Reflektime mbi librin “Fuqia e përvujtërisë”

Feb 23 • Kulturë, Recension

Nga Don Marjan Sh. Uka

 

Hyrje

Flitet se shkrimtari i madh rus Leon Tolstoi njëherë iu drejtua Maksim Gorkit me këto fjalë: “Po të isha unë mbret, do të nxirrja një ligj, që do t’ia merrte të drejtën e të shkruarit çdo shkrimtari që do të përdorte ndonjë fjali me kuptim të dyfishtë ose do të urdhëroja që të fishkëllehej nga lexuesit kushdo që do të bënte ndonjë gabim gramatikor.” “Si ashtu, – ia ktheu Gorki, – po liria e të shkruarit?” “Liri për të shkruar po, por jo liri për të shkruar keq” – iu përgjigj Tolstoi.

Gjatë kohës që po përgatitesha për këtë paraqitje, më dukej sikur po më shoqëronte kjo ndjenjë e ndëshkimit, sepse gjendesha para një vepre me shumë peshë dhe të hartuar mjeshtërisht nga Autori.

Para nesh është vëllimi i dytë i librit të Prof. Dr. Don Anton Uka-jt kushtuar Psalmeve, me titull: “Fuqia e besimit: Reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalemt 20-39”, që doli në dritë nga shtëpia botuese “Drita” – Prizren/Prishtinë dhe “Gjergj Fishta” – Lezhë, vepër me vlerë të jashtëzakonshme, që meriton vëmendjen e thellë të lexuesit, e përmbi të gjitha futjen në jetë të këshillave që nxjerrim nga ajo, sepse siç thoshte Shën Izidori nga Pelusiumi, për veprat e Shën Gjon Gojartit: “S’ka zemër që do t’i lexonte këto faqe, e të mos plagosej me dashurinë hyjnore.”

Vendimin e Don Antonit për t’u marr me librin e Psalmeve mund ta quaj sa të guximshëm aq edhe providencial. I guximshëm për faktin se Autori e filloi këtë vepër gjatë kohës që po përgatiste mbrojtjen e doktoratës pranë universitetet papnor “Gregoriana” në Romë, të cilin siç e dimë e përfundoi para kohe dhe me notën më të lartë: “Summa cum laude”, si dhe kur njëkohësisht po bënte edhe punën e profesorit dhe të përgjegjësit për thirrjet e shenjta pranë institutit filozofiko-teologjik në Shkodër. Ai gjatë kësaj kohe shkroi katër vepra: vëllimin e parë mbi Psalmet të titulluar: “Fuqia e besimit – Reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalemt 1-19”; dhe vëllimin e dytë që po e paraqesim sot; pastaj librin “Sakramentet – kuptimi dhe domethënie e tyre; dhe një libër që e përktheu nga italishtja me titull: “Meshtarëve”, por edhe shumë artikuj të cilat i botoi në revistat tona katolike.

Le të më lejohet pakëz humor! Zakonisht kur gruaja është në pritje të bebes, gjithmonë bluan në mendjen e vet si do ta qesë në dritë fëmijën, është e stresuar, me dhembje dhe nën emocione, prandaj edhe kursehet nga familjarët e vet prej shumë punëve të rënda. Don Antonin nuk e kurseu askush edhe pse përgatitja e punimit shkencor për mbrojtjen e titullit ‘doktor shkence’ kërkon punë dhe mund të madh.

Don Antoni e sfidoi vetveten, duke mos u kënaqur vetëm me lindjen e një ‘bebeje’, por kur erdhi koha të dalë në dritë ajo që e pritnim të gjithë dhe për të cilën investoi dioqeza, ai lindi pesënjakë, që do të thotë katër veprat e cituara që u ngjizën dhe e panë dritën e diellin njëkohësisht me tezen e doktoratës që mban titullin: “L’ascolto della Parolla come metodo. Analisi teologico-spirituale delle Lettere Pastorali di Carlo Maria Martini”, që këtyre ditëve doli në shitje nga shtëpia botuese “Glossa” e Milanos dhe së shpejti presim ta kemi edhe në gjuhën shqipe. Këtë hap të tijin unë e quaj shumë të guximshëm dhe ndoshta edhe unik për rrethanat tona kishtare, prandaj e meriton vëmendjen e të gjithë neve.

Provindenciale e quaj që Autori filloi pikërisht me këtë vepër voluminoze të rëndësisë së veçantë, për të cilën dikush pat thënë: „Po të gjendesha para ndonjë rreziku, kur do të mund të merrja vetëm një libër, për të më shoqëruar në vetminë time të gjatë, pas përvojës sime të gjertanishme, nuk do të ngurroja fare të zgjidhja librin e Psalmeve, i cili më shoqëroi në jetë gjatë shumë dekadave.”

Arsyeja e parë për këtë është dimensioni i gjerë dhe i thellë i Psalmeve, mbi të cilin libër poeti gjerman Rainer Maria Rilke i shkroi kështu botuesit të vet: „E kalova natën në vetmi, duke bërë llogaritë e mia të brendshme, dhe, më në fund, nën dritën e pemës së ndezur të Krishtlindjes, i lexova Psalmet, një ndër librat e pakta, në të cilat mund të pushosh tërësisht, pavarësisht se sa i hutuar, i çorganizuar dhe i sfiduar mund të jesh.“

Siç duket Don Antoni e dinte mirë këtë, prandaj, nga nevoja e çlodhjes nga puna e stërmundimshme e hulumtimeve shkencore, e mori në dorë këtë libër, i cili është sa madhështor, po aq edhe magjeps, e qëndron para nesh si një piramidë gjigante, majën e të cilës arrijnë ta kapin shumë pak njerëz, dhe duke hyrë në vorbullën e këtij libri, ndoshta pa dashje, po radhitet në grupin e plejadës së shkrimeve shqipe, bashkë me: Gjon Buzukun; Pjetër Bogdanin; Grigorin e Durrësit; Theodhor Haxhifilipin; Konstandin Kristoforidhin; Fan Stilian Nolin; Don Simon Filipaj-n; Vehap Shiten; Dr. Don Gjergj Gjergjin; Prof. Dr. Anton Nikë Berishën; Don Marjan Palokën e shumë studiues të vyer, që nën dritën e ‘qiriut’ hulumtuan këtë dritë të thellë e depërtuese, që do ta shndriste shpirtin dhe mendjen e tyre për një jetë të tërë, sepse: “Veprat e mëdha dhe periudhat e letërsisë botërore e kombëtare, të arteve figurative, të muzikës e të arkitekturës, nuk është e mundur të kuptohen plotësisht pa njohjen e pamjeve, përmbajtjeve dhe personazheve biblike.”

                    

Analiza e veprës

Posa fillojmë leximin, na bie në sy një gjest jo i rëndomtë për kulturën tonë të shkrimit, kur librin e një meshtari katolik e paraqet një pastore e Kishës ungjillore. Bëhet fjalë për Dr. Elona Prroj, emër gjithnjë e më i njohur në hapësirat shqiptare, e cila pasi edhe vetë ka përjetuar një dhembje dhe trishtim të thellë, kur në Shkodër ia vranë burrin, pastorin Dritan Prroj, vuajtjet e veta i unifikon aq mirë me ato të psalmistit, e përmbi të gjitha me vuajtjet e Jezu Krishtit. Ja si shprehet në Parathënie: “Të gjithë përjetojmë vuajtje, të cilat nuk ngjajnë me njëra-tjetrën, qofshin ato emocionale apo fizike. (…) Si qenie njerëzore, ne jemi të pajisur me impulse të brendshme që na nxisin të vrapojmë përpara vuajtjeve dhe vështirësive dhe ky është një reagim i mirë, por shpesh vrapojmë në drejtim të gabuar. Në vend që të vrapojmë drejt Perëndisë dhe të besojmë që mirësia dhe besnikëria e Tij zgjasin përjetë, ne vrapojmë larg Perëndisë dhe shkojmë deri aty, sa e bëjmë Atë fajtor për çdo gjë që ndodh në jetën tonë.”

Predikuesja e paepur e Ungjillit dhe punëtorja e palodhshme e pajtimit të gjaqeve, e cila tregon një kujdes të pashoq për familjet e ngujuara nga kjo plagë e hapur e shoqërisë tonë (sidomos ato në Shkodër dhe në veri të Shqipërisë), e porosit lexuesin që edhe në kohët e stuhisë t’i drejtojë sytë kah Krishti: “(…) Është e rëndësishme të kuptojmë që ndërsa jemi në stuhi, rrezikohemi nga dy gjendje: së pari humbasim aftësinë për të parë në mënyrë objektive, pasi situatat na gjejnë të papërgatitur dhe në vend që t’i mbajmë sytë te Jezusi, e drejtojmë shikimin tonë të lartësitë dhe zhurmat e dallgëve. Së dyti, përqendrohemi kaq shumë në stuhi, saqë humbasim sigurinë e prezencës së Perëndisë në mes saj. Por, ashtu si siguria e varkës në breg, në kohë stuhie varet pazgjidhshmërisht nga forca e spirancës, po kështu edhe përballimi i stuhive të jetës nga bijtë e Perëndisë varet shumë nga trageti, mbi të cilin i fiksojmë sytë tanë. Krishti është e vetmja spirancë, themel i fortë, shkëmbi i shpëtimit tonë, që nuk luan kurrë nga vendi. (…) Shpresa jonë qëndron në sigurinë e prezencës së Perëndisë në mes të vuajtjeve dhe stuhisë.”

Në fund pastorja Dr. Elona Prroj shpreh komplimentet e veta ndaj mikut të vet, Don Antonit, duke e porositur lexuesin: “Ndërsa lexoni këtë libër, do të kuptoni se vuajtjet nuk janë të pakuptimta, por kanë një qëllim për çdo njeri që i bindet Perëndisë dhe që ecën në rrugët e Tij. (…) Në analizën e vet, Dom Antoni vë një theks të veçantë në faktin se gëzimi i psalmistit nuk e ka burimin në atë që ndodh rreth tij, por në realitetin brenda tij. Objekt i gëzimit të tij nuk janë pasuria, shëndeti apo miqtë, por vetëdija dhe besimi që Hyji është Emanuel, Zoti me ne. Se lumturia e njeriut nuk është arritje qe varet nga gjendja e tij e jashtme, por rezultat i një arritje të brendshme shpirtërore dhe psikologjike.”

Fjala hyrëse e Autorit tregon arsyen për të cilën e shkroi këtë vepër. Ky libër “ka për qëllim të të ndihmojë për të hyrë në psikologjinë e psalmistit apo më mirë të themi në dinamikat e brendshme mendore, që përcaktojnë veprimet dhe sjelljet konkrete të tija; në teologjinë e psalmistit apo në marrëdhënien e tij me Hyjin, e cila shprehet, para se gjithash, përmes fesë dhe fuqisë së besimit të tij; si dhe në përshpirtërinë e psalmistit, e cila karakterizohet dhe konkretizohet nga lutja, këndimi, meditimi, kundrimi dhe adhurimi i pranisë hyjnore në jetën e njeriut dhe në atë të botës.”

Më poshtë Autori Uka e udhëzon dhe e përthellon lexuesin në anën e mistershme të psalmeve, duke e proklamuar dimensionin universal të tyre, pikërisht atë dimension që më vonë do t’ia dhurojë Jezu Krishti Kishës së tij: “Gjatë leximit të këtyre faqeve do të shohësh, po ashtu, se psalmet kanë një dimension universal, që domethënë tejkalojnë kufizimit dhe ndarjet njerëzore në përkatësi fetare, kulturore, intelektuale, politike e shoqërore; dhe njëkohësisht, duke respektuar të gjitha këto, shprehin dimensionin shpirtëror të përbashkët për njerëzit e të gjitha feve dhe kombësive.”

Ajo që e thonë të gjithë etërit e Kishës, çka e bën librin e Psalmeve “Bibël të vogël” dhe librin e BV më të cituarin në BR (mbi 100 herë) është pikërisht kjo që lexojmë në vazhdim nga Autori: “Përmasat universale të psalmeve qëndrojnë edhe në faktin se përmes këtyre himneve dhe këngëve të përshpirtshme është vetë Krishti që këndon dhe lutet me dhe për popullin e vet – Kishën. Përveç aktualitetit dhe universalitetit të psalmeve, do të hetosh edhe dimensionin pragmatik të tyre që manifestohet në gjeste, fjalë dhe qëndrime konkrete, nga ku edhe u frymëzova në përzgjedhjen e titullit: “Fuqia e përvujtërisë”.”

Autori vazhdon me të njëjtin ritëm, sikur edhe gjatë librit të parë, ta përshkojë materien e secilit psalm dhe me një stil tërheqës, madje edhe magjeps, e mban lexuesin pezull dhe e befason aty ku ai nuk e pret. Autori, në shikim i palodhur, sikur të mos bënte asnjë punë tjetër, i përngjan peshkatarit, i cili i jep barkës në ujëra të thella, për peshkim sa më të mirë. Përsiatjet e tija prej një teologu dhe ati shpirtëror të matura e të papërsëritshme, të shoqëruara me citate dhe shembuj të Mësuesve të Kishës dhe të psikologëve e sociologëve të kalibrave botëror, i japin veprës një ngjyrim stilistik, duke mos lejuar të kalojë në botën imagjinare, dhe më plot kuptimin e fjalës e radhit atë në familjen e veprave klasike. Duke përshkuar me kujdes veprën në fjalë, lexuesi fiton përshtypjen se ka të bëjë me një gjuetar të mirëfilltë, i cili i njeh shumë mirë rregullat e gjuetisë: di ti ndjek gjurmët, di kur vrojton dhe kur shkrep armën.

Jam i bindur se Don Antoni po vazhdojë në këtë mënyrë premton të bëhet një mjeshtër i mirë në fushën e letrave dhe një Promete i kulturës sonë fetare dhe kombëtare. Ai tashmë ka krijuar profilin e vet të krijuesit dhe i duhet shumë pak kohë për të prodhuar vepra të mëdha si kjo, pikërisht sikur Lionel Messit që i duhet pak hapësirë për të shënuar gol. Autori paraqitet racional, dominon ndjenjat dhe manifestimin spontan të emocioneve, zotëron një shije të mprehtë të perceptimit metaforik, është i përmbajtur nga pasioni për pushtet dhe instinkti për lavdi, nuk kapërcen nga njëri krah në tjetrin, nuk bie lehtë nën ndikimin e të tjerëve, qe për kohën e sotme nuk është edhe krejt e lehtë. Autori sikur një bletë punëtore që thithë nektarin nga një lule në tjetrën, për ta shndërruar në mjaltë, duke i përvetësuar, balancuar dhe përpunuar në ‘laboratorin’ e mendjes dhe të zemrës së vet mendimet dhe idetë e njerëzve të mençur, i shpërndan me masë të saktë në çdo varg të psalmeve që trajton dhe kështu gatuan një bukë të mirë e të shijshme për ushqimin tonë shpirtëror. Prandaj edhe po bëhet gjithnjë e më i njohur për lexuesin shqiptar, i cili, në këtë kohë të digjitalizimit, nuk mund të rrijë më me ‘thjerrë’ në dorë, duke kërkuar ku të gjejë diçka të bukur për shpirtin dhe mendjen e tij.

Libri i përngjan një miniere me minerale të larmishme e me shumë damarë, ku në secilin prej tyre mund të zbulosh xhevahire. E veçanta e kësaj vepre është fakti si Autori gjatë komenteve krijon ndalesa, do thosha në mënyrë figurative ndërton ‘stane’ apo ‘bujtina’, ku për një kohë pushon, gjersa është duke u marrë me ndonjë sqarim të fushës së vet psiko-shpirtërore, me qëllim që t’ia bëjë lexuesit psalmin më të lehtë, më të kuptueshëm, më dinamik dhe më tërheqës.

Siç lexojmë në kopertinën e librit, Autori ka për synim të gërshetojë teologjinë me psikologjinë e psalmistit, virtytin me mëkatin, duke hyrë në brendësinë e tij, për ta kompletuar si qenie me trup, psikikë dhe shpirt. Gërshetimi i teologjisë me psikologjinë, i antropologjisë me moralin e krishterë, i hyjnores me njerëzoren, ku citohen etërit e Kishës, filozofët, teologët, psikologët, njerëzit e dijës dhe të moralit, gjithmonë nën hijen e mësimeve të Kardinal Carlo Maria Martinit, janë tema që përshkojnë tërë veprën.

Kështu në Ps 21 ndër tjera lexojmë mbi temat psiko-shpirtërore, siç janë: Uni i hapur; uni i verbër; uni i fshehur; uni i pavetëdijshëm; gëzimet që vijnë nga të tjerët; gëzimet që vijnë nga bota; gëzimet që vijnë nga Zoti: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, zotërimi i vetvetes, tema këto që thirren në dëshmi të etërve kishtarë, të papëve, të dokumenteve konciliare, të teologëve, të psikologëve etj. dhe Autori në këtë mënyrë mundohet të na paraqet gjithë atë dramë apo kënaqësi që e përjetoi vetë psalmisit, respektivisht Krishti në lutjen e psalmeve, e që të njëjtin përjetim mund dhe duhet ta ketë çdo njeri kur i lutë apo i këndon psalmet.

Qëllimi i këtij libri është ta edukojë lexuesin të frymojë shqip dhe si i krishterë që të mos i përbaltë idealet kombëtare, sepse siç shprehet shkrimtari ynë i nderuar Prof. Daut Demaku: “Populli i edukuar, nuk mund të robërohet.” Autori këtë e bën duke e motivuar atë t’i zbulojë vlerat e veta, ta njohë dinjitetit që ia ka dhuruar Zoti në Jezu Krishtin. Prandaj te psalmi 22 lexojmë një citat të Shën Agustini, i cili thotë: “Hyji është bërë njeri për ty, o njeri. Duhet të besosh se je i madh në sytë e Zotit dhe duhet të përvujtërohesh, nëse dëshiron të ngjitesh te Ai, sepse edhe Hyji është bërë njeri, duke e përvujtëruar vetveten. Lidhu për ilaçin që të shëron, imitoje atë që është bërë mësuesi yt, pranoje Hyjin tënd, përqafoje në Të vëllain, rinjihe Hyjin tënd. Ja Hyji në madhërinë dhe vogëlsinë e tij, përmes të cilit qe krijuar njeriu. Ja kush është ai!”.

Një gjë të tillë e hasim te psalmi 23 që i kushtohet Bariut të mirë, ku duke komentuar rreshtin një i referohet Shën Agustinit, i cili na mëson: “Ti, o njeri, duhet ta dish çka ishe, ku ishe, e para cilave rreziqe ishe: ishe dele e humbur, ishe në një vend të shkretë e të thatë, ushqeheshe me ushqim të egër, ishe nën mbrojtjen e një mercenari, që, me të arritur të ujqve grabitqarë, ikte dhe nuk të mbronte. Ndërsa, tani të ka kërkuar Bariu i vërtetë, të ka gjetur dhe nga dashuria e madhe që ndjen për ty, të ka marrë mbi supet e veta, të ka dërguar në vathë që është shtëpia e Zotit, Kisha: këtu Jezusi është Bariu yt i mirë, këtu është e bashkuar grigja, për të jetuar së bashku. Ky Bari nuk është si mercenari, nën të cilin qëndroje kur të mundonte mjerimi, e ti duhej të kishe frikë ujqit grabitqarë. Masën e kujdesit që Bariu i mirë e ka për ty, ta dëshmon fakti se Ai e ka dhënë jetën për ty”.

Në psalmin vijues 24 që titullohet: “Të krijuar dhe të udhëhequr nga dashuria e Hyjit”, Autori ndalet në enciklikën e Papa Françeskut: “Ti qofsh lëvduar!”, e cila flet mbi kujdesin për shtëpinë e përbashkët – tokën. Ja disa fragmente që i gjejmë në libër: “Toka, shtëpia jonë e përbashkët, thotë Papa, “proteston për të keqen që ia shkaktojmë, për arsye të përdorimit të papërgjegjshëm dhe të abuzimit të të mirave që Hyji i ka vendosur në të. Jemi rritur duke menduar që ishim pronarët dhe dominuesit e saj, të autorizuar për ta shkatërruar atë. Pikërisht për këtë arsye – shton Papa – është i domosdoshëm një kthim apo konvertim ekologjik.” (…) Ndryshimet e mëdha klimatike, të konstatuara edhe nga shkenca, janë një tregues i qartë se njerëzimi duhet “të vetëdijësohet për nevojën e ndërrimit të stilit të jetesës, të prodhimit dhe të konsumimit, për ta luftuar tragjedinë klimaterike që po i kanoset njeriut dhe bashkë me të edhe njerëzimit mbarë”. (…) Po ashtu, Papa flet edhe për “ekologjinë kulturore”, e cila kërkon kujdes për kulturat lokale, historike dhe artistike e thekson: “Duhet të integrohet historia, kultura dhe arkitektura e një vendi të caktuar, duke e ruajtur identitetin e tij zanafillor. Kështu, ekologjia kërkon një kujdes të veçantë për pasuritë kulturore të njerëzimit në domethënien e tyre më të gjerë”. (…) Nëse shkretëtira e jashtme është duke u shtuar në botë, shkretëtirat e brendshme janë bërë shumë më të mëdha dhe kriza ekologjike është një thirrje për një kthim të thellë të brendshëm.”

Në psalmin 27 autori flet mbi frikën dhe besimin e të drejtit dhe duke e udhëhequr lexuesin në meditimin e tri temave: Zoti është drita ime, Zoti është shëlbimi im dhe, Zoti është mbrojtja ime, njëkohësisht ia jep përgjigjen se kush mund të na lirojë nga frika. Autori vazhdon me një konstatim të mrekullueshëm: “Nëse e marrim në shqyrtim Besëlidhjen e Vjetër, do të shohim se të gjithë profetët flasin për fytyrën e Hyjit. Dëshira e profetëve, por edhe ajo e popullit të zgjedhur të Zotit, për ta njohur dhe për ta parë këtë fytyrë ishte jashtëzakonisht e madhe. Këtë e kuptojmë edhe për faktin se në Bibël fjala ‘fytyrë’ përmendet më shumë se 400 herë; 100 prej tyre i referohen drejtpërdrejt fytyrës së Hyjit. Dëshira për ta njohur dhe për ta parë fytyrën e Hyjit është paksa e çuditshme dhe paradoksale, sepse feja hebraike ndalon çdo lloj paraqitjeje të imazhit të Zotit, sepse konsideron se Hyjin askush nuk mund ta paraqesë në imazh.

Këtij paradoksi i përgjigjet edhe Papa Benedikti XVI, duke e komentuar nga njëra anë dëshirën e kamotshme të njeriut për ta parë fytyrën e Hyjit dhe në anën tjetër, pamundësinë e tij për ta realizuar këtë dëshirë, thoshte se mes këtyre dy gjërave nuk ekziston asnjë kundërshtim. Shkrimet e shenjta – shton Benedikti XVI – nga njëra anë pohojnë se Hyji ka një fytyrë, pra, është një Qenie, me të cilën mund të hyhet në marrëdhënie dhe nuk është i mbyllur në qiellin e vet, për ta shikuar njerëzimin nga lart, por i zbulohet njeriut gradualisht dhe bën që të njihet fytyra e Tij. (…) Dëshira për ta njohur fytyrën e Hyjit, do të thotë Hyjin, nuk është vetëm e psalmistit, apo vetëm e besimtarëve të mirë dhe të devotshëm. Kjo dëshirë, sipas Papa Benediktit XVI, ka përshkuar krejt historinë njerëzore, njerëzit e të gjitha kulturave dhe religjioneve, besimtarët dhe jobesimtarët: “Dëshira për ta njohur realisht Hyjin, domethënë për ta parë fytyrën e Tij, është e thadruar në shpirtin e çdo njeriu, edhe tek ateistët. Edhe ne e kemi këtë dëshirë, ndoshta në pavetëdije, për ta parë se kush është Ai për ne. Por, kjo dëshirë realizohet duke e ndjekur Jezu Krishtin”.

Psalmi 28 flet mban titullin: “Heshtja e Zotit dhe kuptimi i vuajtjes”. Autori vazhdon ta përgatis lexuesin për natën e errët të jetës duke e këshilluar: “se përvoja e heshtjes së Zotit është një përvojë e paevitueshme për secilin njeri. Nuk mund ta dimë momentin, periudhën apo situatën, në të cilën do të ndeshemi me heshtjen e Zotit, por është e sigurt se kjo një ditë do të ndodhë. Ndoshta do të jetë sëmundja, lufta, katastrofat natyrore, pleqëria, zhgënjimi nga njerëzit e dashur apo vetmia që do të na bëjnë ta eksperimentojmë këtë ndjenjë të braktisjes dhe të heshtjes nga ana e Zotit. (…)Të gjendet një kuptim dhe një domethënie në kriza dhe në vështirësi të mëdha të jetës, është shumë e rëndësishme për shëndetin trupor, mendor dhe shpirtëror të njeriut. (…) Mos gjetja e kësaj domethënieje – sipas psalmistit – është zbritje në varr.

(…) Kur jeta shndërrohet në vuajtje, të mbijetosh domethënë t’i japësh një kuptim dhe një domethënie asaj vuajtjeje. Njëra ndër arsyet kryesore që njeriun e mbajnë gjallë në vështirësi të mëdha të jetës, është dashuria për një qëllim, për një ideal. Ky ideal mund të jetë familja, burri, gruaja, shërbimi, kushtimi, feja në shpërblimin e jetës së pasosur. Çdo realitet ka një kuptim; jeta gjithmonë e ka një kuptim dhe për secilin person ky kuptim është i ndryshëm dhe origjinal. Gjetja e kuptimit dhe e domethënies i dhuron njeriut lumturi, shpagim, harmoni, paqe dhe qetësi të papërshkrueshme shpirtërore.”

Në rreshtin e pestë të psalmit 28 Don Antoni sikur ka nevojë të shfrejë ndaj padrejtësive që gjatë shekujve janë bërë ndaj popullit tonë dhe me këto fjalë i porosit vëllezërit e motrat e një gjuhe dhe gjaku të zgjohen nga gjumi letargjik: “Siç kemi theksuar në komentimin e psalmeve të mëparshëm, mentaliteti dhe kultura e një populli apo e një shoqërie, ndikon jashtëzakonisht shumë në përvojën fetare dhe shpirtërore të individit. Nëse personi është rritur në një ambient, në një kulturë dhe në një mentalitet, ku masa matëse e fjalëve dhe e veprimeve të tij është jo sipas ligjit të dashurisë dhe të faljes, por sipas ligjit të drejtësisë njerëzore, patjetër që personi brenda vetes do të krijojë imazhe të gabuara mbi Zotin; do ta mendojë atë si Zot të ndëshkimit, të vdekjes, të numërimit të mëkateve, të frikës, të hakmarrjes, të mallkimit, të katastrofave, të sëmundjeve etj. (…) Psalmisti shpagimin apo shpërblimin, e unë do të thosha shëlbimin, e konsideron si meritë njerëzore, e jo si dhuratë që rrjedh nga dashuria e madhe që Zoti ka për të gjithë njerëzit, veçanërisht për mëkatarë. Megjithatë, edhe këto rreshta kanë një përmbajtje pozitive dhe nxitëse, e këtë e gjejmë në fjalët e Shën Jeronimit, i cili thoshte: “Njerëzit pasi që nuk kuptojnë përmes bekimeve, do të kuptojnë përmes vuajtjeve”.

Psalmi 29 mban titullin: “Zbulimi i Krishtit Trini”. Autori pasi e citon Kardinal Gianfranco Ravazi-n dhe Teodorotin thekson, duke medituar mbi rreshtin e katërt shkruan: “Dëgjimi është qëndrimi i parë, që njeriu duhet ta ketë ndaj Hyjit, i cili zbulohet. Përndryshe, ai që nuk është i aftë të dëgjojë, kurrë nuk do ta zbulojë Zotin, nuk do ta dëgjojë zërin e Tij, nuk do t’i dallojë gjestet dhe shenjat e pranisë së Tij në botë. (…) Jeta e Jezu Krishtit është shembulli i pakrahasueshëm në këtë drejtim. Ungjilltarët na paraqesin Jezusin si mësues të shkëlqyeshëm të dëgjimit. (…) Pra, një zemër e dëgjueshme nuk ka vlera dhe ndjeshmëri vetëm në marrëdhënie me Zotin, por edhe në fusha tjera, e sidomos në lidhje me të tjerët: me të varfrit, me të sëmurët, me të vetmuarit, me të braktisurit, me të shtypurit. Të gjitha këto kategori njerëzish, para se të kenë nevojë për gjëra materiale, kanë nevojë të jenë të dëgjuar, të pranuar. Nga kjo kuptojmë se njeriu i dëgjimit, ashtu siç dëshmon Bibla, e sheh Zotin në jetën e njeriut, nuk ka paragjykime, vepron me drejtësi, nuk bën dallime, është gjithmonë i gatshëm për t’i shërbyer dhe ndihmuar të tjerët.” 

Autori në vazhdim flet mbi epifaninë, apo zbulimin e Zotit, që ndodhi në pagëzimin e Krishtit dhe citon Shën Gregorin, Shën Teodoretin, Shën Bazilin nga Cezareja, Shën Jeronimin, Shën Agustinin, për ta përfunduar me një citat të mrekullueshëm të Shën Atanazit: “Hyji është i ulur në oqeanin e jetës tonë, është i ulur në mesin e turmës së madhe të të gjithë atyre popujve që besojnë në Krishtin, për t’iu dhënë fuqi dhe paqe”.

Psalmi 30 titullohet: “Dhjetë rrugët që na lirojnë nga e keqja”. Një ndër polemikat më të ashpra në mes Kishës katolike dhe të asaj protestante është problemi i hirit dhe i veprimit njerëzor. Në komentin mbi reshtin e dytë Autori sikur jep një përgjigje të drejtpërdrejtë kur shkruan: “Është e qartë se të mirat dhe bekimet e Zotit mund të vijnë në ne edhe pa kontributin tonë, por zakonisht ato vijnë përmes një bashkëpunimi të thellë me Zotin, duke e kërkuar ndihmën e Tij, duke e pranuar dhe futur në veprim frymëzimin që vjen nga Shpirti Shenjt. Prandaj, duhet të kuptojmë dhe të besojmë se pa një hapje dhe pa një bashkëpunim me Zotin, nuk ka shëlbim.”

Psalmi 32 mban titullin: “Jeta: udhëtim vuajtjeje dhe gëzimi”. Autori menjëherë në fillimi thekson: “Siç do të shohim në vijim, ky psalm, në mënyrë të thjeshtë, por jashtëzakonisht të thellë, flet për rëndësinë psikologjike dhe shpirtërore që ka pranimi real i vetvetes. Pranimi i mëkateve apo i atyre pjesëve të errëta të jetës, pendimi dhe keqardhja për to, kërkimi i faljes dhe gatishmëria për të filluar një jetë të re në Hyjin, paraqiten nga psalmisti si veprime tejet të rëndësishme për mirëqenien shpirtërore dhe psikologjike të njeriut.

Dëshira apo vendimi i njeriut për të qëndruar në mëkat, nga psalmisti konsiderohet injorancë dhe arrogancë, ndërsa dëshira dhe vendimi për të dalë nga situata e tillë, çmohet dhe vlerësohet si urti dhe dëshirë për shenjtëri.”

Psalmi 37 titullohet: “Fati i të drejtit dhe i bakeqit. “Në përputhshmëri me porosinë e të gjitha psalmeve të tjera, vargjet e këtij psalmi nuk dëshirojnë të shkaktojnë në njeriun ndjenja frike, përkundrazi, nga njëra anë janë thirrje për t’iu shmangur së keqes e për të mos u lakmuar veprave të keqbërësve dhe suksesit tyre, ndërsa nga ana tjetër, thirrje e vazhdueshme për të besuar në Hyjin e për të vepruar mirë.

Biblisti i madh benediktin, Jacques Dupont, pohon: “Psalmi i qetëson zemrat e njerëzve të devotshëm, të cilat mund të shqetësohen kur t’i shohin keqbërësit në prosperitet, e të drejtit në varfëri. Prandaj edhe pyesin: si është e mundur që Hyji të lejojë një gjendje të tillë? Në emër të përvojës së tij të gjatë, i urti përgjigjet: gëzimi i mëkatarëve nuk zgjat shumë, ashtu sikurse nuk zgjasin shumë as vuajtjet e të drejtit. Psalmisti, me qëllim që të mbjellë këtë besim në zemrën e lexuesit, ia përsërit në të gjitha mënyrat, që të gjithë ata që bëjnë keq, shumë shpejt do të shlyhen nga faqja e dheut, ndërsa të drejtëve Hyji ua siguron trashëgimin e tokës, e cila nuk mund të mos bëhet prona e tyre e përhershme për ta dhe për pasardhësit e tyre”.

“(…) Zemërimi, hidhërimi dhe pezmatimi, pa marrë parasysh se nga cilat arsye shkaktohen, janë emocione që nuk i bëjnë mirë shëndetit mendor, trupor dhe shpirtëror të njeriut. (…) Në lidhje me këtë, Nënë Tereza thoshte: “Kur një person të lëndon, mos u zemëro. Vetëm mendo që prapa atij veprimi ekziston një paaftësi për të dashur, e cila lind nga prania e një lëndimi dhe e një mungese të dashurisë. Kështu do të falësh e do të lutesh për atë person, pa mbajtur inat”.

Në psalmin 39 mban Autori shkruan: “Psalmi tridhjetenëntë i përngjan një elegjie pikëlluese që zbulon dhe interpreton domethënien e thellë të vuajtjes njerëzore. Përmes këtyre rreshtave, psalmisti, duke u mbështetur në përvojën e vet personale, vë në pah kufizimet njerëzore dhe njëkohësisht shpalos edhe madhështinë që ka njeriu në sajë të fesë dhe të besimit në Hyjin.

Pak para përfundimit të librit Autori shkruan: “Gregor Naziani, në komentimin e tij në lidhje me këto rreshta të psalmit, thoshte kështu: “Vëllezër, kjo është jeta jonë; ekzistenca jonë është kalimtare. Është sikur një lojë që e luajmë në këtë tokë. Ne nuk ekzistojmë, por kemi lindur dhe pikërisht pse kemi lindur, jemi të shpërbërë. Jemi vetëm një ëndërr kalimtare, dukje pa substancë, ikje e një zogu kalimtar, një anije që nuk lë gjurmë mbi det. Jemi pluhur, tym, vesë e mëngjesit, një lule që lulëzon në një moment dhe zhduket për një çast të vetëm. Njeriu është sikur lulja që në mëngjes lulëzon, ndërsa në mbrëmje thahet dhe vyshket”

 

Përmbyllje

Libri ka edhe Pasthënien që iu besua Redaktorit, e në të cilën veçojmë këto mendime: “(…) Individualiteti krijues, i pasur në gjuhë, i begatshëm në figura stilistike dhe frymëzime alegorike, përçon tek lexuesi një mesazh buçitës inkurajimi dhe shprese që i mbetet besnik aktualitetit të çdo kohe, duke i dhuruar kënaqësinë e një shkalle të lartë artistike, të sendërtuar mbi një teologji dhe psikologji të kristalizuar, e cila përmes ndjeshmërisë dhe intelektit, shpreh imazhin e jetës, të kohës dhe atë të së vërtetës.

Autori i pasionuar, duke u përcaktuar për këtë studim-reflektim, po rrah shtigjet e panjohura dhe të palëvruara të kësaj lamie në gjuhën tonë të lashtë shqipe, duke shpallur një pjesë të atij mozaiku të vlerave biblike, pa të cilat s’mund të përfytyrohej jeta shpirtërore e njeriut. Me këtë mëton të përbluajë dhe gatuajë shpirtin e çdo shqiptari për një pastrim të thellë shpirtëror kudo që ai jeton.

Origjinaliteti i tij ka të bëjë me mendim të qartë dhe të mprehtë, me qëndrim të drejtë dhe të prerë, që shfaqet në tërë veprën e tij, ku spikat ndjenja psiko-shpirtërore me shembuj dhe shpjegime të rrallëhasura më parë në literaturën shqipe. Kjo përbën karakterin kureshtar që në labirintin e saj përmban dëshirën e paepur për të shkelur në udhët e panjohura, duke i shndërruar ëndrrat idilike në realitet. (…) Duke falënderuar Zotin, që, si redaktor, pata mundësi të bashkëpunoja në mënyrë të drejtpërdrejtë me manifestimin e ndjesisë së Autorit për Psalmet, konstatoj se ky libër është një thesar i çmuar për kulturën shqiptare dhe uroj që, sikur libri i mëparshëm, të mirëpritet e të përtypet nga lexuesi shqiptar.” 

Dhe po e përfundoj me një mendim të poetit tonë kombëtar, Migjenit, i cili në poezinë “Në kishë”,  shkruan: “Në qytetin tonë asht’ nji lagje… E n’at lagje asht’ nji kishë… Mrenda në kishë asht’ nji lyps, në të cilin jeton nji dëshirë: me jetue…”.

Uroj që ky libër t’u dhurojë gjeneratave të reja dëshirën për të jetuar me Zotin dhe për Zotin! Uroj që ky libër t’u mundësojë të gjithë personave të kushtuar një njohje edhe më të thellë për lutjen e orëve, që më lehtë t’i sfidojmë problemet e brendshme dhe të jashtme! Uroj që ky lyps me një dëshirë të vetme për të jetuar në Kishën e Jeruzalemit qiellor të jemi unë dhe ti!

Ndërsa Don Antonit i uroj të ecë gjurmëve të eruditit tonë të madh, Fan Nolit, i cili gjatë katër stinëve të jetës mbeti gjithmonë nxënës dhe, nga dëshira për t’i përkthyer Psalmet, në moshën 81 vjeçare e regjistroi Fakultetin e Gjuhëve të Lashta të Lindjes të Harvardit dhe ia arriti qëllimit!/drita.info

 

(Fjala në promovimin e librit  Don Anton Uka, “Fuqia e përvujtërisë, Reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 20-39. Qendra “Bogdanipolis”, Prishtinë, 21 shkurt 2019) Referencat i ka heq redaksia.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »