Krishtlindja – thirrje në jetë

Dec 23 • Këndvështrime

Nga Don Mikel Sopi

 

Koha në të cilën po jetojmë vlerësohet si kulturë dhe mentalitet që bazohet ma shumë në dukjen e jashtme se sa në vlerat e brendshme shpirtërore. Ky mentaliteti botës së ditëve tona e ka destabilizuar njeriun në shumë segmente të jetës së tij. Nga kjo mënyrë e të jetuarit, është e prekur edhe Kisha dhe mesazhi i saj për njeriun, duke na sfiduar në dëshmi konkrete të jetës dhe të besimit. Njerëzit që në heshtje e jetojnë idealin e jetës shpeshherë nuk kuptohen, kurse njerëzit që jetojnë sipas normave morale dhe jetës shpirtërore, jo rrallëherë janë në shënjestër edhe të mediave ideologjike, me pretekst se ky stil i jetës është i demoduar apo edhe se ai paraqet kufizim të lirisë.

Nga ana tjetër, ata që vërtetë e jetojnë një jetë të ndershme dhe qëndrojnë të pathyeshëm në idealin e tyre, bëhen shembull i mirë për të gjithë, siç kemi rastin e Nënë Terezës, me martirët e shumtë dhe shumë dëshmitarë të tjerë. Derisa po jetojmë në një botë të karakterizuar nga konkurrenca dhe lufta për pushtet, për dominim mbi të tjerët dhe për pasuri materiale pa kritere morale e njerëzore; nga ana tjetër veprimet ma modeste të përvujtërisë dhe të përshpirtërisë bëhen burim freskie për njerëzit e gjitha shtresave. Ky fakt sado që na duket paradoksal, në këtë paradoks të kohës moderne, njerëzit që jetojnë me Zotin, duhet ta shohin prezencën konkrete të vet Hyjit, kujdesin e tij për njeriun bashkëkohor.

 

1.      Krishtlindja është plan i Zotit për njeriun

Krishtlindja nuk është rastësi, as e befasueshme për njerëzimin. Ne jemi të njoftuar për këtë ngjarje nga tekstet e Besëlidhjes së vjetër që nga fillimi i jetës njerëzore. Shekuj të tërë para se të ndodhë lindja e Jezusit është paralajmëruar, sidomos nëpërmjet predikimeve dhe shkrimeve të profetëve. Isaia profet shkruan: Ja virgjëra do të lind djalë i cili do të quhet Emauel që do të thotë Hyji me ne. Kështu që, aventura dhe arsyeja e ardhjes së Jezusit në këtë mënyrë ndër ne, paraqet sa një enigmë të paqartë dhe në të njëjtën kohë Krishtlindja tregon për dramën e jetës njerëzore.

Hyji nuk erdhi për vizitë të thjeshtë në tokë, por pse ishte dhe është nevojë themelore e jetës njerëzore. Ai nuk ka ardhur vetëm për një shtresë të njerëzve dhe as për njerëzit që i takojnë vetëm një religjioni. Jezusi erdhi me plan hyjnor – nga dashuria për njeriun,i cili, i prirë nga lakmia e provoi një jetë pa Zot. Dhe kjo jetë pa Zot, atij ia solli frikën, amoralitetin, mashtrimet, pasigurinë dhe më në fund vdekjen si humnerë të pakapërcyeshme.

Meqë dija dhe fuqitë vetanake njerëzore përballë kësaj gjendje trishtuese ishin dhe janë të mjerueshme, Hyji premtoi planin e shpëtimit. Ai premtoi se njeriut do t’i japë prapë diçka, jo nga teprica e tij, por nga vetvetja, do ta jap veten për ta konfirmuar dinjitetin njerëzorë dhe për t’ia dhënë lirinë e vërtetë të tij.

