Të sjellësh shënjten Nënë Tereza nga Qielli mes shqiptarësh sërish…

Sep 1 • Kulturë, Recension

Fjala e mbajtur në përurimin e librit “E kam në zemër popullin tem shqitpar” të Don Lush Gjergjit në Prishtinë – Qendra “Bogdanipolis”, më 26 gusht 2019. 

 

 

Nga Visar ZHITI

 

Librat për shenjten tonë Nënë Tereza janë të shumtë dhe të vazhdueshëm dhe të llojllojshëm, lutje, albume, monografi, thënie, kalendarë, etj, letërsi artisitike, poezi e romane, etj, që së pari dalin në Vatikan, atje ku është Selia e Shenjtë  e në Itali, por dhe në Francë dhe Angli, në Gjermani, etj, në Ballkan e në të gjithë Europën, por dhe përtej oqeanit, në kontinente të tjerë, në SHBA, në Indi, në Japoni, në Australi, etj, në  Afrikë, kudo në të gjithë botën.

Nënë Tereza ishte bërë gruaja më e njohur e planetit më përpara se të shpallej Shenjte në shekullin XXI. Ajo i përket botës mbarë ashtu siç i përket universit të mrekullueshëm katolik, misionare e të cilit mbetet, Nënë e të gjithëve në shërbim të më të varfërve të të varfërve, të jetës së tyre dhe prandaj dhe u shpërblye me shumë çmime, duke marrë edhe më të lartin, Nobelin për Paqe, por mbi të gjitha ajo ka shpërblimin e Bekimit nga Zotit dhe atë të dashurisë së pakufishme të të gjithë njerëzimit.

Librat më familjarë e më të gëzueshëm për shenjten tonë Nënë Tereza natyrisht që për ne janë ato që dalin në gjuhën shqipe, në Tiranë, por, sipas meje, veçanërisht ato në Kosovë, nga ku ajo ka prindërit e saj, babain nga Prizreni e nënën nga Gjakova, por dhe sepse Kosova është e lirë siç e ëndërruan prindërit, dhe dëshiroj të them se pikërisht botimet e Don Lush Gjergjit, të ndryshëm e të njëpasnjëshëm janë kulmi që përbëjnë një pasuri të vërtetë e të vyer, sepse dalin nga pena e vëllait të Shenjtes tonë të gjakut e të shpirtit, bashkëmisionarit, të atij që e ka njohur dhe e ka ndjekur, që ka folur me të dhe na ka treguar aq shumë e mbi të gjitha na ka treguar aq bukur, me urtësi dhe dinjitet dhe përunjësi, me përmallim si në një meshë të madhe…

Për ne është fat Don Lush Gjergji për ato që ka kumtuar në botimet e tij si homeli të vyera për Nënën tonë, Shenjten Tereza të Kalkutës, të Kosovës, më pëlqen ta them me të drejtë, duke na e sjellë ikonën e saj plot dritë, imazhet me buzëqeshjen qiellore, punën dhe sakrificat në shërbim të Birit të Zotit dhe të njeriut si grua e kryqit.

Dhe ja, tani, sonte në 26 gusht, në ditën kur ajo lindi 109 vjet më parë jo larg prej këtej, matanë Grykës së Kaçanikut, në Shkupin plot me shqiptarë, po kështu dhe në jubileun e 40 vjetorit të marrjes së Çmimit Nobel përurojmë një vepër të re, nxjerrë nga enti i mirënjohur botues “Drita”, të Don Lush Gjergjit për Shenjten Nënë Tereza dhe ku, në Katedralen madhështore në zemër të Prishtinës që është pagëzuar me Emrin e saj.

Vërtet një mrekulli.

 

LIBRI I RI                                                    

E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR është jo vetëm titulli, por dhe mesazhi kryesor i tij, me hirin e Zotit..     

 Autori bën një qasje ndryshe ende më të afërt për ne duke përzgjedhur biseda të tij me Shenjten Nënë Terezë në kohë dhe vende të ndryshme, por gjuha është e njëjtë, ajo e Nënës, me porosi përherë të vlefshme, sa herë që i lexojmë.

Bisedat janë nga më të larmishmet, tokësore, flitet për fmiljen dhe realitetet, për varfërinë dhe dashurinë dhe motrat e misionit të dashurisë, për Kishën tone dhe Krishtin dhe shkojnë lart në Qiell, te Zoti.

Pra, skena e kësaj drame janë toka dhe qielli dhe personazhet janë Shenjtja dhe meshtari i përunjur.

Don Lush Gjergji na sjell ndërkaq të përtërirë Institucionin e Bisedës, nderimin për të ashtu siç e kishin kult shqiptrët e hershëm dhe që duhet rikthyer me dinjitet.

Papa Françesku na mëson që të zhvillojmë Kulturën e Takimit, se kështu do të njihemi më shumë, do të duam më shumë dhe do të bëjmë më të mirës së bashku.

Dhe ky libër, me popullin shqiptar në zemër, është vepër takimesh, e përsëris, e meshtarit të përunjur dhe e Shenjtes së Shekullit XXI, ku mes gëlimeve të ndjesive hyjnore përthuket dhe meraku ndaj bashkatdhetarëve dhe atdheut dhe vendlindjes duke marrë kështu një vlerë të fuqishme aktuale, duke u shndërruar në porosi: duajeni vendin, njëri tjetrin dhe bëni vepra dashurie.

Dhe Nënë Tereza na shfaqet njësoj kudo, misionare e përkushtuar deri në shenjtëri, si në kuvende dhe në rrugë, si mes të varfërve në Indi e gjithkund edhe para personaliteteve më të larta të botës, si në vendlindje dhe në ceremoninë e madhe të Çmimit Nobel në emër të të varf:erve dhe vetëm për ta.

E tregojnë dhe intervistat këtu gjatë vizitave në Kosovë dhe përreth, ndërkaq libri merr dhe kumbim universal ashtu siç janë kumbimet e kambanave dhe si një tjetër kulm gjejmë dhe intervistën në ditën e dhënies së çmimit Nobel në Oslo, në Norvegji, 40 vjet më parë.

Libri është shoqëruar me ilustrime, fotografi e faksimile letrash të Nënë Terezës, të shkruara shqip, që kanë forcën e dokumentit.

Njëra nga pyetjet më të zakonshme dhe nga më të thjeshtat, por që permbledh brenda hapësira ndjesish, që Don Lushi i bën Nënë Terezës është:

– Si e ndieni veten në mesin e popullit tuaj…?

Përgjigja: “Jam shumë e lumtur… Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të ndjerë, Kolën, dhe nënën time, Drane, që tani jeton me motrën time Age, në Tiranë, si dhe për vëllain tim, Lazrin, i cili jeton në Palermo…Nuk e kam parë nënën dhe motrën time që nga vitit 1928, që nga nisja ime…                             

Këtu fytyra e saj, – tregon Don Lushi si një kronikan, – u bë hijerëndë, madje edhe paksa e pikëlluar, nga që, siç më tha, ajo ishte përpjekur sa e sa herë përmes autoriteteve politike të merrte leje për të hyrë në Shqipëri dhe për ta marrë nënën dhe motrën, por më kot. Autoritetet shqiptare nuk i dhanë kurrë leje për ta takuar të ëmën dhe motrën…

Unë shtoj këtu se Tirana politike vazhdon të lajë duart si Pons Pilati për persekutimet e shumta sidomos atij të klerit katolik, burgosje, internime, deri edhe pushkatime, shëmbja e tempujve të fese, ndalimi i besimit duke u shpallur Shqipëria kështu si vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë.

Por lutej Nënë Tereza dhe për Shqipërinë ashtu si dhe për Kosovën e saj, ku do të vinte dhe 5 herë të tjera, siç na dëshmon Don Lushi, në Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë.

.Më mbeten sytë te Fjala e Nënës Tereze për motra në Binçë: Ne jemi të fejuarat e Krishtit….Asgjë s’mund të na ndajë prej dashurisë së Tij.

 

            SHFLETOJMË LIBRIN

Ja, një tjetër episod, sa domethënës! Një ditë para ceremonies së madhe, teksa nëpër rrugët e Oslos endeshin mijëra e mijëra njerëz me pishtarë drite në duar, përflakeshin xhamat, dyndeshin te hoteli ku kishte bujtur Nënë Tereza, kudo ku mund të ishte ajo, donin që ta shikonin, ndërkaq ja, ç’do t’i thoshte asaj Mbretit të Norvegjisë, Ollavi V:

– … po sikur të mos vij nesër në ceremoni?

– E pse? – ia ktheu Nënë Tereza shkujdesshëm.

– Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, – kishte buzëqeshur Mbreti.

– E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, – e ndërpreu Nënë Tereza, – por Zoti…

Mbretërve, presidentëve, sundimtarëve, kujdo Nënë Tereza guxonte, duke mos e ndjerë si guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”. Ajo beson te natyrshmëria, te vlera dhe barazia, që Zoti i ka dhënë gjithsecilit, vetvetja është e mjaftë.

Kur po i jepej çmimi Nobel e pritej fjala e Nënë Terezës, të gjithë të pranishmit e shquar në ceremoni ajo i ftoi të bënin një lutje së bashku.

Fjala e saj dhe intervistat që u dha gazetarëve të shumtë, ku pohoi se nga gjaku dhe gjuha jam shqiptare dhe i përkas zemrës së Krishtit, u përhapën në të gjithë botën, përveçse në Shqipërinë e saj të mbyllur si një burg. Por dhe aty, në burg, u fut lajmi.  

Ç’ka ndodhur ndonjë gjë jashtë, pyetën nja dy të burgosur të vjetër një të porsaardhur në Spaç. Dëgjova para se të më arrestonin në televizorin Italian fshehurazi se çmimi Nobel për Paqe iu dha një murgeshe shqiptare. Vërtet? Po, e dëgjova vetë. Të burgosurit përreth u mahnitëm, por nuk po guxonin ta besonim të gjithë.

Mes tyre isha dhe unë, “në ferr” e dëgjova për herë të parë emrin e Nënë Terezës.

Dhe natyrisht s’kishim si ta dinim se në Oslo, pranë Nënë Terezës ishte dhe ai, meshtari i ri, bashkatdhetari i saj, i ardhur nga Kosova, si vëlla, si bashkëmisionar, që shkruante, mbante shënime, projektonte librin e ardhshëm.

Ishte Don Lush Gjergji.

Dhe jemi së bashku nën mrekullinë e Shenjtes tonë, të gjithë.

Ndiej zërin e Don Lush Gjegjit që pyet prapë: Çfarë do të thotë për ju dhe motrat tuaja Çmimi Nobel për paqe? Zëri qiellor i Nënë Terezës: …asgjë nuk ndryshon te ne… çmimi është vetëm për të varfërit tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë diçka…

Pyetje tjetër e Don Lushit: Cili është mesazhi i paqes për botën… tani kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?”

Përgjigjia tjetër si e ruajtur në Qiell: “Duajeni njëri-tjetrin siç u do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse lutemi, nga që të luturit ushqen besimin dhe feja ushqen dashurinë. Nëse ne besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët” – Kështu foli Nënë Tereza.                  

Don Lush Gjergji e dinte më mirë se kushdo se cila ishte Nënë Tereza, nga vinte, ç’kishte qenë ajo, i dinte dramat e familjes së saj dhe të popullit të saj, por ai e ndjente dhe dukej se e dinte që në atë ditë se kush do të ishte Nënë Tereza, sikur ia pa aureolën, breroren mbi krye. Dhe pati frymëzimin, s’dihet nga ç’tallaze parandjenjash për të ardhmen dhe bëri pyetjen ende më të thjeshtë, por sa të çuditëshme për atëhere dhe sa e vlevshme për më pas: Kush jeni Ju?

Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereze: Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht Zemrës së Jezusit”.     

                                                                     

JAM SHQIPTARE

Mrekullia Nënë Terezë me dashurinë e saj po pushtonte botën, së cilës i përkiste. Të gjithë do të donin të kishin sa më shumë prej saj, çdo popull do të donte ta kishte të veten, që si dhuratë të Zotit ia falte njerëzimit.

Ballkani ynë, fqinjët tanë shquhen për konflikte kësisoj, për përvetësime të historisë dhe heronjve të saj.

Don Lush Gjergji i dha fletën e bardhë Nënës dhe ajo shkruajti me atë shkrimin e saj të bukur e të rregullt si rilindasit, ku kuptohet se kemi të bëjmë me një person të kultivuar që shkruan, fjalëpak, por rreptësisht saktë, me ato shkronjat harmonike si kokrrat e rruzares dhe ja, ç’na la:

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”

E mrekullueshme! E noterizuar për përherë. Pikërisht kjo letër e thjeshtë, gati si e rastësishme, ku do të vinte dhe mbiemrin e saj të familjes, i njohur ndër shqiptarë, duket se do të ndihmonte biografët dhe akademitë, do të hidhte dritë mbi hulumtimet e një të vërtete, do t’u mbyllte gojën debateve të më vonëshme për përkatësinë, rrëmbimeve të mundëshme, etj.    Ishte Don Lushi që bëri kështu avokatin shpirtëror duke e ruajtur si pjesë të një testamenti, duke e botuar herë pas here me shumëçka që kishte grumbulluar ndër vite për Nënën, duke e mbrojtur dhe nga keqkuptimet, duke u bërë ndërkohë biografi më i mirë shqiptar i Shenjtes tonë.          

Natyrisht fakte të tilla më shumë se sa Shenjtes, do të na duheshin ne, se atdheu i Nënë Terezës është plaga e njeriut dhe ajo vetë është universale dhe s’kishte shqetësime të tilla bjerrakohëse, por ne, mes këtij universi të shqetësuar, ku shpesh të vegjëlit harrohen, nëpërkëmben apo humbin, mund t’i themi kujdo, duke përftuar edhe më dinjitet dhe njohje ekzistenciale, se jemi një popull që dhuron shenjtër,                                                     

Zoti na e dha Shenjten Nënë Tereza 500 vjet pas kryeheroit, Gjergj Gjergj Kastrioti- Skënderbeu që me shpatë mbrojti atdheun, Europën, kulturën Perëndimore dhe krishtërimin dhe u bë kryekomandant i përbashkimit dhe i identitet tonë. Siç duket Zoti donte të na thoshte neve dhe të gjithëve se mjaft më me shpatë dhe me armë, por me lutje dhe dashuri.

Dy emblemat më rrezëllitëse që populli shqiptar ia dha botës, Kryekomandanti dhe Shenjtja janë.

Ajo i lutej Zotit: mësomë të dua!…

Dhe Don Lush Gjergji ka kaq kohë që përpiqet t’i mësojë shqiptarët se si ta duan Shenjten Nënë Tereza dhe duket sikur e ka marrë prej dore sërish që të ecin së bashku rrugëve të vendlindjes, në Ballkan e më tej, për të përhapur dritën e Saj qiellore.

Po le t’i rikthehemi dhe një kumti tjetër, atij për fjalën e librave. Don Lush Gjergji tregon se me rastin e një datëlindjeje të Nënë Terezës kishte përgatitur një botim monografik, me punime të 185 autorë shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, “Lule për Nënën” dhe ia dah asaj. “…e shfletoi me vëmendje të veçantë, e habitur nga reprodukimet e bukura me ngjyera të pikturave, skulpturave dhe pastaj më tha:

Oh, ky është një libër shumë i bukur, i pasur, i jashtëzakonshëm, një vepër monumentale. Të falënderoj nga thellësia e zemrës, falënderoj gjithashtu edhe popullin tim shqiptar… Ky libër, pa dyshim do të më ndihmojë në promovimin e dashurisë dhe të paqes. Në këtë mënyrë ne së bashku mund të ndërtojmë kulturën, qytetërimin e dashurisë dhe të paqes…”

Ky ishte një lëshim që bënte Nënë Tereza për “priftin e saj”, siç e quante ajo Don Lushin, se zakonisht, kam gjetur në hulumtimet e mia, ajo nuk kishte lexuar asnjë libër që i kushtohej. Kur shkrimtarë a gazetarë të ndryshëm të huaj i jepnin librat e shkruara për të a që po shkruanin dhe i lexonin pjesë, Nënë Tereza i ndëpriste dhe u thoshte: Bëni mirë që t’i sensibilizoni të tjerët, që të bëjnë mirë për të tjerët…

 Pikërisht këtyre fjalëve që Nënë Tereza ia kishte thënë dikur Don Lush Gjergjit për librin, s’kemi ç’t’u shtojmë dhe për këtë libër të ri. E paskësh thënë ajo më parë me atë zërin e ngrohtë, amësor që sikur rrjedh nga yjet e pikon ar në çdo zemër.

E ka thënë dhe Papa Françesku në Selinë e Shenjtë, por dhe në Tiranë, e cila ishte dhe vizita e parë apostolike në Europë dhe së fundmi e tha dhe në Shkup që duhet të jemi krenarë për këtë grua, të cilën Ati i Shenjtë e kanonozoi para 120 mijë vetëve, të ardhur nga e gjitha bota, në shehsin “San Pietro”, ku atë ditë mes shumë e shumë flamujve valëviteshin dhe ata të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Në atë shesh ka shumë pëllumba të bardhë, që u afrohen njerëzve dhe u ulen dhe mbi supe.

Mos vallë njëri nga ata pëllumba fluturoi dhe erdhi sonte këtu në Katedralen tonë dhe është ky libër që po përurojmë për Shenjten tonë e të botës mbarë, Nënë Tereza? Apo ky libër është një pëllumb paqeje që do të niset për kudo e do të ndalë mes pëllumbave atje në Vatikan?        

Gjithsesi, ky libër më duket si një Ungjill për Shenjten Nënë Tereza, sipas Don Lush Gjergjit. Aleluja!/drita.info

                                                                                                                       

Shpërndaje

Comments are closed.

«