Imzot Dodë Gjergji: Shën Nënë Tereza, frymëzuese e dashurisë në vepër!

Sep 6 • Kisha në Kosovë

Pas 10 ditëve të ditëve të Nënë Terezës (26 gusht – 4 shtator), që filluan në ditën e lindjes së saj, më 26 gusht 2019, dhe pas nëntëditëshit, që filloi më 27 gusht, me lutje e përshpritëri kushtuar Shenjtës në Katedralen e Prishtinës, që është përgatitje shpirtërore, Kisha në Kosovë me falënderim ndaj Zotit e ka kremtuar ditëfestën liturgjike të Pajtores së Katedrales në Prishtinë, Shën Nënë Tereza, më 5 shtator 2019 në prani të shumë besimtarëve.  

Meshën solemne të festës e ka udhëhequr Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, në bashkëkremtim me meshtarët e dioqezë e në prani të shumë besimtarëve që kishin shtegtuar nga famullitë e Kosovës.

Po e japim homelinë e plotë të Imzot Dodë Gjergjit, bariut tonë të Dioqezës Prizren-Prishtinë, pasi është mesazhi më i mirë i asaj çfarë kanë ndjerë dhe kanë përjetuar në këtë festë të gjithë të pranishmit dhe ata që kanë përcjellë kremtimin përmes mediave:

Të dashur vëllezër meshtarë,

motra të nderit,

seminaristë e kandidate,

bashkëpunëtorë e bashkëpunëtore në jetën e Kishës,

të dashur vëllezër e motra të pranishëm në këtë vend të shenjtë,

Kisha ju falënderon të gjithëve për dashurinë, devotshmërinë dhe kujdesin që manifestoni për vëllezërit e motrat në nevojë, kudo, e për çdo ditë.

Përgjithësisht, jemi mësuar që me 5 shtator, përveç festës së Shën Nënë Terezës, të kujtojmë edhe ndonjë jubile rreth kësaj Shenjtëreshe.

Sikur, kemi kremtuar solemnisht  shenjtërimin e saj, në Romë (2016); shugurimin e kësaj katedrale, që ia kem kushtuar asaj (2017) e disa raste të tjera. Në këto kremtime, si në predikimet e mia, ashtu edhe të prelatëve tjerë që i kemi ftuar, kemi vërë theksin, në rëndësinë e festës që  kemi kremtua. Sigurisht duke mos hequr nga vëmendja Shën Nënë Terezën, e cila na do të na bashkon gjithmonë në këtë kishë, sidomos me 5 shtator.

Ne duam të kremtojmë këtë në mënyrë festive këtë festë të shenjtëreshës sonë, sepse, kjo murgeshë e shenjtë, mbetet modeli më i mirë i jetësimit të porosive që nxjerrim nga tekstet e Shkrimit të shenjtë, të përzgjedhura për këtë festë.

Në Leximin e dytë, Shën Jakobi na flet për fenë dhe cilësinë e besimit tonë. Kurse në leximin e parë, Shën Pali na këndon himnin e dashurisë që është virtyti ma i përkryer i fesë. E në Ungjill, Mateu na e sjell ftesën e Krishti që të jemi të lumë. Mësimi i lumnive, është mësimi më i mirë mbi shpresën.

Në parimet e shoqërisë së sotme moderne, mund të themi që çdo njeri ka të drejtë të manifestoj besimin e vet. Por, Shën Jakobit në letrën e tij thotë se çfarë të nevojitet feja po që se nuk e mbështetë me mënyrën e jetës sate. Kur dimë që  “feja është e vdekur, nëse nuk i ka veprat.”

Por,  nëse besimtarit i mungon lumturia e brendshme e shpirtit, për të cilat flet  ungjilli i Mateut (Mt 5, 1-16), atëherë lirisht mund të themi kështu: Ç’na nevojitet ne feja dhe veprat tona, nëse nuk na bëjnë të lumtur. Lirisht mund të themi se nëse na mungon lumturia, janë të kota veprat tona.

Në bregun e lumturive, Jezusi përkufizon lumturinë si vepër dashurie që di të shpresoj në shpërblimin e Zotit. Prandaj, të lumtur janë ata:

1) Të varfër në zemër dhe ata që qajnë: Këtu nuk kuptohet skamja, po trajtimi i varfërisë me zemër, ata që nuk e lakmojnë pasurimin e vetvetes, por atë që e kanë mendojnë se si ta vejnë në dobi të të gjithëve ose si t’i ndihmojnë skamnorët.

Pse, këtyre u përket mbretëria e qiellit? Sepse, nëse jetojnë në skamje shpresojnë në shpërblim e nëse jetojnë në pasuri, zemra mendja dhe shpirti i tyre  mbetën të  përqendruara te vuajtja e të varfërve, te trishtimi i të vetmuarve dhe  te dhembja e të mjerëve.

2) Pastaj, Jezusi  mëson se të lumtur jenë ata që janë të butë e që nuk shkaktojnë dhembje as kur bëhen barrë e tjerëve, e as kur mbi supet e veta duhet të bartin të plagosurit nga dhembja dhe trishtimi dhe padrejtësitë e të tjerëve.

3) Ata që kanë etje për drejtësi e dhembshuri për secilin. Njeriu besimtarë, në zemrën e vetë gjithnjë e dëshiron drejtësinë, për vete, për tjerët po edhe d të jetojë me dëshirën për gjykimin e drejt të Hyjit Atë. Njeriu i drejtë apo mëkatar, nuk mund të jetë i lumtur pa iu nënshtrua gjykimit të gjyqtarit të drejtë qiellor.

4) Lumturia iu takon edhe atyre që dhembjen e shkaktuar, nga gabimet tona ose  nga fajet e të tjerëve, e shërojnë nëpërmjet faljes dhe pajtimit. Feja e shtynë besimtarin që gjithmonë të jetë i gatshëm të fal dhe të nxisë frymën e pajtimit mes njerëzve si ilaçi më i mirë që na shëron.

5) Është vërtetë e bukur kurë Krishti na thotë të ruajmë zemrën e pastër, sepse vetëm  me një zemër të  pastër, mund të shohim Hyjin. Kështu pra, me zemër të pastër e me kthjelltësinë e shpirtit, lehtësisht mund ta shohim dhe ta njohim Zotin: në veprat e shenjtëve, në vuajtjet e njerëzve, në  veprat e dashurisë të të drejtëve dhe në jetesën në paqe të vëllezërve dhe motrave tona.

6) Ky mësim i Jezusit është mahnitës, por më së shumti, na mahnitë ftesa e fundit, kur thotë që ne duhet të jemi të lumtur edhe kur na salvojnë  ose na akuzojnë, duke i përdorë të gjitha të zezat kundër nesh, për shkak se i përkasim Atij.  Në gjithë këtë, vetëm një gjë mbetet e rëndësishme:  që gjykimi, ndëshkimi dhe shpifja kundër nesh të mos jenë të mbështetura mbi të vërtetën por në rrenë.   

A nuk është mahnitëse të jesh njeri që e ruan paqen edhe kur mbi ty ushtrohet dhuna; të duash drejtësinë kur mbi ty hedhin valle padrejtësitë e botës;  të ruash dashurinë e pacenuar deri në atë masë sa të lutesh për ata që të persekutojnë; të ruash zemrën e pastër edhe atëherë kur e keqja, padrejtësia, shpifja dhe urrejtja të persekutojnë përditë shpirtin.

Pse Nënë Tereza është kjo që është? Sepse, është përpjekur që të jetë në gjithçka e qëndrueshme ndaj këtij mësimi. Ajo ka ditë të demonstrojë lumturinë e saj në jetën  e vet. Me jetë të ndershme, vepra të mira me dashuri po edhe të shoh lumturinë e saj, në gëzimin që ka shkatuar në zemëratë të varfërve dhe të mjerëve.  Vërtetë, dashuria e shprehur nëpërmjet dhembjes, vuajtjes, sakrificës dhe vetëmohimi e bënë njeriun e lutur.

Ne duhet pa ndërprerë të mësojmë shkollën  e dashurisë dhe lumturisë, nëpërmjet kësaj Shenjtëneshe, që Hyji e nxori nga gjiri i  popullit tonë të përbuzur, që gati kishte arritur të harrojë veten e vet. Po edhe nga mohimi i të tjerëve, për pak sa s’u zhduk nga faqja e dheut.

Nuk duhet  harruar kurrë fjalët që Papa Shën Gjon Pali II, i tha për të në Shkodër, në vitin 1993: Të dashur, nuk mund të mos e përshëndes Nënë Terezën e Kalkutës… e cila në kohën e izolimit tuaj… kjo murgeshë e përvuajtur, kjo shërbëtore e vyer e më të varfërve, e barte nëpër gjithë botën emrin e Atdheut tuaj”.

Këto fjalë ishin povidenciale, pasi dilnin nga spontaniteti i  njeriut më të shenjtë dhe udhëheqësit më  madh shpirtëror të kohës saj. Në fund, Ati i shenjtë, pati thanë: “Ajo është bijë e këtij populli e ju jeni populli i saj”.

Këto fjalë duhet të tingëllojnë sot në mendjen dhe në zemrën e çdo njeriu tonë, pa marrë parasysh fenë që beson, bindjen që ka apo politikën që përfaqëson,  sepse Nënë Tereza është shembulli më i mirë për edukimin tonë në dashuri, përvujtëri, shërbim dhe përshpirtëri.

E them këtë, sepse jam i bindur që çdo njeri, pa marrë parasysh fesë që ka, ai ka nevojë të ketë dashuri dhe të shndërrohet në burim dashurie për të tjerët, sikur bëri, ishte Shën Nënë Tereza. Ajo ishte një jetë me dashuri, që digjej përditë si zjarr para Zotit. Zjarr, që  me prushin e vetë ua ngrohë njerëzve shpirtin. E ngrohtësia e kësaj dashurie, shkrinë akullin e zemrave të ngrira nga urrejtja, egoizmi, koprracia, lakmia  e interesi, duke i miqësuar njerëzit gjatë udhëtimit të jetës mbi tokë.

Dashuria pra, e ndihmon njeriun të jetë gjithnjë i gatshëm të vihet në shërbim të tjerëve; të vazhdoj pa ndërprerë  ku mund të jetë i dobishëm; të mos përjashtojë askënd nga mundësitë dhe dhuntitë që ka; të jetë i lumtur kur jep; të gëzohet kur banë mirë; të ndihet i realizuar, jo kur ëndërron për vete, por kur iu mundëson tjerëve t’i realizojnë ëndrrat e tyre. Këtë e bën, jo pse e  meritojnë, po pse dashuria s’ka masë, s’ka kufi, s’ka alternativë e s’mbaron kurrë.

Shembulli i dashurisë që mësojmë nga Nënë Tereza është vërtetë mahnitës. Paramendojeni, se si ajo arrinte me të njëjtën thjeshtësi e dashuri të kujdesej për të varfërit, nxiste bujarinë, mëshirën, njetin dhe vullnetin e mirë te shumë njerëz të kësaj bote.

Nënë Tereza, mund të jetë frymëzim edhe për  njerëzit që nuk besojnë, për ata që jetojnë në rrethin e mbyllur të arsyes,  duke iu dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve me përmasat e mendjes vet, duke krijuar bindje personale mbi gjithçka. Besoj se edhe këta kanë nevojë për dashuri që i ndihmon të mos jetojnë vetëm në sipërfaqen e korës së mendjes së tyre, dhe i ndihmon të thellohen në t’mistershmen, të ndjejë dhembshuri dhe të mos mendojnë që jetojnë në dritë por të lejojnë të ndriçohen nga ajo. 

Në një nga emisionet televizive dëgjova një ateistë duke arsyetuar se “ai jeton që jetë  dikushi, në mënyrë që të jeta e tij të mbetët në memorien e të gjallëve.” Deri këtu asgjë e keqe, por s’është boll, pasi të gjallët, në memorien e të cilëve ke arritur të lashë gjurmë,  do të vdesin bashkë me gjurmën tënde, e në memorien e tjerëve do të lanë gjurmën e vet.

Nuk thotë më kot Shën Pasi, në leximin e parë, se  njohuria jonë është e kufizuar dhe e kufizuar është profecia jonë. Pasi që njohuritë marrin fund, vetëm dashuria është ajo që arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka dhe nuk e mban në mend të keqen. Këndej, qëllimi i besimtarit është të lë gjurmë në memorien e Zotit, sepse nuk mund ta shlyej askush dhe është e përhershme.

Këto ditë, kur qytetarët e vendit tonë kanë mundësinë të rivendosin për fatin e tyre nëpërmjet zgjedhjeve, nuk është e tepërt që të ftojmë të gjithë politikanë tanë që garojnë në këtë garë, për të na qeverisur nesër, t’i përbahen rregullave të dashurisë, nëse vërtetë duan të nxisin shpresën në zemrën e qytetarëve po edhe të bashkëndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Shën Nënë Tereza, ndërmjetësoftë për të gjithë dhe u lutë për ne, që ta ndjekim në veprën e tij fisnike dhe të shenjtë për të shndërruar jetët tona në një qytetërim dashure që aq shumë kemi nevojë sot. Amen.

Mesha e shenjtë ishte e animuar me këngët e Korit të Katedrales, të udhëhequr nga Adelina Kolaj dhe Kristina Perkola, që i dhanë shije liturgjisë dhe ngritën zemrat e besimtarëve në lutje për Shenjtëreshën, kurse Altari i Reliktit të Gjakut të Nënë Terezës që gjendet në Katedrale, ishte vendi më i vizituar, ku në gjunjë e lutje besimtarët tregonin dashurinë dhe përshpirtërinë për Nënë, bijën tonë të shenjtë. Shën Nënë Tereza, shenjtëresha e dashurisë dhe e paqes, ndërmjetësoftë për të Kishën dhe Popullin tonë./drita.info

Fotografitë: Antigona Pjetraj- Gegaj

Shpërndaje

Comments are closed.

«