Shën Nënë Tereza: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar”

Aug 29 • Kisha në Kosovë, Kulturë

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve.” 

Me këto fjalë të bukura e të fuqishme në përmbajtjen e tyre, të shkruara nga Nënë Tereza 40 vjet më parë, Dioqeza Prizren-Prishtinë i filloi ditët e Nënë Terezës në Qendrën “BogdaniPolis”, në Prishtinë (e hënë, 26 gusht 2019), me një akademi kushtuar bijës së Kishës dhe Popullit tonë, Nënës Terezë në përvjetorin e ditëlindjes së saj dhe 40-vjetorit të marrjes së Çmimit Nobel për Paqe (1979).

 

Nën interpretimin e aktores Arijeta Ajeti, kumbonin fjalët e madhërsishme të shenjtores sonë, duke mbushur sallën me një emocion të pashoq. ”Unë e kam në zemër popullin tem shqiptar”, ”Vendi im”, ”Duaje jetën” dhe ”Pjesë nga fjalimi i Nënës Terezë në Shenjtëroren e Letnicës”, ishin pjesë e këtij manifestimi, që përpos emocionit që përcillnin, fjalët e Nënës Terezë të ofronin një ngrohtësi dhe shpresë të pafund.

Këngët “Nënës së mirë – Porosi” dhe ”N’Cërnagore kem një Nanë”, u interpretuan nga Kori i Studentëve, duke krijuar një atmosferë festive, sepse i tillë ishte edhe ky event. Festohej për gruan e madhe të Kishës dhe kombit tonë, e cila edhe nga amshimi, vazhdon të falë ndjenjën e madhe të dashurisë e të krenarisë.

Ndodhia kryesore e kësaj akademia ishte promovimi i librit të Don Lush Gjergjit, kushtuar Nënës Terezë, të titulluar ”E kam në zemër popullin tem shqiptar. Bisedime me Shën Nënën Terezë”, botim i shtëpisë botuese “DRITA”, organ i Dioqezës Prizren-Prishtinë.

Për të folur për librin ishte i ftuar shkrimtari i njohur Visar Zhiti, i cili e vlerësoi librin, si një dhuratë të madhe të autorit për ne, kurse për Nënë Terezën tha: ”Ajo i përket botës mbarë, universit të mrekullueshëm katolik, nënë e të gjithëve, prandaj edhe u shpërblye me çmimin më të lartë, atë të paqes”. Autorin Don Lush Gjergjin e cilësoi si biografi më i mirë i Nënës Terezë. ”Bisedat që janë pjesë e këtij libri, janë nga më të larmishmet, tokësore, flitet për familjen, për varfërinë e dashurinë, për Kishën e Krishtit. Don Lush Gjergji na sjellë nderimin për të”, deklaroi Visar Zhiti.

Xhavit Beqiri përmes kumtesës së tij kushtuar 40-vjetorit të Çmimit Nobelr, shprehi mirënjohje të pafund ndaj veprimtarisë së noblistes sonë, siç e quante ai. Duke qenë i fokusuar në fjalimin e saj në marrjen e këtij çmimi, në mënyrën e marrjes së tij, ai e cilësonte atë si një shenjtore të vërtetë. E duke e cituar herë pas herë fjalimin e saj, të asaj ditë të madhe, i rikujtoi publikut se Nëna Terezë me të vërtetë e ka merituar çmimin e marrë e ndoshta edhe më shumë. Beqiri, poashtu përmendi edhe çmimet tjera që kanë zënë vend në listën e çmimeve të marra nga Nëna Terezë, si Medal of Freedom 1985, çmimin Papa Gjoni 1971 etj. (lexo tekstin e plotë ).

Në fund e mori fjalën edhe autori Don Lush Gjergji, i cili na tregoi pse edhe  një libër për të madhen Nënë Terezën: “Pas 16-të veprave kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë, ja edhe botimi i 17-të, kushtuar asaj. Përpos 40-të vjetorit të çmimit Nobel për Paqe, këtë vit shënon edhe 50-të vjetori i takimit tim të parë më Shën Nënën Terezë. Ky botim është mjaft burimor, i rrallë dhe i dalluar. Të themi kështu, figurativisht, një lloj ungjilli sipas Nënës Terezë. Aty mund t’i gjeni shtatë intervista ekskluzive. Përshtypjet, përjetimet e përvojat e mia gjatë gjithë këtyre viteve. Përmes këtij librit, populli ynë, tani mund ta njohë për së afërmi ashtu si ajo ishte dhe është, në lidhje me popullin dhe kishën tonë. Ajo na ngriti edhe ne si popull në piedestalin e shenjtërisë. Unë atë po ia kthej kishës dhe popullit shqiptar, duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, porosi, fotografi, dorëshkrime, qe çdo njeri me mendje të hapur e me zemër të mirë, me shenjtëreshën tonë, ta ketë një model jete dhe veprimi, një frymëzim dashurie”, u shpreh Don Lush Gjergji për librin e tij kushtuar Nënës Terezë. (lexo tekstin e plotë).

Një dhuratë të bukur për katedralen, që mban emrin e Shën Terezës, e kishte bërë piktori Rilind Morina. Ai kishte vizatuar portretin e saj në një teknikë të bukur, origjinale, pikërisht për këtë manifestim, të cilën ia dhuroi famullitarit të Prishtinës Don Fatmir Koliqi.

Për të përmbyllur këtë manifestim si është më së miri, publiku u shoqërua nën tingujt e bukur të këngës ”Çile zemrën plot kujtime”, përmes së cilës i uronin ditëlindjen Nënës Terezë dhe Don Fatmirit, famullitarit të Katedrales, i cili festonte ditëlindjen në të njëjtën ditë si humanistja jonë e madhe. Festa vazhdoi në pjesën e Qendrës “Agora” me një koktej dhe muzikë qytetare nga kori, të cilëve ju bashkëngjitën edhe mysafirët./drita.info

 

Fotografitë: Antigona Pjetraj – Gegaj

Shpërndaje

Comments are closed.

«