Përgjegjësi për Misione në Vjenë, Imzot Franz Scharl, kremtoi meshë në Misionin Katolik Shqiptar në Austri

Oct 30 • Kisha ndër Shqiptarë

Të dielën e 27 tetorit në Misionin tonë kishim festë. Ipeshkvi ndihmës i Argjipeshkvisë së Vjenës dhe përgjegjësi për Misione në Austri, Mons. Fraz Scharl, vizitoi Misionin tonë dhe kremtoi meshë me ne, në të dielën e fundit të tetorit, e cila në mbarë Kishën katolike është e njohur si e diela e Misioneve.

U lutëm së bashku dhe falënderuam Zotin për të mirat që na ka dhënë, me të cilat e ka pas uruar jetën tonë, dhe e falënderuam ipeshkvin ndihmës për mundësinë që na kanë dhënë ne shqiptarëve katolikë për të pasë një Mision, meshtar e kishë ku mund të bashkohemi për të kremtuar meshë, për të lutur, për ta ruajtur fenë e nëpërmjet tyre edhe identitetin tonë kombëtar, traditën e çka është më e rëndësishme gjuhën, me anë të së cilës identifikohemi si shqiptarë dhe nuk harrojmë atdheun e prejardhjes.

Atmosfera në kishë dhe prania e shumë besimtarëve pjesëmarrës në meshë ishte mbresëlënëse dhe një shenjë e mirë se ne e duam Zotin, meshën dhe kishën tonë, për çka Ipeshkvi ishte shumë i gëzuar dhe i lumtur. Gjatë homelisë të tij, na përshëndeti të gjithëve, ishte i lumtur që në meshë po sheh kaq shumë besimtarë, në mënyrë të posaçme fëmijë, të rinj e të reja, mosha të mesme e pleq, dhe theksoi se kjo është pasuri e paçmueshme kur në një bashkësi ka pjesëtarë të të gjitha moshave.

Duke medituar ungjillin dhe leximet e ditës theksoi se lutja është shumë e rëndësishme në jetën e besimtarit. “Të dashur vëllezër e motra në Krishtin. Më vjen mirë se sot jam këtu mes jush. Është një gëzim për mua, i dashur Don Nikson. Sot kemi nevojë për njerëz të mirë. Pra me qenë njerëz të mirë. Kjo nuk është një e panjohur për ne. Duhet t’i japin rëndësi lutjes, sepse ajo na ndihmon ta shohim veten dhe ta kuptojmë se si qëndrojmë në raport me Zotin e njëri-tjetrin. Besimtari duhet të jetë gjithmonë i gatshëm ta pranojë ndihmën e Zotit dhe duhet mësimin e tij ta mishërojë në jetën e vet që ajo jetë të jetë e frytshme.“

Nuk guxojmë – theksoi ipeshkvi – që Zotin ta shikojmë me dylbi duke mos pasë fare ndjenja për realitetin afër nesh, por duhet të kthehemi e ta shohim atë realitet rreth nesh që me mëshirën e faljen e Zotit ta shndërrojmë në tokë të frytshme për jetën tonë.”

Gjatë lutjes së Atynës, ipeshkvi kërkoi që të gjithë fëmijët me prindërit e tyre të afrohen te altari e të bashkuar dorë për dore, si vëllezër e motra e bij e bija të një Atit qiellor, të lusim lutjen e Krishtit. Ky gjest shkaktoi një gëzim të madh tek fëmijët të cilët së bashku me prindërit e tyre e drejtuan lutjen e tyre drejt Atit qiellor për të na bekuar.

Në mbarim të meshës, misionari Don Nikson Shabani, në emër të të gjithë besimtarëve të Misionit Katolik Shqiptar në Austri e falënderoi ipeshkvin Scharl për kujdesin që ai ka për Misonin tonë e besimtarët tanë, dhe për praninë e tij e kremtimin e meshës me ne, e po ashtu edhe për mundësinë që Argjipeshkvia e Vjenës na ka dhënë për të pasur një meshtar e për të kremtuar meshën në gjuhën shqipe.

E lutëm ipeshkvin e nderuar që përshëndetjet tona t’ia përcjell edhe kardinalit të Vjenës, Eminencës së tij Schönborn me premtimin se do të lutemi për të që Zoti t’i ndihmojë në misionin e tij për t’i shërbyer Zotit e Kishës.

Po ashtu e informuam ipeshkvin se Misioni ynë në gjirin e saj ka rreth 1300 familje me rreth 6000 besimtarë të shpërndarë në gjithë Austrinë. Këtë vit deri me tani kemi kremtuar 24 pagëzime, 17 kandidatë kanë marrë kungimin e parë dhe 40 kandidatë krezmimin.

Pas meshe, vazhduam gëzimin tonë në sallën e famullisë në agapé që kishim përgatitur për këtë rast duke ndarë momente afërsie e gëzimi e duke e falënderuar Zotin për këtë bekim e ditë të jashtëzakonshme.

Për Dritën: Dom Nikson Shabani, misionar 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »