Në fillim ishte Fjala…

Dec 31 • Meditimi i ditës

31 dhjetor 2019 – E martë, Shën Silvestri, Nata e Vitit të Ri, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Gjn 2,18-21; Ps 96,1-2.11-13; Gjn 1,1-18)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

Do të mundohem që bile pak t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vë në dorën e Hyjit – së paku disa minuta sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?

Duke reflektuar disa muaj të mëparshëm,

a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?

Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,

do të vendosi që edhe në të ardhmen tu siguroj hapësirë dhe kohë. 

 

Fjala e Zotit

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 1, 1-18

 

1 Në fillim ishte Fjala

e Fjala ishte në Hyjin

e Fjala ishte Hyj.

2 Kjo ishte në fillim në Hyjin.

3 Prej Saj u bë çdo gjë

e pa Të nuk u bë asgjë.

E çdo gjë që u bë,

4 e pati në Të jetën

e Jeta është drita e njerëzve;

5 e Drita shndriti në errësirë

e errësira nuk e pushtoi.

6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit.

Emri i tij ishte Gjon.

7 Ai erdhi si dëshmitar,

për të dëshmuar Dritën,

që të gjithë të besojnë nëpër të.

8 Ai nuk ishte Drita,

por ‑ për të dëshmuar Dritën.

9 Drita e vërtetë

që shndrit çdo njeri,

erdhi në botë.

10 Ishte në botë

e bota u krijua prej Saj,

e bota nuk e njohi.

11 Erdhi ndër të vetët,

e të tijtë nuk e pranuan.

12 Atyre që e pranuan

u dha zotësinë

të bëhen bijtë e Hyjit:

atyre që besojnë në Emrin e tij.

13 Këta s’i bëri bij të Hyjit

as gjaku

as prirja e mishit

as prirja e njeriut

por ‑ Hyji.

14 E Fjala u bë njeri

e banoi ndër ne.

Ne e pamë lavdinë e tij,

atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm

plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall:

“Ky është ai, për të cilin thashë:

‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë,

sepse ishte përpara meje!’“

16 Vërtet, prej plotësisë së tij

të gjithë ne morëm,

madje, hir mbi hir.

17 Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun,

porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin.

18 Hyjin kurrë askush nuk e pa:

Biri i vetëm ‑ që është Hyj,

një natyre me Atin,

Ai bëri të njihet.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • “E drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.” Duke shikuar vitin e ri kalendarik, të shkëlqejmë edhe ne me dritën hyjnore. Kjo dritë ndriçoftë në ne që të besojmë se jemi bijtë e Hyjit, të dashur deri në pikën e fundit. Në kthim t`i duam pafund të tjerët dhe të sjellim dritë dhe rehati në jetët e tyre.
  • O Zot, në vitin e ardhshëm më ndihmo në lutje time të përditshme që të njoh ty më mirë dhe, si të gjithë të tjerët, më ço atje ku je ti – më afër zemrës së Atit.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, qëndro pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër që do të të besoj gjithmonë.
Faleminderit pse më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »