Kë e mbështes?

Jan 27 • Meditimi i ditës

27 janar 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 2Sam 5, 1-7.10; Ps 89, 20-22.25-26; Mk 3, 22-30)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë si jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të shpreh falënderim.

Diçka që ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala e Zotit

Lutju Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 3, 22-30

 

22 Kurse skribët që zbritën nga Jerusalemi, thoshin:

“E ka në trup Beelzebulin e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë”

23 Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flasë me shëmbëlltyra:

“Si është e mundur që Djalli ta dëbojë djallin. 24 Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. 25 Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërrohet. 26 Nëse, pra, Djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet ‑ i erdhi fundi! 27 Dhe dihet që s’ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ia marrë plaçkat pa e lidhur atë më parë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkisë shtëpinë.

28 Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’ju falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, 29 por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim; është fajtor i një mëkati të përhershëm. 30 Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Si mendon se Jezusi u ndje kur u akuzua se ishte pushtuar nga djalli? Si i përgjigjet ai akuzës? A e ka humbur kontrollin? Apo është mjaft i qetë në përgjigjen e tij?
  • Nganjëherë njerëzit shqetësohen shumë për atë që thotë Jezusi këtu: “kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim; është fajtor i një mëkati të përhershëm.” A të shqetësojnë fare këto fjalë? Si do ta këshilloje dikë që do të ishte i shqetësuar ose i frikësuar prej këtyre fjalëve?
  • Tani dëgjoje përsëri paragrafin biblik dhe vë re se ka dy palë kundërshtare në tregim. Pyete veten, “Në cilën anë do të doja të isha? Në cilën anë jam?”

 

Bashkëbisedimi

Në përmbyllje përmblidhe me disa fjalë në formë lutjeje gjithë atë që dëshiron t’i thuash Hyji Atë, Jezusit, ose Shpirtit Shenjt.

 

Përmbyllja

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Jezusi ua bën me dije skribëve se po shesin mend: durimi dhe mençuria janë të nevojshme për të lejuar shpirtin e Zotit t`i ndriçojë vëzhgimet e mençura.

Bëj, o Zot, që fjalët e mia kurrë mos të sjellin ndasi, por jeta ime të jetë në shërbim për të ndërtuar trupin e Krishtit. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »