Familja e Shenjtë: një model i bashkësisë familjare për çdo kohë

Dec 28 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela e Familjes së Shenjtë e Jezusit, Marisë dhe Jozefit (A)

 

Leximi i parë   Sir 3, 2-6. 12-14

Edukimi i një fëmije të krishterë fillon që nga momente e para të jetës.  Mënyrën se si edukohet një burrë apo një grua na e mëson dituria njerëzore, që është thesari i përvojës së përditshme dhe studimi i psiko-logjisë moderne.  Nëse një ditë fëmija do të presë Hyjin e gjallë, kjo do të ndodhë në të njëjtën mënyrë me të cilën ai ka njohur dashurinë e prindërve të tij.  Ky lexim na flet për urdhërimin e katërt të Hyjit dhe na tregon rëndësinë dhe dobinë e tij: respekti ndaj prindërve tërheq bekimin e Hyjit.

 

Lexim prej Librit të Siracidit

Dëgjoni, o bij, mësimin e babës dhe ashtu veproni që të shëlboheni. Sepse Hyji e nderon babën në fëmijë dhe e ka përforcuar të drejtën e nënës mbi fëmijë. Kush e nderon babën i shpërblen mëkatet, ruhet prej tyre dhe do t’i dëgjohet urata kur e thotë. Ai që e nderon nënën, është porsi ai që grumbullon visare. Kush e nderon babën e vet, në fëmijë do të gjejë gëzim, dhe kur të lutet, urata do t’i dëgjohet. Mos u mburr me çnderimin e babës tënd, sepse turpi i tij nuk është lavdi për ty. Lavdia e njeriut varet nga nderi i babës së tij, nëna e panderë është turpi i të birit. Biro, kije kujdes babën e plakur, dhe mos e shqetëso gjatë jetës së tij. Fjala e Zotit

 

Psalmi  128

 

Ref: Jetë dhe bekim mbi shtëpinë që e druan Zotin

———————————–

Lum njeriu që e druan Zotin,

që ecën udhëve të tija!

Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua,

i lumi ti, mirë do të kalosh.

———————————–

Gruaja jote: vresht plot fruta

në dhomat e shtëpisë sate;

djemtë e tu: pinjoj ulliri

përreth tryezës sate!

———————————–

Ja, se si bekohet njeriu që e druan Zotin!

Të bekoftë Zoti prej Sionit,

e pafsh lumturinë e Jerusalemit

në të gjitha ditët e jetës sate!

———————————–

 

Leximi i dytë    Kol 3, 12-21

Shën Pali i këshillon të krishterët të jetojnë “në Zotin” jetën familjare.  Jezusi është në fakt lidhja e thellë e çdo familjeje të krishterë. Por këtë shpirt familjar duhej ta gjenim edhe në Kishë: mirësi, mikëpritje dhe butësi duke imituar Hyjin. Në çdo takim të krishterësh do të duhej të shfaqej gëzim, sikur të ishte një festë familjare. Po ne ditën e dielë, a bëjmë një takim të vërtetë feste?

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, mbasi jeni të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, veshuni, pra, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë. Duroni njëri-tjetrin dhe falni njëri-tjetrin në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit. Sikurse Zoti ju fali ju, po ashtu bëni edhe ju! E mandej, përmbi të gjitha, veshuni me dashurinë! Ajo i mban së bashku të gjitha virtytet. Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja – në të cilën edhe jeni të grishur të jeni të gjithë një trup i vetëm. Dhe jini mirënjohës! Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet! Mësoni çdo dije dhe këshilloni njëri-tjetrin me plot urti! Këndoni lavdi Hyjit me gjithë zemër me psalme, himne dhe këngë të përshpirtshme! Çkado që të thoni dhe të bëni, le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot, duke iu falënderuar me anë të Tij Hyjit Atë. Ju, gra, dëgjoni burrat tuaj ashtu si ka hije në Zotin. Ju, burra, duani gratë tuaja dhe mos jini me to të vrazhdët! Ju, fëmijë, dëgjoni prindërit në gjithçka, sepse kjo gjë i pëlqen Zotit. Ju, etër, mos i dëshproni fëmijët tuaj që të mos e humbin guximin. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja. Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet.

Aleluja.

 

Ungjilli    Mt 2, 13-15.19.-23

Ungjilltari Mateu tregon se Familja e Shenjtë duhet të shkojë në Egjipt për t’u larguar nga persekutimi i Herodit.  Kthehet në një familje të mërguar me të gjitha pasojat e saj.  Të krishterët e parë gjenin veteveten në Jezusin fëmijë: ishin të përndjekur dhe thirreshin me termin përbuzës “nazarenas”.  Biri i Hyjit nuk ka dashur të bashkëndajë jetën me të privilegjuarit, por me të varfërit dhe të braktisurit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Pasi u nisën dijetarët, qe se engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe t’ëmën e tij, e ik në Egjipt. Rri atje deri që të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.” Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe t’ëmën e tij, e shkoi në Egjipt. Banoi atje derisa vdiq Herodi që të plotësohej fjala e Zotit e thënë me gojë të profetit: “Nga Egjipti e thirra Birin tim.” Kur vdiq Herodi, engjëlli i Zotit iu duk në ëndërr Jozefit në Egjipt dhe i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe t’ëmën e tij e shko në dhe të Izraelit, sepse vdiqën ata që kërkonin t’ia merrnin jetën djalit.” Atëherë ai u çua, mori fëmijën e t’ëmën e tij dhe shkoi në dhe të Izraelit. Por, si mori vesh se në Jude mbretëronte Arkelau në vend të Herodit, t’et, pati frikë të shkojë atje; dhe i mësuar në ëndërr prej Hyjit, shkoi në krahinën e Galilesë. Si arriti atje, zuri vend në një qytet që quhet Nazaret, për t’u plotësuar fjala që thanë profetët: ‘Do të quhet Nazareas.  Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Jeta e familjes është objekt kërcënimi nga kultura liberiste që mbështet abortin, eutanazinë, martesën homoseksuale, dhe mungon një politikë sociale që e mbron atë. Jeta e një familje të varfër si ajo e Nazaretit shfaqet para syve tanë si model jete e burim shprese.

Engjëlli i Zotit i tha Jozefit në ëndërr: “Çohu, merre fëmijën dhe t’ëmën e tij, e ik në Egjipt”. Pas lindjes së Fëmijës në një shpellë barinjsh, fillon aventura njerëzore e familjes së Nazaretit: përvoja e ikjes, shqetësimi për mbijetesën e fëmijës, rreziqet e një udhëtimi me mjetet e asaj kohe, përvoja e emigracionit, e pastaj kthimi në atdhe, duke kaluar një jetë të fshehur, në përditshminë e një vendi të panjohur të Galilesë.

“Çohu, merre fëmijën dhe t’ëmën e tij e shko në dhe të Izraelit”. Realizohet fizionomia e vërtetë e çdo familje, duke pranuar Jezusin si qendrën dhe personin më të dashur me të cilin lidhet e gjithë familja, e duke imituar Marinë, bashkëshorten dhe nënën e përsosur, që na mëson “artin” e të bërit familje. Jozefi dhe familja e tij janë gjithnjë në dëgjim të kërkesave të Hyjit, për të aktualizuar vullnetin e tij. Janë tre persona të gjithë të drejtuar në Hyjin, të dashuruar me Të. Këtu Hyji është e vetmja arsye e të qëndruarit, e të vuaj-turit, e të gëzuarit të tyre së bashku. Kjo familje është pasqyra mbi të cilën çdo familje e krishterë është e thirrur të krahasohet, duke zbuluar çfarë duhet të jetë : një “mister dashurie”.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Të bashkuar në bashkësi si familje e Hyjit, kërkojmë bekimin e Zotit. Të lutemi së bashku duke thënë:

Bekoji, o Zot familjet tona.

L. Për Kishën, gjithmonë e hapur dhe mikëpritëse për të gjithë : që shumë njerëz të hyjnë në të të tërhequr nga forca e Ungjillit. Të lutemi.

L. Për ata që na qeverisin: që të bëjnë ligje të drejta dhe të matura në mbështetje të familjes. Të lutemi.

L. Për familjet e ndara apo të paqëndrue-shme: që të gjejnë guximin për të përballuar vështirësitë dhe për të gjetur harmoninë familjare. Të lutemi.

L. Për familjet tona: që të jenë të lumtura, të ndjeshme ndaj nevojave të të tjerëve dhe të pasura me shpirt ungjillor. Të lutemi.

M. O Zot Jezus, ti ke dashur të lindësh e të jetosh në një familje njerëzore. Udhëhiqi familjet tona në detyrat e rënda që i presin: për të qëndruar të bashkuar në paqe, për të edukuar fëmijët, për t’u kujdesur për pleqtë. Ti që mbretëron me Atin dhe Shpirtin Shenjt në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »