Kosova i thotë FALEMINDERIT SHQIPËRI për mikpritjen e 20 vjetëve më parë të mijëra refugjatëve

Jan 20 • Kisha në Kosovë

Dioqeza Prizren-Prishtinë, në krye me bariun e saj Imzot Dodë Gjergji, ka organizuar akademinë solemne FALEMINDERIT SHQIPËRI, më 18 janar 2020, në Qendrën “BogdaniPolis”, nën Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, për të përkujtuar 20 vjetorin e mikpritjes vëllazërore të Shqipërisë, kur rreth një milion shqiptarë nga Kosova u dëbuan dhunshëm nga vatrat e tyre gjatë Luftës në Kosovë 1999.

 

Teksti: Rev. “Drita”

Fotografitë: Besim Ndau

 

Edhe pse viti 1999 do të mbahet mend si viti i tmerrshëm në historinë e re të shqiptarëve, mu këtë vit, shqiptarët kanë përjetuar një moment tejet të bukur bujarie, mikpritjeje dhe dashurie ndërvëllazërore. Ishte momenti kur Shqipëria hapi kufijtë, angazhoi institucionet dhe vuri tërë kapacitetin shtetëror, por edhe shqiptarët në tërësi hapen zemrat, shtëpitë e tyre dhe ndihmuan në shumë forma tjera, me të cilat e shprehën dashurinë, bujarinë dhe mikpritjen për bashkëkombësit e tyre nga Kosova, të cilët dëboheshin dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

Për të kujtuar këtë bujari shqiptare, Akademia solemne e të shtunës, mblodhi dy shtetet tona – Shqipëri dhe Kosovë – me përfaqësuesit e tyre shtetëror dhe fetarë, njerëz të kulturës dhe të artit.

Prandaj, akademia ishte konceptuar në tri pjesë: fjalime, dëshmi dhe prezantimi i mesazhit të paqes të Papa Françeskut. Në këtë mënyrë u bë gërshetimi i fjalimeve të personaliteteve të larta shtetërore dhe fetare, dëshmi të kohës nga Karitasi i Shqipërisë, Kisha katolike, përfaqësues të kishës protestante, muzikë klasike dhe paraqitja e librit e botuar nga argjipeshkvia e Shkodrës për veprimtarinë e madhe të që e ka bërë kjo zonë për refugjatët nga Kosova. E gjithë kjo u bë e mundur përmes një bashkëpunimi ndërmjet Caritas Kosova, si institucioni socio-karitativ i Dioqezës, Qendrës BogdaniPolis dhe Ordinariatit në Prishtinë.

Në pjesën e parë, Drejtori gjeneral i Caritas Kosova, Don Viktor Sopi, para audiencës e tregoi qëllimin dhe rëndësinë e këtij eventi që ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji e kishte dashur, dhe duke e ftuar të marr fjalën si nikoqir i kësaj akademie, me të cilin hapeshin fjalimet.

Sot, pas njëzet vjetëve, duam të shprehim një falënderim të madhe për gjithë shqiptarë e Shqipërisë, ndonëse një falënderim i tillë i yni s’ka munguar gjithë kësaj kohe, pasi është dëgjua nga ata që kanë vazhduar relacionet miqësore, kontaktet familjare dhe ndërveprimet shoqërore. Mbi gjitha, nga ata që kanë lidhë jetën martesore. Dorën, n‘zemër – ishin fjalët e ipeshkvit Imzot Dodë Gjergji – kjo brohoritje falënderimi, nuk ka munguar as në takimet e ndryshme ndërkulturore, ndërnjerëzore apo ndërqeveritare.

Por, ajo që jemi duke bërë sot është thjeshtë dëshirë për të rishprehur falënderimin tonë, së bashku,  solemnisht dhe njëzëshëm. Pasi, në këtë mënyrë kumbon më shumë, jehon më gjatë e dëgjohet më larg. Po edhe ne ndihemi më mirë, më të lumtur dhe më mirënjohës.   

Secili prej jush – theksoi Imzot Doda – do të donte të shprehte edhe një falënderim të veçantë,  siç dëshiroj edhe unë të them; Faleminderit gjithë shqiptarëve, që harruan çmendurinë e 1997 dhe dalldisjet e ‘98. E, që në vitin ‘99 i thirrën arsyes,  mobilizuan virtytet dhe iu përgjigjën në mënyrë dinjitoze përgjegjësive të atëhershme. Falënderoj burrat dhe gratë, institucionet shtetërore dhe ato fetare, që me një kreativitet të paparë “të njerëzve zemërbardhë e shpirtmirë”, gjenin forma të ndryshme për të shpreh dhimbjen, ngushëllimin, bujarinë dhe mikpritjen, për bashkëkombësit e tyre nga Kosova, që dhunshëm dëboheshin nga shtëpitë e tyre. Faleminderit juve miq, bashkëpunëtorë dhe dashamirë të pranishëm, që s’u lodhet asnjëherë, por u angazhuat natën e ditën, që p

unët e mikpritjes të shkonin sa ma mirë. Falënderoj gratë e vajzat e reja,  që gatuanin në familjet e tyre, atë që kishin dhe i sillnin ato ushqime nëpër qendra tona. Sigurisht, ajo assesi nuk do të mjaftonte, po qe se nuk do të kishim ndihmën e  organizatave dhe popujve miq. Këndej, një falënderim i veçantë iu shkon organizatave joqeveritare, karitative të vendeve të ndryshme dhe atyre vendore  (laike apo fetare), që  ndihmuan të përballonim momentin më të vështirë, e më vonë dhe ta rindërtonim vendin – u shpreh Imzot Dodë Gjergji. (fjalimin e plotë mund ta lexoni në portalin e revistës sonë në këtë lidhëse: http://www.drita.info/2020/01/20/faleminderit-shqiperi/

Pas ipeshkvit, u ftua Presidenti i Kosovës z. Hashim Thaqi, i cili në fjalën e tij duke folur për lidhjen e fortë të shqiptarëve anekënd botës me atdheun e tyre, Shqipërinë, është ndalur në veçanti tek lidhja mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku ka përmendur mbështetjen që i kanë dhënë njëra-tjetrës në kohët më të vështira. I shkëputim disa pjesë nga fjalimi i tij:

“Falënderojmë Shqipërinë që hapi dyert dhe zemrat në ditët e tragjedisë së Kosovës, në kulmin e luftës së vitit 1999. Pavarësisht kushteve të vështira ekonomike, mungesës së infrastrukturës, Shqipëria strehoi mbi gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës. Kjo është madhështia e Shqipërisë. Ky është atdheu me përmasa të pakufishme shpirtërore dhe solidare. Kosova përjetë i është mirënjohëse Shqipërisë. Pa Shqipërinë nuk do të çlirohej Kosova”.

Pastaj, Kreu i shtetit tha se më 1999 ra përfundimisht kufiri më i blinduar në Evropë, pra ai midis tokave shqiptare. Ai e vlerësoi rrugën e kombit si një arterie të gjallë të qarkullimit intensiv të vlerave tona të përbashkëta materiale, kulturore dhe njerëzore.

Në këtë kontekst, presidenti Thaçi përmendi reagimin e shpejtë të qytetarëve të Kosovës në mbështetje të vëllezërve në Shqipëri me rastin e tërmetit të fundit në Durrës, si dëshmi për lidhjen e fortë emocionale dhe solidare mes qytetarëve të të dyja vendeve.

“Kosova me dhimbje përjetoi tërmetin e 26 nëntorit që shkoi. Zemrat dhe mendjet tona ishin me Shqipërinë. Bota u tregua solidare, siç tregohet gjithmonë në fatkeqësi të tilla natyrore. Por, ndjenjat tona qenë ndryshe, më të thella, më prekëse. Ushtarët e FSK-së u dëshmuan për përkushtim profesional dhe atdhetar. Qytetarët e Kosovës ofruan gjithçka për vëllezërit e tyre”, tha tutje presidenti Thaçi. Ai theksoi se Kosova dhe Shqipëria e kanë perspektivën e përbashkët euroatlantike tek vlerat e botës demokratike perëndimore. “Kosova dhe Shqipëria kanë vetëm një perspektivë: Atë euroatlantike. Aty ku historikisht na përket vendi. Te vlerat e botës demokratike perëndimore”.

Pastaj u ftua në foltore Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, të mbaj fjalën e tij, i cili kujtoi lidhjet tona vëllazërore në momente të caktuar vendimtare për popullin shqiptarë. Periudha e 1999-tës është vetëm një akt i bujarisë dhe dashurisë ndërvëllazërore: “Dua të shpreh falënderimet e mia për Kryeministrin e asaj kohe në Shqipëri, zotin Majko, për Presidentin Mejdani, për të gjithë forcat politike, që edhe pse vinin nga një ndarje e thellë politike, të gjithë u bëmë bashkë për të përballuar atë eksod biblik duke mirëpritur gati 1 milionë vëllezër dhe motra nga Kosova.

Ju me të drejtë thoni ‘Faleminderit Shqipëri’, edhe pse Shqipëria e kishte për detyrë të përballonte atë krizë të jashtëzakonshme humanitare që erdhi nga Kosova për shkak të gjenocidit të Millosheviçit. Por shpesh, kur takohemi me kolegë të tjerë të asaj kohe, e kemi të vështirë ta besojmë se si mund të përballohej një krizë e këtyre përmasave.

Kriza e jashtëzakonshme humanitare u përballua falë përkushtimit dhe angazhimit të çdo shqiptari të thjeshtë.

Në mënyrë të veçantë do të theksoja solidaritetin heroik të popullit të Kukësit, pa harruar të gjitha familjet nga Tropoja deri në Sarandë, që mirëpritën vëllezërit e tyre nga Kosova, edhe pse në kushte mjaft të vështira ekonomike dhe sociale.

Kanë qenë momente tepër të vështira kur vetëm një komb i rrezikuar për ekzistencën e tij mund të reagojë në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të triumfojë duke bërë të mundur që, jo vetëm Shqipëria ta përballonte këtë krizë humanitare dhe të mos destabilizohej, sikurse ishte objektivi tjetër i Millosheviçit përveç zbrazjes së Kosovës, por përkundrazi, të vazhdonte të ishte një prapavijë e sigurt për NATO-n, por edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

20 vite kanë kaluar dhe vërtet jemi shumë më mirë nga ç’kemi qenë njëzet vite më parë. Ashtu sikurse duhet të jemi më të vëmendshëm për të ardhmen dhe të shohim se çfarë duhet të bëjmë më mirë për t’u mos u motivuar dhe vënë në lëvizje virtytet tona më të mira kombëtare vetëm në kohë krizash.

Duhet të punojmë çdo ditë në mënyrë të përgjegjshme dhe të virtytshme që të evitojmë krizat dhe vështirësitë që i krijojmë vetes.”

Ishte i pranishëm edhe Z. Pandeli Majko, kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, i cili ndër të tjera, tha: “Ne që kemi qenë, në atë periudhë të vështirë, në drejtimin e institucioneve, thjeshtë e kemi bërë detyrën tonë. Ka pasur ca këtu në Kosovë, pa pasur ndonjë institucion, zyrë, luftuan për lirinë e popullit shqiptar. Sepse, në thelb, liria e Kosovës ishte edhe liria e Shqipërisë.

Kur na falënderoni për atë që kemi bërë, ndihemi mirë, por njëkohësisht ndihemi edhe keq, sepse ne jemi vëllau. Vëllau edhe falënderohet edhe nuk falënderohet. Vëllau nganjëherë edhe të mërzit. Ne duhet ta durojmë njëri-tjetrin, si vëllau vëllan. Duhet të kujtojmë ato ditë të vështira, kur ishim të gjithë së bashku përkufizuam, përcaktuam se kush jemi, nga vijmë dhe mbi të gjitha ku do të shkojmë.  

Në vitet ’97 ne në Shqipëri ishim gati të vriteshim mes veti, por pas masakrës së Reçakut, u bashkuam të gjithë dhe ajo që u tha ishte: kur serbët na vrasin, ne duhet të bashkohemi.

Tash në një kohë tjetër, në një kohë të re, të integrimit evropian, nga ai moment i vetpërkufizimit tonë i ’99, ne duhet të shikojmë pak më tutje, ashtu siç na mësojnë bashkësitë tona fetare, se duhet dish të kujtosh, duhet dish të falënderosh, por duhet të dish edhe të falësh. Unë nuk jam nga ata që parafalë kollaj, por ja që kam filluar edhe unë ta bëjë këtë. E kam vështirë të kuptoj disa gjëra në rajon, por kam filluar të korrigjoj disa gjëra që deri dje i kisha të paprekshme, sepse duhet të ndryshojmë, dhe këtë duhet ta bëjmë së bashku.

Në 1999 e kuptuam se nuk bënim dot pa njëri-tjetrin. Sot, jam këtu për të thënë se nga ’99 kemi filluar një udhëtim të përbashkët, dhe kurdo, gjithkund e çdo ditë, në të mirë e në të vështirë do të jemi gjithmonë bashkë.”

Fjalime mbajtën edhe krerët e bashkësive fetare në Kosovës dhe Shqipëri: Kryemyftiu Naim Tërnava, Bashkësia Islame e Kosovës, Argjipeshkvi Tiranës dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot George Frendo, Pastori Fehmi Cakolli, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës,  Erges Biti, sekretar i Vëllazërisë Ungjillore e Shqipërisë, të cilët në emër të bashkësive të tyre shprehën mirënjohjen për mikpritjen bujare të ndërshqiptare.

Pjesa e dytë e Akademisë ishte rezervuar për dëshmitë, siç ishin Dëshmia e SH. T. Angelo Massafra, argjipeshkvi i Shkodres dhe President i Caritasit Shqipëtar, pastaj Promovimi i Librit “MIKPRITJA”, përmbledhje me tekste dhe fotografi e veprimtarisë së Kishës në periudhën e vitit 1999, i cili u prezantua nga LoretaToma & Flavio Cavalini, dëshmia e z. Tomë Preku, drejtor i atëhershëm i Caritasit Shqiptar, dëshmia e motër Valbona Hajdari, e cila ishte refugjate adoleshente dhe dëshmitare okulare e vuajtjeve të refugjatëve.

Pjesa e tretë e Akademisë u prezantua mesazhi i paqes i Papa Françeskut, të cilën Ati i Shenjtë e ka publikuar më 1 janar 2020, në ditën 53- botërore të paqes. Prezantimi u bë nga ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli. Prezantimin e plotë mund ta lexoni në këtë lidhje të portalit tonë: http://www.drita.info/2020/01/20/ecja-drejt-paqes-eshte-shtegu-i-shpreses-qe-krijon-te-ardhmen-e-popujve/).

Akademia përfundoi me një koktej për të gjithë të pranishmit, në pjesën Agora të Qendrës BogdaniPolis./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »