Papa Françesku: ta përdorim Biblën si celularin, gjithnjë me vete, për ta lexuar

Mar 6 • Këndvështrime

 

Të mësohesh me Biblën e ta lexosh shpesh, siç bëhet me celularin, të ndihmon të luftosh kundër së keqes e të mos largohesh nga Zoti dhe nga rruga e së mirës. Kjo qe porosia e Papës në Engjëllin e Tënzot të së Dielës së parë të Kreshmës, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit nën shi e me njerëz të panumërt nën ombrella, që dukeshin si lule shumëngjyrëshe në këtë fillim të qullur pranvere.

Në të dielën e parë të Kreshmës, Ungjilli na prinë në ecjen kah Pashka, duke treguar Jezusin i cili shkon në shkretëtirë dhe rri atje 40 ditë, i nënshtruar tundimeve të Djallit (khs. Mt 4, 1-11). Ky episod lidhet me një moment preciz të jetës së Jezusit; menjëherë pas pagëzimit në lumin Jordan dhe para ministerit të tij publik. Jezusi posa kishte pranuar prej Atit titullin dhe pushtetin: Shpirti i Hyjit zbriti mbi Të, Ati nga qielli shprehet “Ky është biri im i dashur, të cilin e am për zemër” (Mt 3, 7). Tashmë Jezusi është i gatshëm për të filluar misionin e tij; e pasi ai ka një armik të deklaruar, Djallin, Ai ndeshet menjëherë me të “faqe faqas”. Djalli thekson pikërisht titullin “Biri i Hyjit” për ta larguar Jezusin nga kryerja e misionit: “Nëse je Biri i Hyjit…” ia përsëritë (rr. 3.6) dhe i propozon të bëjë vepra mrekullie – të bëhet “magjistar” – të shndërrojë shkëmbin në bukë për ta shuar urinë e tij, të hedhet nga tempulli sepse do të shpëtohet nga engjëjt. Pas këtyre dy tundimeve, vjen e treta: ta adhuron atë, djallin, për ta sunduar botën (khs. rr. 9).

Me tundimin e trefishtë, djalli dëshiron ta shkëpusë Jezusin nga udha e dëgjesës dhe e përvujtërisë – sepse e di që nëpërmjet kësaj udhe do ta shpartallojë të keqen – për t’i prirë drejt shtegut të shkurtër të gabuar të suksesit e të lavdisë.

Prej këndej, gjatë dyzet ditëve të Kreshmës, të krishterët janë të ftuar të ndjekin gjurmët e Jezusit e ta përballojnë luftën shpirtërore kundër të Keqit me forcën e Fjalës së Zotit. Sepse është pikërisht Fjala e Tij, që ka forcën për ta mundur të Keqin, e jo fjala jonë e paforcë. E ja pra, pse duhet ta lexojmë sa më shpesh Biblën, ta meditojmë, ta përvetësojmë. Bibla është Fjala e Hyjit, që përherë është aktuale dhe efikase.

Dikush ka thënë: ç’do të ndodhte, nëse do ta përdornim Biblën, si përdorim telefonin tonë celular? Nëse do ta mbanim gjithnjë me vete Shkrimin Shenjt, ose të paktën një Ungjill të vogël xhepi, ç’do të ndodhte? E ç’do të ndodhte, nëse do të ktheheshim prapa për ta marrë, kur e harrojmë: si bëjmë kur harrojmë celularin, eh? Nuk e kam, kthehem prapa për ta kërkuar… Ç’do të ndodhte, nëse do ta hapnim jo një herë, por shumë herë në ditë? Nëse do të lexonim mesazhet e Zotit në Bibël, si lexojmë mesazhet e telefonit, ç’do të ndodhte? … Krahasimi natyrisht është paradoksal, por të bën të reflektosh. Në të vërtetë, po ta kishim Fjalën e Zotit gjithnjë në zemër, kurrfarë tundimi nuk do të mund të na bënte të largoheshim nga Zoti e kurrfarë pengese, të dredhonim rrugë, duke e braktisur rrugën e së mirës. Me Fjalën e Zotit në shpirt, do të dinim t’i mundnim joshjet e përditshme të së keqes, në ne e jashtë nesh. Do të bëheshim më të aftë për të jetuar një jetë të ringjallur, sipas Shpirtit Shenjt, duke i mirëpritur e duke i dashur vëllezërit tanë, posaçërisht ata, që janë më të ligshtë e më nevojtarë, e edhe armiqtë tanë”.

Virgjëra Mari, ikona e përkryer e dëgjesës ndaj Hyjit dhe e besnikërisë së pakusht të vullnetit të tij, na ndihmoftë në ecjen tonë kreshmore, që të mund të vëhemi në dëgjimin e ambël të Fjalës së Hyjit për të kryer një kthim të vërtetë të zemrës. /Drita/

(Porosia e Papa Françeskut gjatë Engjëllit Tenzot, E diela I e Kreshmës, 5 mars 2017, Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »