Besnikëria dhe mirësia e Hyjit tejkalon pabesinë e njeriut

Dec 17 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela IV e Ardhjes (A)

 

Leximi parë Is 7,10-14

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Përsëri Zoti iu drejtua Akazit e i tha: ”Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty, qoftë në thellësinë e Nëntokës qoftë në lartësinë në qiell.” Akazi u përgjigj: “Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!”

Atëherë Isaia tha: “Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit: A thua pak ju duket t’ua mërzitni njerëzve e tani doni ta mërzitni edhe Hyjin tim?

Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme.

Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për me emër do ta quajë Emanuel!

Fjala e Zotit

 

Psalmi 24

Ref: Ja, po vjen Zoti, Mbreti i lavdisë.

—————————————————-

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,

rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

Ai vetë e themeloi mbi dete,

dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

—————————————————-

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit

e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,

ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,

ai që nuk betohet në gënjeshtër.

—————————————————-

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,

shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,

e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

—————————————————-

Lartësohuni, o dyer të amshueshme,

që të hyjë Mbreti i lavdisë”!

Kush është ky Mbreti i lavdisë?

Ai, Zoti i Ushtrive,

ai vetë është Mbreti i lavdisë”!

—————————————————-

 

Leximi i dytë Rom 1,1-7

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Pali,shërbëtori i Jezu Krishtit,i thirrur për të qenë apostull,veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit ‑ të cilin Hyji e kishte premtuar që më parë me anë të profetëve të vet në Shkrimet e Shenjta mbi Birin e vet, i cili është, për kah trupi, pasardhës i Davidit, por i dëftuar për Birin e Hyjit me të gjitha pushtetet me anë të Shpirtit Shenjt pas ngjalljes prej të vdekurve, mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin ne morëm hirin të jemi apostuj, që, në nder të Emrit të tij, t’i sjellim në dëgjesë të fesë të gjithë paganët, ndër të cilët jeni edhe ju të grishur prej Jezu Krishtit: të gjithëve në Romë, të dashurve të Hyjit, të grishurve, shenjtërve: Hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot.

Fjala e Zotit

 

Ungjilli Mt 1, 18-24

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:

Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.

Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi.  Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.”  E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit:

JaVirgjëra do të mbesë shtatzënë

e do të lindë një djalë,

të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel ‑

që do të thotë: Hyji me ne!

Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet.  

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Jemi në të dielën e fundit të Kohës së Ardhjes, e cila na e sjell porosinë e shpresës në Hyjin, ajo shpresë që na dhurohet nëpërmes Birit të tij Jezu Krishtit dhe e cila do të ripërtëritë çdo gjë.

Në leximin e parë dëgjojmë se si Jerusalemi, krenaria e popullit hebre, i kanoset zhdukja nga mbretërit e Asirisë dhe ai i Damaskut, të cilët pas pushtimit dëshironin të emëronin një mbret të ri e të panjohur, birin e Tabelit. Në këtë lajm dridhej mbarë Jerusalemi dhe vet mbreti i Jerusalemit, Akazi. Do të ishte kjo një përbuzje që do t‘i ndodhte popullit hebre. Akazi nga frika dëshironte të bënte një pakt me ta.

Porse Isaia profet i thotë mbretit që mos të frikohet as nga mbreti i Asirisë as nga mbreti i Damaskut, sepse Zoti do të përkujdeset, duhet pasur shpresë në Të. Isai e qorton Akazin të mos  kërkoj pakt me Asirinë por lidhjen, ndihmën dhe mbështetjen ta vendos në Hyjin.

Prandaj, Isaia i thotë: ”Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty, qoftë në thellësinë e Nëntokës qoftë në lartësinë në qiell.” Akazi u përgjigj: “Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!” Kjo shenjë që kërkon Isai nga Akazi kishte për qëllim ta forconte që në Zotin do të jetë shpëtimi. Pastaj vet profeti i shpall atij dhe mbarë Jerusalemit: “Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për me emër do ta quajë Emanuel!“

Besnikëria dhe mirësia e Hyjit tejkalon pabesinë e njeriut.

Në leximin e dytë dëgjojmë si Pali paraqitet, është i ftuar dhe i dërguar prej Hyjit që në botë ta përhap Lajmin e gëzueshëm. Dhe kryesorja në ungjill është Jezu Krishti, Zot dhe njeri. Jezusi është Biri i Zotit. Nëpër Të dhe në Të ne jemi po ashtu bijtë dhe bijat e Hyjit, jemi të shenjtë.

Kjo fjali e shenjtë ndoshta na duket paksa e pakuptueshme, por është reale, sepse ne duhet çdo ditë të shenjtërohemi me ndihmën e Zotit.

Ungjilli i sotshëm na paraqet realizimin e asaj që para dymijë e shtatëqind viteve kishte profetizuar Isai.  Jozefi, nuk ishte sikurse Akazi frikacak e dyshues, por njeri besimtar që vepron sikurse kërkon Hyji. Është njeri që do t‘i nënshtrohet vullnetit të Hyjit.

Krishti që do të lind prej Virgjërës Mari për virtyt të Shpirtit Shenjt është Emanueli – Hyji me ne, është në mesin tonë. Në personin Zot dhe Njeri gjithmonë është Zoti me ne. Jezusi mori natyrën njerëzore, u bë i ngjashëm me ne përveç mëkatit, lindi nga Virgjëra Mari në Betlehem.

Foshnja Hyjnore na sjell risi nga qielli, na sjell atë që për ne ishte e pamundshme të dimë dhe të kuptojmë: Na zbuloi kush është Hyji dhe çka është Hyji. Zoti solidarizohet me ne, merr natyrën njerëzore, bëhet i ngjashëm me ne, përveç mëkatit. Zoti është i afërt me ne, është Hyj që tregon mëshirë, dashuri, fal, është Ati ynë që na do të gjithëve, nga i cili nuk kemi frikë kur themi: Ati ynë që je në qiell…..

Foshnja Hyjnore na zbuloi kush është njeriu. Nuk është egërsirë armiqësore, por është krijesa më e bukura e Hyjit, është ai për të cilin interesohet Hyji, është ai që kërkohet bashkëpunim me Hyjin, në Jezu Krishtin është bërë bir/bijë i/e Zotit, vëlla, mik, dashamirë, kur punon, vepron dhe jeton në përkim me atë që na mëson dhe kërkon nga ne Foshnja hyjnore e Jerusalemit.

Ne pra nuk guxojmë të harrojmë këtë të vërtetë: Krishti erdhi për ne dhe shëlbimin tonë, prandaj për t‘u shëlbuar kërkohet angazhim maksimal, kërkohet të lutemi, të besojmë, të shpresojmë në Hyjin që na u zbulua në Birin e Tij Jezu Krishtin.

Gjatë kësaj jave të mundohemi t‘i bëjmë rrugë Zotit, ta përgatisim shpirtin tonë me një rrëfim të mirë dhe të sinqertë, të lutemi më tepër të marrim pjesë në meshë dhe kështu të mbushemi me gëzim që na vjen prej qiellit.

Bota sot dridhet, është e shtanguar nga luftërat, padrejtësitë, dasitë, njerëzit janë të zhgënjyer në këto situata kaq të vështira, prandaj mos të harrojmë të lutemi edhe për ta, që Foshnja Hyjnore të nxitë zemrat dhe vullnetin e njerëzve për të bërë paqe dhe për t‘u dalë në ndihmë. E ne falënderojmë Zotin për të gjithë që kemi dhe që jemi. Dhe sikurse Foshnja hyjnore që solidarizohet me ne, të solidarizohemi edhe ne me ata që kanë nevojë për ne.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, t‘ia drejtojmë lutjet tona Atit tonë të mirë, i cili në Birin e vet na u dëftua si Hyji me ne, t‘i themi së bashku:

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë!

  • Dhuroj Kishës sate, o Zot, forcë dhe hir, që me gatishmëri të kryej përgjegjësinë që ja ke besuar: për shëlbimin e të gjithë njerëzve, të lutemi:
  • Frymëzoj, o Zot, të gjithë ata që planifikojnë të ardhmen e popujve dhe shteteve, që në drejtësi dhe solidarizim të ndërtojnë paqen, të lutemi:
  • Bëj, o Zot, bëjë që në vendet ku ka luftime, në zemrat ku ka ndarje dhe përçarje, në familjet ku nuk jetojnë në përkim njëri me tjetrin, të nxitur nga festa e Krishtlindjes, të arrihet paqja, pajtimi dhe bashkimi, të lutemi:
  • Ndihmoj, o Atë, të gjithë ata që janë të verbuar në pasuri të rrejshme dhe të përkohshme, dhuroju dritën tënde të vërtetë që të veprojnë për të mirën e shpirtit, të lutemi:
  • Forco, o Zot, të gjithë ata që janë të pikëlluar dhe të vetmuar, që me ardhjen e Birit tënd të sprovojnë gëzimin e plotë, të lutemi:
  • Na ndihmo edhe neve të pranishëm në këtë eukaristi, që të përparojmë në vepra të mira dhe të dëshmojmë në përditshmëri, të lutemi:
  • Të gjithë të vdekurve, sipas mëshirës sate, pranojë në Mbretërinë tënde, të lutemi:

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mirë, Biri i lindur prej Virgjërës Mari, përgjithmonë u lidh me gjininë njerëzore, sepse jetoi në mesin tonë. Nëpërmes jetës sakramentale bëj që të jemi të lidhur me Ty dhe në mes vete, të qëndrojmë besnik, Ty, familje, Kishës. Që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Comments are closed.

« »