Lumturitë: programi jetësor i të krishterëve

Jan 28 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela IV gjatë vitit (A)

Leximi parë Sof 2,3; 3,12-13

Lexim prej Librit të Sofonisë profet

Kërkojeni Zotin,të gjithë ju, të përvuajturit e tokës,ju që i kryeni urdhërimet e tij!

Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë,që disi të mund të fshiheni

Ditën e zem’rimit të Zotit!

Do të bëj në mjedisin tënd të qëndrojëpopulli i përvuajtur e i varfër!

Në emër të Zotit do të kërkojë strehimTeprica e Izraelit.

Paudhësi nuk do të bëjnë më,rrena më nuk do të thonë,në gojë të tyre s’do të gjendet mëgjuhë gënjyese!

Por do të kullosin e do të mrizojnëpa pasur kush t’i shqetësojë!”

Fjala e Zotit

 

Psalmi 146, 6c-10

Ref:Lum skamnorët në shpirt.

——————————————

Zoti e mban besnikërinë për amshim
u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uritrve.
Zoti çliron robërit.

——————————————

Zoti u jep dritën e syve të verëbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.

——————————————

U ndhmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për hetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

 

Leximi dytë1 Kor 1,26-31

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Jo, po, vëllezër, pleqëroni kush jeni ju që e morët thirrjen e Hyjit? S’ka ndër ju shumë të dijshëm për sy të njerëzve, as shumë të fuqishëm, as shumë bujarë! Por, Hyji zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit dhe të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji, për t’i turpëruar të fortët;  dhe jo bujarët e botës e të përbuzurit i zgjodhi Hyji, mu edhe ata që nuk janë, që t’i asgjësojë ata që janë,  në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit.  Po, Ai bëri “që ju të jeni” në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne dije që vjen prej Hyjit, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim,  siç thotë Shkrimi i shenjtë:‘Kush mburret, le të mburret në Zotin.’

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Gëzohuni dhe galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell.

Aleluja! 

 

Ungjilli Mt 5,1-12a

Leximi i Ungjillit të shenjt sipas Mateut

Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:
“Lum skamnorët në shpirt
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!
Lum ata që qajnë
sepse do të ngushëllohen!
Lum ata që janë të butë
sepse do ta trashëgojnë tokën!
Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi
sepse do të ngihen!
Lum të mëshirshmit
sepse do të gjejnë mëshirë!
Lum ata që janë të pastër në zemër
sepse do ta shohin Hyjin.
Lum pajtuesit
sepse do të quhen bijtë e Hyjit.
Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.
Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë!  Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!

Fjala e Zotit

 

POROSIA 

I lumi ti! Ka ndodhur shpesh të dëgjojmë apo t‘ua themi të tjerëve, apo ndokush të na thotë neve. Në fëmijëri për lojëra, për prindër, për harmoni familjare, për gjëra që gëzojnë fëmijët. Në rini për shkollim shoqëri dhe jetë luksoze, në kohen e pjekurisë për martesë, për jetë materiale, për aventura të ndryshme, kemi menduar apo kemi thënë i lumi ai, ka të gjitha nuk i mungon asgjë, e kështu me radhë. Dhe vjen pleqëria që në realitet çdo gjë tretet, venitet. Nuk mbetet thuaj se asgjë, sepse të gjitha ato që kemi menduar që njeriun e kanë bërë të lumtur duhet lënë dhe shkëputet nga kjo botë apo përballet me vështirësitë që i sjell jeta, e nder to edhe sëmundjet e ndryshme që janë aq shumë të pranishme dhe të papritura në kohën e sotme.

Në të dielën e sotme, në tri leximet mund të takohemi me dy gjëra që janë shumë të vlefshme për t’i medituar: lumturia dhe vuajtja…
Në leximin e parë pak fjalë të Sofonisë profet na bëjnë të mendojmë për kujdesin që tregon profeti për popullin e vuajtur, që në forma të ndryshme e sprovojnë trysninë. Por Profeti iu del në mbrojtje dhe ngjall tek ta motivim, duke i siguruar se nuk do të jenë të lënë pas dore prej Zotit. Ai do të përkujdeset për ta. Edhe pse para njerëzve janë të përvujatur e të lënë pas dore për arsye të ndryshme që i ka sjell koha dhe situata, ata që shpresojnë dhe besojnë në Zotin, ditën e gjyqit do të kenë vlerë dhe do të jenë të mëdhenj, sepse Zoti është besnik me ata që e duan dhe besojnë në Të.

Në leximin e dytë, Shën Pali në predikimet e veta përqendrohet te Krishti i kryqëzuar, duke e parë Kryqin e Krishtit fuqi për të gjithë ata që besojnë. Kjo për judenj ishte shkandull, ndërsa për greket ishte marri, duke menduar si është e mundur që Zoti t‘i nënshtrohet vuajtjes. Ndërsa për të krishterët kjo është Urtia që shpëton. Prandaj ne të krishterët mburremi me Zotin, i cili na bën të kemi vlerë para tij edhe pse para botës mund të dukemi të marrë. Ne mburremi sepse feja na mëson të duam edhe armiqtë, të lutemi për ta, të jemi të përvujtë, të jemi të moralshëm që për botën e sotme duket e pakuptimtë. Për fat të keq, sot shohim aq shumë urrejtje, pamoralitet, hajni, padrejtësi. Dhe krejt kjo na bën të kuptojmë që njeriu i tillë është i shkëputur nga Zoti Krijues. Pa Zotin, jeta është skëterrë që i përngjanë ferrit, është e pasigurt dhe e pakuptimtë.

Porosia e dy leximeve të sotme mbërrin kulmin në Ungjillin e sotshëm, që është një pjesë shumë domethënëse për ne, edhe pse na ndoshta për shumëkënd në botën e sotme do t’i duket e porosi dhe mision i pamundur.
Lumturit që i shpallë Krishti nuk janë një numër i ligjeve dhe rregullave që i sjellin nxënësit siguri dhe shpëtim, nuk janë as një regjistër i detyrave të të krishterëve.

Lumturitë lavdërojnë Zotin, që sipas hirit të Tij, zgjedhin përvujtërinë, varfërinë urinë dhe etjen, janë të pikëlluar dhe të nëpërkëmbur dhe në këtë mënyrë realizojnë shëlbimin. Për këtë arsye pra janë me shumë kuptim.

Shën Augustini thotë që: “shpallja e lumturive është dekalog dhe program jetësorë për çdo nxënës.”

Njeriu i sotshëm shpesh herë e kërkon paqen, lumturinë, gëzimin në pushtet dhe pasuri duke menduar që aty është çdo gjë, por që sipas logjikes fetare gabohen, sepse lumturia, paqja dhe gëzimi gjenden në Zotin, që është medikament i shpirtit që e shëron me mëshirë, falje, dashuri.

Ne, pra, duhet të shkëputemi prej gjërave tokësore që shpeshherë na robërojnë dhe lidhin e me të vdekshmen. Duhet të kemi fuqinë për të mos qenë të lidhur me tokësoren, për t‘u bashkuar shpirtërisht me Zotin.

Pasuria mund të jetë një mjet i mirë për ne që të bëjmë mirë dhe veprojmë mirë, por jo të na robëroj dhe të bëhet zot i yni. Ky mësim i Krishtit, në shikim të parë, duket i pakuptimtë, sepse të gjithë njerëzit kërkojnë dhe dëshirojnë të jenë të suksesshëm, të kenë pushtet, të kenë autoritet, ndërsa Jezusi mëson ndryshe.

Lumturitë janë thirrje, janë nxitje për njeriun që në shtegun e jetës të kuptojnë përvujtërinë, kryqin, vuajtjen si pjesë e asaj që i ndodhi Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit.

Janë shpërblim që dinë të orientoj jetën e vet kah Krishti, që po ashtu vuajti, u mundua dhe vdiq për ne. Nëpërmes lumturive ne bashkohemi me Krishtin në vuajtje dhe lavdi.

Papa Benedikti me një rast pati thënë: “Kryqin nuk mund ta largosh, por duhet me i dhënë trajtë, kuptim, orientim.”  E ky kuptim dhe kjo trajtë është Krishti që vuajti për ne.

Mahatma Gandhi thoshte: “Po të jetonin të krishterët sipas fjalëve të Jezusit mbi lumturitë, bota do të ishte vend i paqes, i dashurisë dhe i lumturisë në mes njerëzve.”

Të krishterët duken sikurse shkëmbinj në ujë, me shekuj uji përplaset në këta shkëmbinj, por nuk mund të depërtojë.

Ky gjykim i këtij njeriu të madh le të na nxitë të kuptojmë domethënien e krishterimit tonë dhe përgjegjësive tona që kemi, t‘ i qëndrojmë besnik thirrjes sonë duke u bazuar në mësimin që na e zbulon Krishti sot në Ungjill.

 

LUTJA E BESIMTARËVE

Hyjit të Gjithëpushtetshëm, që është burim i gëzimit dhe rrugë që na çon kah shëlbimi i amshuar, t‘ ia drejtojmë lutjet tona duke thënë:

Dëgjoje, o Zoti lutjen tonë!

  • Për Kishën që e ke ftuar në jetën e gëzimit ungjillor, që me dëshmi jete të jetë shenjë e qiellit të ri dhe tokës së re, të lutemi:
  • Për barinjtë e Kishës, që t‘u dhurosh urtinë ungjillore dhe sipas udhëheqjes së tyre, Kisha të jetoj duke e lavdëruar emrin tënd dhe të shpallë ardhjen tënd të lavdishme, të lutemi:
  • Për të gjithë të krishterët, që me dashurinë e Krishtit të bashkëndajnë me gëzim dhembjet dhe vuajtjet që janë të pranishme në botë, të lutemi:
  • Për ne këtu të pranishëm, që të mbushur me Shpirtin Shenjt, të dimë me mençuri të vlerësojmë gjërat tokësore dhe të jepemi pas gjërave qiellore, të lutemi:
  • Për të gjithë të dashurit tanë që i thirre nga kjo botë dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për lutjet tona, që të jesh i mëshirshëm dhe t‘i pranosh në jetën e pasosur, të lutemi:

Hyj i gjithëpushtetshëm, në Jezu Krishtin na tregove rrugën e lumturisë. Na ruaj dhe na ndihmo që të jemi të palëkundshëm në këtë rrugë deri në bashkimin e plot me Ty, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen!

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »