Zemër e (pa)punueshme

Jan 29 • Meditimi i ditës

29 janar 2020 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Sam 7, 4-17; Ps 88; Mk 4, 1-20)

 

Prania e Hyjit

Sa më shumë t`i përgjërohemi Zotit, aq më shumë e ndjejmë praninë e tij.

Nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq nga Zemra jote e butë.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.

Shpirti Shenjt më udhëheqtë që lirisht të të ndjek.

Mbille në zemrën time dëshirën që për çdo ditë

gjithnjë e më shumë të të njoh dhe të të dua.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i lodhur, me stres apo ndjehem se nuk jam në formë?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mk 4, 1-20

1 Jezusi filloi prapë të mësojë në breg të detit. Turmë e madhe u mblodh rreth tij. Prandaj hyri në barkë në det dhe u ul, kurse populli qëndronte në breg të detit. 2 I mësonte shumë gjëra në shëmbëlltyra. Në mësimin e vet u thoshte:

3 “Dëgjoni! Doli mbjellësi për të mbjellë. 4 Ndërsa po hidhte farën, disa kokrra ranë përbri udhës, erdhën zogjtë dhe i hëngrën. 5 Disa të tjera ranë në zallinë, ku nuk kishte mjaft dhe. Ato mbinë me të shpejtë, sepse toka nuk ishte e thellë. 6 Por, kur doli dielli, u dogjën, e, pse nuk kishin rrënjë, u thanë. 7 Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën, ua morën frymën e nuk dhanë fryt. 8 Disa të tjera ranë në tokë të mirë, mbinë, u rritën e dhanë fryt: njëra tridhjetëfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra njëqindfish.”

9 Dhe shtoi:

“Kush i ka veshët për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

10 Kur mbeti vetëm, ata që e përcillnin bashkë me të Dymbëdhjetët, e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrave. 11 Ai u tha:

“Ju e morët dhuratë misterin e Mbretërisë së Hyjit, kurse atyre që janë përjashta u mbërrin përgjithësisht në shëmbëlltyra, 12 që

‘edhe pse shikojnë me kujdes ‑ megjithatë

nuk shohin,

edhe pse dëgjojnë me kujdes ‑ megjithatë nuk

kuptojnë,

përndryshe do të ktheheshin

e do të gjenin falje.’“

13 Dhe vazhdoi:

“Po a nuk e morët vesh këtë shëmbëlltyrë? Po, atëherë, si do t’i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?

14 Mbjellësi mbjell Fjalën. 15 Ata ‘përbri udhës’, ku mbillet fjala, janë ata që, posa e dëgjojnë Fjalën, vjen aty për aty djalli dhe ua rrëmben Fjalën që mbillet në ta. 16 Po ashtu ata që e marrin farën në ‘zallinë’, janë ata që, kur e dëgjojnë Fjalën, e pranojnë aty për aty me gëzim, 17 porse nuk kanë në vetvete rrënjë ‑ janë të luhatshëm. Por, po erdhi një e vështirë ose një salvim për shkak të Fjalës, e bjerrin besimin në Fjalën. 18 Të tjerët që e morën Fjalën në ‘ferra’, 19 janë ata që e dëgjuan Fjalën, por kujdeset e kësaj jete, lakmia e pasurisë dhe epshet ia zënë frymën Fjalës, dhe ajo mbetet pa fryt. 20 E ka nga ata që e marrin farën në ‘tokë të mirë’. Këta e dëgjojnë Fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: njëri tridhjetëfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri njëqindfish.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Në ungjillin e Markut, sa herë që Jezusi është buzë detit, ndodh diçka e rëndësishme. Cila mendoni se është gjëja e rëndësishme që po ndodh këtu? Pse mendon se Jezusi është në një barkë?
  • Jezusi tregon një histori për lloje të ndryshme të tokës këtu. A e vë re sa lloje të ndryshme të tokës ai përmend? Mund ta imagjinosh se çfarë mund të përfaqësojnë?
  • Tani dëgjoje përsëri paragrafin. Cila është fjala e parë që thotë Jezusi dhe cila është fjala e fundit? Pse mendon se kjo është kështu? Cili është mesazhi për ty sot?

 

Bashkëbisedimi

Fara është simbol për Fjalën e Zotit. Fjalës së Zotit që i është drejtuar çdo njeriu mund t`ia zë frymën brengat dhe problemet e jetës, pasuria dhe komoditeti i jetës apo ndonjë teke tjetër irracionale. Shqyrtoji brengat dhe problemet e tua që të pengojnë për ta dëgjuar se çfarë dëshiron të të thotë Zoti. Të japësh fryt në Besëlidhjen e Re është metaforë për pendim, kthim dhe vepra të mira.

Reflektoj dhe me mirënjohje i pranoj veprat e mira që Zoti ma ka dhënë mundësinë t`i bëj.

Në përmbyllje, me fjalë të tua, drejtoja lutjen tënde Zotit, i cili mbjell farën e tij me kaq bujari.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Do të përpiqem ta “marr me zemër” fjalën e Jezusit – Jezusi është edhe më i gatshëm për shkak të porosisë së tij të lëshojë rrënjë në zemrën time. Nganjëherë mund ta admiroj mësimin e tij nga një distancë dhe ta pranojnë atë si një risi. Ose mund të ketë ditë kur disa gjëra, vlera ose interesa të tjera e tërheqëse lehtësisht vëmendjen time.

O Zot, ma jap hirin që t`i lejoj Fjalës Tënde të rrënjoset në zemrën time dhe të japë fryte në fjalët dhe veprat e mia. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »