Kremtohet Festa e Shën Sebastianit në Famullinë e Kravaserisë

Jan 21 • Kisha në Kosovë

Kisha e famullisë së Kravasarisë i është kushtuar “Shën Sebastianit” apo siç njihet tek ne shqiptarët Sh’Masjani, që festohet çdo vit me 20 janar. Këtë vit festa u shënua me kremtimin e meshës në kishën e fshatit dhe me një ndejë vëllazërore pas meshe. Në praninë e besimtarëve të famullisë, që numëron 37 besimtarë, si dhe të atyre që kishin ardhur nga famullitë përreth, Don Shtjefën Dodes, në predikimin e tij, i nxiti të pranishmit të frymëzohen nga shembulli i Shën Sebastianit që rrethanat të pavolitshme dhe sfiduese t`i shohin si raste e çaste për t`u forcuar dhe për të dëshmuar fenë në Krishtin.

Shën Sebastiani, edhe pse ushtar te perandori Dioklecian, e përdori pozitën e tij për t`i vizituar të krishterët nëpër burgje dhe për t`i ngushëlluar e forcuar në fe. Rrezikoi dhe e dha jetën, vetëm e vetëm që Fjala, Ungjilli i Krishtit, të përhapet sa më shumë te njerëzit.

Fshati i vjetër Kravasari i takon komunës së Malishevës. Banorët e tij janë shqiptarë dhe të fisit Bytyç. Popullata e këtij fshati ka qenë gjithmonë e besimit të krishterë. Këtë e dëshmojnë themelet e kishës së vjetër afër oborrit të shkollës, që gjendet 200 m larg kishës së re e ndërtuar në vitin 1937.

Deri kah fundi i shekullit 19-të, katundi ka pasur 20 shtëpi, ndërsa banorët kanë qenë të besimit katolik dhe të gjitha ceremonitë, të gëzimeve dhe të hidhërimeve, i kanë ndarë bashkë. Aty e kanë pas kishën dhe si Ditë të Kishës ka qenë data 20 janar – Dita e Sh’Masjanit. Gjatë sundimit otoman, nën presion të madh, është detyruar krejt katundi të kalojë nga besimi katolik në besimin islam. Me këtë konvertim të fesë disa nuk janë pajtuar. Kështu tregohet rasti që në një familje i zoti i shtëpisë ka lejuar që i biri i tyre të bëhet mysliman, por vetë të qëndrojë katolik. Disa të tjerë janë deklaruar kinse e ndërruan fenë, por gjitha festat e krishtera i kanë lutur në fshehtësi. Me fjalë të tjera, kanë qenë kriptokatolikë, apo katolikë të fshehur.

Kthimi në fenë e të parëve apo dalja haptas për t’u deklaruar katolikë dhe pagëzimi i tyre vazhdon edhe sot e kësaj dite. Vitin e kaluar, gjegjësisht sivjet shtatë prej banorëve të këtij fshati e kanë shfaqur hapur dëshirën dhe janë duke u përgatitur që të pagëzohen.

Shën Sebastiani ndërmjetësoftë për ta dhe gjithë banorët e Kravasarisë!/drita.info

 

Teksti dhe foto: Famullia e Kravaserisë

Shpërndaje

Comments are closed.

« »