T’i sjellësh të tjerët te Jezusi

Jan 17 • Meditimi i ditës

17 janar 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: 1 Sam 8,4-7. 10-22; Ps 89 (88); Mk 2,1-12)

 

Prania e Hyjit

E pranishme për mua është ajo që ndikon në të ekzistuarit tim.
Reflektoj për praninë e Hyjit, i cili është gjithmonë pranë meje në dashuri,
në mesin e shumë gjërave që po ashtu ndikojnë në mua.
Ndalem dhe lus që t`i lejoj
që të ndikojë në të ekzistuarit tim, në jetën time, në këtë moment.

 

Liria

”Jam i lirë”.
Kur i shikoj këto fjalë të shkruara, më duket se krijojnë në mua një ndjenjë mrekullie.
Po, ndjenja e çuditshme e lirisë.
Faleminderit, o Zot.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë ndaj asaj çfarë jam.
Si ishte dita e kaluar? Si po e ndjej veten tani?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Tani e lexoj fragmentin e Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj me mend e zemër.

Vërej fjalën apo ngjarjen që më lë përshtypje.

 

Mk 2, 1-12

 

1 Pas disa ditësh Jezusi u kthye përsëri në Kafarnaum. Kur u mor vesh se gjendej në shtëpi, 2 u mblodhën aq shumë njerëz, sa që s’kishte më vend as para dere. Jezusi u predikonte Ungjillin. 3 Ndërkaq ia behën disa njerëz, të cilët po sillnin tek ai një të pikuar që po e mbartnin katër vetë. 4 E, pasi prej turmës së njerëzve nuk mund ta shtinin brenda tek ai, zbuluan pullazin në atë vend ku gjendej Jezusi dhe, nëpër vrimë, e lëshuan vigun në të cilin ishte i shtrirë i pikuari. 5 Jezusi, duke parë fenë e tyre, i thotë të paralizuarit:

“Biro, të janë falur mëkatet!”

6 Aty po rrinin disa skribë. Këta zunë të mendojnë në zemrat e veta. 7 “Ç’po flet ky kështu? Po blasfemon! Kush mund të falë mëkatet përveç një Hyji të vetëm?” 8 Jezusi në shpirtin e vet e hetoi menjëherë se ata po mendonin ashtu në vete, andaj u tha:

9 “Pse po mendoni ashtu në zemrat tuaja? Çka është më lehtë? T’i thuhet të paralizuarit: ‘Të janë falur mëkatet’, apo t’i thuhet: ‘Çohu, merre vigun tënd dhe ec!?’ 10 Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë: 11 Unë po të urdhëroj ‑ i tha të paralizuarit ‑ Çohu, merre shtrojën tënde dhe shko në shtëpinë tënde!”

12 Aty për aty i paralizuari u çua në këmbë, mori shtrojën dhe, në praninë e të gjithëve, doli përjashta. Të gjithë mbetën shtang nga habia. I dhanë lavdi Hyjit e thoshin:

“Një gjë të tillë s’e pamë kurrë!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi i Shenjtë:

 

  • Njeriu i paralizuar krejtësisht ka qenë i varur nga miqtë për ta prurë te Jezusi në mënyrën nga më imagjinueset që kishin mundur të kujtoheshin. Do të mendoj për besimin që e ka pasur në ta dhe për besimin tim në ata që i kam afër.
  • Me gjithë nevojën evidente të njeriut që ishte prurë për t`u shëruar Jezusi së pari i flet për faljen. E dëgjoj Jezusin se si më flet dhe i fal mëkatet e mia.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me anën e tekstit të Shkrimit Shenjt.

Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.

Më mëso ta dalloj dorën tënde në veprim në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar sa u luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »