Gruaja – vlera e shoqërisë

Dec 10 • Opinion

Nga M.Franciska (Suzana) Lekaj

 

Gruaja dhe roli i saj nё shoqёrinё tonё, ende sot, nuk trajtohet me vëmendjen dhe rёndёsinё e duhur, as nё familje, as nё punё, as nga organet drejtuese institucionale dhe qeverisёse, e as nga shoqatat sociale dhe civile tё cilat ngrihen dhe funksionojnё nё emrin e saj. Nё shoqёrinё e sotme, gruaja dhe roli i saj përballet dhe vihet nё diskutim vazhdimisht, duke ngjallur reagime dhe polemika sa herë nё kronikat e aktualitetit dhe tё veprimtarive sociale-politike bëhet me dashje, dhe padashje, protagoniste kryesore e ngjarjeve dhe dukurive shoqërore. Që e shohin atë si viktimë, shpeshherë të pavullnetshme, e një mentaliteti prapanik, patriarkal dhe diskrimunes, apo ku bie pre e dhunës verbale dhe fizike, apo më keq akoma, gjithnjë e më shpesh ku bëhet viktimë e kronikës së zezë që mbush faqet e para të medias së shkruar dhe asaj elektronike. Aq sa të marrësh guximin që të flasësh e të  shkruash  për të, ende sot, nuk është fare e thjeshtë dhe aspak e lehtë.

 Sё pari, zhvendosja e vëmendjes drejt saj, nga çdo pikëpamje e kёndvёshtrimi social dhe politik, është një përgjegjësi shumё e madhe, pasi pёr ta bёrё kёtё gjё, qoftё thjeshtё pёr tё trajtuar çёshtje dhe problematika sociale rreth saj, duhet njё kujdes dhe njё pёrkushtim i veçantё. Sё dyti, tashmё jemi mё fort tё ndёrgjegjshёm se pёr gruan, si pjesё e njё shoqёrie mё sociale dhe demokratike, deri diku kanё ndryshuar kushtet dhe rrethanat social-historike, tё cilat e kanё pёrmirёsuar dukshëm pozicionin dhe rolin e saj nё shoqёri, siç ёshtё mes tё tjerash njohja dhe pranimi i saj si njё individ me tё drejta tё plota demokratike dhe sociale, por nga ana tjetёr janё lёnё pas dore aspekte dhe çёshtje delikate qё kanё tё bёjnё me integrimin e saj nё jetёn familjare, shoqёrore dhe profesionale.

Njё nga kёto çёshtje, që nuk ka evoluar, nuk ka marrë drejtimin e vlerësimin e duhur, pra, nuk ka marrё kujdesin e duhur nga faktorёt kryesorё tё jetёs social-politike dhe kulturore tё shoqёrisё sonё dhe qё ngjall mjaft shqetësim, dhimbje dhe qё shkakton shpesh njё indinjatё tё thellё, mbetet mos konsiderimi, shpeshherё injorimi dhe nёpёrkёmbja e dinjitetit dhe e personalitetit tё gruas, si nё familje, po ashtu edhe nё mjediset e ndryshme shoqёrore e profesionale.

Figura e gruas, ende sot, vazhdon të mos shihet, të mos pranohet, të mos respektohet, të mos vlerësohet, e të mos ndihet e dashur për atë që ËSHTË. Nё tё shumtёn e herёs, harrohet që është përgjegjësi etike e morale pёr çdo individ qё gruaja, sё pari të vlerësohet për atë që është.  E kёtё gjё, përditshmёria na e vёrteton gjithnjё e më shumë, ku ajo vazhdon të përballet me sfida herё – herё tё pamundura, me dhunë fizike, seksuale, po ashtu edhe psikologjike, si; përdhunim, vrasje, keqkuptim, keqtrajtim, nënçmim, përbuzje, nënshtrim, përjashtim, dhe me mungesë vlerësimi për atë që është, e nuk po them edhe për atë që  bën. Sepse po të shkruhet se çfarë bën një grua nga mëngjesi herёt e deri në orët e vona tё natёs,  nuk do të rrёfenim mjaftueshёm.

Kështu që, nuk mund të përshkruhet se sa sakrifikon, sa dhurohet, sa angazhohet, sa duron një grua vetëm për tjetrin; për ty familje, për ty burrë, për ty fëmijë, për ty vëlla e motër,  për ty koleg\e, për ty shok e shoqe, për ty mik e mikeshё, për ty shoqëri në përgjithësi që  shpesh herë e lë braktisur mёnjanё.

Megjithatë, edhe pse sakrifikon, dhurohet pa u ndalur, pa u lodhur, pa u ankuar, me keqardhje e me shumë dhimbje, duhet thënë e madje fort, se mjerisht akoma edhe sot diskutohet për rolin e gruas, funksionin që ajo ka nё jetë ! E dhimbshme, dhe e pa konceptueshme!

Mendoj se nuk është më koha, dhe  nuk ёshtё mё e nevojshme, të diskutohet për njё gjё tё tillё. Ajo që është shumë e nevojshme, e dobishme dhe që kërkon angazhim, vetëdijёsim e  reflektim (jo diskutim, sepse për fjalë të bukura të gjithë jemi të zotë),  është  nevoja urgjente qё të ndalesh e ta  pyesësh veten ti si prind, ti si burrë, ti si bir e bij, ti si drejtues shpirtëror, ti si punëdhënës, ti si pronar, ti si drejtor, ti si politikan…: “ – A e vlerësoj, respektoj atё dhe dinjitetin e saj? A e mbështes, përkrah, ndihmoj, gruan për atë që është dhe bën?! A arrij t’ia jap asaj vendin që meriton, në familje, në punë, në institucionet e edukimit, në politikё dhe në shoqëri? A e ndihmoj të ndihet grua nё tërësinё e qenies sё saj? A jam kontribues që të vlerësohet e respektohet qenia dhe dinjiteti i gruas për atë që është?  A ndihmohet gruaja të ndihet grua me tё gjitha vlerat, virtytet pse jo edhe me dobësitë e saja? A mbështetet gruaja për përgjegjësitё që ka…?”

Është urgjente, e nevojshme dhe e dobishme, që të reflektohet mbi këto çёshtje, por jo mё për të diskutuar ende sot mbi rolin dhe funksionin e saj nё shoqёri. Ky vetëdijёsim fillon e  duhet të fillojё qysh në familje, mandej nё institucionet edukative dhe arsimore, nё mbarё shoqёrinё, duke angazhuar dhe pёrfshirё të gjitha  institucionet publike dhe private, në mënyrën dhe formën e duhur, me qёllimin qё roli dhe tё drejtat e gruas tё njihen dhe tё respektohen kudo e ngado.

Nisur nga ajo se çfarë dëgjohet, çfarë lexohet, çfarë informacionesh transmeton masmedia, e çfarë shihet çdo ditë në shoqëri, është shumë e dukshme dhe e qartë se figura e gruas vazhdon të mos vlerësohet për atë që është. Ende për të flitet në mënyrë sipërfaqësore, nuk respektohet qenia dhe dinjiteti i saj, nuk vlerësohet për vlerat e virtytet dhe për ekzistencën e saj, e aq më pak, për atë që ajo bën. Thёnё kёshtu, pasi nuk kalon ditë që nuk dëgjohet se si një grua u dhunua, u përdhunua, një grua u vra, u vetëvra, u helmua… se si i mohohen të drejtat, detyrat, si nënvlerёohet, si poshtërohet, si keqpërdoret.  Duke  i dëgjuar gjitha këto, e pashmangshme qё tё mos krijohet ideja, se ende sot, gruaja konsiderohet si objekt, e çka ёshtё mё e rёndё, njё gjё e tillё duket se askujt nuk i bën aspak përshtypje, e as nё mё tё paktёn tё ngrejё pyetjen dramatike se: Çfarë po ndodh me gruan?!

Tё shqetёsohemi dhe tё reagojmё, kur kuptojmё se arsyeja që preferohet emri i pёrgjithshёm ‘femër‘, pёr ta identifikuar gruan, e jo ‘grua’, është e qëllimshme, pse ajo mbart nё vetvete njё dallim domethёnёs e shpesh jo tё gjithëpranueshёm. Kur thuhet thjesht ‘femër’, kuptimi i saj është shumë i përgjithshëm, duket si i mёshohet mё fort kuptimit biologjik tё saj, përcaktimit gjinor e riprodhues (i përdorur gjithashtu jo vetëm pёr njerëzit), pёrkundrejt saj, fjala ‘grua’ mbart nё vetvete njё kuptim  më fuqiplotё, më të thellë,  dhe më kuptimplotё.

Për të kuptuar më mirë domethёnien, rёndёsinё dhe peshёn e saj, le të citojmë fjalët e Papa Françeskut:

“Gruaja është ajo, që e bën të bukur botën! Ajo që e lind, e mëkon, e ruan jetën. Gruaja është përqafimi që të pushton përjetë. Është guximi, për t’u dhuruar plotësisht. Është gruaja që na mëson të ledhatojmë, të duam me gjithë shpirt. Është ajo, që e bën botën të bukur. Mjerane do të ishte bota pa të. Prandaj, nëse shfrytëzimi i njerëzve është faj i rëndë, të shfrytëzosh gruan është shumë më tepër sesa faj: është krim i shëmtuar. Të shfrytëzosh gruan, do të thotë të shkatërrosh harmoninë, që i dhuroi Zoti botës. Gruaja ka një pasuri që nuk e ka as burri e as gjithësia. “T’i krijohet hapësirë gruas, për një ardhmëri më të mirë”. (Homelia e mbajtur me 8 mars 2019).

Pra, gruaja, është një qenie njerëzore delikate, e ndjeshme, e brishtë, por me një forcё të papërshkruar. Është e pajisur me një finesё e modesti, është ajo që ekuilibron, e menaxhon  çdo situatë. Ajo është themeli e shtylla e shoqërisë.

Gruaja, është figura  nga e cila mësohet shumë, për lumturinё, gëzimin, dashurinё, mbështetjen, e gjithashtu për sakrificën, durimin dhe dhurimin pa kushte. Sepse, ajo nuk kursehet në asgjë, është përgjegjëse përballë çdo sakrifice e çdo mundi e mbi të gjitha, ajo mundohet të gjejë arsye pozitive përball çdo situate. Ajo është bekim për vendin, për familjen për shoqërinë. Në Bibël e gjejmë të shënuar për gruan që thotë: Është shumë më e çmueshme se gurët e paçmueshëm (Fu 31, 10b). Pra, vlera e saj nuk mund të matet, nuk mund të peshohet, e nuk mund të krahasohet, me asgjë.

Gruaja është ajo  që i jep shije çdo gjëje. Është ajo që nuk ndalet vetëm në fjalë për çdo gjë e paraqet në vepër. Është ajo që i reziston çdo kohe vetëm e vetëm, për të mirën e familjes dhe tё tjetrit. Është ajo, që nuk ka frikё të shohë në sy, nuk ka frikё të përballet me çfarëdo lloj sfide. Është ajo, që di të jetë shoqe, kolege, mike. Ajo është çdo gjë për secilin pjesëtar tё familjes. Ajo  është dritë, është dhuratë. Është mburoja mendore dhe shpirtërore aty ku është dhe vepron. Pra, mos ngurroni t’ia jepni gruas nderin, respektin, dashurinё e çdo gjë tjetёr që asaj i takon dhe e meriton. Mos u kurse, e mos ki frikё, se nuk varfërohesh  nëse i bëni këto.

– Ti grua, vlerësoje veten për atë që je, sepse je dhurata më e bukur që Zoti e krijoi e për këtë ji krenare!  Mos ki frikë, ta pranosh e ta shfaqësh dinjitetin tënd, mos ki frikё, të thuash jo apo ta ngresh zërin nëse nuk respektohet dinjiteti e qenia jote. Angazhohu, mbroje, ruaje atë me fanatizëm! Qëndro kokë lartё, për atë që je! Kujdesu për veten, e mos ngurro t’i shpalosësh virtytet dhe vlerat që ke brenda vetes! Mos ki turp e frikё t’i thuash vetes dhe tjetrit edhe kur nuk vlerësohesh për atë që je dhe bën, ji krenare dhe e kënaqur, sepse je grua. Je vetë mrekullia!

– Kurrë  mos ki frikё të jesh vetvetja. Vlerësoje veten për atë që je!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »