Lutja e përhershme të bënë të fortë

Oct 15 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXIX gjatë vitit C

Leximi parë Dal 17,8-13

Lexim prej Librit të Daljes

Në atë ditë erdhi Amaleku për të luftuar kundër Izraelit në Rafidim.  Moisiu i tha Jozuehit: “Zgjedhi disa burra dhe dil e lufto kundër Amalekut. Nesër unë do të qëndroj në majë të kodrës me shkopin e Hyjit në dorë”. Jozuehi bëri siç i urdhëroi Moisiu dhe doli në luftë kundër Amalekut, kurse Moisiu, Aroni dhe Huri u ngjitën në majën e kodrës. Kur Moisiu i lartësonte duart, Izraeli ishte më i fortë; por kur i ulte, përparonte Amaleku. Porse Moisiut i ishin lodhur duart. Ata morën një gur, e vunë nën të, e Moisiu u ul në të; Aroni e Huri ia mbanin duart, njëri nga njëra e tjetri nga tjetra anë. Kështu duart e tija qëndruan lart deri në perëndim të diellit e Jozuehi e mundi me teh të shpatës Amalekun dhe popullin e tij.

Fjala e Zotit

Psalmi 121(120)

Ref: Ndihma jonë vjen prej Zotit.

__________________________________

Sytë e mi i çoj drejt maleve:

prej nga do të më vijë mua ndihma?

Ndihma ime vjen prej Zotit,

i cili krijoi qiellin e tokën.

___________________________________

S’do të lejojë të të merren këmbët,

nuk do të kotet ai që të ruan.

Ja, s’do të kotet as s’do të flejë,

ai që e ruan Izraelin.

___________________________________

Zoti është rojtari yt,

Zoti është hija jote,

Zoti është në të djathtën tënde!

Dielli nuk do të të bëjë keq ditën,as hëna natën.

___________________________________

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe,

Zoti do ta ruajë jetën tënde.

Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua

që tani e përgjithmonë e jetës.

___________________________________

 

Leximi dytë 2 Tim 3,14-17.4.1-2

Lexim prej letrës së dytë të shën Palit apostull rejtuar Timotetu

Ti veç, qëndro në mësimin që ke marrë dhe në atë që t’u besua duke e ditur se prej kujt i mësove  dhe se që prej fëmijërisë e njeh Shkrimin e shenjtë, i cili është i aftë të japë dijen që çon në shëlbim me anë të fesë në Jezu Krishtin.  I tërë Shkrimi i shenjtë, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të rregullluar, për të edukuar në drejtësi,  që njeriu i Hyjit të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.

Po të përbej para Hyjit dhe para Krishtit Jezus, i cili do të gjykojë të gjallët e të vdekurit: pash Ardhjen e tij dhe Mbretërinë e tij: predikoje Fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim!

Fjala e Zotit

 

Ungjilli Lk 18,1-8

Lexim i Ungjilli shenjt sipas Lukës

U tregoi edhe shëmbëlltyrën se si duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë.

Ai tha:

“Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e dronte e për njerëz nuk e çante kokën. Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ Por ai s’u shqetësua për një kohë të gjatë. Dikur tha me vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kokën, megjithatë, pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore. ’“

Zotëria vazhdoi:

“Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? Unë po ju them: do të ngrihet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Leximi parë:

Amaleket ishin popull i lashtë nomad i vendosur në Negeb. Këta duan që të ndërpresin rrugen e Izralitëve që qonte kah liria e tyre dhe qëllimi ishte toka e premtuar. Moisiu sipas asaj që i thotë Zoti jep urdhër të hyjnë në luftë me Amalektet deri sa ky me Aronin dhe Hurin shkojnë në një kodër. Me shkop në dorë lusin Zotin për ndihmë dhe Ai u ndihmon.

Moisiu nuk paraqitet si ndonjë luftetar apo ushtarak që urdhëron, por si ndermjetësues në mes popullit dhe Zotit, si mrekullbërës.

Deri sa mbante duart lart populli Izraelit fitonte, ndersa kur lëshonte duart humbte.
Nuk ishte kjo ndojë magji, nuk ishte as fuqi e Moisiut, por ndihma që vinte prej Zotit.

Kjo fitore ishte për të vetëdijesuar Izarelitet në besim dhe besnikëri ndaj Zotit.

Edhe këtu Moisiu ishte prototip i Jezu Krishtit i cili qëndron me duar të hapura në kryq.

Nga krejt kjo mësojmë që lutja duhet të jetë e qendrueshme, me fe të gjallë dhe të sigurtë që Zoti e dëgjon.

 

Leximi dytë:

Shën Pali i shkruan Timoteut nga burgu ku pret martirizimin që së shpejti do t‘ i ndodhë. Kjo letër është letër lamtumirëse që ja drejton nxënësit të vet të dashur. I jep këshillat e fundit, e qorton dhe i jep vërejtje duke i thënë të qëndrojë në atë që ka mësuar që nga fëmijëria. Të mos ketë frikë por në kohë të volitshme e të pa volitshme të mësoj, qortojë me plot duresë dhe dashuri. Duke i siguruar që Zoti është me të.

Ungjilli po ashtu na paraqet lutjen e cila ishte dëgjuar sepse ishte e qëndrueshme. Edhe pse gjykatësi nuk e druan Zotin, prapëseprapë e mbron të vejen nga kundërshtari sikurse na paraqet Ungjilli.

Jezusi na mëson lutuni e do të fitoni, kërkoni e do të gjëni, trokollitni e do t‘ ju hapet dera Lk 11,9. Por nga një herë nuk jemi të qëndrueshëm sepse na mungon feja, apo ajo është e zbehur dhe nuk sjell fryt.

Pastaj Krishti e përfundon këtë pjesë të kësaj bisede dhe kësaj ngjarje me këtë pyetje: „Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?”

Mos të harrojmë fuqia e lutjes është në besim, do të kemi hire dhe ndihmë prej Zotit aq sa besojmë dhe lutemi.

Lutja është jetë, është ilaq kundër sëmundjeve shpirtërore.

Lutja fillon në zemrën e njeriut dhe përfundon në zemrën e Zotit, thoshte papa Benedikti.

Prandaj lutja e ka fuqinë e ndërrimit të jetës, jetës me vlera, virtyte të mira.

Sepse nëse nuk është kështu atëhere kot lutemi.
Papa Benedikti e thoshte edhe: „Lutja nëse nuk e ndërron jetën tonë nuk mund të quhet lutje“!

Lutja është urë që lidhë krijesen me Krijuesin.

Pyesim veten sa dhe si lutemi?

 

Lutjet e besimtarëve

Të mësuar dhe të forcuar në fe me plot dashuri dhe qëndrueshmëri, t‘ ia drejtojmë Hyjit Atë lutjet tona duke thënë:

Dëgjoje, o Zot lutjen tonë!

  • Bëj, o Zot që Kisha jote të cilën e themelove të jetë shenjë e pranisë sate në botë, të lutemi:
  • Ndihmoju dhe forcojë në fe të gjithë ata që janë në shërbimin tënd duke punuar për përhapjen e Mbretërisë sate, të lutemi:
  • Bëj që të gjithë njerëzit të përparojnë në dashuri për një jetë të denjë në paqe me Ty e në mes veti, të lutemi:
  • Të gjithë ata që janë në vështirësi të ndryshme forcoj dhe ndihmojë për një jetë dinjitoze duke mos u munguar qëndrushmëria e lutjes dhe shpres së në Ty, të lutemi:
  • Që neve këtu të pranishëm të na ndihmosh të jemi githmonë të qëndrueshëm në lutje dhe të marrim shpërblimin tënd për të mirën tonë, të lutemi:
  • Që të gjithë besimtarët tanë të vdekur, sipas mëshirës sate të gëzojnë lumturinë e parrizit, të lutemi:

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar pranoj lutjet tona dhe na ndihmo që të jemi besnik, Ty, familjes dhe Kishës, të dëshmojnë praninë tënde në botë. Që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen!

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »