Lutja jonë e zbulon kush jemi

Oct 26 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXX gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë   Sir 35, 12-14.16-18

Njeriu që zbaton ligjin fetar është shumë i shqetësuar për ritet formale, nëse oferta është bërë mirë, nëse gjithçka është kryer sipas normave. Por e gjithë kjo nuk është në harmoni me besimin. Në fakt Hyji nuk gjykon vlerën e një flije nga mënyra e zbatimit të rregullave, por nga bamirësia vëllazërore e atij që e ofron. 

 

Lexim prej Librit të Siracidit

Dhuroji të Tejetlartit siç të ka dhuruar Ai ty dhe bëje me sy të mirë sipas kamjes sate, sepse Zoti s’lë pa shpërblyer, madje shtatëfish aq Ai do të të khtejë. Mos u mundo ta thyesh me dhurata, sepse nuk do t’i pranojë assesi; nuk ia mban kujt krahun në dëm të skamnorit dhe e dëgjon uratën e të nëpërkëmburit. Nuk e përbuz uratën e bonjakut as të vejushës, kur zbraz mjerimin e vet. Vallë, a nuk zbresin lotët e vejushës nëpër faqe, a nuk bie britma e saj mbi atë që i shkaktoi? Fjala e Zotit.

 

Psalmi   34

 

Ref: Dëgjoni, o të përvuajtur, e gëzohuni në Zotin

—————————————

Përherë do ta bekoj Zotin,

në gojën time përherë është lavdi i tij.

Shpirti im mburret në Zotin:

le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

—————————————

Fytyra e Zotit është kundër bakëqijve

për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.

Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,

i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.

—————————————

Zoti është ngjat atyre që pendohen

me zemër, i shpëton shpirtpërgrirët.

Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet,

nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.

—————————————

 

Leximi i dytë   2 Tim 4, 6-8.16-18

Pali ndjen afër vdekjen, është i braktisur nga të gjithë, por nuk ka humbur asgjë nga besimi i vet dhe nga guximi i vet. Dëshiron të vdesë ashtu si ka jetuar; agonia e tij është një luftë dhe është i sigurtë për fitoren. Vdekja është ora e së vërtetës, sepse mund të zbulojë përmbajtjen e besimit tonë: “Të presësh me dashuri ardhjen e Jezu Krishtit”.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, sa për mua, gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit, dhe koha të nisem për atë jetë arriti! Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë ditë do të ma japë Zoti, gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri ardhjen e tij.  Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve. Vetë Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vet qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen! Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 18, 9-14

Tagrambledhësi është një njeri që për shkak të mëkatit të vet ndihet asgjë para Hyjit. Zemra e Hyjit e do mëkatarin dhe e shfajëson, përderisa ai është i gatshëm të përvujtërohet para Hyjit, i cili e pastron dhe e pranon në bashkim me veten dhe me të tjerët. Por, fariseu nuk është i hapur ndaj Hyjit dhe është vetëm i shqetësuar t’i tregojë Hyjit meritat dhe të drejtat e tij: Hyji nuk do të mund të hynte kurrë në marrëdhënie me një njeri që nuk ka nevojë për Të dhe që përbuz të tjerët. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi e tregoi këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët: “Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur: njëri ishte farise e tjetri tagrambledhës. Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose si ky tagrambledhës. Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’ Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejt qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’ Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse kushdo krenohet, do të përvujtërohet, ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Lutja e krishterë nuk varet nga meritat apo nga përsosmëria e besimtarit, por nga fuqia e Hyjit, e nga dashuria e tij e pafund, që kompenson mjerimin tonë. Sot Jezusi paraqet dy lloje lutjesh, dy mënyra për të dalë përpara Hyjit.

“Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur: njëri ishte farise e tjetri tagrambledhës”. Një “farise”, një zbatues i përpiktë i Ligjit, i konsideruar nga njerëzit model i mëshirës dhe i shenjtërisë, dhe një “targambledhës”, domethënë një ekzekutues taksash në shërbim të romakëve, një fajdexhi, i konsideruar si një tragambledhës mëkatar.

Lutja e fariseut duket e përsosur: falënderon Hyjin me fjalët e Psalmeve, duke qëndruar në këmbë, me krahë të hapur, kokë të ngritur. Por në realitet është një lutje “ateiste”. Fariseu nuk ka nevojë për Hyjin, gëzohet duke i prezantuar Hyjit listën e meritave të tij e të veprave të tij të mira. “Nuk jam si njerëzit e tjerë, hajdutët, të padrejtët…”. Për të lartësuar vetveten, ndjen nevojën të përbuzë të tjerët.

Lutja e targambledhësit është jashtë rregullave: ai hyn në Tempull gati fshehtazi, ndalon në largësi  me kokën të përkulur nga turpi, rrah gjoksin si një person pa dinjitet, e vetëm përsërit: “O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin”. Nuk ka asgjë të mirë për t’ia paraqitur Hyjit e as nuk mendon të krahasohet me të tjerët, ashtu siç bën fariseu. Por pikërisht ai fiton mëshirën e Hyjit. Targambledhësi bëhet modeli i besimtarit të vërtetë, që nuk ka besim në vetvete, por vetëm në Hyjin.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Jezusi në Ungjill na ka folur për lutjen dhe na ka dhënë disa shënime se si ta praktikojmë. Lutja të jetë e përvuajtur, plot me besim jo vetëm te drejtësia e vet, por tek ajo që vjen nga Hyji. Të lutemi së bashku e të themi:

O Zot, na mëso të lutemi.

L. Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët: që të ndjejnë angazhimin misionar të Kishës. Të lutemi

L. Për të gjithë misionarët, që të kuptojnë se çdo e mirë që është në ne apo ne bëjmë është para së gjithash “hir”, që do të thotë dhuratë e Hyjit. Të lutemi

L. Për bashkësinë tonë: që në këtë ditë të forcojë lidhjet shpirtërore dhe materiale me vëllezërit dhe motrat e Kishave të reja. Të lutemi

L. Për veprat misionare të Papës, që të mbështeten shpirtërisht dhe materialisht, kështu që lajmi ungjillor të mund të arrijë çdo popull të kësaj toke. Të lutemi

L. Për ne që marrim pjesë në këtë bashkësi liturgjike, që të kuptojmë që për të ungjillëzuar botën ka nevojë për apostuj “të aftë” në kremtim, adhurim dhe kundrim të Eukaristisë. Të lutemi

M. O Hyj Atë, që njeh të gjitha nevojat tona materiale dhe shpirtërore dhe dëgjon me durim lutjet tona, na dhuro hirin që të ndjejmë nevojën për t’u lutur e mbi të gjitha, na mëso të lutemi ashtu si të pëlqen ty. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

«