Për jetën e njeriut Hyji vepron me tërë qenien e tij. Në mënyrë më të veçantë, Hyji Atë e krijoi Gjithësinë; Biri si Shpëtimtari cili pranoi Gjetsemanin dhe Kalvarin për lirimin e njeriut nga vdekja-varri;dhe Shpirti Shenjtë që shenjtëron dhe e shoqëron-përkrah njeriun në rrugë drejt cakut përfundimtar. Hyji ka lidhje të veçanta dhe të ndryshme me çdo krijesë të vetën. Për këtë ai asnjëherë nuk krijon kopje por vetëm origjinal! Ka krijuar planete të ndryshme, krijesa të ndryshme, kafshë të ndryshme. Por, se çdo krijesë e tij është origjinale dhe unike, më së miri e shohim tek raporti i tij me njerëzit.

Vetëm Hyji e di se sa miliarda e trilijarda njerëz kanë jetuar dhe jetojnë, por që asnjë nuk e ka falur të njëjtë as me dukje të jashtme dhe as me veti shpirtërore dhe morale të brendshme. Hyji na ka thirrur në dhuratën e jetës me thirrje speciale, nga se nuk jam i njëjtë me askënd, kjo paraqet dhuratë personale që nuk matet me asnjë pasuri tjetër. Hyji dashti që vetëm nëpërmjet njeriut ta ngrohë botën, t’i falë globit tonë dashurinë e vet dhe jeta e jonë e shpirtërore më së miri e reflekton këtë prezencë të gjallë të dashurisë dhe të mirësisë së Hyjit.

Njeriu sipas natyrës së tij është qenie e kushtëzuar në kohë, por i cili është në ecje drejt një qëllimi të caktuar që i tejkalon horizontet e kohës dhe të hapësirave. Njeriu nuk është norma përfundimtare e vetvetes, ai nuk është dhe s’mund të jetë qëllimi i vetvetes dhe si i tillë ai ballafaqohet me mangësi të cilat i ka si krijesë. Njeriu në këtë jetë është në ecje drejt qëllimit përfundimtar dhe në këtë ecje është i shoqëruar nga kujdesi dhe mëshira hyjnore.

Në fillim Hyji ka krijuar botën fizike, kurse me ardhjen e Jezusit ka ndryshuar historia, me te është tranformuar bota shpirtërore dhe ajo morale. Jezusi e rikrijoi botën me parime të reja morale dhe njerëzore: Thirrja në dashuri ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit (Mt 22,34-40).

 

2.      Krishtlindja është thirrje në dashuri për dashuri

Çdo njeri në veti mbartë embrionin e thirrjes të cilën duhet zhvilluar siecje drejt realizimit të jetës. Hyji e thërret çdo person që t’i përgjigjet atij misionit që do të ishte më miri për te, atje ku secili do ta ndjejë veten mirë. Kështu numri më i madh i njerëzve i përgjigjet përkushtimit për thirrjen familjare, janë edhe ata njerëz që për motive të ndryshme përcaktohen të jetojnë singël, por ka edhe ata që i përkushtohen në mënyrë më të veçantë Zotit me thirrje shenjtë.

Hyji fton edhe në misione të caktuara, siç e quan Shën Tereza Bojaxhiu: Thirrje në thirrje (që e kishte përjetuar në një vegim gjatë një udhëtimi me tren në vitin 1946). Thirrja nuk është diçka statike, por është dinamike sepse Zoti na thërret në progres të vazhdueshëm, në të cilin proces pa ndërpre duhet ta zbulojmë vullnetin e Hyjit në rrethana konkrete të jetës.

Nëse do ta përkufizojmë Ungjillin me më pak fjalë, atëherë mund të themi se Kushtëtuta e Ungjillit është dashuria, siç lexojmë tek Gjn, 13,34: Duani njëri tjetrin sikur unë ju kam dashur ju. Ai na ka dashur deri në trishtimin e vdekjes. Mirëpo, misioni i Jezusit nuk përfundon në Kalvar, por në Ngjallje dhe në Jetë. Feja pra nuk është as teori dhe as ideologji, por është Jetë konkrete si cak i fundit i çdo individit.

Ipeshkvi dhe filozofi i madh, Shën Augustini, duke medituar mbi këtë tekst të Jezusit, shprehet shumë mirë: Ama ed fac quod vis – duaj e bëj çfarë të duash! Me fjalë tjera kuptojmë se vetëm dashuria e njehë vullnetin e Hyjit, sepse vetëm dashuria ka fuqi për të bërë atë që Krijuesi dhe Shpëtimtari kërkon nga krijesa e tij më e dashur.

Hyji e ka krijuar botën nga dashuria, kurse dashuria e tij ndaj krijesave na mbanë ne. Jeta e jonë varet nga dashuria e tij, siç mëson teologu i madh, Shën Toma Akuini, i cili mëson se të jesh i krijuar nga Hyji, do të thotë të jesh në vartësi(ngushtë i lidhur) nga dashuria e tij. Nëse Shën Toma këtë e thotë për krijesat fizike, mund të imagjinojmë atëherë sa më e rëndësishme është dashuria e tij për jetën tonë shpirtërore. Për të përjetuar këtë dashuri të Hyjit, eksperienca dhe takimi personal i njeriut me Hyjin është i paevitueshëm.

Me festën e Krishtlindjes, pra Zoti vjen në takim personal me ne dhe ai dëshiron të jetojë me ne – Emanuel. Këtu na shtrohen dy pyetje:

  • Kush në fakt e takon Hyjin?Zotin e kanë takuar ata që e kanë kërkuar. Andaj epilogu i ardhjes së tij është mjaft i qartë. Ata që duan ta takojnë, duhet ta kërkojnë;
  • Çka ndodhë pas takimit tonë me te? Kur lexojmë eksperiencat e njerëzve që e kanë takuar Jezusin, shohim se të pikëlluarit ngushëllohen, mëkatarët lirohen, të gërbulurit pastrohen, të sëmurët shërohen, të verbërve iu kthehet drita e syve, të vdekurit ngjallen.

Krishtlindja nuk prodhohet por lind. Urojmë që Zoti të lind në jetën e gjithë njerëzve vullnetmirë, posaqë lusim që të lind aty ku ka lot, ku ka luftëra, ku ka dëshpërim, aty ku ka padrejtësi, vuajtje dhe skamje. Edhe në botën tonë «përparimtare» ende ka me miliona njerëz që jetojnë në varfëri të skajshme, në uri, në pasiguri të ndryshme, në persekutime dhe luftëra, në terrorizëm dhe të manipuluar nga padrejtësitë sociale, nga korrupsioni dhe mashtrimet e ndryshme.

Po jetojmë në këtë kohë të pasigurt, të kërcënuar nga dhuna, terrorizmi dhe luftërat. Po kush mund t’i bëjë, t’i organizojë apo t’i shkaktojë këto vepra? Jo, as të varfëritë, as të padijshmit intelektualisht, as të drejtit dhe as të mirët. Pasigurinë e jetës njerëzore mund ta shkaktojnë të pasigurtit në ekzistencën e tyre, ata të kapluar nga egoizmi dhe epshet për pushtet dhe dominim, ata që kanë uzurpuar pasurinë e përbashkët të njerëzimit, njerëzit që shkelin parimet e drejtësisë dhe të njerëzisë. Andaj sot është shumë e nevojshme dëshmia e jetës fetare.

Dashuria e përjetuar nga takimi me Jezusin, njerëzve vullnetmirë iu ka kuptimësuar jetën. Natyra e këtyre takimeve,si: me fëmijë (Mt 19,4) dhe të rritur, me të nëpërkëmbur (Mt 25,45) me të sëmurë dhe të vdekur (Lk 7,1-17), me mëkatarë (Gjn 8,3-8) dhe me kriminel (Lk 23,39-43), me të pasur (Lk 19,1-10) dhe me të dijshëm-fetarë (Lk 21,1-4) me përfaqësues politikë dhe me provokatorë apo edhe me njerëz tendencioz (Mk 12,13-17) janë mesazh dhe thirrje botës në dashuri, në harmoni dhe në vëllazëri gjithënjerëzore.

Me këto ndjenja, ju besimtarë të dashur dhe gjithë njerëzve vullnetmirë, ju uroj Festën e Krishtlindjes me fjalët e Engjullit: Lavdi Hyjit në Qiell dhe paqe njerëzve në tokë,për shumë mot Krishtlindja!

Comments are closed.

« »