Ungjilli është i mundshëm

Apr 1 • Këndvështrime

 

Nga Mons. Lush Gjergji

 

“Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar. E predikonte nëpër sinagoga të Judesë.” (Lk  4, 43-44)

“Ungjilli për mua është Fjala e Jetës, është Jezusi që na flet dhe mëson sot në Kishë, nëpërmjet Kishës.” (Nëna Tereze)

Jezu Krishti dhe krishterimi janë pjesë përbërëse e kulturës dhe traditës, qytetërimit evropian, pjesërisht edhe botëror. Shumë njerëz, sot, e vlerësojnë Krishtin dhe krishterimin nga këndvështrimi kulturor, shoqëror, pasi që ka frymëzuar dhe krijuar vepra të artit në drejtime të ndryshme. Ky do të ishte roli historik i krishterimit, sipas disave, që çmojnë dhe vlerësojnë, pranojnë atë si një ndër faktorët e rëndësishëm të historisë së njerëzimit.

Një këndvështrim tjetër, mund të jetë radikalizmi i të rinjve, sot, që mund ta shprehim edhe kështu: Jezu Krishti ishte i mrekullueshëm, ideal, i jashtëzakonshëm…, por vetëm si projekt, që fatkeqësisht nuk është zbatuar kurrë plotësisht, sepse njeriu, rrënjësisht dhe thellësisht është egoist, egocentrik, kështu që vijnë deri te ky përfundim: KRISHT PO, KISHA JO! Disa madje kanë arritur deri te pohimet e skajshme, sa që me ironi thonë: i krishteri i vetëm dhe i vërtetë ishte Jezu Krishti!

Radikalizmi i Jezu Krishtit, kërkesa e tij që të braktisim gjithçka dhe gjithkënd, edhe vetveten, pastaj “çmenduria e kryqit” dhe flijimit të dashurisë dhe për dashuri, iu duket shumë njerëzve gjëra tejet të vështirë, mos të them e pamundshme. Fatkeqësisht edhe shumë të krishterë mendojnë dhe jetojnë kështu: si të ishte Jezusi vetëm një ideal i paarritshëm, si ftesa e tij të ishte për pakicën elitare, ndonjë grua apo individ i privilegjuar, ndoshta për meshtarë dhe rregulltarë a rregulltare…

Ta marrim një shembull të Ungjillit: djaloshi e ri dhe të pasur (khs. Mk 10, 17-22), i cili, deri te një pikë e kishte pranuar dhe jetësuar Jezusin me besnikëri, kishte pasur një jetë shembullore, aq sa Jezusit mund t’i thotë: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.” (Mk 10, 20)

I lumi ai, përgëzime dhe urime, meriton vërtet nderim tejet të madh dhe mirënjohje! Shi për këtë, Jezusit i pëlqeu. “Atëherë Jezusi e shikoj ëmbël, i pëlqeu dhe i tha: “Të mungon edhe një gj: shko, shit çka ke, ndajau skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” (Mk 10, 21)

I riu i pasur ia bëri Jezusit një pyetje shumë të rëndësishme dhe vendimtare: “Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” (Mk 10, 17)

Kjo do të duhet të ishte pyetja e secilit prej nesh, të cilën do të duhej ta bënim në çdo çast dhe rast të jetës tonë.

Pjesa e parë e takimit mes Jezusit dhe të riut shkoi shumë mirë, sepse i riu ishte besnik ndaj Ligjit të Moisiut dhe traditës: shumë i zellshëm dhe besnik. Duke u nisur nga kjo përvojë, Jezusi shkon përtej kësaj, depërton në shpirtin e tij, ia ofron dhe mundëson përsosmërinë, braktisjen e të mirave dhe pasurisë materiale, për t’i pasur ato qiellore. Me fjalë tjera, Jezusi i ofrohet, zbulohet dhe dhurohet të riut, si Pasuria e vetme dhe e amshuar, që do ta bënte atë të lirë, të mirë, të lumtur. Jezusi e ftoi të riun e pasur që të ishte nxënësi, ndjekësi dhe bashkëpunëtori i tij për Mbretërinë e qiellit.

Oferta e Jezusit ishte tejet angazhuese dhe vendimtare: JEZUSIN OSE PASURINË? I riu i pasur, vendosi për pasuri, braktisi Jezusin, sepse nuk pati guxim të flijonte  pasurinë dhe të flijohej ai për Jezusin dhe Mbretërinë qiellore. Ai nuk kuptoi, nuk pranoi, nuk arriti ta vlerësonte mundësin, shansin, rastin që ia kishte dhuruar Jezusi, vetveten, miqësinë, bashkëpunimin, së fundi edhe amshim e lumtur.

Ungjilli thotë: “Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë e i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta.” (Mk 10, 22)

Ta analizojmë dhe aplikojmë këtë takim për veten tonë. Ta pyesim dhe t’i kërkojmë edhe ne Jezusit: çka duhet të bëjmë, si duhet të jetojmë, për ta fituar jetën e pasosur. Ta presim përgjigjen e tij, e cila na vjen prej Ungjillit, Kishës, bashkësisë së krishterë, famullisë, ndërgjegjes, rrethanave…

A mund të themi edhe ne, si i riu i pasur, që iu kemi përmbajtur të gjitha urdhërimeve të Zotit, të Kishës, ndërgjegjes dhe qëndrimeve të krishtera? Edhe pse kemi shumë mangësi, dobësi, lëshime, mëkate, Jezusi na do, na falë, na ka zgjedhur që të jemi të krishterë, domethënë nxënësit e Tij, disa ndoshta edhe miqtë e Tij nëpërmes thirrjes së shenjtë meshtarake apo rregulltare. Kushti i vetëm i Jezusit është ky: që të jemi plotësisht të lirë prej çdokujt dhe çdo gjëje, që të mund të ecim me Të deri në kryq, në ngjallje! Të lirë prej mëkatit, prej pasurisë, prej misht dhe gjakut, prej veseve, prej krenarisë dhe çdo të keqeje…

Të zbulojmë së bashku me Jezusin: çka më mungon mua – na mungon ne, për ta njohur, dashur, jetësuar dhe dëshmuar Jezusin?

“Thirrja jonë është Jezusi… Zoti më do, nuk jam në botën vetëm për ta zënë një vend, për të qenë një numër. Më ka zgjedhur për një qëllim. E di. Do ta realizojë këtë nëse unë nuk i bëjë pengesa. Nuk më detyron. Ai ka pasur mundësi ta detyronte Virgjërën Mari, por ka dashur që Maria të thoshte po. E njëjta gjë vlen edhe për ne, Zoti nuk na detyron, por dëshiron që ne t’i themi po.” (Nëna Tereze)

Sot, Kisha, bota ka nevojë për dëshmitarë burimor të Krishtit, Ungjillit, që do të tregonin me jetë dhe në jetë, që kërkesat ungjillore janë të mundshme gjithmonë, pra, edhe sot, me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, me bashkëpunimin tonë.

Kjo do të ishte përgjigja më e mirë atyre që Krishtin, Kishën katolike do të dëshironin ta shihnin dhe vlerësonin vetëm në prizmin kulturore, të artit, të së kaluarës, të arkivave apo muzeut, të njerëzimit, si dhe të atyre që do të donin ta pranojnë Krishti, por jo edhe Kishën katolike.

Duke jetuar thellësisht fenë tonë, do të rrënohej zbrazëtia mes Krishtit dhe Kishës, Kishës së dikurshme nga kohët apostolike, dhe asaj të ditëve tona, sepse do të ishte një JEZU KRISHT, Ai historik dhe aktual- dhe një KISHË-  ajo e Krishtit dhe e të krishterëve, për çdo kohë dhe hapësirë.

Porosia e krishterë nuk është vetëm porsi që e ka shprehur dhe thënë Jezusi, ajo që ne e gjejmë në Ungjill, por Fjala e gjallë, që shqetëson, provokon, sfidon, zgjon doemos ndonjë përgjigje, zgjidhje, përcaktim…

Thirrja e Zotin në shenjtëri, përvujtëri, falje, dashuri edhe ndaj armiqve, përsosmëri, mund të duket e vështirë, e paarritshme…

Edhe Nëna Tereze, pati shumë vështirësi, dyshime, frika, pasiguri në fillim të thirrjes së dytë, si “Misionare e Dashurisë”: mospërfillja dhe dëbimi i arqipeshkvit të Kalkutës, gjendja politike dhe shoqërore në Indi, moskuptimi bashkësisë rregulltare të “Motrave të Loretos”, qëndrimi i kundërshtimit të Selisë së Shenjtë…

Ja si e përshkruante Nëna Tereze “tundimin e komoditetit: “Kisha nevojë për një strehë për t’i mbledhur të braktisurit nëpër rrugë. Fillova të kërkoj… Eca, eca pa ndërprerë deri sa s’kisha më fuqi. Vetëm atëherë e kuptova se deri në çfarë pike të varfrit e vërtetë janë të stërlodhur për pak ushqim, mjekim, gjithçka. Kujtimi për qetësinë materiale që e kisha në kuvendin e Loretos, më është paraqitur atëherë si një tundim. Atëherë u luta kështu: “O Zoti im, për zgjidhje të lirë time dhe për dashuri ndaj Teje, dua të mbesë këtu, për të bërë atë çka kërkon vullneti yt. Jo, jo, nuk do të kthehem më mbrapa!” (Nëna Tereze)

 “Ky ungjillëzim apo lajmërim i Krishtit i bërë me dëshminë e jetës dhe me fjalën fiton njëfarë ngjyre specifike dhe në veçanti të frytshme prej faktit së zhvillohet në jetën e përditshme të botës.” (LG 35)

Ky dërgim nuk është për ndonjë pakicë elitare, për meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, por për të gjithë të pagëzuarit. Çdo shekullar duhet të jetë edhe dëshmitar i Krishtit, anëtar aktiv i Kishës, veprimtar për Ungjill. Të gjithë së bashku, dhe secili për vete, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, jemi shpallës dhe dëshmitarë të Ungjillit kudo në botë për të qenë vërtet të lumtur dhe të plotë në këtë jetë dhe në amshim.

Shekullarët apo laikët, të gjithë të krishterët, janë “ajo që shpirti është për trupin, ajo të jenë edhe të krishterët për botën.” (LG 38)

“Duhet të vlerësohen në mënyrën e duhur të gjitha shoqatat e apostullimit, pastaj ato që hierarkia sipas nevojave të kohës dhe të vendit, i ka lavdëruar ose këshilluar apo ka vendosur t’i krijojë si më urgjente, duhet të vlerësohen maksimalisht prej meshtarëve, rregulltarëve dhe laikëve dhe të nxiten sipas natyrës vetjake të secilës prej tyre.” (AA 21)

Dëshmia e Krishtit dhe Ungjillit është mbi të gjitha dashuria, e cila, zbërthen në bamirësi dhe në shërbim. “Të krishterët, duke pasur karizma të ndryshme, duhet të bashkëpunojnë në çështjen e Ungjillit, secili sipas mundësive, mjeteve, karizmave dhe mbarështimit të vet.” (AG 28)

Të gjithë besimtarët, si gjymtyrë të Krishtit të  gjallë, në të cilin janë inkorporuar dhe asimiluar nëpërmjet pagëzimit, krezmimit dhe eukaristisë, kanë detyrën e madhe të bashkëveprojnë në shtrirjen dhe përhapjen e trupit të tij, në mënyrë që ta çojnë sa më shpejtë të jetë e mundur në plotësinë e tij.” (AG 36)

(Nga Don Lush GJERGJI, Jeta Dashuria Dëshmia, Përshpirtëria e Nënës Tereze, DRITA, 2016, fq. 179-181)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »