Pse e keqja dhe vuajtja në botë? (pjesa I)

Jan 30 • Këndvështrime

Nga Phil BOSMANS

 

 

Nëse Zoti ekziston,

nëse ai është Dashuri,

pse atëherë kaq shumë vuajtje,

pse vdekja,

pse kaq shumë të këqija në botë?

 

Kjo pyetje është e vjetër

sa vetë njeriu.

Pyetje therëse

që i ballafaqon njerëzit

e të gjitha gjeneratave.

 

Rrugëto me këtë pyetje nëpër shekuj

e nëpër të gjitha rrugët e njerëzve.

Trokëllit në dyert e filozofëve më të mëdhenj

e takohu me mësuesit më të njohur.

Asnjëri prej tyre s`do të japë

përgjigje të kënaqshme.

 

Nuk do të shkosh tej pyetjeve tua.

Me pyetje të tilla do të të mbulojë varri.

 

Çdo vuajtje është

një shkëputje prej jetës,

një trajtë vdekjeje,

një pjesë e vdekjes.

 

Vuajtja dhe e keqja

janë goditje kundër jetës.

 

E keqja është dhimbje

që njerëzit ua shkaktojnë njëri-tjetrit,

goditje ndaj jetës së tjetrit,

një trajtë e vrasjes.

 

Ku ishte Zoti?

Dy autobusë me fëmijë të përgjumur

udhëtonin natën nëpër autostradë.

U ndeshën mes veti.

U bë det i zjarrtë.

Fëmijët digjeshin në atë ferr.

Në Paris në mëngjes vraponte një grua

dhe bërtiste si e marrë: “Ku ishte Zoti sonte?”

 

Ku ishte Zoti?

 

Kodra kishte pritur

të flinin njerëzit,

fëmijët të fillojnë ëndrrat e tyre,

të dashuruarit t`i bien njëri-tjetrit në përqafim.

Kodra kishte pritur

deri sa të errësohet.

Atëherë u tërbua, shpërtheu

me lumenj të zjarrtë,

me llavë të skuqur dhe llum të zier,

u lëshua mbi njerëz,

i goditi dhe i vrau

në qytetin e qetë Armero.

 

Ku ishte gjithëpushtetësia e Zotit

në ferrin e Auschwitzit?

 

Sa e dobët ishte dora e Zotit,

e cila mund t`i rrëzojë pushtetmbajtësit

nga fronet e tyre.

Pamjet e tmerrshme të Holokaustit

vinin (përmes TV) në shtëpitë tona.

Njerëzit shtangeshin.

Vallë, a ishte e mundur të ngjante një gjë e tillë?

Njerëz të zhveshur pritnin si të pudrosur

para dyerve të dhomave të gazit.

Dikush kishte telefonuar në TV-studio

dhe kishte pyetur: “Ku ishte Zoti?”

Kishte marrë përgjigjen:

Qëndronte mes atyre njerëzve që pritnin dhe qante.”

 

Pse natyra

mund të jetë ashtu mizore?

 

Nuk di,

pse natyra e bukur

mund të jetë aq mizore.

Nuk di,

prej nga shtrëngatat dhe uraganet,

dhe kush i ka dërguar

t`i shkul kulmet e shtëpive.

Kush ka toleruar që lumenjtë

të dalin jashtë shtretërve të tyre

për ta vërshuar tokën

e t`u kanosen njerëzve me shkatërrim dhe vdekje.

 

Nuk di,

pse vullkanet duhen të vjellin flakë,

pse toka duhet të dridhet dhe të çahet.

Nuk di.

Përse ndonjëherë,

para së gjithash në vendet e varfra,

duhet të shkatërrohet gjithë ajo

që njerëzit me aq mundim e kanë ndërtuar?

 

Pse? Pse?

Nga dita në ditë, nga ora në orë,

në fshatra e qytete,

në rrugë të vogla e të mëdha,

në ambulanca e klinika të mëdha,

në pushimoret e zotërinjve e në dhomat e shërbëtorëve,

apo ndokund në skaje të rrugës:

njerëzit në nevojë të madhe,

me fytyra të futura mes duarsh

këlthasin

pranë të gjitha vuajtjeve të pashpëtuara,

të lodhur qajnë

për shkak të vdekjes së pamëshirshme.

 

Pse kaq shumë vuajtje?

Pse paralizimi?

Pse kanceri?

Pse sakrificat?

Pse gjithë kjo fatkeqësi

që të mos ecësh kurrë?

Pse vdekja në pranverën e jetës?

Pse?

 

Një argument krejtësisht i thjeshtë

i njerëzve

që gjykojnë vetëm me anë të arsyes.

 

Ose: Zoti nuk e do vuajtjen dhe të keqen,

por s`mund ta ndalojë.

Atëherë Zoti nuk është i gjithëpushtetshëm.

Ose: Zoti mund ta ndalojë

vuajtjen dhe të keqen,

por nuk dëshiron ta ndalojë.

Atëherë Zoti nuk është i mirë.

 

Nëse Zoti dëshiron dhe mund ta ndalojë

vuajtjen dhe të keqen,

përse atëherë nuk e bën?

 

Kjo “Pse” mbetet lart në qiell e pakapshme.

 

 

Pse? Kë duhet ta pyes?

 

Shkenca di gjithçka për këtë dhe ajo do të na mësojë deri në hollësi, në gjëra të imëta, shkaqet e vuajtjeve dhe të vdekjes sonë. Çfarë do të bëjmë me këso përgjigjesh?

“Pak para ia solla edhe një tas kafe në shtrat”, tha gruaja, “e ndiente veten më mirë. Kur u ktheva, e gjeta të vdekur. Pse tani? Ai ishte ende i ri!”

Befas një ndarje e tmerrshme. Pafuqi e pakufishme. Frika nga vdekja qëndron krejt afër gëzimit të jetës. Vdekja është zvetënuese, e cila përzihet në çdo gëzim të jetës, largon çdo siguri dhe tkurr çdo organ, me të cilin thithim gëzimin e jetës. Vdekja është hija jonë e përjetshme. Vdekja banon në trupin tonë, në shtëpinë tonë dhe kurrë s`do të mund të lirohemi prej saj. Askush s’mund ta mposhtë vdekjen.

Njerëzit nuk kanë përgjigje. Për këtë arsye iu ikin pyetjeve thelbësore të jetës. Për vdekjen heshtet. Kur kalon kortezhi mortor, komunikacioni zhvillohet normalisht tutje. Mbasi të numërohen të vdekurit dhe të raportohet për atentatet dhe katastrofat, në ekranet televizive vazhdon sporti dhe programet zbavitëse.

 

Nuk di

kë duhet ta pyes.

 

Kur mendoj për vuajtjet e të pafajshmëve,

për tmerrin e të keqes në botë,

kur i mendoj të vdekurit

dhe vdekjen time,

gjendem para misterit.

Atëherë mundohem

të mos mendoj gjë,

të harroj apo t`i pohoj diçka vetvetes.

Porse, derisa të kam mendjen dhe zemrën

do të më mundojë kjo “Pse”.

 

Misteri i vuajtjes dhe të keqes,

misteri i jetës dhe vdekjes,

janë të ndërlidhura me misterin e Zotit.

Por ne jetojmë në një kohë,

në të cilën përsiatja dhe të folurit për Zotin është e zymtë.

Zotëron zbrazëtirë e madhe për Zotin.

 

Zoti është një dritë e huaj!

 

Do të bie në dyluftim me Zotin.

Do ta thërras në përgjegjësi Zotin.

Do të bërtas:

 

“Pse, Zot,

e ke fikur diellin,

që vetë e kishe ndezur?”

 

Ndonjëherë në uraganet e tërbuar

dhe stuhitë e jetës

dëgjoj gjëmimin e kullës së Babelit.

Ndoshta është aty dikush

që dëshiron t`iu kujtojë njerëzve

se janë të vegjël, të brishtë,

dikush që dëshiron t`iu japë shenjë

të heshtur

se gjithçka është relative

 

në dritën e shpresës

për një Tokë të re

dhe një Qiell të ri.

 

A ka vuajtje,

që të jetë e pranueshme?

 

Ka vuajtje dhe vdekje,

që i përkasin

kushtëzimit të jetës njerëzore.

Njerëzit sëmuren,

iu ndodhin fatkeqësi të rënda, të padëshiruara,

lëndohen, sakatohen, gjymtohen.

Njerëzit vdesin.

Ndodhin katastrofa të mëdha natyrore,

sepse toka është në zhvillim,

në lëvizjen e përhershme.

Njeriu këtu s’ka kurrfarë faji.

 

Megjithatë,

kur mijëra njerëz të pafajshëm

tmerrësisht vuajnë dhe vdesin,

krejt brendësia jonë ngritët kundër.

Tek e fundit, vuajtjen dhe vdekjen e këtillë

më lehtë disi e durojmë

dhe shpejt pajtohemi me të,

se sa kur njerëzit ia shkaktojnë njëri-tjetrit.

Shpeshherë vuajtja i mëson

dhe i bashkon njerëzit.

Katastrofat natyrore

kanë nxitur vërshime të solidaritetit

jashtë çdo kufiri dhe kontinenti.

 

Të keqen që njerëzit ia shkaktojnë njëri-tjetrit,

s`do të duhej t`ia mveshim Zotit.

 

Historia e vëllavrasjes është histori që i përket secilës kohë. Me të ballafaqohemi për çdo ditë. Çdo mbrëmje TV ekranet na japin fotografi të të vdekurve dhe të të lënduarve. Shohim se si njerëzit në mënyrat më të shëmtuara i mundojnë të tjerët. Ka aq shumë të këqija në botë, shkaqet e të cilave mund të shihen shumë qartë, për të cilat assesi s`mund të jetë përgjegjës Zoti.

Përmes letrave, thirrjeve telefonike dhe shumë bisedave, futem në xhunglën ku njerëzit njëri-tjetrin, nganjëherë, në mënyrë të rafinuar, e nënçmojnë, e torturojnë, e kërcënojnë njëri-tjetrin, e shpeshherë e shpijnë, njëri-tjetrin në dëshpërim. Kur ulem i pafuqishëm duke i kundruar gjithë këto flijime të dëshpëruara, që janë në mbarimin e fuqisë së tyre e klithin për shpëtim, do të dëshiroja në këtë xhungël të thërrisja:

 

“O njerëz, ndaluni!

Ndalni këto marrëzi!

99% të të gjitha vuajtjeve

ia shkaktoni vetë njëri-tjetrit!”

 

A është vdekja fundi (i gjithçkaje) apo jo?

Mendimi për vuajtjen dhe vdekjen nuk guxojmë ta zhvendosim nga rrethi i të veneruarit tonë. Kjo do të ishte shkurtpamësi dhe kufizim. S`do të ishte më mendim i hapur dhe i gjerë, por marrëzi politike. Në fund të fundit gjithçka varet nga pyetja themelore: “A është vdekja fundi (i gjithçkaje) apo jo?”

Nëse vdekja është fund i gjithçkaje, atëherë vdekja ime merr karakter të tmerrshëm cungimi. Nëse vdekja nuk është fundi, atëherë vdekja ime merr çuditërisht dimension të ri. Po qe se i qetësuar ballafaqohem me vdekjen, ky moment kritik i jetës sime, të cilin duhet ta tejkaloj krejtësisht vetëm, atëherë gjendem para tërësisë ose hiçit, kuptimit ose pakuptimit të qenësisë sime, para Zotit ose para zbrazëtisë së pafund.

Sikurse “Unin” tim personal, unikat, të përjetshëm s’mund ta shpjegojnë fizika, kimia dhe biologjia, po ashtu s’mund të gjejnë zgjidhje të kënaqshme për misterin e vuajtjes dhe vdekjes.

 

Gjithçka që kam në duar të mia

është Shpresa.

Ajo më jep gëzimin e jetës

deri në frymëmarrjen e fundit.

 

E kam fituar trupin.

E kam fituar jetën, thjeshtë falas,

për çdo ditë përsëri.

 

Nuk e pranoj vdekjen.

 

E di, një ditë do të duhej ta kthej trupin tim,

këtë lëkurë timen,

që njerëzit e quajnë “vdekje”

dhe shumë mendojnë se këtu është fundi im.

Sikur të ishin njerëzit mbeturinë,

që zhduken nën dhé apo të digjen.

Amen dhe fund.

 

Unë këtë s`e pranoj.

 

Nuk mund të pajtohem

me fatin e të pafajshmëve,

që mezi kanë jetuar,

e ndoshta nuk kanë qenë të lumtur

as edhe një ditë të vetme,

të cilët përherë e gjithkund

ishin të shkelur e të nënçmuar.

I kundërshtoj një monstrumi

që bëri kinse të ndodh kështu.

Nuk mund të jetë kështu!

 

Pse tek njerëzit e pashpresë

dhe të abuzuar jeton

aq shumë shpresa,

shpresa për jetë më të mirë,

për jetën e pasosur?

Pse çdo njeri dëshiron të jetojë?

Dikush e ka ndezur flakën

dhe e mban të shndrisë ende.

Dashuria është ajo që e ushqen flakën,

e në këtë dëftohet forca e mistershme,

forca tejnjerëzore, që i tejkalon

kufijtë e vdekjes.

 

Dashuria është me e fortë se vdekja.

Zoti është Dashuri.

 

– vazhdon – 

 

(Pjesë nga libri: Phil BOSMANS, Vergiss die Liebe nicht. Leben mit dem unglaublichen Gott. Herder. Freiburg-Basel-Wien 1997. f. 116-161.  Përktheu: Fatmir Koliqi)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »