Imzot Zef Gashi: Bogdani ishte si një profet që tregonte rrugën drejt lirisë

Dec 8 • Këndvështrime, Kisha në Kosovë

Në meshën e kremtuar në 330 vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Pjetër Bogdanit në Katedralen Shën Nënë Tereza, të premten, më 6 dhjetor 2019, homelinë e mbajti argjipeshkvi i Tivarit në pension, Imzot Zef Gashi, ish famullitar i Prishtinës, i cili para 30 vjetëve kishte organizuar 300 vjetorin e vdekjes së Bogdanit dhe kishte vendosur bustin e tij në oborrin e Kishës së Shën Ndout në Prishtinë. Në vijim e gjeni të plotë fjalën e tij.

 

Të dashur vëllezër në episkopat,

shumë i nderuar ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë,

vëllezër meshtarë, motra të nderit,

vëllezër e motra në Krishtin,

Sot është festa e Shën Kollit, shenjtit të shek. IV të krishterimit. Në meshën e vigjiljes së festës së shenjtit, që ishte dje në mbrëmje, isha i pranishëm  në meshë atje nga fundi i kishës. Shikoja familje-prindër me fëmijë të vegjël, të cilët plot gjallëri lëviznin e vraponin. Ishte një pamje shumë simpatike dhe më bëri përshtypje të madhe prania e të gjithë atyre vogëlushëve. Në fillim s’e kuptova pse kishte kaq shumë fëmijë në kishë. Kur në fund të meshës, famullitari i ftojë fëmijët të vijnë para lterit për t’i marrë dhuratat nga Shën Kolli, atëherë çdo gjë ishte e qartë, e kuptova se famullia kishte organizuar meshën për ndarjen e dhuratave të Shën Kollit.

Çfarë rastësie interesante. Pikërisht sot në festën e Shën Kollit, ipeshkëv, figurë madhështore në historinë e Kishës universale, përkujtojmë ditën e kalimit në amshim të njërës prej figurave më të rëndësishme të historisë së kishë sonë ndër shqiptar, argjipeshkvin Pjetër  Bogdanin. Që të dy këta heronj të Zotit sot i nderojmë dhe admirojmë për shkak të një jete të shenjtë dhe heroike që kanë pasur para Zotit dhe para popullit, siç themi ne. Shën Kolli pajtor e mbrojtës i fëmijëve, shenjt i mrekullive, fort i nderuar nga miliona e miliona njerëz, anë e mbanë botës. Shenjt që është nderuar dhe nderohet sot e kësaj dite gjatë shekujve me të njëjtin intensitet. Ai le të lutet dhe ndërmjetësojë  për ne të gjithë.

Argjipeshkvi i famshëm Pjetër Bogdani, një martir e një bari i shenjtë edhe pse i pashpallur zyrtarisht, është personalitet të cilit ia kemi kushtuar ditën e sotme, ditën e kalimit të tij në amshim para 330 viteve, pikërisht këtu në qytetin tonë – Prishtinë. Para meshe patëm një simpozium shkencor mbi figurën impozante të P. Bogdanit, ndërsa pas meshe është në program një  Akademi për rivarimit e tij simbolik në kriptën e Katedrales sonë.

Para 30 viteve, në 300-vjetorin e vdekjes së tij, në vitin 1989, isha famullitar këtu në Prishtinë. Ky përvjetor ishte një rast i mirë për ta bërë dhe zgjeruar një njohuri sa më të madhe dhe sa më cilësore për këtë kolos të fesë, kulturës dhe kombit tonë shqiptar. Prandaj, me 10 dhjetor të këtij viti, pra në 1989 në famullinë e Shna Ndout në Prishtinë e organizova një manifestim fetar e kulturor me 3 pika kryesore: 1). Mesha për shpirtin e të madhit argjipeshkëv Pjetër Bogdani, që e pati udhëhequr Imzot Nikë  Prela, pasardhësi i tij në selinë ipeshkvisë së Prizrenit. 2). Pas meshe u mbajt një Akademi solemne kushtuar kësaj figure të ndritshme me fjalime, recitime e këndime. 3). Dhe në fund ishte zbulimi i bustit të Pjetër Bogdanit oborrin në kishës, i cili më vonë u quajt “Sheshi i Pjetër Bogdanit”. Zbulimin e bustit e pati bërë Dr. Ibrahim Rugova, që atëherë ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe njëkohësisht njohësi më i miri i personalitetit të  Bogdanit.

Në kontekstin e rrethanave të kohës dhe ndërrimeve që pasuan pastaj shtrohej pyetja: Çfarë jehone pati ky manifestim bogdanian?

Jehona ishte e madhe, për faktin se mijëra njerëz e gjenin te figura e Bogdanit, inspirimin dhe guximin për lëvizje të reja për lirinë e vendit, që tash disa vite ishte në gjendje të rëndë. Njerëzit vinin në shtegtim te Bogdani sikur të ishte një profet i tyre që ju tregon rrugën drejt lirisë. Kujtimi i kësaj figure, paraprijës i rilindësve dhe përpjekjeve të mëdha kombëtare, bëri që të ringjallet përsëri shpirti liridashës të shqiptarëve të kosovës.

Edhe Kisha jonë, te kjo figurë e gjente motivimin, frymëzimin dhe guximin për angazhime të gjithanshme për popullin e Kosovës. 

Edhe sot, Imzot Pjetër Bogdani, duhet të jetë një figurë e ripërtirë në jetën e kishës, kulturës dhe vendit. Ai le të lutet për ne në qiell që të mund t’i përballojmë të gjitha vështirësitë e tashme, të qëndrojmë në rrugën e trasuar pret tij, e të na udhëheqë dëshira e madhe e tij për me e dashtë dhe me i shërbye vendit tonë deri në fund të jetës. Amen./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »