Zoti “dorëzohet” para një feje të madhe të një nëne!

Aug 19 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XX gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë   Is 56, 1.6-7

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “Mbani të drejtën e zbatoni drejtësinë, sepse shëlbimi im është duke ardhur e s’vonon të dëftohet drejtësia ime. Kurse bijtë e ardhacakut, që do t’i mbështeten Zotit për ta adhuruar atë, për t’ia dashur emrin Zotit, për të qenë shërbëtorët e tij, të gjithë ata që do ta ruajnë të shtunën e nuk do ta çnderojnë, që do ta mbajnë besëlidhjen time, do t’i shpie në malin tim të shenjtë dhe do t’i gëzoj ata në shtëpinë e uratës sime; flitë e shkrumbimit e theroret e tyre do të jenë të pëlqyeshme mbi lterin tim, sepse shtëpia ime do të quhet Shtëpi Urate për të gjithë popujt.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi 66

Ref: Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj

———————————————–

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij,
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

———————————————–

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,
sepse popujt i gjykon me drejtësi,
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

———————————————–

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Na bekoftë Hyji!
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

———————————————–

 

Leximi i dytë Rom 11, 13-15.29-32

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, unë si apostull i paganëve do të jem i lumtur në shërbesën time nëse do t’i nxis në xhelozi ata të gjakut tim e nëse do të mund të shëlboj ndonjë ndër ta. Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, çka thua do të jetë atëherë pranimi i tyre në fe, në qoftë se jo kalim prej vdekjes në jetë? Sepse dhuratat e Hyjit nuk tërhiqen. Dhe njëmend, sikurse ju dikur nuk iu bindët Hyjit, e tani, për shkak të padëgjesës së tyre, fituat mëshirën, ashtu edhe ata tani, për shkak të mëshirës suaj, u bënë të padëgjueshëm, në mënyrë që edhe ata ta fitojnë mëshirën. Pra, Hyji i ka ndryrë të gjithë njerëzit në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Jezusi e predikonte Ungjillin e Mbretërisë,
duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Aleluja

 

Ungjilli   Mt 15, 21-28

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. Dhe, ja një grua nga Kananeja, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë e të thotë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” Por ai nuk i përgjigji fare.

Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë: “Bëja këtë nder e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!” Ai u përgjigji: “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.” Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha: “Më ndihmo, o Zot!” Jezusi i përgjigji: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua qesësh këlyshëve të qenve.” “Po, o Zot – shtoi ajo – se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”

Atëherë Jezusi i përgjigji: “O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!” Në atë moment u shërua bija e saj. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ne njerëzit, mendjemëdhenj, mendojmë se Hyji që adhurojmë në besim është Hyji ynë e nuk mund t’u përkasë të tjerëve. Jezusi përballë besimit të madh të një gruaje pagane, zbulon të kundërtën. “Dhe, ja një grua nga Kananeja”, Jezusi takon, në tokën pagane, një grua kananease, pra pagane, e krijon me të një lidhje kaq të thellë sa realizon kërke-sën e saj.

“Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit!” Gruaja njeh se Jezusi është Mesia, domethënë çlirimtari i premtuar prej Hyjit popullit të vet. Por Jezusi përgjigjet me një sjellje ftohtësie dhe refuzimi: “unë jam i dërguar vetëm te delet e hum-bura të shtëpisë së Izraelit.” Gruaja këmbëngul:“më ndihmo, o Zot!”, e quan përsëri Zot. Një term i tillë shpreh dinjitetin e atij që është si Hyji, e tingëllon si një rrëfim besimi. “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua qesësh këlyshëve të qenve”.  Me termin “qenë” quhen në mënyrë fyese armiqtë, paganët, të përjashtuar nga të mirat e shpëtimit. “Buka” u është rezervuar vetëm pjesëtarëve të popullit të Izraelit.

“Edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre”. Gruaja pranon se shpëtimi, për të cilin njerëzit kanë nevojë, gjendet në Jezusin, që ua dhuron hebrenjve dhe paganëve. Kjo grua zbulon një shembull të madh përvujtërie dhe besimi sa merr admirimin e Jezusit. Feja është pikërisht besimi i qëndrueshëm dhe këmbëngulës në fuqinë dhe në dashurinë e Hyjit që veprojnë në Jezusin.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra të dashur, vendi ku jemi mbledhur është shtëpia e lutjes për të gjithë; në emër të të gjithë njerëzimit, t’ia drejtojmë Hyjit lutjen tonë. Të lutemi së bashku e të themi:

 

O Zot, ki mëshirë për ne.

L. Që Kisha të jetë vendi ku askush s’është i huaj dhe çdo bir i saj të angazhohet për të shembur muret e paragjykimeve dhe të ndarjes. Të lutemi.

L. Që të kultivohet gjithmonë dialogu mes besimeve, veçanërisht me vëllezërit tanë hebrenj, që Hyji “zgjodhi së pari mes të gjithë njerëzve për të pranuar fjalën e tij”. Të lutemi.

L. Që të rinjtë të bëhen ndërtues të një qytetërimi të dashurisë dhe dëshmitarë të shpresës për mbarë botën. Të lutemi.

L. Për prindërit që shohin fëmijët e tyre duke u larguar nga shtëpitë, për arsye të drogës, kriminalitetit dhe të shoqërisë së keqe, që të ndjekin shembullin e gruas kananease që nuk lodhet duke i kërkuar Krishtit shërimin e së bijës. Të lutemi.

L. Që Zoti të shërojë besimin tonë nga ftohtësia dhe ta bëjë të guximshëm si atë të gruas së Ungjillit. Të lutemi.

 

M. O Atë i Shenjtë, shikoje me të mirë besimin e bashkësisë sonë, na vish me ndjenjat e Krishtit dhe na ndihmo ta dëshmojmë me jetën tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.  Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »