Letër publike e Imzot Dodë Gjergjit drejtuar policit

Dec 31 • Opinion

I dashur polic,

Letrën tuaj, me të cilën u jeni drejtuar gjithë qytetarëve, e kam lexuar me shumë vëmendje. Vërtet, ishte një letër e bukur, shumë prekëse dhe me plotë domethënie.

Duke qenë se edhe unë jam një qytetar i Kosovës sonë të dashur, letrën tënde e pranova sikur të ma kishe drejtuar mua personalisht. Prandaj, edhe e kam shoshitur çdo fjalë dhe kam përtypë çdo fjali me mendjen dhe zemrën time. Disi, doja të  nxirrja nga ata rreshta, të gjithë porosinë tuaj. Jo vetëm atë që e ke shkruar, por edhe atë që ke lënë të kuptohet. Pas gjithë kësaj, njëherë mendova të vij e të të takoj për të falënderuar e për të shpreh respektin tim për punën që bënë.

Por, nuk dija si do ta arrija këtë gjë, në këtë hallakatmë të natës së Vitit të Ri, këndej vendosa të drejtohem me këtë letër, jo vetëm të shprehë falënderimet, por edhe të të shoqëroj gjatë kësaj nate të fitoftë dimri, kudo që je me shërbim.

Sonte është natë e madhe për gjithë qytetarët e vendit. Ata janë të bashkuar në familje, restorante, hotele dhe vende të tjera shoqërimi, miqësie  dhe feste.  Njerëzit duan të festojnë momentet e rëndësishme të historisë, ngjarjet e bukura të jetës së tyre. Po ashtu, njerëzit festojnë festat fetare, kombëtare dhe ndërkombëtare në shenjë falënderimi Zotit dhe njeri-tjetrit. Sa më shumë festa aq më shumë gëzime, hare dhe lumturi. Festat janë po ashtu një mundësi e mirë për t’iu shmangë paksa vështirësive, problemeve dhe vuajtjeve të përditshme.

Nuk mund ta di nëse ti, në këtë natë të Vitit të Ri, je duke e kaluar me prindërit e tu, që i do e të duan, me fëmijët e tu të cilëve je duke iu dhanë puthjet e munguara, gjatë vitit, me bashkëshorten tënde, e cila herë të përqafon e herë ikën në kuzhinë për të  përgatitë darken e nxehtë, me dëshirën për t’i rikuperuar të gjitha ato dreka apo darka, që kanë mbetur pa u ngrenë gjatë vitit, sikur e ke shprehur në letrën tënde. Apo, edhe kësaj here,  je në detyrë duke u shqetësuar për mua, e për të gjithë të tjerët, që festa jonë të shkojë mirë. Kudo të jesh, shpresoj që këto rreshta të letrës sime do të gëzojnë.

Ndoshta nuk të vjen keq, që rreshtat e kësaj letre dhe ndjenjat e  mia të respektit dhe falënderimit, të vlejnë edhe për shërbyesit tjerë, që në këtë natë të Vitit të Ri, po ashtu janë në detyrë; mjekët, infermierët, ushtarët, rojtarët, ngasësit e autobusëve urban, kamerierëve dhe të tjerë, që për një hallë apo për një tjetër, janë në shërbim të vështirësive të familjeve të veta.

Gjithë këta, ndoshta nuk janë jashtë si ti, në ftohtin e kësaj nate. Por, nuk mund të themi që nuk e përjetojnë  të ftohtit e zemrës, pasi për shkak të detyrës që kryejnë  dhe për përgjegjësitë që kanë, ndaj meje dhe qytetarëve të tjerë të vendit tonë,  megjithatë detyrohen ta  kalojnë këtë natë larg  ngrohtësisë familjare dhe gëzimit të kësaj feste.

Vëlla i dashur, që në këtë natë feste kujdesesh për mua! Shpresoj që diku në errësirën e kësaj nate të gjesh një rreze nga ndriçimet festive të qytetit, për të lexuar këto pak rreshta me të cilët dua të shoqëroj gjatë kësaj nate, që të dish se s’je i harruar as i përbuzur. Por të çmoj shumë dhe të falënderoj me gjithë zemër për shërbimin që bën.

Tani po e filloj të them atë që e ndeja gjithherë, por s’dija si ta shprehja. Tani pasi më shkrove  e kuptova,  që edhe unë mund të shkruaj ty dhe  të shprehë atë që ndiej për ty, për kolegët e kolegët/et e tua.

Ah! Po!  Harrova me të thënë se kush jam! Një qytetar që do me të shoqërua me mendimet e veta dhe me ndjenjat e respektit për ty. Nga përgjegjësia që kam, në një mënyrë mund të jam kolegë me ty, dhe me të gjithë ata që shërbejnë sonte. Vetëm që detyra ime ka një dimension ndryshe nga të tjerët.

Nëse ti vigjilon që të mos prishet rahatia e njerëzve që janë duke festuar, unë vigjiloj mbi shpirtrat e tyre dhe e lus Zotin për ta e për ty, që kjo festë të mos e prishë gëzimin që duhet të bartë në vete.  Nëse mjeku i emergjencës rri duke pritur një të plagosur dhe kujdesët për të parë a i ka gjitha gjërat e nevojshme për të shëruar plagët, unë lus Zotin që të ngushëlloj zemrën e tyre dhe t’ju jep forcë të përballojnë trishtimin dhe dhimbjen. Me pak fjalë, jam ipeshkvi yt! Unë nuk e di a më pranon ti si të tillë, apo ndoshta s’më njeh fare. Por s’ka rëndësi, e  rëndësishme është që unë të pranoj ty, e njohë punën tënde dhe të shërbej duke u lutur për ty dhe duke të bekuar për çdo ditë.  Mos harro që unë, me fenë dhe dashurinë time të sinqertë, të dua dhe të pranoj si vëllain tim.

 

Ti nuk je i braktisur

Ndjenja se të tjerët nuk janë mirënjohës, ose më mirë të them përjetimi i zemrës, që ata të cilëve u shërben nuk ta dinë, krijon një ndjejë të veçantë trishtimi, vuajtjeje dhe,  në aspektin njerëzor,  është vështirë të gjesh ngushëllimin. Por, s’ke çka bën. Kështu jemi ne njerëzit. Kur një gjë na mungon atëherë synojmë ta kemi, e kur e kemi, nuk dimë  ta vlerëojmë.

Nganjëherë, jo vetëm që nuk arrijmë të vlerësojmë, por as t’i duam gjërat që kemi. Bile nganjëherë harrojmë krejtësisht, se prapa të mirave që i gëzojmë,  ekziston një sakrificë e madhe e dikujt, e disave ose e shumëve. Shpeshherë as nuk jemi  të vetëdijshëm, që gëzimi  i të mirave tona rri mbi themelet e vajtjeve të të tjerëve. Edhe kur na bie në mend,  ose na i kujton dikush këtë gjë,  edhe atëherë më shumë dimë të paragjykojmë personat, të minimizojmë sakrificën e tyre, t’iu kërkojmë llogari ose t’i përbuzim, mu ata, që punojnë e jetojnë  për të mirën tonë.

A di pse ndodhë kjo? Ndodhë, sepse ne njerëzit jemi të prirë për të parë mangësitë e tjerëve, para se të vlerësojmë kontributin e tyre; të përbuzim para se të shprehim falënderimet tona për punën që bëjnë ose kërkojnë llogari për përgjegjësit që i kemi ndaj tyre, para se të mendojnë a i kanë krye detyrat, që kanë karshi përgjegjësive tona. 

Ti i dashur vëlla, mos u shqetëso, sepse e gjithë kjo nuk ndodhë  për shkak se s’na duan. Por, se janë njerëz. S’ke çka ban! Po edhe ne jemi njerëz e shpeshherë, e në shumë raste, harrojmë të shprehim mirënjohje, respekt dhe falënderimet tona ndaj të tjerëve.

Pavarësisht gjithë kësaj, shumica e qytetarëve, përfshi edhe mua, të respektojnë pa masë. Paramendoje, unë të quaj shoku polic, që është një shprehje e madhe e dashurisë dhe falënderimit. Pastaj, mjafton vetëm t’i biesh pipëzës që ke, ose vetëm një ngritje dore  dhe unë ndalëm në udhëkryq. Jo vetëm që ndalem, po edhe  nuk nisem deri sa të më lejosh ti. Mos harro se edhe kjo është një shprehje e respektit tim për detyrën që ti ke.

Vëlla i dashur, nuk je ti i vetmi që ndien dhimbjen e mosmirënjohjes dhe gjykimit të atyre që ju shërben. Në përvojën e njerëzimit gjejmë shumë raste të tilla. Bile edhe kontribuuesit më të mëdhenjtë të njerëzimit kanë përjetuar zbrazëtin e errët, që le në zemrën e njeriut, mungesa e respektit dhe dashurisë. Kjo zbrazëti e errët, bëhet edhe më e dhimbeshe kur e krijojnë ata për të cilët ti sakrifikon, të mirën e të cilëve e dëshiron ose për dobinë e të cilëve ke shkri jetën.

Mos mendo që unë nuk e kam ndie dhimbjen e gjykimit dhe të mosfalënderimit të të tjerëve. Pasi, unë për të mirën e të tjerëve, nuk jam martuar, s’kam familje, s’kam biznes, nuk merrem me politik, s’kërkoj famë, por gjithçka që kam, është e jotja dhe e tjerëve që ju shërbej. Megjithatë, sigurisht ke dëgjuar se si më marrin nëpër gojë, si me gjykojnë edhe pse ndoshta, s’më njohin fare.  

Gjithë këtë që kam sakrifikuar, përveç dashurisë për Zotin, për Atme dhe Fe, e bëj edhe që të mund të jem i lirë, për të qenë 24 orë në ditë në dispozicion të nevojave të të tjerëve. E cili është shërbimi që unë bëj? Për shembull. Unë iu shërbej prindërve të tu, duke u lutur për ta, që të mos iu mungoj kurrë dashuria jote; përpiqem që të këshilloj ty, se sa bukur është kur në shtëpinë tënde dëgjohet “kolli i plakut” e  ankimet e gjyshes; ta kujtoj që kur kanë qenë të ri, ndoshta  prindërit tuaj, nuk kanë ditë të shprehin dashurinë e tyre sa duhet, sikur e shpreh ti sot ndaj fëmijëve të tu. Por s’duhet të harrosh kurrë, që ata tani e shprehin atë dashuri ndaj fëmijëve tuaj. Vëzhgoi vetëm se si shprehen ndaj nipave dhe mbesave të veta, mos harro që të gjitha ato gjëra në mënyrë indirekti t’i thonë ty që të duan mbi gjithçka.

Unë jetoj edhe për fëmijët e tu. Edhe pse, ata ndoshta kurrë nuk do të vinë në Kishë te unë, ose kurrë nuk do të kemi mundësi t’i shohë e ti njohë. Megjithatë,  unë jetoj me shpresë  duke dëshiruar që jeta ime të jetë rreze drite në zemrën e tyre. Si dihet, ndoshta diçka do të marrin nga mësimi i Krishtit, që unë e përfaqësoj ose nga predikimet e mija që unë bëj.  Kush e di, ndoshta në zemrën e tyre do të tingëllojnë fjalët e urdhrit të shenjtë që unë predikoj: “ndero prindërit tu nëse donë të jetosh mirë mbi dhe”!  Ndoshta unë kurrë nuk do ta di nëse ky mësim ka për të ndikuar në zemrën e fëmijëve të tu. Por ti po. Sidomos kur të bëhesh gjysh i fëmijëve të djalit dhe vajzës sate.

Ti, pra vëlla i dashur, nuk je as i harruar as i braktisur, ty të donë familja, për ty kujdeset shteti, kurse unë, dhe shumë si unë, të të falënderojmë dhe të jemi mirënjohës.

 

Mund ta paramendoj dhimbjen tënde

Unë e di që ti, në këtë natë,  nuk mund të jesh i qetë, pasi duhet të mendosh mbi të gjitha të këqijat, që mund të ndodhin këtë natë. Sepse, ti më së miri e di që “ujku mjegull do”, këndej mendon për të siguruar pikat më të rëndësishme, ku mund të ndërhyjnë hajnat, që nuk festojnë, por shohin ta  shfrytëzojnë  hutinë e njerëzve në festë; ti ke drojën për fëmijët e qytetarëve,  që mund të plagosën nga mjetet piroteknike ose keqpërdorimi i armëve të zjarrit nga të rriturit, këndej lodhë trurin si të organizohesh sa më mirë,  për të ndërhyrë sa më shpejt; ti e di që njerëzit në festë edhe mund të pinë ndonjë gotë më shumë se duhet, prandaj je krejt ankth, duke pritë se kur do të bie alarmi, nga qendra  ose patrulla e afërme, se u shkaktua një aksident rrugor, se u ndez një shtëpi apo u plagos një njeri.

Po ashtu e di, që ti nuk është se frikësohesh që do t’i gjejë gjë fëmijët dhe familjen tënde. Pasi ti e di, që dikush kujdeset për sigurinë e tyre, sikur ti po kujdesesh për familjet tona. Ti, nëse ke frikë, ke frikë për veten tënde, sepse shpeshherë ke dëgjuar nga yt atë, që “nata s’ka ispatë” ose që “natës s’i besohet”. Kush e di! Me kë do të duhet të përballesh.

Mos mendo që nuk di, që në mesin tuaj janë edhe të korruptuarit, ashtu si në mesin tim janë edhe mëkatarët. Por ti mos u shqetëso, ruaje vetën të pastër, të papërlyer e mos i shkel kurrë ato ligje të cilat me detyron mua t’i respektoj. Sepse, vetëm kështu e ruan ndershmërinë e nderin tënd. Mund të imagjinoj se si eprorët, nganjëherë të kërkojnë të mbyllesh njërin sy ose njërin vesh, që të mos ndëshkohen miqtë e tyre. E di që në këtë rast ty të dhemb zemra, kur duhesh me iu bindë eprorit ma të lartë. Pasi, në ato momente  të del parasysh ai njeriu i thjeshtë, që ndoshta rastësisht e ka shkel ligjin. E ti, sigurisht e ke dënua.

E di edhe, që ne qytetarët kemi fajet tona e ndoshta ju gjykojmë dhe ju akuzojmë vend e pa vend. Dhe të gjithëve ju vejmë në një thes. Më së shpeshti ju akuzojmë që jeni të korruptuar dhe që ligjin e zbatoni në mënyrë selektive. Që do të thotë, varet për kë. Por, që jeni të tillë fajin e kemi edhe ne qytetarët. Sepse, sa herë që ti na ndalë, për shkak të ndonjë shkelje, menjëherë kërkojmë mundësinë e fillimit të “negociatave”  për t’u merr vesh: Si t’ia bëjmë që ne të shpëtojmë e ti të shpërblehesh. Unë nuk vozis shpesh, pasi kam një shofer. Nuk mund të di nëse ke qen ti apo ndonjë koleg i yti, por më kujtohet, kurë  keni falë shoferin tim edhe pse e ka merituar dënimin. Atëherë të kam falënderuar, të falënderoj edhe tani, por të lutem fale edhe një qytetarë cilido të jetë, kur ta pashë që nuk është shkelës i ligjit, por ja që nganjëherë ndodhë. Ajo është në dorën tënde për të vlerësuar. Pasi ti e di, që nuk je gjahtar i thyesve të ligjit, por edukator i neve qytetarëve për t’na mësuar se duhet ta zbatojmë atë.

Edhe një gjë dua me ta thanë, mos u shqetëso që të tjerët të gjykojnë, sepse ata që gjykojnë s’janë më të mirë se ti. Ti e di se ata të cilët më së shumti janë përpjekë të japin ryshfet për t’i shpëtuar ndëshkimit të ligjit. Mu ata, ju akuzojnë më së shumti që jeni të korruptuar. Po edhe ata politikanë, persona publik, pronarë të medieve etj. etj.,  që më së shpeshti s’pranojnë t’iu nënshtrohen ligjimeve dhe nuk çajnë kokën për dënimet tuaja, pasi njohin dikë ma të madhe se ti. Bash ata ngritin akuza më të ndryshme kudër paaftësisë tuaj për të siguruar rendë, rregull dhe ligjshmëri.

 

Falmeshnet!

Vëlla i dashur, këta rreshta që t’i thashë më lartë, nuk kanë për qëllim të ngritin akuza ndaj atyre që përmenda, por janë rreshta për të ngushëlluar ty, e për të kuptuar se nuk je i vetmi që i din këto gjëra. Edhe për të të thënë se nuk je i braktisur nga të gjithë, se nderi dhe respekti më i madh që mund të gjejmë në këtë botë ishte ai që na vjen prej Zotit dhe prej popullit. Këndej  “ti m mundohu t’i dalësh para Hyjit, para popullit e para ligjit, si punëtor  i sprovuar që nuk ka për çka të turpërohet”.

Në fund, të marrë ngrykë dhe  të përshëndes me gjithë zemër e të uroj gjitha të mirat, ty dhe familjes sate gjatë gjitha ditëve të vitit 2020.

Qytetari falënderues,

Dodë Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »