vet e të përkulet para saj edhe kur e mira vjen prej një murgeshe katolike.”

Jetojmë në një botë ku i jepet rëndësi konkurrencës, krahasimit me të tjerët, paraqitjes së jashtme…. Në rrethana të tilla, qëndrimi i krishterë i falënderimit dhe pranimit të dhuntive s`është gjithmonë i lehtë. Ndjejmë nevojën të lutemi rregullisht dhe shpesh të shprehim falënderime Hyjit për shkak të asaj se kush jemi. Zoti është duke na begatuar me shumë dhunti, me shumë bekime, e shprehja e respektit dhe mirënjohjes ndaj Dhuruesit është qëndrimi më i mirë.

Duke vështruar dhe respektuar shembullin e Shenjtës Nënë Terezës, të gjithë njerëzit, pa dallim race a feje, ndihen më njerëzorë, më të mirë dhe më paqedashës.

Vlen të përkujtojmë që dy meshtarët e rinj, Don Daniel Markprekaj dhe Don Meriton Dedaj, të dielën e kaluar, me 4 shtator, ndihmuan si diakonë gjatë meshës së kanonizimit të Nënë Terezës në Vatikan – njëri në të djathtë, e tjetri në të majtë të Papa Françeskut. Duke zgjedhur diakonët, seminaritstat shqiptarë për të shërbyer në këtë të kremte madhështore, Kisha Katolike në krye me Papa Françeskun shprehu respektin dhe vlerësimin tonë si bij e bija të shenjtëreshës së re Nënë Tereza.

Të jesh mirënjohës na bën mirë. Falënderimi është vlerësim i jetuar. Ne i them PO jetës dhe jeta na thotë PO ne. Njeriu nuk mund të jetë edhe mirënjohës edhe i palumtur.

 

Fotografitë: Besim Ndau

[wonderplugin_gallery id=”16″]

Comments are closed.

« »