100 –vjetori i kalimit në amshim i At Fran Koliqi (20.04.1874-10.10.1919)

Oct 15 • Kisha në Kosovë

Të dielën, më 13.10.2019 në Famullinë e Stubllës është përkujtuar At Franë Koliqi, biri e kësaj famullie, në 100 vjetorin e kalimit në amshim. At Frani ishte ndër meshtarët e parë të Famullisë së Stubllës.

Mesha e madhe e orës 11:00 në Stubëll, e kremtuar nga famullitari Don Jeton Thaqi, u kremtua për shpirt të At Fran Koliqit, ndërsa në ora 16:00 në vendin e quajtur Rakoc, afër lagjes së  Koliqve, nga e cila vinte At Frani, tek Kryqi i Martirëve u vendos edhe fotografia e tij në prani të besimtarëve të Stubllës, të cilët u lutën për të, për gjithë meshtarët e famullisë që kanë kaluar në amshim edhe për thirrje shenjte të reja në këtë famulli.

 

Kush ishte At Fran Koliqi?

Ka lindur në Stubëll të Epërme më 20. 04. 1874. At Fran Koliqi ishte biri i Lorenc Koliqit dhe Marie Koliqit lind. Ballabani, nga Stublla. Prindërit e tij në pagëzim e kishin zgjedh emrin Dodë, kurse si frat e merr emrin e themeluesit të françeskanëve, Françesk, kurse shkurt e thirrnin Fran, Franë, ashtu si njihet prej të gjithëve.

Shkollën fillore e kreu në Shkodër, kurse gjimnazin klasik po ashtu në Shkodër në Gjimnazin Papnor. Noviciati: më 16. 08. 1888. Kushtet e para: më 16. 08. 1889. Kushtet solemne: më 24. 07. 1894. Shugurimi meshtarak: më 21. 12. 1895. Studimet teologjike i kreu në Graz, në kolegjin e Jezuitëve, në seminarin meshtarak Priesterseminar të sotëm dhe në Vjenë.

Deri sa kreu shkollimin ai nuk u kthye asnjëherë në Stubëll. Si meshtar shërbeu në Zllakuqan, pastaj një kohë të gjatë në Zym. Ishte bashkëkohanik i At Gjergj Fishtës, i At Shtjefën Gjeçovit dhe Bardhit. Më vonë kaloi në shërbim meshtarak në Laç, në Shqipëri. Vritet më me 10. 10. 1919 në Laç. Varri i tij gjendet në Laç. (të dhënat biografike janë marr nga libri Gjon Gjergji, Stublla e Epërme nëpër kohë, f. 109).

Nga gojëdhënat e të parëve mësojmë se At Frani kishte kërkuar leje prej prindërve me shku në seminar e me u ba prift, por prindërit nuk ja japin lejen. Por ky, edhe pse pa lejen e prindërve, me 15 gusht 1888, iu bashkëgjintet disa besimtarëve të Prizrenit, që kishin ardhur në shtegtim në Shenjtëroren e Zojës në Letnicë, dhe niset me ta për Prizren e nga aty për Shkodër. Nga ajo ditë e deri në mbarimin e studimeve nuk kthehet në vendlindje./drita.info

Përgatiti për Dritën: Anton Gj. Koliqi

Shpërndaje

Comments are closed.

«