Inaugurohet Shtatorja e Shën Nënë Terezës në Stuttgart të Gjermanisë

Oct 30 • Kisha ndër Shqiptarë

Stuttgarti, kryeqendra e Baden Würtenbergut, bashkoi shqiptarët dhe jo vetëm, nga të gjitha anët e Gjermanisë, ditën e shtunë, më 26 tetorit 2019 me rastin e bekimit të shtatores së Shën Nënë Terezës pranë kishës së Shën Konradit. Zoti për të pranishmit fali një ditë më diell dhe të ngrohtë, jo të rëndomtë në këtë kohë vjeshte në Stuttgart.

Që nga mëngjesi bashkatdhetarët tanë, nga Hamburgu i largët e deri të pjesët më Jugore te Gjermanisë, ia behën në Stuttgart të takohen më Nënën e tyre.

Më të arritur në kohë së caktuar ipeshkvi ynë nga Kosova Imzot Dodë Gjergji, i shoqëruar nga meshtari i Kishës Anton Seeberger, dy meshtar kroat, si dhe Don Albert Krista, filloi meshën e shenjtë. Kisha e Shën Konrad, në qendër të qytetit ishte shumë e vogël për gjithë të pranishmit. Mesha u kremtua në shenjë falënderimi.

Ishin shumë të pranishëm për herë të parë në një meshë të shenjtë. U vërenin mallëngjimet tek bashkatdhetarët, sepse nuk kishin përjetuar ndonjëherë meshën, pos në programet tona televizive me rastin e festave të mëdha.

Imzot Dodë Gjergji gjatë homelisë së tij, ftoj ta ndjekim shembullin e Shenjtëreshës Shqiptare Shën Nënë Terezës, për ta rikthyer gëzimin e fesë dhe të vlerave që na përkasin: “Nëpërmjet Shën Nënë Terezës ne mund ta rikthejmë, me bekimin e Zotit, atë shpirt të bukur që ka njeriun ynë shqiptar – ishin fjalët e ipeshkvit. Një shpirt bujar, një zemër që është e dhimbshme, një njeri që është i ndershëm, i cili nuk jeton vetëm për vete, por di që jeta e tij është dhuratë prej Zotit. Nuk e shfrytëzon kohën, jetën, të mirat e botës vetëm për vete, por mundohet t’i ndaj me të tjerët. Lumturia më e madhe e një zemre është kur e di se ka bërë mirë. E Nënë Tereza këtë dhuratë e ka pasur prej ditës se pare.

Brez pas brezi nënat tona ishin bujare. Dashuria për to ishte sakrifikim. Sakrifikimi i kohës, i të mirave që neve i kemi fituar me djerse dhe mundë, për ta bërë tjetrin të lumtur, të gëzueshëm, të ndjehet mire, i vlefshëm edhe pse nuk ka, dhe te ndjehet i pranueshëm.

Ku e mori ajo forcën për veprën e vet?

E ka dëgjuar me mendje dhe zemër Shkrimin e shenjtë dhe është frymëzuar prej tij, prej Fjalës së Zotit.

Në Shkrimin e shenjtë e kemi dëgjuar si Hyji e thërret Abrahamin, Atin tonë në fe, që të del prej tokës vendit të tij në drejtimin që ai i ka treguar… Edhe Nena Terezë e beri këtë. Ajo iu bind Hyjit dhe u nis për misionin e saj të shenjtë. Ai që ftohet nga Zoti ai e dëgjon zërin e Hyjit. E ku ishte/shkoi Nënë Tereza? Aty ku ishte mjerimi, aty ku më së shumti kishte nevojë. Aty ku ishte mjerimi, ne rrugët e Kalkutës. E tërë Kalkuta i thotë vetëm Nënë, pa ia përmendur emrin. Ajo e bëri popullin tonë të njohur, jo vetëm ne Indi, por në mbarë botën.

Nënë Tereza është e të gjithëve pa dallime besimi dhe kombësie. Ajo nuk dallonte njeriun nga njeriu.

Zoti nuk ka dore tjetër pos duarve të mia, zemër tjetër pos zemrës sime, nuk ka mundësi me shpreh dashurinë ndaj një personi, pos nëpërmjet meje….

Nena Terezë ka prekur zemrat e pushtetarëve të mbarë botës, që të përkulen para saj e t’ia puthin ato duar që prekte të gërbulurit  nëpër Kalkutë të varfrit dhe të mjerët nëpër botë. Kjo është dora e bekuar, dora që meriton respekt, sepse ishte e papërlyer – ishin fjalët e tij nxitëse për të gjithë të pranishimit.

Pas përfundimit të meshës, u nisem për te vendi i caktuar për të bekuar truporen e shenjtëreshës. Kudo vërehej buzëqeshja dhe lumturia në fytyra të të pranishmëve. Ishin momente emocionuese, sepse tërë kohën e përcillnin këngët mbi Nënë Terezën nga artistët tanë. Zëri kumbues i këngëve mbulonte tërë lagjen e qytetit.

Edhe riti i bekimit ishte shumë solemn. Ngjarjen e përshëndetën dhe uruan, Prifti gjerman i vendit, mandej konsulli i Kosovës ne Stuttgart Immer Ladrovci, si dhe Tal Istrefi, autori i shtatores, i cili kishte ardhur enkas nga Mitrovica.

Misioni katolik Shqiptar më këtë rast bëri një gjest më ndryshe, para se Imzot Dodë Gjergji të bekonte shtatoren thirri të gjithë fëmijët e pranishëm që ta zbulojnë shtatoren, dhe ipeshkvi i rrethuar më aq shumë fëmijë e bekoj shtatoren.

Don Alberti misionari ynë në përshëndetjen dhe falënderimin e tij mes tjerash theksoj: Kujt ti falënderohem sot në emër tuaj motra dhe vëllezër…?! Gonxhes tonë dhe Nënës Tereze të botës. Unë asaj i përkulem dhe atë e falënderoj për këtë dite që na e dhuroj Zoti.

Dielli po rrezaton sot mbi Stuttgart, por edhe më shumë na rrezatojnë dhe ngrohin zemrat tona sot: Shën Jeronimi, ilir, Shën Asti, ipeshkëv i Dursit, Shën Flori e Lauri, dardan, Gjergj Kartrioti – Skenderbeu, dhe të gjithë martirët e kombit që flijuan jetën për Atdhe e Fe.

Të dashur të pranishëm. Kush sot më mirë se Nëna Tereze ngroh njerëzimin për: bamirësi, mëshirë, ndihmë, për respekt e dashuri. A ka shembull më të mirë në botë se sa ajo?! E pra Nënë Tereza të gjitha këto vlera i mësoj nga baba Kolë dhe nëna Drane në familjen e saj,në Shkupin tonë të bukur. Këto vlera ajo ja fali botës duke i bërë nder kombit të saj shqiptar.

Te pranishmit vazhduan shoqërimin për një kohë te me koktej vëllazëror që përgatiten loket nënat dhe motrat tona duke gatuar ushqimet tona tradicionale. Kudo mbretëronte buzëqeshja gëzimi dhe lumturia. Dita më e mirë është dita e sotme – thoshte Nënë Tereza./drita.info

 

Përgatiti për Dritën: Misioni Katolik Shqiptar në Stuttgart

Shpërndaje

Comments are closed.

« »