Monografi për diasporën katolike në Luzern të Zvicrës

Feb 23 • Kulturë, Recension

Nga Don Lush GJERGJI

 

Kjo monografi, me përgatitje dhe redaktim të Don Agim Qerkinit, pasqyron në mënyrë kronologjike dhe sistematike, veprimtarinë e bujshme 25 vjeçare të Kishës Katolike të Kosovës për mërgimtarët tanë në Zvicër. Ky botim ka shumë veçori dhe përparësi, ndër të cilat duhet cekur dygjuhësinë e teksteve, shqip dhe gjermanisht, për komunikim sa më të mirë me kontekstin jetësor shqiptaro-gjerman, laramania e shumë veprimtarive shpirtërore, kulturore, edukative, kombëtare, si dhe  hallka kohore: themelimi i Misionit, 10 vjetori, pastaj 20 dhe 25 vjetori, ku vend dhe hapësirë të duhur kanë flijimit e pashoqe të meshtarëve tanë: Don Aleksandër Kolës, misionarit tonë të parë për mbarë Zvicrën, pastaj edhe të gjithë të tjerëve, Don Marjan Marku, Don Marjan Demaj. Don Mikel Sopi, deri te misionarët e tashëm, Don Agim Qerkini, Don Pren Kola dhe Don Albert Demaj.

Nga ky Mision bazik janë krijuar edhe dy qendra dhe misione tjera, në Turgau me seli në Sirnach (2003) dhe në Aarau (2005), për ta mbuluar sa më mirë tërë Zvicrën për shërbime baritore, ofertë kjo që është kompletuar me praninë dhe veprimtarinë e begatshme të Bijave të Dashurisë Hyjnore në Lucern (2001) dhe në Sirnach (2004), më vonë edhe të Motrave françeskane në Aarau.

Dokumentimi me fjalë, përshkrime, si dhe me shumë fotografi dhe shpjegime, e mbanë të gjallë kujtesën,  paraqet bindshëm edhe  dhuratat e Zotit për Kishën dhe Popullin tonë ndër ne  dhe në diasporë.

Kështu Kosova jonë është e “pranishme” në mendje dhe zemrën e besimtarëve tanë në Zvicër, me begati dhe takime shpirtërore, kulturore dhe kombëtare, për ata që quhen dhe janë, duan të jenë të krishterë dhe shqiptarë, edhe në vende dhe rrethana të reje.

Botimi në fjalë ka shumë shkrime dhe këndvështrime edhe prej të huajve, përgjegjësve për Misione, të cilët me fjalë të zgjedhura i cilëson fushëveprimet e ndryshme, integrimin e besimtarëve tanë në Kishën dhe shtetin e Zvicrës.

Një vend të rëndësishëm në këtë Mision ka edhe  Këshilli i Misionit, si dorë e djathtë e meshtarit, duke paraqitur degëzimet e veprimtarive baritore, si kori “Imzot Nikë Prela”, lexuesit, shërbyesit në meshë, ndihmësit për Kungim, forumi “Nëna e Këshillit të Mirë”.

Pjesa e fundit e librit i kushtohet 25 vjetorit të Misionit Katolik Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” me seli në Lucern, sidomos ligjëratës domethënëse të priftit shqiptar prof. Aldo Skoda – Pashkja “Kisha dhe emigrimi”, Mesha qendrore e udhëhequr nga Imzot Dodë Gjergji, me pjesëmarrje të shumë meshtarëve dhe besimtarëve tanë nga viset dhe misionet në Zvicër.

Një pjesë i kushtohet edhe Nënës Tereze, posaçërisht lidhjeve të saja me Zvicrën, të shkruar nga Albert Ramaj, bashkëpunimi me Shoqatën Humanitare “Nëna Tereze” në Lucern, shtegtimeve të ndryshme, veçmas në shenjtëroren“Zoja e Këshillit të Mirë” në Genazzano dhe  në vende tjera në Evropë.

Monografia është e parashtruar dhe menduar mjaft mirë, si në aspektin tematik, përmbajtjesor, po ashtu edhe atë grafik dhe ilustrues, dokumentues, për ta dëshmuar kështu kujdesin, dashurinë, shërbimin dhe flijimin e Kishës sonë në krye me Imzot Nikë Prelën, Imzot Mark Sopin dhe tani Imzot Dodë Gjergjin, meshtarët dhe motrat tona, bashkëpunim e mirë me shekullarë, me ndihmë dhe përkrahje të madhe të Kishës vendore.

Brumi dhe burimi është mjaft i mirë për studime dhe shtjellime më të hollësishme të shumë ngjarjeve, dukurive, ndodhive, veprimtarive të Kishës Katolike të Kosovës ndër ne dhe në botë, me një qëllim dhe synim: “Fati im është fati i Popullit tim” do të thoshte Imzot Pjetër Bogdani, apo “Ku është nevoja, atje duhet të jemi ne”, do të thoshte Shën Nëna Tereze.

Ana brengosëse, mos të them negative, është kjo: një pjesë e madhe e fëmijëve, rinisë, popullatës së gjallë katolike shqiptare, gjendet jashtë Kosovës. Dashtë Zoti që, mërgimtarët tanë t’iu përngjajnë Arbëreshëve  të Italisë, të cilët më se 5 shekuj e kanë ruajtur fenë e krishterë, gjuhën, traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë të lashtë ilir, arbëror dhe shqiptar, duke dëshmuar që mërgata është dhe do të duhet të jetë pjesë e çmuar dhe e dalluar e Popullit dhe Kishës tonë, që ka  dy përfaqësues dhe  figura madhore, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe Shën Nënën Tereze,

Puna e palodhshme e Don Agim Qerkinit në përgatitje dhe redaktim, me bashkëpunëtorë të zellshëm, ka dhënë fryte, ndër të cilët, pa dyshim, është edhe ky botim mjaft ikompletuar, shumë i nevojshëm dhe qëlluar, me porosi për ta tashmen dhe për ardhmërinë tonë.

Të shënohet dhe përkujtohet, që mos të harrohet, është klithja dhe porosia  nga ana njerëzore, ndërsa Zoti e shpërbleftë Kishën tonë, ipeshkvijtë, meshtarët, motrat, besimtarët, për çdo flijim dhe dhurim, me shëndet të mirë dhe hire të shumta.

Kjo monografi, uroj që të jetë shpesh në duar të besimtarëve dhe mërgimtarëve tanë, për të depërtuar në mendje dhe në zemra si histori dhe dëshmi, si frymëzim dhe përcaktim, si mundësi dhe domosdoshmëri, që kudo dhe kurdo mos ta harrojmë apo tradhtojmë prejardhjen tonë kombëtare dhe fetare, por me këmbëngulje dhe dashuri, të jemi vetvetja, që është vullneti i Zotit, e mira dhe dobia jonë./drita.info

(Fjala në promovimin e librit Don Agim Qerkini (ed.), Misioni Katolik Shqiptar, Luzern, 25 vjetori i themelimit të Misionit (1992-2017), DRITA, 2018, f. 191. Qendra BogdaniPolis, Prishtinë, 21 shkurt 2019.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »